STRUKTURAVE VENDIMMARRËSE TË LDK-SË DHE ANËTARËSISË
LDK-ja, me kryezotin e saj, Dr. Ibrahim Rugova, është parti e paqës dhe e luftës. Ajo e nismoi dhe e mbaroi atë luftë, modeste, e bërë në Kosovën tonë. Ishte një luftë pa epopera dhe pa legjenda. Realisht, ishte një masakër e turpshme, në përmbyllje të shekullit që lamë pas. Raporti i viktimave, disa mijëra shqiptarë dhe pak qindra serbë, flet për masakër.
Ndërsa të tjerët, që pretendojnë luftën e pa bërë, kanë disa aksione, si ai i Abedin Rexhës (Sandokanit), me shokë, që masakroi tri plaka serbe, i hodhi buzë rrugës kryesore dhe iku. Si përgjigje, forcat policore serbo-sllave, përgjakën Drenicën anepërtej, duke vrarë qindra civilë të pafajshëm. Aksione e “trimëri” të tilla, ka pasur edhe në Dukagjin e gjetkë!
Karrierizmi – gangenë e LDK-së
Me amëshimin e kryetarit Rugova, filloi lufta për karrikën e Tij. Edhe pse i dinin rrjedhojat e kësaj lakmie, pretendentët yryshonin. Servilët, dallkaukët përrreth, jo vetëm nuk ndërhynin për t’i stopuar e larguar nga gara mafioze, përkundrazi, i nxitnin edhe më shumë, për të përfituar për vete dhe grupin, në kurriz të rrënimit të LDK-së.
Kjo garë e pistë e tragjike, për LDK-në, ka filluar më 2006 dhe vazhdon edhe sot më 2017. Dhe, të gjithë janë të vetëdijshëm për pasojat. Megjithatë, karrieristët mbesin në garë. Dhe, kurrë për të mirën e LDK-së! Përkundrazi, për përfitime vetjake e grupore dhe në dëm të LDK-së!
Është rrenë e kulluar kush thotë se Atdheun e LDK-në, e duan të gjithë njësoj. Që, kjo është gënjeshtër, e kemi provuar gjat luftës. Andaj, shtysë për këtë letër publike, drejtuar strukturave vendimmarrëse të LDK-së dhe anëtarësisë së gjerë, u bënë afrimi i zgjedhjeve lokale. Polarizimi i strukturave të partisë, me anëtarësinë, ka arritur në përmasën e sinjalit detar -SOS-!
Polarizimet, deri në kërcënim për mosvotim
Disa drejrues të Degëve dhe të Nëndegëve të LDK-së, të zellshëm dhe të zëshëm, në mjediset e tyre në Kosovë, nuk u janë gjegjur, për konsultime, disa kandidatëve, të emëruar për kryetar komunash, përshkak të sjelljeve të tyre injoruese e fodulle, kur ata aprovonin, me servilizëm, veprimet e kreut të partisë, shumë të dyshimta, qoftë për LDK-në apo edhe Kosovën.
Është skajshëm shqetësuese, kur kuadrot e LDK-së në bazë, thonë, hiç më pak, se “nuk votojmë kandidatët e Isa Mustafës dhe të klanit të tij, në zgjedhjet e radhës!” Ne e kuptojmë zemratën e ligjshme të kuadrove dhe të anëtarësisë të LDK-së, sepse, të pakënaqur, deri në indinjatë, për farsën zgjedhore, manipulative e staliniste, në Kuvendin e 8-të të LDK-së, kanë kërkuar reformimin e LDK-së, vite me radhë.
Por, të arrihet në vendime të tilla ekstreme, deri në mosvotim të kandidatëve të LDK-së, është e papranueshme dhe tejet e rrezikshme për fatin e LDK-së. Kësaj i thonë” “Për inat të simeje vjehërrë, do të shkoj të flej me mullixhinë!”
Pse humbë LDK-ja, në vijimësi?
Demokracia nuk e pranon kushtëzimin. Në vend të tij është debati. Por, debati po i mungon LDK-së, sepse debatin e ka përjashtuar kryetari Isa Mustafa, me rrethin e tij vicioz. Anëtarësia e LDK-së, kuadrot e saj në bazë, të injoruar nga Qendra, heshtin si mumjet! Strukturat vendimmarrëse e duan këtë heshtje, sepse janë të shpengueshme, në marrjen e vendimeve fatale për LDK-në, me qëllimin për të përfituar për vete.
Shembullojmë:
1. Koalicioni i kaluar me PDK-në;
2. Zgjedhja e Hashim Thaçit president, themelues i SHIK-ut vrastar;
3. Zgjedhja e Kadri Veseli kryeparlamentar, shef i SHIK-ut terrorist;
4. Mbrojtja e Hashimit, në tradhtinë për marrëveshjen e Demarkacionit si dhe qasja e gabuar për kufirin dhe provokimi i popullit, me tentimin e aprovimit të dhunshëm, gjë që dëmtoi LDK-në dhe i favorizoi partitë kundërshtuese;
5. Gadishmëri e LDK-së, për ta pranuar “Zajednicën” serbe;
6. Lëvrimi i 5milion euro, për mbrojtjen e kriminelëve, të cilët kanë vrarë ushtarakët dhe veprimtarët e LDK-së;
7. Financimi i mijëra “veteranëve” fiktivë, të rrejshëm të luftës;
8. Heshtja e “harresa”, për të financuar fëmijtë dhe prindërit e viktimave të SHIK-ut fashist;
9. Anashkalimi i fëmijëve dhe i familjarëve të veprimtarëve të LDK-së, që u flijuan, pikërisht, për mbrojtjen e LDK-së dhe të demokracisë në Kosovë;
10. Sjellja armiqësore e mafioze kundër Degëve të LDK-së në Mërgatë;
11. Përçarja, pothuajse, deri në shuarje e Degës të LDK-së në Zvicër dhe mashtrimi i opinionit, sikur u përsëritën zgjedhjet dhe gjithëçka është ok-ej;
12. Bllokimi dhe moslejimi i hyrjes në Kuvendin e 8-të të LDK-së, të delegatëve të ligjshëm të Mërgatës, në Degët e të cilëve kishin mbajtur zgjedhje të rregullta:
debat të suksesshëm; konkurrencë për delegatë, kryesi dhe kryetar; votim të fshehtë dhe demokratik, për të gjitha kategoritë, gjë që Kuvendi Qendror i LDK-së i shkeli të gjitha këto rregulla e parime, duke bërë zgjedhje staliniste aklamative;
13. Largimi i dhunshëm i kryetares Donikë Gërvalla nga Kuvendi, edhe pse ishte e dëleguara e ligjshme nga kryesia e Degës të LDK-së në Gjermani;
14. Fyerja, shpifja dhe luftimi, në vijimësi, i kuadrove të reja të LDK-së, që kërkojnë tejkalimin e krizës së thellë në parti, nëpërmjet reformave;
15. Heshtja e kërkesës të përsëritur, për t’i spastruar stukturat vendimmarrse të LDK-së, nga agjentët e SHIK-ut, të infiltruar në parti. Ishte SHIK-u ai që pamundësoi, dy herë radhazi, për ta nxjerrë bandën e PDK-së në opozitë.
Konflikti LDK-e Qendër me LDK-e në Mërgatë
Një ish-kuadër i vyeshëm i LDK-së në Mërgatë, tani i kthyer në Atdhe, bisnismen i suksesshëm dhe i ndershëm, ishte keqinformuar, sikur LDK-ja është dëmtuar nga Mërgata. Por, e vërteta është, pikërisht, e kundërta. Kryesia e Qendrës përjashtoi delegatët e Degëve të LDK-së nga Gjermania dhe Zvicra, ende pa arritur në Kuvend, por, këtë e publikoi më vonë.
Sekretari Ismet Beqiri, kërkoi materialin zgjedhor të Nëndegëve dhe të Degës. U caktua data dhe ora e dorëzimit, në Selinë e LDK-së në Prishtinë, por nuk erdhi për ta marrë në dorëzim. I kërkuam, me telefon nga Selia, të vijë njëri nga 23 anëtarët e Kryesisë, por asnjëri nuk erdhi!
Kryetarja Donikë, përdori mundësinë e fundit, për ta dorëzuar dosjen komplete zgjedhore të Mërgatës: Materialin në fjalë e shumëzoi në 23 kopje dhe në zarfa të veçantë, ua përcolli të 23 anëtarëve të Kryesisë të LDK-së. Dhe, megjithatë, asnjë përgjigje, asnjë reagim! Tani, gjykoni vetë papërgjegjëshmërinë, deri në injorim, që iu bë Degës të LDK-së, në Gjermani, anëtarësisë të saj, prijetare, në Evropë dhe botë, nga Isa Mustafa me klanin e tij!
Shkurt: Isa Mustafa, me shokë, nuk i donte delegatët e këtyre dy Degëve në sallën e Kuvendit, sepse, ne zbatojmë rregulloren zgjedhore:debat, konkurrencë dhe votim të fshehtë, gjë që Isa me klanin e tij nuk do të rizgjidhej, po të zbatohej kjo rregullore, e përcaktuar dhe e aprovuar edhe nga Këshilli i Partive Popullore të Evropës.
Kërkesa e Kryesisë Qendër të LDK-së, për rizgjedhje në Degët e LDK-së në Gjermani dhe Zvicër, ishte e paligjshme dhe e turpshme. Sepse, ekzistojnë inçizimet televizive të pavarura, komplete, ku dëshmohet se zgjedhjet ishin të rregullta dhe me standarde të Partive Popullore të Evropës (PPE).
Pas shumë hezitimesh e kundërshtive, me presione hiç parimore, madje, edhe rrugaçërore, nga Qendra në Prishtinë, Dega e Zvicrës i bëri “rizgjedhjet”. Ato u bojkotuan nga shumë Nëndegë dhe veprimtarë të devotshëm, që nga themelimi i kësaj Dege. Duke parë diktatin dhe rrjedhën e Kuvendit “zgjedhor”, në shenjë kundërshtie, e braktisën shumë delegatë.
Për çudë, nëse zgjedhjet e para ishin të rregullta, me votim të fshehtë, përsëritja e tyre ishte me rekomandim, se kush duhet ta kryesojë Degën, pastaj, me aklamacion, madje, me praninë e koordinatorit për Diasporën, anëtarë i Kryesisë nga Qendra!
Kryetarja e Degës të LDK-së, në Gjermani, Donikë Gërvalla, duke e kapërdirë fyerjen e rëndë, peronale e kolektive, udhëtoi për Prishtinë, së bashku me kryesinë e ngushtë të Degës. Ranë dakord për t’ i përsëritur zgjedhjet, pas një dokumenti autorizues, që do ta dërgonte Qendra. Por, ishte hile, sepse ai dokument nuk i erdhi kurrë kryetares Donikë!
Donikë Gërvalla organizoi një mbledhje me kryesinë e Degës dhe kryesitë e Nëndegëve. Katër (4) orë debat dhe u hodhën në votë dy propozime:
1) Të përsëritën zgjedhjet, brenda muajit dhe pa asnjë kushtëzim; apo
2) Të vijnë përfaqësues të Qendrës, për të sqaruar dhe bindur
anëtarësinë tonë, pse duhet përsëritur zgjedhjet, kur ne kemi bërë zgjedhje, shumë më të mira se sa në Kosovë, përfshi edhë LDK- në Qendër?!
Votimi i fshehtë mbështeti propozimin e dytë, me arsyetimin bindës se nuk duam rrënimin e Degës tonë, siç ndodhi me Degën e LDK-së në Zvicër. Përndryshe, ne respektojmë dhe zbatojmë urdhërat dhe porositë, që na vijnë nga Qendra në Prishtinë. Koha dëshmoi se Qendra, në asnjë variant, nuk e donte Donikë Gërvallën në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.
Barometri i 11 qershorit, tmerrues për LDK-në
Përformanca aktuale e LDK-së, shqetësuese për anëtarësinë dhe elektoratin, dikur, besnik të saj. Shumë figura, deri tani parësore, janë refuzuar nga elektorati, në zgjedhjet e qershorit. Dhe, zëvendësimi i disa prej tyre, do të ishte i shëndetshëm për LDK-në.
Një shtab fushator e zgjedhor, nga palët në kundërshti reciproke, brenda LDK-së, do të ishte mesazhi i duhur për anëtarësinë dhe elektoratin. Vjosa Osmani, Donikë Gërvalla, Valentina Bunjaku-Rexhepi, Frashër Demaj me shokë; ushtarakët e dëshmuar në luftë dhe në LDK-e, si Anton Quni, Hysen Berisha, Fadil Hadërgjonaj me shokë, si dhe të veprimtarëve të tjerë, në Qender dhe bazë, do të ngjallnin shpresën se LDK-ja frymon e rrezaton pashterrshëm, se LDK-ja ka mundësi reale, për ngritjen e saj, deri në prijetare të proceseve zhvillimore e demokratike të mirëfillta në Kosovë.
Kooptimet, pranimet e ligjshme, ndërmjet kuvendeve, të kuadrove, që gëzojnë besimin e duhur, në strukturat vendimmarrëse të LDK-së, kërkesë kjo ngulmuese e anëtarësisë dhe e elektoratit, është nguti dhe domosdoshmëri e kohës, nëse duam ta përmbysim atë, “rezultatin”, me vetëm katër komuna minore, të fituara në Kosovë.
Ndryshimet statutare të domosdoshme
Të gjitha ndryshimet e bëra, në rregulloren dhe statusin e LDK-së, kanë pasur për qëllim përqendrimin e pushtetit te kryetari. Dhe, këto ndryshime bënë devijimin, edhe zyrtarisht, nga fryma rugoviane. Arsyetimi se zbatojmë rregullorën e PP të Evropës, e ka sjellur LDK-në në prag-varri.
Nuk mund të aplikohet, përpikmërisht, një rregullore e vendeve me demokraci të zhvilluar. Sepse, më të madh e ka inatin Isa Mustafa, se sa të gjithë kryetarët e Partive Popullore të Evropës, të marrë së bashku!
Kryesia aktuale duhet të heq dorë nga provokimet dhe mospërfilljet, që ia bënë anëtarësisë. Ajo nuk duhet të harrojë se i mungon legjitimiteti, sepse në Kuvendin e 8-të të LDK-së, strukturat vendimmarrëse të saj, janë emëruar si në epokën e monizmit, sepse nuk janë nënshtruar zgjedhjes demokratike, ka munguar debati, konkurrenca dhe votimi i fshehtë, parime bazë të demokracisë.
Lavdërimet paushalle të kryetarit Daul
Një vërejtje të madhe kemi për kryetarin e PP të Evropës, Joseph Daul. Dy ditë para Kuvendit të 8-të të LDK-së, në mesazhin e tij drejtuar kryetarit dhe Kryesisë të LDK-së, duke i uruar Kuvendit punë të mbarë, porositi “për debat të seksesshëm, konkurrencë më kundër-kandidatë dhe votim të fshehtë e demokratik”.
Dhe, dy ditë pas Kuvendit, paushall e të turpshëm, uronte kryetarin e riemëruar, Isa Mustafën, duke lavdëruar “zgjedhjet demokratike”!? Ndërkohë që, duhej të kërkonte anulimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve farsë, që dëmtuan rëndë Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Dhe, nëse manipulatorët e LDK-së, nuk do ta zbatonin këtë, pra, ribërjen e zgjedhjeve, PPE-ja, duhej t’i ngrinte marrëdhëniet, deri në përjashtimin e LDK-së, nga e djathta evropiane, me arsyetimin e bazuar se praktikon komunizmin stalinian, për të qendruar, dhunshëm, në drejtimin e partisë.
Debati demokratik shëron LDK-në
Andaj, kriza e saj e rëndë aktuale, e shkaktuar për interesa karrieriste dhe inatçore, duhet të tejkalohet, madje, gjithësesi. Debati i hapur duhet të fillojë menjëherë në bazën e partisë, për ta detyruar klanin e koracuar, brenda Kryesisë Qendrore të LDK-së, të bëhet pjesë e këtij debati, për ta ngritur dinjitetin e perdhosur të LDK-së.
Realisht, debatin, si alternativë, për kthimin e elektoratit të Presidentit Rugova dhe mosdëmtimin e shumë mijëra fletë-votimeve, nga ky elektorat, siç ndodhi me 11 qershor, tej 50 mijë, duhej ta nismonte vet Kryesia. Me këtë nismë, që kërkon kurajo e dinjitet, Kryesia aktuale, do ta zbuste fajësinë e madhe dhe ekskluzive, që ka për gjendjen mjerane, në të cilën e ka sjellur, pikërisht, ajo në LDK-e.
Nisma për bashkimin e grupeve kundërshtare, brenda LDK-së, do të ishte mesazhi i duhur, se përjashtimet karrieriste e inatçore, nuk do të përsëritën. Sepse inati në politikë, është humbës. Dhe, suksesi i LDK-së, do të ishte i garantuar.
Mbetemi me shpresë mirëkuptimi dhe garantojmë për sinqeritetin e shprehur, në këtë letër, sa qëllim-mirë, aq edhe të nevojshme, për informimin e drejtë të anëtarësisë dhe të elektoratit të LDK-së. LDK-ja ka qenë dhe mbetet parti e besës dhe e shpresës për shqiptarët, siç e thoshte, krenarisht, Presidenti i Përjetshëm, Dr. Ibrahim Rugova
*FAZLI HAJDARAJ, kryetar i Nëndegës të LDK-së në Rheinland Pfalz
IDRIZ ZEQIRAJ, kryetar i LDK-së në Republikën e Bavarisë, Gjermani
Komentet