Zoti kryeministër, po ju drejtohem publikisht, pasi një gazetë që është kurtizania* juaj sot më ka sulmuar me mënyrat e lumpenit stalinist.
Tip linçimi nga ato që i dinë vetëm paraardhësit e partisë që drejtoni ju, me metoda që kasapët e birucave komuniste i përdornin për t’i torturuar e mbytur kundërshtarët politikë dhe gratë intelektuale. Fjalori vulg i tyre është vetë portreti i tyre. Është neveri të kesh propagandues të tillë të Rilindjes, sepse ata janë sinonimi i dekompozimit dhe matufosjes.
Pasi botuan në paçavrën e tyre një shkrimin tim, filluan të më sulmonin me sharje, fyerje e shpifje, që unë e vërtetova menjëherë se ishin të orkestruara politikisht nga zagarë që i përkasin partisë tuaj. Atëherë i kërkova zyrtarisht Aleksandër Çipës, kryetarit të Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë përmes telefonit, që si drejtues i një organizmi në mbrojtje të gazetarëve, të përdorte pushtetin e institucionit që përfaqëson dhe të kërkonte heqjen e shkrimit tim që jo vetëm ishte vjedhur nga gazeta ku jemi botues Skënderi dhe unë – Zëri i Shqiptarëve – Voice of Albanians voal.ch jo vetëm ishte botuar pa lejen e autores, por po përdorej brutalisht dhe vulgarisht për të kryeqëzuar një gazetare femër që ka dëshmuar 25 vjet se mbron një kauzë dhe kredo për ta bërë Shqipërinë.
Pushteti im është fjala, talenti, puna dhe integriteti, pasuri e paçmuar, që kurtizanët tuaj nuk i njohin dhe nuk i kuptojnë. Mjerisht.
I kërkova Aleksandër Çipës të më mbrojë të drejtat dhe dinjitetin tim si njeri, si femër dhe si gazetare.
Por mesa u pa, ai nuk pati fuqi, sepse sulmet u shtuan.
Pas atyre që më sulmuan mua, fshihet segmenti më kriminal i partisë tuaj – ai i ish-Sigurimit të Shtetit, që sot ka kapur për fyti shtetin, ndërsa nesër është gati t’ju kapë për fyti edhe ju.
Prandaj po ju drejtohem ju, për të parë nëse ju si kryetari i shtetit, a keni fuqi të ndalni skuadronet e kurtizanëve injorantë, analfabetë, vandalë, tribalë, të mjerë, idiotë, tebilë, por të armatosur deri në dhëmbë kundër një gazetareje dhe kundër lirisë të fjalës.
Andaj po ju kërkoj që t’i lidhni zagarët zoti kryeministër! Sepse janë zagarë të tërbuar!
E drejta e fjalës është si e drejta e jetës. Unë do të flas deri sa të më japë frymë Zoti !
Ju zoti kryeministër flisni pa pushuar televizioneve, gazetave, në Facebook, Twitter, po ashtu edhe kurtizanët tuaj kanë gazeta, portale, televizione, kanë gjithçka në dorë, që e përdorin për të shplarë trurin e popullit shqiptar. Ata janë të gatshëm që të eleminojnë çdo zë që nuk ka lidhje me korin e lehjeve të tyre. Dhe u vunë në lëvizje rrufeshëm vetëm se unë preka pak ose aspak nga të vërtetat që i dimë ne të gjithë, por që kanë 75 vjet që mbahen fshehur. Domethënë është farsë ajo historia e Dosjeve, me të cilën ju u krenuat aq fort!
Ju kërkoj që të më garantoni një të drejtë që më takon dhe të vërtetoni se jeni ai që u thoni shqiptarëve zoti kryeministër.
Elida Buçpapaj
*kurtizane nuk ka kuptim ad literam – por është huazuar nga një përkufizim që i bën Chris Hedges sistemit klientelist të mediave
Komentet