Ramleh, 31.III.1953
I dashuni Karl,
Po t’i përgjigjem pak me vonesë letrës me 17 fruer. S’dij a e ke ndëgjuem ndonji herë nji anekdot të vêndit t’onë: kur kishte pasë kthyem nji nuse në gjiní pasí po na e pyetka e âma nëse ishte e kënaqun te burri apo jo, e e bija i u përgjigjka kështu: “Besa nânké, me ç’më ndiejnë veshët, e lumja un; por me ç’më shohin sŷtë… e mjera un!” Edhe ti me kaqë fjalë të bukura m’a paske nisun e qëndisun këtë letër, qi tue i krahasuam me heshtjen t’ânde të kalueme i thashë vetes: “Me ç’po flet tash Karli, i lumi un; por në kujtofsha vjett e shkueme i mjeri un!” Me gjithë këtê, i dashuni Karl, po due vetëm me u mahitun, se jo saki me të ngamë mâ. Veçanë në këtë javë Pashkësh, qi s’ka hije fare me idhnuem kênd. Po i a nisim pra me paqë, miqsí e vllazní. Në këtë rasë të shênjtë po të përqafoj tue ju uruem tý e gjithë të tuvet gjithë të mirat qi ju deshiron zêmra.
Me historin’e institutavet islamike un s’jam marrë kurrë posaçe. Por tue të përgzuem me gjithë zêmër për emnimin t’ând n’atë kathedër, po të premtoj se kam me u interesuem këtu e me pamë se si mundem me të ndihmuem. Në gjeça ndonji vepër auktori të mirë kam me t’a dërguem. Libra gjermanisht këtu s’ka. As italisht libra shkence nuk gjinden. Por ndoshta frengjisht. Dâm qi ti nuk din anglishten, se dijetarë inglizë qi janë marrë me islamizmin ka shumë dhe janë mâ të mirët ndoshta. Un do të shikoj sidomos me gjetun ndonji auktor arab ase hindjan, dmth. mysliman.
Të falem nderës për tfillimin e planeve mbi studimin e mësimin e shqipes e të historisë shqiptare aty sidhe mbi veprimtarin’e ardhshme të Qêndrës. M’a ka ânda fort me qênë në dijení të këtyne. Dashtë Zoti e planet u zbatofshin krejt nj’ashtu si na pëlqen neve.
Më shkroi edhe Valentini për deshirin qi keni ju rreth’i kulturës shqiptare me më tërhjekun edhe mue andej. Edhe un i u përgjegja dje me adresën t’ânde. Po të jetë se ky deshir i juej ka me marrë formë konkrete, tash kemi me biseduem e me u marrë vesht. Sa për parimisht, i shkrova edhe Valentinit qi mâ fort se studimet shqiptare kurrgjâ tjetër s’më tërhjek po s’mujta me shkue ke im bir n’Amerikë. Këta tash mbrênda nja dy muejsh ndoshta ka me u marrë vesht. Aqë herë edhe pun’e juej aty ka me u pamë. A proposito[1] , vetëm tash vonë e kam marrë vesht qi Paluca qênka n’Amerikë. Thonë ndër ne se nuk dihet nga i vjen e mira familjes, nga djali apo nga vajza. Me gjasë, asaj së Palucës i paska ardhun prej vajzet. I kam dërguem “Abetarin” e, me gjithë ata komplimenta qi i kam bâmë në tê, ende s’m’u ka përgjegjun! Nji tjetër a proposito: Dalina a je ti apo âsht Paluca? Se kush mundet me qênë tjetër?
Pjesën e këndimeve t’Abetarit kam dashun t’a mbyll… (a di me ça?) me Nakdomanicin! Por s’e kisha e s’mujta me e gjetun. Çdo libër i botuem shqip, me këtë vjershë të padekshme duhet të mbyllet, apo jo?
Po të bâj nji proponim, Karl. Po mbaroi brez’i ynë me ata pak kompetenta të gjuhës shqipe – s’janë mâ shumë se gishtat e nji dore – qi ka pa i pasë vumun nji themel të shëndoshë gramatikës së saj, kemi me lânë përmbrapa nji dam të madh. Un, me Abetarin, i vûna këtij themeli nji gur. Ti vêni të dytin. Kishte me qênë ky: me i bâmë ksaj vepre me atë titull aqë modest e përgjithsisht të shkrimeve të mija ndër letra qi do të shkëmbejmë bashkë e ndër sa qi ka botuem e do të botojë Shqipnij’e Lirë kritikën t’ânde fjalë për fjalë e frasë për frasë e me m’i dërguem mue pjesë-pjesë mbas kohës qi të keshë. Kemi me u marrë vesht në shumicën e tyne, dmth. në shumicën e ndryshimevet qi kemi me bâ. Ky ka me qênë nji resultat qi ndoshta as na vetë s’do t’i biem krejt në tê rândsisë qi do të ketë për t’ardhëshmen. Pjesën tjetër, ku s’do të mundemi me ramë të dy mbë nji, kemi me e bâmë objekt shoshitjeje publike me anë të shtypit tue u bâmë nji thirrje të nxetë patrijotike gishtave tjerë qi gjinden jashtë qi të marrin pjesë n’atë shoshitje. E kështu ka me dalë ai themel i shëndoshë i gramatikës s’onë qi thashë. S’ka Mustafë, s’ka Karl, s’ka Palucë, s’ka Resul qi mund të hartojnë sod vetëm nji gramatikë të shqipes qi të jetë tekst! Por të gjithë bashkë mund të bâjnë punë të madhe fort. Mos u çudit: ma e madhe punë e këtyne âsht pikë së pari me pasun nji orthografí e përgjithësisht nji gramatikë të përbashkët! Rivist’e Qêndrës duhet të bâhet kryesisht tribun’e ksaj pune. Gjithçka tjetër: letërsí, poesí, historí janë kurrgjâ sod për popullin shqiptar ndaj gjuhën e tij, janë si centralet hydroelektrike të regjimit komunist kur populli po des zijet për bukë!
Me kaqë po e mbyll bisedën, tue pritun me filluem prap kur të keshë nge ti.
Mustafa
P.S. Qyr nji herë se ç’na ndodhi: Paluca e zbardhi faqen, njetash mora letrën e tij, nji letër të gjatë ku qahet fort për sŷtë i mjeri.
Do t’i keshë marrë ato copë Abetarësh për tre Gjermanët albanologë qi ishin në listën t’ânde e do të keshë kuptuem se post’e këtushme m’i ktheu dalë.
Edhe ime motër merr pjesë n’urimet e mija.
Mustafa.
Palermo, 26.6.1953
I dashtuni Mustafë,
Përsërí kaloi nji kohë e gjatë pa Të shkrue. As vetë nuk dij me i dhanë dum kësaj mungese nga ana e ême. Sot e nesër ditët kaluen tue mbetë në detyrë kundrejt Teje. Por faji, kujtoj, nuk âsht aq i madh, kur të mendohet se e kam gruen e sëmundë tash shum kohë. Duhet t’i shtrohet njij operacjoni për t’i hjekë nji fibromë n’âmë të fëmís, por, tue qênë se ka presjonin e gjakut të naltë, e shtŷjnë prej njij dite në të tjetrën. Gjindet nën mbikqyrjen e mjekvet, të cilët i kanë përshkrue nji kurë injekcjonesh e barnash, qi m’a kanë shkundë krejt kuletën e shkretë. N’anën tjetër, tash nji muej rresht jam i zânun me provimet e verës n’Universitet: simjet janë paraqitë në provimet e shqipes mâ se njiqind vetë; kam qênë në komisjon me Pater Valentinin, i cili âsht i kapërthyem edhe në katërqind punë tjera, kështu qi barra mâ e randë më ka takue mue. N’islamologjín kam pasë nandëdhetë ndigjues, mâ të shumtën femna, e n’apelin e parë të provimevet të këtij vjeti u paraqitën pesëdhetë. Mësimet e kësaj lande i kam përmbledhë andej e këndej prej auktorësh të ndryshëm, gjermanë dhe italjanë. Mjerisht nuk dij turqisht ase arabisht, pse në këto dy gjuhë do të kishem gjetë sigurisht burime mâ të mira. Si libër leximi kam zgjedhë pjesë të ndryshme nga Kurani, kuptohet vetvetiu, në përkthimin italisht të Luigi Bonelli-t, qi kundrohet e mbahet mâ i miri n’Itali. Kam folë për mbrendín e Kuranit, për jetën e Muhametit e për themelimin e besimit musulman; kam trajtue në vija të përgjithëshme letërsín arabe dhe atë të Persís e mâ në fund kam bâ gjeografín e të gjitha vendeve islame, tue nisë nga Arabija e tue mbarue në Shqipní. Më duket se kam bâ nji punë të pëlqyeshme, pse, si kam mujtë me vrejtë, kam zgjue nji interesim në ndigjueset. Vjetin qi vjen, me qênë shëndosh, kam mendjen me folë për letërsín turke e për artin musulman në viset e ndryshme, sidomos në Spanjë e në Sicilí.
Tashti të vijmë te Qêndra e jonë: dishka kemi bâ; kemi marrë nji zyrë të përkohëshme, ku i kemi vû themelet njij Bibjotheke albanologjike, e cila do të përmbledhë, mbrenda mundësivet, çdo botim shqip dhe asish qi të shkruem në gjuhë të hueja, flasin për punët t’ona. Kemi bâ nji qarkore, qi u a kemi dërgue dashamirvet e të njoftunvet, për të na dhânë ndihmesën e vet në ketë nismë. Kemi shpresë të nxjerrim nga Qeverija Siciljane nji shumë të hollash, ashtu edhe nga Qeverija e Romës. Atëherë do të mund të bâjmë edhe blemje librash e do të mund të ndihmojmë edhe ata bashkëpuntorë, qi me shkrimet e veta do të na nderojnë revistën, qi kemi mendjen t’a botojmë sa mâ parë, tri herë në vjet, në trajtë libri. Sa për ardhjen t’Ande këtu, nuk kam lajme të preme, pse, si mund t’a marrish me mend, krejt çashtja qindron te fondi qi do të na jipet. Të kemi gjithmonë në zêmër e në gojë e me mzi presim ditën kur do të mundemi me Të dhânë lajmin e gëzueshëm për Të thirrë pranë nesh. Je i pari Ti qi do të gëzojsh me bashkëpunimin t’And të çmueshëm e të pakapërcyeshëm.
Në letrën t’Ande më pate pyetë se i kujt âsht pseudonymi “Dalina”. Po, Ti i ke ra në tê: unë shkruej në çdo numër të fletores, mâ të shumtën e herës, pa nënshkrim, por nga ndonji herë ata miqt e mij të Romës më pagzojnë me emnin “Dalina”, të cilin e pata përdorë nji herë në fillim, nuk e dij as unë sepse.
“Abetarin e të Mërguemit” u a pata dërgue albanologvet gjermanë, simbas dishirit t’And.
Pardje mora nji fletë nga Universiteti i München-it për të marrë pjesë në nji Kongres Ndërkombtar për Studime Indo-europjane n’at qytet në fillim të shtatorit.
Të marr ngrykë e Të puthi vëllaznisht, i yti Karl.
A ké pasë ndonji lajm nga Hamdiu? Ká shumë kohë, qi nuk i a kam ndigjue zânin as atij, as Hajdarit. – A ké pasë ndonji lajm prej Shqipnije. – A e ké marrë nji letër nga zojusha Cirrincione? Shum të fala nga ime shoqe e nga Gilberti.
[1] It. : me që ra fjala (E.M.)
Komentet