Meqë Kërkesës sonë zyrtare të 1 janarit 2024, Kryeministria e Edi Ramës nuk iu përgjigj me asnjë email a letër zyrtare, e konsiderojmë të vlefshme, që këtë ta përsërisim si LETËR TË HAPUR PUBLIKE për mbarë opinionin kombëtar shqiptar dhe atë ndërkombëtar.
KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
- të lartnderuar Edi Rama,
Duke u bazuar në Kushtetutën dhe në ligjet përkatëse të Shqipërisë dhe në të drejtën publike ndërkombëtare; në Kartën e Kombeve të Bashkuara për respektimin dhe për zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe në obligimet dhe në përgjegjësitë e Shqipërisë ndaj OKB-së; ndaj NATO-s dhe ndaj OSBE-së, Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork, më 1 janar 2024, miratoi këtë:
Kërkesë të Hapur Publike për Zbardhjen e Vrasjes së Heronjve të Kosovës, Gjeneralmajor Ilir (Halit) Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj (9 maj 1998)
Duke qenë se, që nga vrasja e këtyre heronjve, tanimë kanë kaluar 26 vjet (1998-2024) e deri më sot gjykatat përkatëse të Shqipërisë nuk kanë dhënë kurrfarë verdikti të formës së prerë se si dhe, për çfarë u vranë këta dy hernj të UÇK-së, përkatësisht të Kosovës, e konsiderojmë të drejtë, që Kryeministri i Shqipërisë, z.Edi Rama në bazë të kompetencave dhe të autorizimeve të tij ligjore dhe kushtetuese në përputhje me të drejtën humanitare ndërkombëtare të RIKUJTOJË Prokurorinë e Shqipërisë, që të hetojë këtë rast makabër, në mënyrë që dorasit t’i sjellë në bankën e zezë në gjyq.
- Kryeministër Rama,
Unanimisht konsiderojmë se murkullimi (vënia kapak) 26-vjeçar i këtij atentati terrorist ndaj Ilir Konushevcit dhe Hazir Maljat (9 maj 1998), është padrejtësi, që nuk i bën nder as UÇK-së, as rendit demokratik e paqësor në Shqipëri e as europianizimit të saj si shtet i së drejtës dhe i barazisë për të gjithë qytetarët e saj.
Konsiderojmë se flijimi i këtyre heronjve për lirinë e Kosovës ka prekur sado pak ndërgjegjën e juaj etike, humane dhe patriotike, që postmortem, të paktën t’i thoni ca fjalë kundër padrejtësisë së heshtur 26-vjeçare, që u është bërë këtyre heronjve shqiptarë, të cilët nuk kursyen jetët e tyre, që ne sot, të jetojmë në liri.
Kjo kërkesë i drejtohet jo vetëm Kryeministri Edi Rama, por të gjithë atyre shtetarëve , që në shpirt dhe në zemër e kanë LIRINË, DREJTËSINË dhe HUMANIZMIN, jetojnë, luftojnë dhe sakrifikojnë për këto vlera universale të përbotshme të njerëzimit, JO atyre që i shkelin, i përbuzin dhe i djegin në zjarrin dhe në flakën padrejtësisë së tyre.
Ndaj, z. Kryeministër i lartnderuar Rama, tani e keni fjalën kryesore dhe vendimtare historike, ligjore, kombëtare e shtetërore, që t’i thonë JO korrupsionit, krimit dhe PADREJTËSISË 26-VJEÇARE ndaj heronjve të Kosovës, Ilir (Halit) Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, të vrarë më 9 maj 1998 në Miliskaj të Tropojës.
Sa më sipër, edhe ne si humanistë, pedagogë, shkrimtarë, poetë dhe akademikë, kemi të drejtë dhe për detyrë, që ndër të parët ta ngremë zërin për mbrojtjen e drejtësisë dhe të së vërtetës. Të paktën, edhe postmortem për heronjtë dhe për dëshmorët-vlerat e luftës së UÇK-së, siç janë Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj,
Meqë jemi pjesë e Europës së integruar Perëndimore, atëherë të sillemi, të veprojmë dhe t’i zbatojmë ligjet dhe konventat ndërkombëtare për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, edhe në rastin konkret (post mortem, 26 më pas), të fillojë procedura gjyqësore për hetimin dhe zbardhjen e vrasjes politike të Gjeneralmajorit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj.
Fundja, zbardhja dhe mbrojtja e së vërtetës është edhe MISIONI dhe PARIMI PARËSOR i HUMANIZMIT, I DREJTËSISË dhe i SHKENCËS.
Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve, Nju-Jork, më 1 janar 2024.
Akademik Prof.Dr.Skënder Kodra (kryetar)
Akademik Prof.Dr.Mehdi Hyseni (nënkryetar)
Nju-Jork, më 30 shtator 2024