Cannes, 21 /X/ 1955
I dashuni Z. Profesor,
Mora sot kartën t’uej postare, sikurse edhe letrën para se u nisëshe prej Aleksandrije e kam pasë marrë.
S’më ka shkuem aspak për mêndsh me ju vȗmë faj për të premit e letërshkëmbimit me mue, por mërzit’e dyndjes qi kishin filluem edhe për mue qysh para se u nisshim nga Egjypti e po vazhdojnë ende, më kanë shtrënguem t’a kufizoj korrespondencën në minimum. Shpresoj se mbrênda muejit qi vjen do të bie disi rahat e do të mundem me kapun edhe nji herë ritmin e nji jete të rregullt si parandej.
Letrat e jueja i pres gjithmonë me kënaqësí. Tash për tash adres’ e ime vazhdon të jetë Poste Restante. Në muejin qi vjen kam për të mȗjtun me dhânë atê të shtëpisë.
Shumë shëndet e miqsí Asllanit edhe juve.
M.Kruja (firma)
Rocca di Papa, 26 nanduer 1955
I dashtuni mik z. Mustafa Kruja,
Kam marrë letrën e juej të datës 21 tetuer e po ju përgjegjem me vonesë për arsye se s’kam qenë këtu në Rocca di Papa për nja trì javë. Pata shkue në Napoli i thirrun prej Konsullatës amerikane për me krye formalitetet e emigracjonit për në Shtetet e bashkueme të Amerikës; e mbasi kreva punë, në vend qi me kthye me nji herë në Rocca, u ndala në Bagnoli te nji shok e mik i emi.
Kure erdha gjeta letrën e juej e u knaqa mjaft pse pat kalue nji kohë shum e gjatë qi nuk kemi pasë shendrrue letra me njeni tjetrin.
Sikur mund t’a dini në këto ditë do te bahen zgjedhjet për kryetarin, nënkryetarin e sekretarin e komitetit. Me sa vejë ré unë, sivjet të gjithë janë mbulue prej njì apatije të thellë; arsyeja e kësaj apatije duhet kërkue në vajtjen e gjendjes së përgjithëshme ndërkombtare qi nuk asht tue dhanë ndonji shej të knaqshëm në nji ndryshim te regjimevet komuniste, si edhe në lodhjen ekonomike gati të të gjithvet.
Na kemi marrë vesh se dëshira e Mbretit asht qi të zgjidhet prap Hasan Dosti, e kështu do të bajmë; e kur t’a gjykojsh hollë – edhe pse nuk i ka rekuizitat e duhuna – kush do të jetë ma i mirë se Dosti?
Përsa i përket Sekretarit ky asht mundue sa ka mundë pranë Miqvet për me e denigrue Mbretin. Vjet patëm nji rasë shum të pershtatëshme qi të vihej si sekretar nji monarkist, por nuk qe e mundun bash pse disa “monarkista tjerë” preferuen qi t’i a ipshin votën Ekrem Telhajt se sa Rakip Frashërit. E kështu duhet me i bajtë të gjitha pasojat e idhta të kësaj zgjedhjeje.
I dashtuni mik, ka disa dit qi kam marrë nji letër prej njì shokut t’em qi ka emigrue prej Greqije n’ Amerikë. Kur kanë pasë dalë prej Shqipnije, ky edhe shum tjerë, kanë qenë ballista e disa prej tyre edhe krenë. Duket si vetëlavdim, por me besimin e thellë e përpjekjet e forta qi kam pasë ba kur ishem në Greqì, bana qi pjesa ma e madhe e këtyne ballistave të kthehej n’idén e monarkìs. Ajo kohë tashmâ asht e largët, por e kujtoj gjithmonë me mallëngjim pse kam shkrie të gjitha energjinat e mija për me i shërbye Lvizjes mbretnore e nëpërmjet saj edhe Atdheut.
Ky shok më shkruen se propaganda e kundërshtarvet ballista asht tue ba çmos për me e paraqitë Mbretin Zog me ngjyrat ma t’errta pranë shqiptarvet t’emigruem qysh heret n’Amerikë. Qe nji pjese e letrës së tìj:
“Shqiptarët e këtushëm kanë nevojë per disa sqarime mbasi janë shumë të vjetër dhe disa janë edhe pa shkollë. Politika e Komitetit te Parisit ka mundun të helmojë nji pjesë të vogël duke i dërguar gazetën Besa e duke dërguar letra me anë të disave miqve që partija mbretërore është e shitur ndaj fqijt e tij”.
A duhet a s’duhet ba nji riorganizim i mbretnorvet kudo qi janë të shpërndamë në botë, besoj se nuk asht as për t’u bisedue. Në fakt sot ka mbretnorë por jo nji partì mbretnore, e kështu kemi mbetë me duer kryq si spektatorë të thjeshtë të njì skene qi zhvillohet për çdo ditë në damin t’onë.
Ata qi kanë vendosë në mende të tyne për me kapë pushtetin shtetnuer me çdo kusht e mjet – ballistat ekstremista – janë tue ba çmos për me luftue adversarët e tyne. Ata e dijnë mirë se për me luftue mbretnorët, duhet me fillue nga kryet, nga vetë Mbreti; e kështu bajnë metodikisht nji fushatë të rreptë e të vazhdueshme për me e paraqitë Mbretin si njeriun qi ka kultivue kushtet e ardhjes së komunizmit në Shqipní e për pasojë duhet me pengue kthimin e tij n’Atdhé, si “causa prima”[1] të tragjedìsë së soçme kombtare. Këte propagandë ata janë tue e ba botnisht me anë të dy organevet të tyne Flamuri e Besa e tinzisht me raportet e mshehta pranë Miqvet të huej. Na mbretnorët mjerisht jemi shtangue! Deri kur a thue do të vazhdojë kjo apatì! Une kujtoj se po të vazhdohet kështu për nji kohë të gjatë, koha nuk ka me punue ma për né, po për ballistat. Derisa ka qenë Mbreti n’Egjipt, ka qenë përhapë parulla se “porsa të dalë Mbreti n’Europë, e të ketë në dorë të gjithë elementat e nevojshëm, do të bajë vetë nji riorganizim të Lëvizjes mbretnore. “Nji ditë ndoshta mund të lodhen antarët t’onë e nuk asht për çudì qi të gjykojnë se “veç ballistat janë të zotët e punës e pra pse mos të shkojmë me ta!”
Në prill të vjetit 1954, na e patëm bâ punën qi na takonte; mandej i a lamë Mbretit qi të merrte mundimin me u dhanë mbarim këtyne anomalivet në gji të mbretnorvet. Prej asaj kohe e deri tash, na presim me besim të thellë se nji gja e mirë ka për të dalë, se duhet të dalë.
Po ndalem me kaq.
Merrni të falat ma miqsore si prej Asllan Zenelit ashtu edhe prej meje.
I juej Miftar Spahija.
Cannes, 19.XII.1955
I dashuni mik,
Vetëm fillimi më ka kënaqun, kënaqun përnjimênd me atë kuptimin e popullit, në letrën t’uej me 26 nânduer : formalitetet e mërgimit t’uej n’Amerikë. Dashtë Zoti u mbarofshin sa mâ shpejt !
Sa për krejt pjesën tjetër të gjatë, kjo letër gjen vênd n’arkivën t’eme si dokument i çmueshëm për personën t’uej për dý qëllime ase për njanin nga të dy : me pasë për të shkruem ndonji herë historín’ e zezë të këtij emigracjoni ase për t’u ngushulluem ndonji herë, kur katastrofa të jetë prekun nji ditë me dorë e mos të munden mâ me e mohuem ata qi po e shkaktojnë me duert e veta, të gjithë me të madh e me të vogël, për t’u ngushulluem, po them, atëherë tue e kënduem bashkë me dokumente tjerë kso dore e tue thânë : ka pasun nji vogjëlí qi ka dijtun me gjykuem e me parapamë mâ kthjelltas se paria e padenjë, por s’u âsht ndëgjuem zâni ! Un vetë ka mot qi kam heshtun. Flas vetëm ku mund të shfrej, ku mund t’a çoj zânin jashta edukatës konvencjonale, ku mundem të derdh vnerin qi nganji herë më mblidhet aq sa mezi marr frymë. Përndryshe preferoj me heshtun e me u përvnerë.
Ndoshta kishte me qênë edhe ata nji të mihun n’ujë, por, po patët durim nji pune mund t’i a nisni ju, vetëm për vetëm, e do t’a kryeni mirë : nji relacion objektiv jo fort të gjatë, qi të jetë djagnostiku i gjêndjes bashkë me prognostikun dhe mënyrën e shërimit, e t’i a dërgoni drejtpërdrejt mbretit. Mos flisni askund e aspak për personën t’uej, flitni me liri absolute si nji mjek i ndërgjegjshëm i flet nji të sëmuni e familjes së tij. Ndoshta letargjija âsht aq’e rândë sa mos me bâmë pare asnji këmbonë në botë, ndoshta paragjykimet mesjetore i kanë rrânjët aqë thellë sa mos me pasun kund forcë qi i shkul. Por ju do të keni bâmë detyrën e mbrapme qi ju përket e do të keni fituem nji send për vete, si un : mos me prishun mâ, aty e mbrapa, gjumin t’uej.
Ajo qi e quejta mënyrë shërimi a mjekimi duhet të jetë nji recetë e qartë, jo formula gjenerike.
Këndej e mbrapa, d.m.th. qyshse kanë qênë këtu dy atllarët, qëndrim’i im i vendosun premas âsht për gjithmonë ky : asnji mendim, asnji kshill mâ kurrkuj pa qênë i pyetun. Krejt fuqinë t’eme mendore, krejt përvojën t’eme në jetën politike e kam derdhun n’Aleksandrí e s’më ka mbetun tjetër me thânë me nisjativën t’eme. Ҫdo njeri, posë idealit, ka edhe nji dinjitet qi s’mundet me e marrë nëpër kâmbë.
Tjetër s’dij mâ me ju thânë. E natyrisht gjithë ç’ju thashë âsht për ju vetëm.
Shumë shëndet juve me gjithë Asllan Zenelin e urime për vjetën e re qi po vjen.
M.Kruja (firma)
[1] It. : shkak i parë (E.M.)
Komentet