I nderuar Z.Berisha,
Janë mbushur 32 vjet që ju ndjek si gazetare, me kronika, komente, vlerësime, kritika, akuza, mbështetje. Gjatë këtyre tri dekadave ju kam marrë disa intervista. Ju kujtoj atë tek Bota Sot, kur ju ndaluan hyrjen në Kosovë si person që mund të shkaktonit trazira. Atëhere gazeta ju mbështeti. Po ashtu intervista me disa numra po tek Bota Sot kur filloi rehabilitimi juaj nga SHBA, në vizitën tuaj në Washington DC të lobuar nga çifti DioGuardi, që i parapriu kthimit tuaj në pushtet më 2005. Kjo është e para Letër e Hapur që ju shkruaj.
Megjithëse presidenti Clinton i kishte thënë Rugovës se njeriu nuk lahet dy herë në të njëjtin ujë, ju u latë dhe, gjatë dy mandateve prej 2005 deri më 2013, patët arritje shumë të rëndësishme për interesin kombëtar të Shqipërisë dhe interesin e rajonit, Europës dhe SHBA. Po veçoj anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, që merr një rëndësi të veçantë sidomos në kontekstin aktual.
Gjatë qeverisjes 8 vjeçare ju kam kritikuar, sepse si parti dolët nga shinat e një partie të qendrës së djathtë, nuk bëtë dekomunistizimin, i harruat viktimat e regjimit diktatorial etj.. Ju humbjen e besimit të elektoratit u përpoqët që ta plotësonit pa sukses nëpërmjet aleancës me LSI-në, që prodhoi rezultatin e 2013-ës. Nuk ishte Edvin Rama që fitoi, por ishit ju që humbët.
Ju e dhatë dorëheqjen por sollët në krye të PD Lulzim Bashën, që e katapultuat jo si personalitet por si të rekomanduar nga rrethi juaj i ngushtë, i cili eksplicitivisht hyri në aleancën e deklaruar me Edi Ramën më 17 maj 2017 duke e çuar PD nga njëra humbje tek tjera, me bojkotin e zgjedhjeve lokale, ku u eleminua pluralizmi pothuaj plotësisht në pushtetin lokal. Gjatë kësaj katastrofe jo vetëm për PD-në por edhe për interesat kombëtare, ju heshtët, ndërsa kritikët thanë se Lulzim Basha nuk e lëviz as gishtin pa lejen tuaj. Fakt është se ju nuk i kërkuat asnjëherë Lulzim Bashës të jepte dorëheqjen.
Kur ju shpallën non grata dhe Lulzim Basha ju përjashtoi nga grupi parlamentar i PD-së, atëherë ju u kryengritët dhe filluat turin e foltoreve në të gjithë Shqipërinë. Pasi bëtë mea culpa, ju kërkuat besimin e bazës për të rimarrë drejtimin e PD-së, duke premtuar rithemelimin e kësaj force politike sipas idealeve të 1991.
Dukej se gjithçka po shkonte mirë, çka u kulmua me Kuvendin e jashtëzakonshëm të PD-së më 11 dhjetor 2021 në Air Albania, ndaj të cilit reagoi me një kundërkuvend grupi i Lulzim Bashës më 18 dhjetor 2021, që ishte fund e krye i manipuluar live duke patur dëshmitarë gjithë opinionin shqiptar brenda dhe jashtë. Ky manipulim u pa qartë edhe në zgjedhjet lokale të pjesshme vjet, duke e detyruar Lulzim Bashën të japë dorëheqjen e t’ia kalojë stafetën Alibeajt dhe ky, pas humbjeve të zgjedhjeve të lokale të 14 majit 2023, t’ia kalojë stafetën Bardhit. Dhe, me këtë formacion të delegjitimuar, ky grup, me mbështetjen direkte të Edvin Ramës, shantazhon dhe dëmton direkt jo vetëm PD-në reale, por edhe i kontribuon fundosjes së sistemit.
Ndërsa në PD-në reale, ku ju morët drejtimin, nuk rrodhi gjithçka siç iu premtua bazës, pasi, pas zgjedhjeve të kritikuara të forumeve të PD në maj-qershor 2022, u sanksionua establishmenti i vjetër, me të cilin ju i humbët zgjedhjet e 2013.
Më duhet t’ju kujtoj se, pasi u rizgjodhët kryetar i PD-së, ju shmangët premtimet dhe filluat që, nëpër intervista, të deklaronit se do të vinit në pushtet me ekipin tuaj të dy mandateve të shkuara. Ndërsa rithemelim i PD-së do të thosh një mendësi krejt ndryshe, e cila do të duhej të reflektonte së pari tek sistemi elektoral, të cilin ju vetë e keni nënshkruar me Edvin Ramën më 2008, ku eleminohet gara e lirë, votohet për partinë dhe Njëshat me plotfuqishmërinë e tyre, si skllavopronarë vendosin për deputetët e listave, duke patur si kriter jo integritetin por servilizmin, se kush ia puth këmbën më mirë kryetarit të partisë. Por pasojat më të mëdha i vuan sistemi. Sot Shqipëria rezulton të jetë e uzurpuar dhe e kapur nga një njeri i vetëm, ndërsa opozita ka arritur veç të organizojë disa protesta me regji e skenar. Tani ju e adresoni shkaktarin e humbjes tek Edvin Rama e Tom Doshi, kjo qendron, por kryesore është të gjeni fajet tuaja, tek mosmbajtja e premtimeve për rithemelim dhe riformim. Pa një sistem elektoral, të paktën si i Kosovës, Shqipëria nuk mund të futet në zgjedhjet e 2025. Sistemi aktual, prej 2008 deri sot, ka krijuar sistemin mafioz.
***
Prioritet i menjëhershëm juaji duhet të jetë qasja e drejtë ndaj grupit Basha-Alibeaj-Bardhi. Mjerisht deri tani, jeni ju që po e faktorizoni një grup manipulatorësh, duke iu dhënë shansin të riciklohen, pa marrë parasysh se ky grup e përjashtoi PD-në reale nga sistemi i zgjedhjeve, duke e detyruar që të futet në aleancë me Partinë e Lirisë, me pasoja të drejtëpërdrejta negative për PD-në, pasi numri i Këshilltarëve Bashkiakë u nda midis dy forcave politike, duke llogaritur se PL-ja, meqë nuk kandidoi në asnjë bashki, e balancoi me numrin e këshilltarëve bashkiakë. Duke u përjashtuar forca kryesore e opozitës, pasojat e grupit manipulator Basha-Alibeaj-Bardhi i vuan jo vetëm PD-ja reale, por i gjithë sistemi, i vuan Shqipëria, që po zhbëhet.
Pra, timer tani është në countdown, duhet të veproni sa më shpejt me qëllim që të shpëtohet Shqipëria nga instalimi i plotë i një diktature që, siç po shihet, konkretisht, për hir të pushtetit, bën aleanca të paparashikueshme.
Duke e përditësuar aktualitetin, ndërsa ju Dr.Berisha po vazhdoni e po i luteni grupit Basha-Alibeaj-Bardhi për bashkim, ata nga ana e tyre ju shajnë, akuzojnë e anatemojnë si ju ashtu edhe berishizmin në çdo televizion të Tiranës. Ju nuk mund të vazhdoni më me avazin e ftesave, sepse, prej majit 2021 deri në maj 2022, ftesat tuaja ndaj grupit Basha-Alibeaj-Bardhi ranë në veshin e shurdhër, ndërsa humbësi nuk ishit vetëm ju dhe PD-ja, por humbësi kryesor është Shqipëria, e cila në vend se të faktorizohet po shpopullohet, sepse shqiptarët refuzojnë të udhëhiqen nga një sistem mafioz, por edhe nga një opozitë e papërgjegjëshme.
Pra, në mënyrë të menjëhershme, ju duhet të bëni regjistrimin e PD-së së Rithemeluar, me emrin e ri, pa mbetur peng i pengjeve të Edvin Ramës dhe po ashtu old establishment t’i nënshtrohet statutit sikur jeni duke e përmendur shpesh dhe t’i hiqet qafe PD-së së rithemeluar.
Ju kujtoj se me këtë metodologjinë tuaj të ftesave dhe lutjeve për bashkim grupit Basha-Alibeaj-Bardhi, që i ka nxjerrë jashtë loje vota e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të 11 dhjetorit 2021, ju jeni duke përsëritur Bashën, sepse edhe në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, PD-ja reale mbeti pa vulë dhe pa të drejtën e daljes si subjekt politik i pavarur, falë këtij grupimi, duke i dhënë kësisoj shanset Edvin Ramës të përdorte të gjitha metodat antiligjore për t’i fituar zgjedhjet. Por ju, me një naivitet aspak të justifikuar për moshën dhe vjetërsinë në politikë, e ndihmuat.
Deklaratat tuaja pas humbjes së 14 majit të PD-ja nuk afrojnë zgjidhjen që kërkon baza, por ju distancon ju nga baza, e cila iu riktheu në pushtet dhe në krye të PD një vit më parë.
Me Kodin Zgjedhor të 2008, me një PD as mish dhe as peshk, në pritje të një bashkimi iluzor dhe me asnjë relevancë me grupin Basha-Alibeaj-Bardhi, si dhe me një old establishment që e ka bunkerizuar partinë, PD-ja i është kthyer stanjacionit dhe, siç është dëshmuar më 2013, elektorati i qendrës së djathtë nuk do të votojë një formacion politik që nuk ia përmbush aspiratat, pra, nuk do të votojë një PD deri sa të jetë e mbushur me copy paste të Bashës, Alibeajt e Bardhit and Co, deputetë listash që instrumentalizohen, duke e lënë Shqipërinë në duart e një personi që përbën rrezik kombëtar dhe për gjithë rajonin.
Për hir të së vërtetës, prej shtatorit 2021 e deri sot i keni rënë qark Shqipërisë disa herë në takimin me bazën, por mospërmbushja si duhet e premtimeve për rithemelim dhe mostejkalimi i ngërçit që e krijoi Edvin Rama me grupin Basha-Alibeaj-Bardhi, që e la PD-në reale jashtë sistemit zgjedhor, ishin edhe shkaqet e humbjes, sepse, sa më e dobët të jetë PD-ja reale, aq më tepër shesh veprimi gjen uzurpatori i gjithë institucioneve shtetërore të Shqipërisë.
Foltoret e sfiduan statusin tuaj si non grata, në fakt nuk ka patur asnjë kryeministër dhe president të Shqipërisë që të ketë operuar gjithmonë në interes të SHBA, Perëndimit dhe NATO-s sikur ju, por ju keni një defiçit të madh me pasoja për vendin sa i përket ndërtimit të sistemit demokratik se, bashkë me Edvin Ramën, keni firmosur një Kod Zgjedhor për shtete tribale dhe jo për shtet të Aleancës Verio-Atlantike.
Deri tani, përfshi edhe zgjedhjet e 14 majit 2023, sistemi hibrid në Shqipëri po shkon drejt degradimit. Prandaj, ju duhet të reflektoni sa më shpejt. Edhe pse durimi i bazës po shterron. Por fakti që Edvin Rama ju sheh si armik të pushtetit të tij, është një tregues solid se ju mund ta çlironi jo vetëm PD-në nga pengmarrja, por ta nxirrni nga fundosja ku ka rënë edhe sistemin demokratik. Demokracia nuk është pronë e asnjë partie, por e popullit, as Shqipëria nuk mund të jetë kurrë pronë e një uzurpuesi, por e Sovranit, Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve, të cilët duan një vend normal për të jetuar dhe rritur fëmijët e tyre.
Me respekt
Elida Buçpapaj