Palermë, 22 tetuer 1957
Mustafë i dashun,
Me 14 shtatuer të pata dërgue librin “Tungjajeta” dhe e përcolla me nji kartë postare tue të tregue arsyen e vonesës së dërgimit.
Tue mos pasë marrë përgjegje as për njênin as për tjetrën, më duhet me mendue se karta postare nuk të ká rá në dorë. Sá për librin, nuk e besoj se mund të ketë humbë, pse e pata nisë të porositun.
Sikurse të pata shkrue n’atë kartë postare, unë librin e pata blé posá ti m’i pate dërgue të hollat. Erdhi në zyrë Rosolin Petrota, e pau dhe m’a mori për me e lexue. Derisá m’a kthei, vetë dijta: i a kishte pasë dhânë njij arbreshi tjetër, e kështu, dorë në dorë, sikurse ké mujtë me vû ré, mbuloja e librit âsht pak e zhublueme. Uroj veç t’a keshë marrë. Si t’âsht dukë?
Prá, edhe nji gjâ e mirë u bâ: mërgimi sot po ká nji të përkohëshme të vetën. Ernesti e bâni zemrën gúr e hŷni në ket pýll! Unë n’atë t’êmen, pata plasë tue folë e tue shkrue qi të dilte ndokush e t’i hŷnte botimit të njij reviste, mbasi, falemi nderës Zotit, po jemi mjaft për të mujtë me e mbajtë në kâmbë me shkrime, se sá për kuletë, mos pyet… Mirë e pat nisë Resuli i shkretë, por mjerisht mbeti në gjymës të rrugës. Sá keq më ká ardhë! Por shka t’i bâjsh ndeshtrashës së zezë qi na ndjek kâmba kâmbës, në daç kúr ishim n’atdhé, në daç këtu përjashta!… Eh po! Ká pasë thânë Fishta i mjerë, se qysh se Shqipnija pat qënë matë me lëkurën e dreqit, asnji punë për së mbarit ndër né s’mundet me ngjatë:
“Kam këndue n’do libra t’vjetër
(Se për kúr ata s’kallzojnë),
Shëjti Sh’Mhíll e Shëjti Sh’Pjetër
Rán n’kuvend me shoqishojnë.
Rán n’kuvend tue bisedue
Për punë t’tokës n’â e madhe a e vogël,
Pse prej s’nalti tu’e shikjue
Thotë Sh’Mhilli se â sá’i gogël.
Elè mâ, për mos m’e zgjatë,
Mos me i mbetë davaja asnjênit,
Sbashku dán ata me e matë
Tef e n’tef me i’fille pênit…..
Kshtu tu’êndun n’anë prej Lejet,
E tu’ e matë tokën me pê,
Ata u kapën n’at shkâmb Pejet,
Ku vonë bora vjen tu’u dê.
Por aty nji punë u bîni
(E shka s’bîn n’ket shekull t’zí ?)
Pêni i mndashit nuk u mrrini
Për me matë ket Shqyptarí.
Veçse ata ja bâne hallin
E nuk ndêjën kot t’u tallë,
Pse me t’shpejtë e thirrën djallin,
Edhe e ropën për së gjallë.
E mbasi ja hoqne lkurën,
Ata tjetër mâ nuk ngjatën,
Por me tê nji dredhë e turën
E me at dredhë Shqypnín e matën.
E q’m’at ditë qi dheu i Shqyptarit
Me at ród dredhe pat kênë matë,
Duen me thânë se′i punë për s’mbarit
Aty mâ s’mundet me gjatë.”
Si thue, Mustafë, a ká pasë a jo të drejtë Fishta? … Më duket se po. Don Zoti dhe nisma e Koliqit me “Shêjzat” të përgënjeshtrojë pesimizmin e Fishtës! Le të shpresojmë e t’urojmë qi e përkohëshmja e re t’i ketë themelet e shëndoshta. Ernesti më ká shkrue se njifarë fondi e ká sigurue dhe se âsht pritë mirë në rrethet kulturore. Sigurisht edhe penda e jote do t’i zbukurojë faqet e saja. Në “Shpirtin Shqiptar” i a pate hŷ punës shum bukur me shënimet gjuhësore. Nuk do t’ishte keq qi të vijojshin në “Shêjzat”. Edhe unë do të përpiqem me at vogëlsín t’ême t’i jap ndihmesën.
Dishka i kam dërgue edhe për numrin e dytë, qi shpresoj të botohet në këto ditë, në rasë se nuk e gjên gjâ rrugës! Në qoftë se të del edhe tý me bâ ndonji send atje n’Amerikë, aq mâ mirë. Uroj qi ata gurë qi paske nisë me luejtë në ket drejtim, të munden me zânë vend. Ndoshta t’ecë puna atje mâ mirë se këtu në botën plakë.
Po më pyetë se çfarë fjale shqipe i pergjegjë emni Angela atje kah Shkodër locja. Ká mjaft përgjegjse: në Shkodër mbrendë i thonë Angjelinë apo Ejllushë dhe Angje; jashtë Shkodre kemi fjalët Ngjelinë, Gjelinë, Linë; në Malcí, si po e shof në nji radhue të vjetër êmnash, qi dikúr pata mbledhë, qênka edhe trajta Linushë, por e kam me nji pikëpyetse, mbasi nuk e kam ndigjue unë vetë, por m’a ká thânë Nikollë Dakaj alias Basho Jona, qi pat nisë me përkthye klasikët e vjetër grekë; pyet edhe Lekë Marashin, se, me sá dij unë, në Dukagjin i thonë Lushe; për ketë të fundit kam njifarë dyshimi, pse më duket se i përgjegjet êmnit Luigja; edhe Paluca do të dijë ndonji gjâ për ketë trajtën e fundit. Mue do të më pëlqente trajta Ngjelinë, qi ndigjohet edhe në kolonít arbreshe. Zgjidh e merr bashkë me Haxhiren. Shum të fala kësaj prej meje. Të fala edhe Bashkimit, në qoftë se ká kthye nga Italija. Më kanë thânë se ká ardhë këtu me marrë nuse. A âsht gjâ e vërtetë?
Të fala të përzemërta prej s’ime shoqe e prej djalit, të cilët të kujtojnë me nderim e çmim.
Unë të përqafoj e të puthi me máll e me dashuní gjithmonë i yti
Karli
Nesër të nisi vijimin e “Anzavet” prej faqes 41 deri 58.
Niagara Falls, 24 nânduer 1957
Karl i im i dashun,
Ndoshta kjo letër ka për të ramë në dorë ditën 28, ditën e kremtes kombëtare. E pra po t’uroj. Ç’të t’uroj? Me të tânë zêmrën gjithë ç’të deshiroftë tý e jotja të mirë! Kjo fjala e fundit, ky adjektiv do të të duket ndoshta e tepër, nji pleonazëm. Por nuk âsht. A mundet kush me i deshiruem vetes gjâ të keqe? Po fort: pse s’din ase âsht i dobë. Un kam pasë prova të këtilla mâ se nji. A s’të ka ndodhun edhe tý ndonji herë me lakmuem nji send me afsh të madh e dikur me pamë se sikur t’a kishe pasun do të kishte qênë keq për tý ? A s’e ke bâmë ndonji herë mëkatin me i uruem vetes dekën, mbarimin e nj’asaj jete qi vetë Zoti t’a ka falë? Ky kuvênd po âsht tue të diftuem se jam tue pasun mallë shumë me biseduem me tý ? Por mâ mirë po kthehem atje ke pata fjalën, se ndryshe s’po dij ku më qet këta të shmângun.
E pata te 28 Nândori. Ernesti me Martinin m’a ngërmuen për nji shkrim fort pak dit para se t’a çojshin në shtyp numrin e dytë. E un mora e arnova diça qi kisha pothuej të gatshëm. Por nuk m’a muer mêndja qi do të përfshijshin në tê edhe numrin e nândorit. Se ndryshe kam pasun gati edhe nji “28 Nânduer” shkruem si kapitull historije, si të mbrapmin kapitull të nji historije të Shqipnisë qi kisha sajuem me shkruem. Mos u çudit qi kapricat e rrethanavet kishin lypun prej meje qi t’a nissha atë vepër për së mbrapështi: e bâna për me mos lânë qi të harrojsha kujtimet qi kisha personalisht në krye. Por qe se mbrapësht u nis e mbrapësht duel! E lashë n’udhë gati porsa ia ktheva për së mbari. Shkrova edhe dy kapitujt e parë: I. Epoka ilirjane, dhe II. Përshkurtje historije epirote. Kapituj mjaft të gjatë, të dy. E këtu u pre. Âsht punë e gjatë me t’a përshkruem se pse. Ndoshta të më kishte hjedhun fati në Palermë edhe mue, sikur t’a kam shkruem në nji letër, do të kisha vazhduem. Por ashtu s’u bâ. Erdha këtu, në nji qytet të vogël t’Amerikës. Kandili i nacjonalizmës erdhi tue u porritun për ditë mâ fort. Deri sa u shue krejt, o Karl! S’ka mâ Shqiptarë e s’ka mâ Shqipní, o vlla i em! Le të bâjmë geret (gajret) sa të duem me purrî … për me mos u dhânë. Qemë mâ të lumë kur s’e dijtëm, kur s’e patëm kuptuem si Auktori i Nakdomanicipedisë…
Pra, si qeshë tue thânë, t’a kisha dijtun se numr’i dytë i Shêjzavet do të kishte përfshimë edhe të tretin, dmth. nândorin, nuk do t’i kisha dërguem parathânën e Bardhit, por “28 Nânduer” t’emin. Nuk âsht krejt fytyra gjenuine e historisë s’asaj ndodhije, fytyra e nuses nuk âsht paraqitun pa nisun, se ndryshe do t’ishte nji përbindsh; me gjithë këtê i gjanë së vërtetës mâ fort se çdo pikturë tjetër qi i âsht bâmë. Sikur të kisha me e përshkruem sod, do t’a nxirsha krejt lakuriq si nji historjan i vërtetë, due me thânë objektiv, i cilli don mâ fort historinë se çdo gjâ tjetër.
Po e merr vesht edhe prej ksaj faqje shkrimi se përse t’a kam dijtun aqë për nderë mundën e madhe qi ke bâmë për mue tue kopjue Anzat e Parnasit: nji provë vllaznije qi, për kê din me e çëmuem, s’ka ku ve mâ përtej. Po pres të mbarohet për me e lidhun e me e bâmë, si kishte me thanë nji Frëng, “mon livre de chevet”[1].
Por s’po largohem nga argument’i rivistës pa folë edhe pak për tê. Numr’i parë, me të thânë të drejtën, s’më ka enthusjazmuem asnji grimë as për ngjyrë (mbulojsa e bardhë!, shkrimet e saja të brusta), as për titull (i shkrova dhe Ernestit se ka qënë shumë mâ i bukur emni Shkëndija), as për volum e as për lândë. Un kam qênë përherë radikal për vete: ndo me e bâmë nji punë a nji gjâ të mirë aqë sa bâsi të jetë i zoti për tê, ase me mos e bâmë aspak. Un kurrë s’ia kisha nisun nji riviste mâ t’ultë, nga çdo pikpamje, se ato qi kanë dalë dikur në Shqipní. Shpirti Shqiptar ka qênë shumë mâ e naltë se Shêjzat, nemose për sa na kallzon numr’i parë i ksaj. Ç’e përkohëshme âsht kjo? Due me thânë krye sa kohe botohet? Nuk na thotë, s’paku un s’e gjeta kund! Gabime shkrimi deri ndër formula të përhershme të mbulojsës. Shiko, pashë bukën: “Përmbajtja = Sommario”; “Çdo shkrim qi botohet me gjithë italishten “Ogni … manoscritto …” Shqyrtoji vetë me kujdes. Shihet bukur mirë se janë dy poetën qi ia kanë hŷmë ksaj pune si ngutas. Vallë ku e kanë gjetun auktorët e Bashkimit këtë fjalë qi përdori Ernesti për titull të rivistës? Gramatikisht, n’e marrshim shêjin kështu për mashkulluer, do t’a bânte diminutiven shêjth. Ernesti më ka pasë thânë njiherë moti se fjalët e format e fjalëvet et.i krijojnë shkrimtarët! Drue se âsht ende në këtë mendim. Kështu po më duket me ato “shkrimë në gjak” e “shqymbë farën”. S’po shkoj mâ gjatë, se s’âsht vêndi. Ti kritikat e mija mbaji për vete, se Ernestit kadal’e kadalë tash ia kallzoj vetë kur e ku të shfaqet nevoja. Dikush më ka shkruem se Resuli po e nxier prap në kallnuer Shpirtin Shqiptar e me anën e atij qi më shkruen këtë lajm m’âsht lutun qi t’i bâj gati ndonji shkrim. Un do t’i ndih edhe atij, se mue s’më duhen gjâ rivalitetet e grindjet e tyne me Ernestin. Por do të pres qi të më shkruej drejtpërdrejt. Edhe ti, them un, do të bâjshe mirë me u ndihun të dyjave.
Deri këtu shkova para pa e kënduem prap letrën t’ânde me 22 tetuer. Tash po shoh se ç’ke ti atje. Po fillueke me “Tungjatjeta”. Kartolinën qi më paske pasë dërguem për tê s’e kam marrë. Por librin po. Na paçin marrë të keqen paret! Gjithashtu edhe autori me gjithë Nadën.
Ajo copë vjershë e P. Gjergjit qi më ke shkruem në këtë letër a s’âsht marrë nga Anzat?
Ti thue në letrët, tue folë për Shêjzat: “Dishka i kam dërgue edhe për numrin e dytë”. E po në të parin ç’ke shkruem ti? Emn’i yt s’â kurrkund në tê.
Un, si të kam pasë shkruem, preka ku munda këtu për nji rivistë qi të na qitte faqebardhë, nji rivistë qi të bânte figurë Perëndimi. Për bashkpuntorë nuk drojsha; isha i bindun me atë t’emen se do t’i gjêjsha. Vetë po isha krejt pa kurrnji punë tjetër. Nji ndihmës a sekretar, queje si të duesh, do t’a gjêjsha këtu ndër të mërguemit t’anë. Themeli i gjithë punës ishin fondet. Mbasi brodha andej e këndej e fola drejt e zhdrejt me shumë kênd tendencash të ndryshme – se un s’e kisha aspak ndër mênd me themeluem nji rivistë kulture partizane – m’u mbush mêndja se tue rrahun telin e hatrit, tue lypun un për miqsí e për të fituem… nji kafshatë bukë për vete, jetën e rivistës për motmot do t’a kisha siguruem; por me argumentin e patrijotizmës kurrgjâ! Nji kohë të gjatë mbeta pezull. Mâ në funt vendosa me e vorrosun idenë për gjithmonë tue mallkuem edhe nji herë farën e stërfarën shqiptare. Tash Ernesti më shkruen qi të përpiqem këtu për pajtime e ndihma! Për këtë besë sakt qi jo: kur s’lypa për vete s’jam tue lypun as për Ernestin. Se, sikur t’a thashë, vetëm lypë do t’ishte; se për patrijotizëm s’âsht tue marrë vesht kush. Fishta, pra ka pasun të drejtë, ai poet i madh, po thotë tashti Angjela e ime, “qi ia njofti Shqiptarit rrânjën e fenë”. Por un nuk po them “ai poet i madh”, se poetnit s’njohin e s’marrin vesht kurrgjâ; por si psykolog, ai filozof i madh!
Pjesën f. 41-58 t’Anzavet qi po më thue se m’a ke nisun nuk e kam marrë ende.
Më duket se ksi shtegu, dmth. me këtë letër jam bâmë nji fije mâ burrë i mirë me tý, apo jo! E me kaqë pra po të rrok me shumë mallë e bashkë me Angjen e Bashkimin ju përshëndesim përzêmërsisht tý me gjithë të tutë.
Mustafa
Niagara Falls, 31.I.1958
Fort i dashuni Karl,
Në kartën t’ânde me 23 të muejit të kaluem ti më shkruen se m’a ke “detyrë nji letër…” E mue, tue pritun e mos pasun gjâ deri tash prej teje, m’u mbush mêndja me mos e lânë me nji, por me të detyruem me dý letra. A po t’a bâj mirë kështu? Kurrgjâ të posaçme s’kam me të thânë, por tash vjen ndonji send ndër mênd. E vetmja gjâ qi më shtŷni me kapun makinën për tý âsht malli. Ndoshta âsht deka e Hiqmet Delvinës, këtij moshatari t’em, qi m’a futi nji farë melankonije e pra mallin me i shkruem ndonji miku të dashun të largë, mbasi kuj me i folë këtu s’kam! Kam djalë e vajzë, po, por me gjind të familjes flet njeriu vetëm për interesa familjare e jo tjetër.
Kopjen e Anzave të Parnasit e kam marrë deri në të 74-tën faqe (të daktilografueme), këtu në këtë pjesë të mbrapme qi kam para sŷshë janë 6 vargje të kalueme me pika e ti po m’a kallzon shkakun, tue shtuem edhe se botim’ i parë anonym i ka të botuem edhe ato. E marr me mênd se ti nuk e ke aty këtë botim, se ndryshe do t’i kishe mbushun edhe ato 6 vargje. Me këtë rasë po due me të pyetun edhe diça tjetër: edhe i pari botim i Lahutës, në mos gënjehem kânga e Oso Kukës, ka nji varg të këtillë me pika edhe vjen shi mbas këtij, “Qyshse erdh pasha turçeli”. A të kujtohet tý dhe a e din se cillat janë fjalët e atij vargu?
Ernesti kishte bâmë ndër Shêjzat për mue ça më kishe shkruem nji herë se, sikur të kishe pasun ku me shkruem, do të kishe dashun t’a bâjshe ti. Iu fala nderës Ernestit tue i thânë se kurrë prosë mâ të bukur se atë s’kisha kënduem prej pêndës së tij, e se këta provonte qi përnjimênd i kishte dalë fill prej zêmret. Mund të thotë njeriu edhe këtë tjetrën: qi m’u ka dukun mue aq’e bukur, ndërsa ndoshta mâ se nji kënduesi, të cillit edhe vetëm emn’i im i vret sŷtë ase veshët, ajo prosë kishte me iu dukun për faqe të zezë!
Po dalim tash te Rivista përgjithsisht. Lânda e blemës të dytë dy numrash ka qênë shumë mâ e ndryshme prej asaj së numrit të parë. Mâ e ndryshme, po due me thânë mâ tërhjekse. Por nuk dij si ka mundë të dalë i mjeri Ernest me ballancën financore. Të më kishte pasë pyetun pa fjalë do t’a kisha kshilluem me mos ia hŷmë asaj vallje. Un vetë kam pasë sajuem, në mos u rrêjsha në 1920 a ’21, me qitun në Shqipní nji rivistë me emnin “Kultura”. Për shkrime pata pasun premtimet mâ të bukura qi mund të jenë. Por llogaritë qi bâjsha për shpenzimet kurrsesi nuk dilshin e prandej hoqa dorë. Këtu bâna mâ të mbrapmen provë të keqe, sikurse t’a kam shkruem. Edhe e vorrosa atë mendim për jetë të jetëve. Edhe nji herë mâ tepër pat arsye P. Gjergji: Shqiptarët nuk duen shkrime. E un po shtoj: Shqiptarët duen me kënduem e me ndëgjuem vetëm vënerë e mëní kundra shoshoqit. Të kam pasë shkruem tý se “nuk lypa për vete, s’kam për të lypun as për Ernestin”. Por punova ndryshe. Më mallëngjeu guxim’i Ernestit e, qe besa e Zotit, bâna mâ shumë se do të kishem bâmë për vete. Edhe pse njeriu lyp mâ pa marre për tjetërkënd se për vete. Shkrova letra kudo qi kisha ndonji mik a të njohun këndej. Por ça ka mujtun me dalë prej letrave të mija? Kurrgjâ ndoshta; por sigurisht pak fort, edhe në pastë dalë gjâ. U kam shkruem Ernestit edhe Martinit.
Sa për shkrime, u kam premtuem qi do të shkruej rregullisht për çdo numër. Sikur do t’a keshë pamë, ia nisa me Bardhin. Gjuha shqipe âsht pasjon’i im. Blêni i tretë, në pastë dalë, s’ka gjâ t’emen. As nuk më lajmuen kur do të shtypej. U kam dërguem edhe dý “puntate” mbi Bardhin për blêjt kallënduer-fruer e mars-prill. Ernestit s’ia ka ânda gjuhësinë, ndoshta edhe pse âsht nji lândë qi don kujdes të madh për qortimet. Prandej mbas këtyne do të zgjedh ndonji subjekt tjetër. Dashtë Zotynë e vazhdoftë, se për shkrime s’po e lâmë, jo, me hjekun zí. Blênin e tretë (4-5) un s’e kam marrë ende.
Ti kishe marrë pjesë me tfillimin e emnit; Të kam shkruem se mue emni s’më ka pëlqyem. Edhe shi pse âsht nji emën qi s’e kupton askush e qi ka nevojë për spjegime. Shkëndija ka qënë nji emën shumë mâ i mirë. Por të gjithë na jemi Shqiptarë… lavdí Zotit, na pëlqejnë fjalët e mëdhá, altosonanti [2] deri në qiell! Po due edhe me qeshun, se emni s’don me thânë shumë gjâ.
Po tý, lum Karli, ç’Buena të shtiu me shkruem at’artikull n’Albanie Libre me rasën e 28 Nândorit? A s’të paska pasë ramë kurrë me e ndiem se n’atë kryengritje kam qênë edhe un pjestar në Shqipní të mesme e jo mâ i mbrapmi. Me këtê s’po due me u lëvdue, larg meje ky qëllim, por po due me të thânë tý se n’atë rasë, ndërmjet lumit të Matës e lumit të Shkumînit, animâ në prefekturën e Durrësit, s’ka mundun të ndodhë kurrgjâ qi un mos t’a dij mâ mirë se kushdo tjetër, sidomos mâ mirë se cillido qi s’ka qênë vetë n’atë qull e n’atë zonë. Por sido qi të ketë qênë e vërteta mbi sa shkruen ti për “tradhtin’e Shqipnisë së mesme”, a ishte e udhës me çelë sod mbas 46 vjetsh aso plagësh? Ti mbandej, tue kujtuem se po bân mirë me mos zânë emna me gojë, s’je kujtuem qi ishe tue lânë nën atë barrë të shëmtuet krejt nji krahinë. Në qoftë se do të gjindet aty kolekcjoni i Hyllit të Dritës, do të bâjshe mirë me kërkuem të vjett 1938 ase’37 nji artikull të P. Marin Sirdanit, qi kishte besuem n’atë “tradhtí” të zezë, edhe përgjegjen t’eme, qi e mohon kategorisht si nji testimonio oculare.[3] Jo, Refik be Toptani, qi akuzohet për atë tradhtí (sic!) – në qoftë madje se nuk â shtuem numri i tradhtoret me kalim të kohës – ka qênë përnjimênd nji patrijot pa njollë. Ti e din bukur mirë se sa fort më kanë dashun e i kam dashun un Toptanët, por e vërteta âsht nji gjâ tepër e shênjtë në ndërgjegjen t’eme edhe jam i sigurtë se edhe tý sikur Sirdanin të ka marrë rryma e propagandës së keqe si bânë aso kohe malsorët bregamatas qi u dâmtuen n’atë ndërmarrje pretare kundra Durrësit të pasun. Nuk po shkoj mâ gjatë. Desha vetëm me të diftuem se ke bâmë nji gabim pa qênë nevoja e pse të kam mik të dashun. Pata pasun edhe un ndër mênd me e shkruem historin’e pamvarësisë shqiptare, atê të vërtetën për Shêjzat. Por mbasandej, si pashë artikullin t’ând, hoqa dorë asi mendimi.
Tash mora nji letër nga Reshad Ago qi më lajmon se pajtimet për Shêjzat paska mûjtun me i çuem deri në 10 në Toronto e se mâ tepër s’mundet mâ me bâmë gjâ, “sepse të shumtët janë njerës që s’ka ç’t’u hyjë në punë nji revistë, se nuk dijnë t’a këndojnë e t’a marrën vesh”.
Tashti e ke korín ti e tu mirë qofsh, vetë me gjithë të tutë.
I yti
Mustafa
[1] Frengjisht : libri im nën jastëk (E.M.)
[2] Italisht : kumbues (E.M.)
[3] Italisht : dëshmitar i gjallë (E.M.)
Komentet