Alexandrie, 20 – X – 1949
Fort i dashtun Atë e mik,
Po rrëfehem: letrën qi më ke dërgue, si po thue, para nja 6 muejsh, e kam pasë marrë. Nuk t’i jam përgjegjun, se kishte diçka qi un s’dojshem as t’a lâ në heshtje as t’iu përgjegjshem thatë. Por shteg me i u përgjegjun njomë vetë s’kishem. U mata e u shmata disa dit për me e kërkue këtë shteg ngjeti e nuk i a pashë kurrsesi gjasën. Atbotë heshta gjithsejt. Qe e vërteta!
Tash Të falem nderës fort qi më shkrove për së dyti. Jam shum’ i gzuem për miqsín T’Ânde, Atë. Po më thue se shkaku kryesuer qi Të ka shtymë kësi shtegu me më shkrue âsht gjêndja e atdheut t’onë. Paj po, ke të drejtë. Vetmija në disa rasa âsht tepër e rândë. Po mbushet zêmra tek s’bán mâ e po ka nevojë me shfrye e me gjetun nji ngushllim. Mêndja po sillet rrotull për me i a gjetun fillin lâmshit e s’po mundet. Shpirti po lypë soje nji dritë e ajo s’po âsht e zoja me i a dhânë. Atëherë po kërkon njeri’ nji shoq, po qet nji s.o.s! Sa herë na ndodh këta në jetë! Këto rasa mundemi me i quejtun travajë shpirtnore, se asosh janë për njimênd. Kur na smûhet trupi, thërrasim mjekun – për në paçim me i pague vizitën! – e kur vuejmë shpirtnisht, kërkojmë mikun, qi âsht, faleminderës Zotit, pa pagesë. Edhe un këtu jam vetëm, si Ti aty. Të dy kemi shokë, se s’po gjindemi në maje të nji mali a në mes të nji shkretije. Por shpirti s’po kënaqet me kêdo! Pra u ndrittë shpirti atyne qi kanë krijue shkrimin e postën e kështu po mundemi me u marrë vesht me letra. Ka dashtun Perëndija e po ndodhemi ku ka kartë me shkrue, se atje në vênt t’onë as kjo s’po gjindet. Më shkruejnë prej Kruje të mijt se me nji mijë belá e me hatër mezi kanë mbërrîmë me shtí në dorë 20 fletë me 20 zarfa!
Kështu pra puna e Shqipnís s’onë, lum miku. Populli s’ka mjaft me hângër, s’ka pëlhurë me u veshun, s’ka pêjë e gjylpâna për me qep’e arnue vjetërsinat, s’ka këpucë as opanga me mbathun, s’ka barna me u shërue as me e lenue ndopak të ligën. E na s’po kemi çaf i bâjmë. Me mundë e sakrifica të mëdhá pata mujtun herë mbas here me çue nga nji paketë gjâna për të ngrânë nemose për djelm e vëlla qi kam në burg. Tash të gjithë ata qi bâjshin kështu së jashtmi për të vett e me ta edhe un, jemi lajmue se qeverija komuniste ka vû aqë taksa të rânda për çdo gramë gjâ qi hyn, sa mos me qenë i zoti askush me i pague.
Kështu populli e kështu komunistat. E na, nacjonalistat intelektualë e pa intelektualë? Edhe na po bâjmë ça jemi mësue me bâmë në të tâna rasat e kohët e jetës s’onë kombëtare! Ashtu si na ka përshkrue Fishta me satirat e tija krejt vënerë, n’ato Anzat e Parnasit me mbishkrimin kuptimplotë “Qeshem veç pse s’muj me kiá”, marrë s’dij prej cilit poet a filosof latin. I mjeri Fishtë sa i deshpryem ka dekun! S’e harroj kurrë kur u përpiqshem në Shkodër në 1920 me i a mbushun mênden qi të hartojshim bashkë nji programë partije politike. Mbasi më suell do kohë me fjalë, s’i gjet vetit rrugë tjetër veçse me më shporrë me të vërtetën e idhët qi mendonte: “Pse po lodhe, more Mustafë, më tha, Shqipnija qi duem ti e un nuk bâhet”! Mbas mendimit t’em nji gabim veç ka pasun i shueti. Ai krejt fajin u a lênte “Turqvet”. Un kujtoj se duhet me shkue mâ thellë në historí e në psikën e Shqiptarit për t’a gjetun shkakun e vërtetë të këtij mallkimi. Un shkoj te nj’ ajo perëndorí byzantine qi na ka sundue për nja nji mijë vjet e qi me Tyrqit te portat e kryeqytetit i tha botës se ishte mâ e lehtë për tê çallma mohamedane si zonjë e vendit, se mitra e papës së Romës e i la për trashigim byzantinizmën. Sundimi slav qi merr nji pjesë të madhe t’asaj historije njimijëvjeçare ka qênë edhe ai me karakter byzantin. Mâ nalt historija e racës s’ onë âsht e errët. Por fakti qi s’ka mujtun me lânë asnji gjurmë të thellë qytetnimi, qi s’ka mujtun me formue nji bashkarí të madhe e të fortë mund të na shtŷjë edhe me mendue se krymbin e dasís, t’ individualizmës ekstreme, do t’a ketë pasun në rrânjë e sundimi byzantin i ka shtue vetëm stërhollimin e sofizmës. Sa për Tyrqit, kishem me thânë se kish me u dashtun të na vijë keq vetëm qi s’qenë të zott me na e ndërrue atë karakter të mallkuem qi kishim me atê të vetin, të nji populli të bindun e të dishiplinuem, po na lanë ashtu, me egoizëm t’onë individual e me të tanë byzantinizmën qi na gjetën. Tradhtija e Dukagjinit kundra jetës së të vetmit Fatos qi pat Shqipnija s’qe tyrke, por arbnore. Mundet qi Dukagjni s’ka qênë racës s’onë, por prap se prap Tyrku del i lamë prej asaj turpje. Nji dhunë, po, na kanë bâmë Tyrqit kombtarisht. Jo qi na sunduen katër shekuj e gjysë, se pa ta ndoshta do të na kishte pasë sundue Slavi me konsekvenca shumë mâ të këqija kombtarisht, por qi na ndërruen fén, neve nji grusht gjind mjedis nji bote të krishtenë. Kjo gjâ mund të na e ketë vonue indipendencën t’onë nja 100 vjet e me atë vonesë pengue unitetin t’onë kombtar.
Por unë ku qeshë e ku dola, pashë fén? Deshta me thânë se populli i ynë ndodhet n’ agoní e na jashtë tallemi me fatin e tij për egoizmat t’ona personale, për mënít qi s’na hiqen kurrë prej zêmret kundra shoshoqit. Tjetër âsht çashtja nëse varet njimênd fati i atdheut t’onë prej nesh apo jo. Nji patriot i vërtetë s’e bân këtë pyetje, kryen detyrën e vet. Por të çohen tý Shqipot e të thonë: “Na s’e njohim Mbretin Zog; na bashkëpunojmë me tê se ka pare, ka emën, ka taraf, por si individ, jo si mbret; këtë punë do t’a dajë populli me plebishit, kur të jetë i lirë edhe atëherë un kam me votue kundra e kam me bâmë propagandë kundra tij, tue fillue qyshë sod, madje tue vijue ashtu si kam bâ deri sod, se une, ah po, une jam republikan perdinci![1] Un s’ bashkpunoj me kolaboracjonistat! Et., et., et. E ku qëndron gjithë puna, gjithë e vërteta? Qindron pikë së pari këtu, qi ndër faqe me nderë intelektualët politikâj shqiptarë mund të numrojsh nja dhetë kandidatë për kryesín e republikës e të tânë tjerët i a kanë vëndue synin secili nji ministrije! E këta, qi duen me e hângër gjallë shoqin e vet për ambicjon a për mëní personale, këta mandej janë gati me i thânë amen çdo agjenti të huej qi t’ua fërkojë pak bishtin e shpresat e ardhëshme. Qe, kështu na leu komiteti i famshëm qi dihet.
Midhat Frashëri vdiq. Preceptet morale e fetare na porosisin mos me i mbajtun mëní kuj as për së gjalli e jo mâ atje ku shkon me dhânë të gjitha llogarít e jetës së tij. Flitet ka dit qi vendin e tij e ka zânë tash Hasan Dosti, jo veç si kryetar i Ballit kombtar, por edhe si kryetar i komitetit Shqipnija e Lirë. Ky lajm âsht dhânë prej Ballit vetë, por disa rrethana tjera na kshillojnë mos me e marrë këtë lajm për ar të kulluet. Mbreti s’ka pasun deri sod ndoj konfermim prej burimi kompetent (të huej) me të cilin gjindet në kontakt. Idét e porosít e tija kur po formohej komiteti kanë qênë krejt të qarta: për nji bashkim të përgjithshëm. Por Abaz Kupi, kryetari i partís monarkiste të deklarueme, a zogiste në dash thuej, ra në thes të Midhatit me shokë e veproi në kundrështim me vullnetin e porosít e Mbretit. Ksaj gjâje i ndihën edhe agjentat e Intelligence Service-it, oficera qi kanë bashkëpunue me Bazin në Shqipní gjatë luftës. Tash të shohim se si ka me u bâmë puna e komitetit. Un nuk pres ndoj përmirsim. S’më ka rrêjtun mêndja kurrë qi mund të bashkohen Shqiptarët. Historija dhe provija e gjatë e ime më kanë bâmë shqeptik në kulm përmbi këtë pikë. Me gjithë këtê s’i jam shmângun në asnji rasë detyrës me punue për tê, marre me thânë, me nji vetmohim total. Por gjithmonë ka nja 25 vjet e këndej, vetëm si nji automat, si nji sonambul qi s’e ka veten në dorë. Si Hasan Riza Pasha në projën e Shkodrës, edhe mbas qi Shqipnija qe damë prej atdheut të tij. Ai e bânte për nderin e armve e për detyrën ushtarake të tij. Ishte nji Tyrk i thjeshtë me edukatë gjermane. Këto dý cilsí mjaftojnë sa për nji vëllim për me e spjegue gjestin heroik t’ atij burri. Ndish edhe un kam punue për bashkimin e Shqiptarvet vetëm sepse e kam ndie veten thellsisht shqiptar e me uzdajë qi shqeptiqizmën t’eme e kishin shkaktue jo historija e provat e gjalla, por djalli qi s’ka punë tjetër veçse me turbullue mênden njerit e me e largue prej çdo vepre të mirë!
Un për veti jam i bindun qi Anglo-Amerikanët, alias, në këtë rasë, Foreign Office- Intelligence Service, s’ kanë pasun tjetër qëllim me krijimin e këtij komiteti shqiptar, veçse me shtue për luftën e ftohtë të tyne edhe nji armë antisovjetike në sektorin balkanik në favor të Greqís e të Titos. Pra asnji qëllim veprimi serioz në Shqipní, sod për sod e deri qi lufta e ftohtë nuk do të jetë bâmë e nxetë, përvëluese, rrenuese.
Mbas mendimit t’em problema shqiptare nuk mund të zgidhet vetmas, por vetëm si nji atom në problemën e përgjithshme botore. Faktet e ndodhít po m’apin për ditë arsye për shqeptiqizmën t’ eme qi bota të mundej me gjetun paqën e saj pa nji luftë të tretë. As Papa Piu XII qi per dovere d’ufficio[2] s’ prân tue predikue paqë, as Trumani, Atllee-u e Churchili e as Stalini vetë nuk e besojnë nji gjâ t’atilë, kujtoj un. Andej, pra, prej gërmadhave të luftës atomike ka me dalë, për në qoftë se ka me dalë, por un jam i bindun qi po, Shqipnija e lirë. Të tana shpresat tjera janë ândrra, por dashtë i lumi Zot e qofsha un n’ ândërr.
Oh! Sa herë e pyes veten e më pyesin edhe tjerë: Po kur atbotë? Kjo më duket nji problemë tepër e vështirë, aq’ e vështirë sa besoj se as ata vetë të cilët kanë në dorë të tâna të dhânat (i dati) nuk mund t’a zgidhin me sigurí, nuk mund t’i përgjigjen asaj pyetjeje. Situata internacjonale, e koklavitun tëmersisht me plasjen atomike në Rusí, s’ka qênë as në kohën e rrethimit të Berlinit kaq’ e ashprueme e e ngrehun sa shihet sod. Mêndja s’ t’a qas kurrë qi Anglosaksonët të presin deri qi Rusija bolshevike të ketë fillue me fabrikue bomba atomike in serie.[3] Pra…
Më duket, i dashtuni Atë, se s’më ka mbetë gjâ mâ në thest rreth politikës. Po dalim pra ngjeti tash. Ti je tue insistue me më lypun nji punë qi deri sod ende s’m’âsht mbushun mêndja me i a hŷmë. Kujtimet e mija identifikohen me jetën t’eme patriotike-politike e të shumë politikâjve tjerë shqiptarë qi janë gjallë. Pikë së pari jam prej atyne njerëzve qi e quejnë nji gjâ t’urryeshme me folë njeri për veti. Të fola Tý, edhe në këtë copë letër për veti. Por të kam folë Tý, i sigurtë se s’ke për të m’i marrë fjalët për lavd. Kurse tjetër gjâ âsht me folë botnisht. Kjo nji. Me folë për tjerë mandej edhe me folë lirisht ashtu si mendoj, don me thânë me shtue e me ashprue mâ tepër anmiqt e mij, qi edhe pa këtê s’janë të pakë as të drejtë ndaj meje. E bâjnë dy. Me shumë prej njerëzve qi bâjnë pjesë të padame të kujtimeve të mija kam pasun kundërshtime politike mjaft t’ ashpra e prandej drue se nuk mundem me qênë nji gjykues aqë objektiv sa e lyp historija për ta e për veprat e tyne. Ishim nji mbrâmje nja pesë a gjashtë vetë te nji mik këtu, qi ka marrë pjesë si un, ndonse tue fillue nja 10 vjet mâ vonë, në të gjitha ndodhjet me randësí të Shqipnís. E njoh për burrë të sinqertë. I a nisi me diftue gjat’ e gjatë nji prej atyne ndodhjeve. I a ka ânda fort me kallzue ça ka bâmë. E qe se n’ atë përshkrim qi bâni ai zotní atë mbrâmje, vetë thelbi i çâshtjes ishte kryekëput i gabuem. Un nuk bzâjta, me gjithë qi, tue pasë punue aso kohe në dy kampe të kundërta me tê, ashtu si e përshkroi ai, dilte qi un kishem punue keq. Zakonisht fjalët e mikut t’em – se miq jemi tash përjashta politiket – nuk merren për serioze prej njerëzve seriozë. Me pasë reague un atë natë, do të hapej nji polemikë ndërmjet nesh e ishem në shtëpí të tij, për darkë madje. Për të dyja këto arsye preferova heshtjen. Por ndêjta mbandej e mendova vetë me veti. Thashë: e mjera historí shqiptare po qe se ka me u bazue në kronika si kjo! E, me thânë të drejtën, pata edhe nji nxitje prej atij fakti për sa më lyp Ti. Nji tjetër mik më shkruente këto dit prej Stambolli, edhe ai si t’ ishte marrë vesht me Tý, tue më nxitun po n’atë rrugë e më thonte: “… apo don qi dikur të dalë ndoj çançatuer (çarlatan) e t’i shtrëmbnojë krejt faktet e historís s’ onë?”. Kishte të drejtë ky mik, nji për nji si Ti. Por as un, besoj, për ato arsye qi tregova e në këtë gjêndje shpirtnore qi më ka kapllue sod s’kam faj qi ngurroj. Kam lânë në Shqipní nji morí dokumentash të jetës s’eme qi sigurisht janë bâmë hî e tym ase pluhun në duer të komunistavet. S’ mujshem me i bartun me vete kur u dava i deshpruem prej atdheut e familjes. Atje lashë edhe dorëshkrimin e fjalorit. Këtê e dij qi të mijt diku e kanë fshehun. Por kush e di ku, në çfarë lagshtine a në mëshrirë të mijve e të tênjës. Për dokumentat nuk dij gjâ. Sidoqi të jetë këtu s’ kam asnji. Këta janë të nevojshëm për punën qi më kshilloni ju disa miq, jo vetëm për forcim, por edhe për freskim të kujtesës. Gjatë luftës, edhe si u largova prej qeverijet – 8 muej mbrapa m’u bâ edhe atentati – traktet komuniste më sulmojshin e më përshkruejshin me ngjyrat mâ të zezat. Asnji çudí as zëmrim (idhnim) për këtê. Por edhe Balli Kombtar faceva a gara[4] me komunistat kundra meje. Për ketê un ishem i shitun mish e shpirt Italís, si Dr. Fausti Mefistoflit! Dikur gjeta nji rasë të voliçme e botova nji artikull tue përshkrue të dokumentueme e pa i u shmangun asnji të vërtete marrveshtjet e mija me Romën para okupacjonit, marrveshtje qi kishin për bazë nji revolucjon me ndihmën e Italís, e cila në fillim qe vullëndue vetëm me nji mbret prej Savojajve për thronin e Shqipnís. Diftojshem n’ artikullin t’em se si në këto marrveshtje ishin të bashkuem me mue edhe të gjithë antarët e grupit Bashkimi Kombtar, disa prej të cilve tash ishin krenët e Ballit Kombtar e se si na tradhtoi Italija tue okupue vendin t’onë. U tërbuen ballistat. Mblidhen, shëmblidhen, duen me reague me nji përgënjeshtrim për pjesmarrjen e tyne n’ato traktativa. Tek e mbramja nji ndër mâ të mêndshmit e tyne del me nji duq të ftohtë e thotë: “Shka more me përgenjeshtrue? Po a s’e njihni Mustafa Krujën qi ruen n’ arqivë të vet deri pusullat qi na kishim me i bâmë shtupa shishesh e mbandej këto kishte me dalë e me na i përplasun turîjve të tâna me nënshkrimet t’ona? Heshtën. Qe rândsija e dokumentave! Si pra me i a bâmë kur këta s’janë? E dij, e mendoj se ke për të thânë: “Po ti shkruej sa të mundesh e si të mundesh për mos me harrue mâ shumë se ke harrue deri tash, rueje, mbandej dikur me shpresë të Zotit tash e plotson vetë, ndoshta gjên edhe dokumentat gjallë, ase në funt të fundit mund të gjindet dikush tjetër, ndoj bashkkohës i yt me e plotsue.” Paj mbeta tue mihun n’ujë, or i dashtuni mik! Shpenzova nji pjesë të madhe të jetës s’eme mbas fjalorit në mërgim, ktheva në Shqipní për pesë vjet, 13 muej kryetar qeverije e vepra e ime mbet pa u botue e pale të shohim a ka me pamë dritë ndoj herë! E kuj i bân zêmra me punue në këto kushte? Por… po due me T’a bâmë qejfin nji grimë, me gjithë këtê të shohim, ndoshta nji ditë më kapë trilli e i a filloj.
Në letrën T’ Ânde po më flet edhe për mungesë pasaporte. Po Ti e din besoj, do të keshë ndie se për Shqiptarët e ikun ka nji farë shtegu për këtê: âsht pasaporta e legatës mbretnore t’ Egjyptit. Thashë nji farë shtegu, se këtê s’e njohin veçse disa shtete. Italija âsht gati me i thânë udha e mbarë çdo Shqiptari me këtê pasaportë, por s’ndëgjon ase ndëgjon me shumë zor me dhânë mbi tê visto di reingresso.[5] Un këtë pasaportë mundem me t’a çue, po të më dërgojsh shënimet e rasës bashkë me dý fotografí, po deshte. Mandej më duket se ka qênë krijue nji pasaportë e I.R.O.s e âsht pasaporta e Kryqit të Kuq. Për këto duhet t’ informohesh prej Rome.
E Zoti të ndihmoftë për qëllimin e bukur të ksaj pasaporte! Me këtë rasë po Të lajmoj, për në mos e dish, se qeverija republikane e Austrís para Anschlusit ka pasë botue nji sasí të madhe t’arqivës së ministrís së jashtme të Monarkís, e gjithë ç’ i përkitte Shqipnís prej këtyne i ka pasë përkthye shqip (nja 2000 faqe dorshkrim) Dr. Djevat Kortsha në mërgim. Nuk dij kurrgjâ se ç’â bâmë me këtë dorshkrim. Po sigurisht do të jetë gjallë, mbasi përkthyesi mbet në Shqipní e âsht në burg i dënuem për jetë.
Mbasi u mbush edhe fleta e dytë në të dy anët, tash po marr leje me i dhânë fund bisedës. Por jo përpa T’u falë me shëndet si mik i përzêmërt.
I Yti
MKruja
P.S. Letrën t’Ânde e kam marrë me vonesë të madhe para pak ditsh.
Për fotografín do të kesh durim deri qi të më vijë mbarë me e nxjerrë nji ke fotografí.
[1] Shprehje italisht, pasthirrmë : dreq o punë ; t’a marrë djalli ; punë dreqi.
[2] It. : E ka për detyrë, të detyrueshme.
[3] It. : në seri, me shumicë.
[4] It. : bânte garë
[5] It. : vizë rikthimi, hymje
Komentet