VOAL – NJU JORK, 9 GUSHT – Njëzet e nëntë shkencëtarë të shquar të Amerikës, përfshirë fitues të çmimit Nobel, prodhues veteranë të armëve bërthamore dhe ish këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë për shkencën, i dërguan letër të shtunën Presidentit Obama për ta vlerësuar marrëveshjen me Iranin, duke e quajtur atë novatore dhe të rreptë, shkruan voal.ch, duke iu referuar numrit të sotëm të New York Times.
Letra, e nënshkruar nga disa prej ekspertëve më të famshëm të botës për armët bërthamore dhe kontrollin e armëve, arrin ndërkohë që Presidenti Obama po lobon me Kongresin, me publikun amerikan dhe aleatët e vendit për ta përkrahur marrëveshjen.
Në dy faqet e saj letra mund t’i japë Shtëpisë së Bardhë argumente pas goditjes që Presidenti Obama pësoi të enjten, kur Senatori Chuck Schumer i Nju Jorkut, një demokrat dhe ndër hebrejtë më me ndikimin në Kongrss, shpalli se do ta kundërshtojë marrëveshjen, e cila i kërkon Iranit të ndërpresë programin bërthamor dhe të lejojë inspektimet në shkëmbim të heqjes së embargos dhe sanksioneve financiare.
Firma e parë e letrës është nga Richard L. Garwin, fizikan që ndihmoi në krijimin e bombës së parë me hidrogjen në botë dhe këshilltar për një kohë të gjatë i Uashingtonit për armët bërthamore dhe kontrollin e armëve. Ai është një ndër të fundit fizikanë ende në jetë nga ata që ndihmuan në hyrjen në epokën bërthamore.
Gjithashtu ka firmosur Siegfried S. Hecker, profesor në Stanford, i cili në vitet 1986-1997, drejtor në laboratorin e armëve të Los Alamos në New Mexico, vendlindjen e bombës. Fabrika podhoi dizajne për shumicën e aresenatit bërthamor të vendit.
Firmosës të tjerë të shquar përfshijnë Freeman Dyson i Princetonit, Sidney Drell i Stanford it dhe Rush D. Holt, fizikan dhe ish anëtar i Kongresit, i cili tani udhëheq Shoqatën Amerikane të Përparimit të Shkencës, shoqata më e madhe shkencore e botës.
Shumica e 29 firmosësve janë fizikanë dhe shumë prej tyre kanë atë të cilën qeveria e quan besueshmëri e lartë – duke pasur një akses në një kategori speciale të informacionit sekret që ka të bëjë me dizajnin e armëve bërthamore dhe është konsideruar i barasvlefshëm me kategorinë e sekreteve më të mëdha ushtarake.
Shumë prej tyre kanë qenë këshilltarë të Kongresit, të Shtëpisë së Bardhë dhe të agjencive federale për dekada të tëra. Për shembull, Frank von Hippel, fizikan në Princeton, i cili shërbeu si ndihmësdrejtor për sigurinë kombëtare në Zyrën e Politikës së Shkencës dhe Teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së Klintonit.
Pese fitues të çmimit Nobel që e nënshkruan letrën janë Leon N. Cooper i Brown University; Sheldon L. Glashow i Boston University; David Gross i University of California, Santa Barbara; Burton Richter i Stanfordit; dhe Frank Wilczek i the Massachusetts Institute of Technology.
Letra përdor fjalët “novatore” dhe e “rreptë” disa herë, duke thënë, për shembull, se marrëveshja me Iranin “ka përmbajte më të rreptë se të gjitha negociatat e tjera të realizuara në kuadrin e mospërhapjes bërthamore”.





Komentet