Pershendetje, pajtim!
PERGJIGJE GRUAS
Letrën, grua, në gji e ruaj
Dhe shumë herë do ta lexoj;
Dhe po aq herë nëpër rreshta
Një këngë malli do të dëgjoj.
E di që s’mësohesh dot pa mua,
Në tryezë shtron një pjatë më tepër.
‘Ç’e humba fare”, nënës i thua
Pastaj pret nga unë një letër.
Ndoshta ëndërron nga unë një letër
Në një zarf të kaltër luleblirësh
Me pak para për nënëshkretën
Për ty ca vargje xhevairësh.
Po unë e di, ti pret më shumë
Ca fjalë intime, lule malli,
Firma poshtë vënë me buzë,
Ku të puthi vajza edhe djali.
E di se është një ngasje e bukur
Nga një mallë i largët bashkëshortor,
Që një burrë i ëmbël, një shpirtvogël,
Nuk ndjen asgjë në kraharor.
Po një burrë si unë, egoist për dreq,
Që i shfryn mendimet si furtunë
Dhe zemra e tij vuan e heq,
Nuk gjen prehje as në gjumë.
Të tjera halle e zënë gjatë ditës,
Përmbi dhëmbjen e përmbi mallin,
Sa një zonjë nga ato të elitës
Do t’i mbartëte ndoshta me hamallin.
Po mal mbi shpinë kam krenarinë,
Idenditetin tim po gjithashtu,
Sa gërmuq shetis nëpër Athinë,
Këmbëlidhur me ca tabu.
Se lutjen unë s’e kam mësuar
Dhe dorën kurrë dot s’e shtrij,
Shtëpitë publike, siç u thonë
Dhe kazinotë, oh, kurrësesi.
Mbi gjithçka e ardhmja juaj
Më mundon e më cfilit,
Si hutaqi morrat në dhe të huaj
Rri numëroj këtu dhrahmitë.
Dhe nis e shaj Zotin në shqip,
Atë që kurrë s’e njoha dot.
Fatin tim me dhëmbë përtyp,
Po zemrën kurrë s’e mbys në lotë.
Oh, veç një gjë kuptova mirë
Dhe sot ndihem shumë i pasur,
Sa shumë u dashka larg Atdheu
Dhe po aq ti, grua e dashur.
1992
NJE LEXUESEJE
Ju më pyesni, zonjë, për jetën intime,
Atë do ta gjeni nëpër vargjet e mia,
Atje jam i tëri me ndjenja e mendime,
Shpirti dhe zemra gjetiu janë të dyja;
Në librin e parë, si rëndom, autobiografik,
Me titullin e thjeshtë siç është edhe fati,
U ndiet ndoshta papritmas skeptike,
Kur lexuat: “Ç’doni t’ju bie nga fshati?”
Gjithësesi, ju thatë, fshatar ka mbetur,
I palatuar në jetë, i pagdhendur në vargje.
Strofat me gjalmë të trashë i ka qepur
Siç qepin opingat këpucarët në lagje;
Dhe thoni se shkruaj për fshatin natyral,
Për vajza të virgjëra e ara të mbjella,
Për livadhet e dëlira e burimet kristal,
Për hamshorët hergjele e pelat e pjella;
Vargje të rëndomta me figura pa grin,
Me strofa klasike, pa thyerje, pa sharm,
Pa shampanja promovimesh, gati anonim,
Mes poetësh VIP-a ngjaj si sharlatan;
Se nuk lëvroj poezinë moderne, qytetare,
Thelbin koncentrik të jetës sociale,
Në vargje ndihet trishtimi i hënës mbi varre,
Por jo drithërimat nga prekjet sensuale…
S’ka gjë se nuk shkëlqej në takime galante,
Në se zemra ime gënjeshtrën s’e njeh,
Por thellë në të ju s’i shihni ylberet brilante
Dhe dashurinë si dyzim prej poeti ma sheh…
S’ka gjë në se s’ia zbus dot zemrën një zonje,
Shpirtin e saj të krimbur nga paraja …
Asnjë mëngjes prilli me rreze pranverore
Nuk e zgjon dot blerimin te Saharaja…
MBASE…
Sa më ke pritur! Dhe prapë do të presësh
Në gjirin e një ëndërre,
Që kurrë s’do të zhbëhet,
Në gjirin e një vargu, që mëkon shpresën!
Mbase s’të dal përpara. Mos derdh ti lot!
Mbase mërgimi, mbase fati
Një natë t’errët, fshehur nga ti
Do t’më ketë nisur në një tjetër botë.
Po ti më prit! Më prit se do të vij!
Mbase mesditës, mbase mesnatës,
Herë si zog e herë si ëndërr,
Herë si jugë, herë si veri!
VJESHTE NE JUG, VJESHTE NE VERI
⦁ nga Lirikat e Veriut –
Me jugën e butë hedhur shall mbi supe
lashë viset jugore drejt viseve alpine…
Ca vjersha që futa në një dosje lëkure
Më cicëronin rrugës si zogj kanarine;
Ndonëse kam hypur në trenin e vjeshtës
Dhe gjethet gjthandej po bien tani,
Më pëlqen që nuk je e heshtur, e zbehur
Më pëlqen që nuk do të smurem nga ty;
Mirupafshim ju vise dhe vajza te Jugut,
Që buzëqeshja kurr’ s’ju hiqet nga buza!
Unë nuk jam as i pari dhe as i fundit
Për t’ju kënduar juve, i zgjedhur nga muza.
Sa herë shkruaj për ju, s’di pse më zë frika,
Si ai muzikanti në mbrëmjen e maturës,
Se mos mes vallzimit i prishej harmonika
Dhe gjaku na vlonte sipër lëkurës.
Mirupafshim! – ju themë për pak vjet!
Një puthje do t’ia marr hënës me zor.
Në se një yll jugor për ju kam qënë vërtet,
Unë prap do të shndris si një yll verior.