LETER E HAPUR
Michigan, me 27 Shtator 2021
Shkelqësisë së saj, Zonjës Yuri Kim
Ambasadore e Shteteve te Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Shqipëri
E nderuar Ambasadore Kim,
Së pari, më lejoni që t’ju shpreh falënderimet e mia për juve dhe stafin tuaj, për punën e mirë që keni bërë në vendin tim të lindjes, Shqipëri.
Roli juaj në politikën shqiptare është i një rëndësie të veçantë, pasi Shqipëria po kalon një tranzicion të gjatë politik dhe politikanët ende po fitojnë përvojën e nevojshme dhe ata kane nevojë që të udhëzohen dhe këshillohen drejt rrugëve të pashkelura të demokracisë. Roli juaj bëhet edhe më vendimtar, duke pasur parasysh faktin se korrupsioni aktual dhe krimi i organizuar në Shqipëri janë në nivelet më të larta të vendeve demokratike të botës.
Zonja Ambasadore, e kuptoj plotësisht misionin tuaj për të përfaqësuar interesat dhe politikat e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe rajon. Si amerikan, nga zemra, do të doja të shihja tek ju, udhëheqësen e fortë, menaxheren e shkëlqyer, negociatoren elastike dhe një përfaqësuese të respektuar të Shteteve të Bashkuara. Por përsëri, si qytetar amerikan, jam pak i shqetësuar që figura juaj si përfaqësuese e respektuar e SHBA-ve ka filluar të zbehet pak tek shqiptarët (uroj të jem gabim). Do të përpiqem qe ta shpjegoj shkurt nga këndvështrimi im, shkaqet pse po ndodh kjo:
E dashur Ambasadore, nëse jeni sinqerisht “e vendosur në luftën tuaj kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë” në Shqipëri (siç ju pëlqen shpesh të thoni), atëherë do të ishte një veprim i zgjuar që angazhimin tuaj t’a fillonit me korrupsionin e kohëve të fundit dhe atë aktual brenda qeverisë. Një shembull i mirë dhe i njohur gjerësisht i korrupsionit do të ishte vetë kryeministri Edi Rama (Mr. 20%) së bashku me stafin e tij të mëparshëm dhe aktual, Tahiri, Xhafaj, Kodheli, Gjiknuri, Klosi, Beqaj, Ahmetaj etj. Këta individë të veshur me pushtet, gjatë 8 viteve të fundit, kanë vjedhur rregullisht zgjedhjet, kanë pasur histori lidhjesh me kriminelë të huaj dhe vendas, kanë qenë të akuzuar për korrupsion aktiv dhe pasiv dhe kanë “kanabizuar” të gjithë territorin e Shqipërisë. Si rezultat i kësaj, regjimi i Ramës gjatë dy mandateve të fundit dhe në vazhdim, e ka sjellë Shqipërinë më afër Amerikës Latine sesa Evropës, e ka çuar Shqipërinë në drejtim të gabuar dhe larg nga rruga e integrimit në BE. Sot Shqipëria renditet me vendet me nivelet më të larta të pastrimit të parave në Evropë. Niveli i lartë i krimit, trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore i ka identifikuar shqiptarët si njerëzit më të kriminalizuar në Evropë. Shqiptarët janë zhveshur nga e ardhmja e tyre, mijëra të rinj të arsimuar nuk e dinë se çfarë do të sjellë ardhmja për ta. Në tetë vjet, mërgata masive të familjeve të tëra ose mbi gjysmë milioni shqiptarë të pashpresë u larguan nga vendi i tyre, për të kërkuar një jetë më të mirë, liri, siguri, të drejta njerëzore dhe një shoqëri demokratike pa korrupsion.
Për ta mbështetur deklaratën time të mësipërme, më poshtë kam renditur disa raporte nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe disa institucione evropiane:
Në vitin 2017 dhe përsëri në 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit e përcakton Shqipërinë si një “vend të problemit kryesor në lidhje me pastrimin e parave” dhe theksoi se “të ardhurat e paligjshme pastrohen lehtësisht për shkak të korrupsionit të masiv dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare … Shqipëria shërben si një bazë operacionesh për organizatat rajonale të krimit të organizuar ”.
Bazuar në një raport të Këshillit të Evropës, Shqipëria mbetet një vend origjine dhe një vend tranzit për trafikimin e qenieve njerëzore, sepse “qeveria e Shqipërisë nuk i plotëson standardet minimale për eliminimin e trafikut … Korrupsioni, veçanërisht në ekzekutiv, është përhapur gjerësisht dhe kudo kudo” dhe “mbetet një problem serioz”.
Sipas Indeksit të Transparency International, “Shqipëria është ndër vendet më të korruptuara në Evropë. Ekzistojnë gjithashtu dëshmi të qarta që tregojnë se shteti është një “peng” i interesave private dhe kriminale “.
Raporti i ODIHR:
“Praktikat e përhapura të blerjes së votës, siç pretendohet nga shumë ndërlidhës të MNVZ-së, mbetën problem. Rrjedhja e të dhënave intime personale të rreth 900,000 qytetarëve shqiptarë para zgjedhjeve, përfshi këtu edhe preferencat e tyre politike, ishte shqetësim serioz dhe i bëri votuesit të prekshëm nga presioni ”, thuhet në Raport.
E nderuar Ambasadore,
këto janë vetëm një shfaqje e vogël dhe sipërfaqësore e korrupsionit masiv, vetëm “maja e ajsbergut”, e cila po shkatërron ekonominë dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Siç thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit më lart, korrupsioni egziston brenda qeverisë, gjithashtu sipas mendimit të shumë shqiptarëve dhe timin, ju dhe të gjithë trupat diplomatike në Shqipëri, qeveria shqiptare është vendi ku duhet që ti përqendroni përpjekjet dhe energjitë tuaja kundër korrupsionit.
Qëndrimi juaj i dukshëm i njëanshëm, duke mbështetur dhe përkëdhelur qeverinë ose zyrtarët e Partisë Socialiste dhe duke etiketuar opozitën apo duke sulmuar udhëheqësin historik të Partisë Demokratike Z. Sali Berisha, ka rezultuar në një efekt negativ kundër jush.
Populli shqiptar pret nga ju që të aplikoni një standard të netëm kur është fjala për luftën kundër korrupsionit, jo vetëm në të djathtë të spektrit politik, por edhe në të majtë, ose kudo që të ndodhë.
E nderuar znj. Ambasadore,
kur thoni “[Demokratët shqiptarë] nuk mund të lëvizin me një këmbë të ngecur në të kaluarën”, sa për balancë, të paktën të thoni diçka edhe për Partinë Socialiste, pasi biografia e saj morale ka qenë një barrë e rëndë për shqiptarët për më shumë se 75 vjet.
Partia Socialiste ka mbetur i njëjti regjim i mbyllur, autokratik dhe komunist, që e ka origjinën nga “Partia Komuniste”.
Më tej, nëse e konsideroni zotin Sali Berisha si ‘e shkuara’, ju lutemi tregoni popullit shqiptar për shefin tuaj, Presidentin tonë Biden 78 vjeç, i cili është angazhuar në politikë për 50 vite, aktualisht është duke shërbyer si President i kombit më të madh në botë.
Politika nuk kërkon një trup të fortë, por një mendje te ndritur dhe mençuri. Zoti Berisha sigurisht qe është e kaluara, por padyshim, ai është gjithashtu edhe e tashmja e Partisë Demokratike. Ai është ende një mal me dije dhe urtësi, një kolonë e demokracisë, dhe më e rëndësishmja, ai po u shpjegon demokratëve se si duhet të jetë e ardhmja e tyre: me dinjitet, integritet dhe sovranitet.
E nderuar znj. Ambasadore,
Partia Demokratike e Shqipërisë po kalon krizën më të thellë që nga themelimi i saj në vitin 1990. Përsëri, me dhimbje e them, por një pjesë të mirë të fajit jua hedh juve dhe kreut të Departamentit të Shtetit.
Bazuar në perceptimin e publikut shqiptar, z. Sali Berisha nuk ishte një nga politikanët e korruptuar. Vendimi i Departamentit të Shtetit për ta shpallur atë “non-grata” së bashku me akuzat e tyre, erdhi si “një rrufe në një qiell të pastër”. Si çdo shqiptar tjetër, edhe unë kam pritur me durim të shoh disa prova që lidhen me akuzat e ngritura. Nëse Departamenti i Shtetit ka prova të vërteta për të mbështetur pretendimet e tyre, dhe nuk i bëjnë publike, atëherë i gjithë procesi bëhet i dyshimtë. Ndërsa koha kalon, kjo histori ka filluar të duket si një teori konspirative, ose më saktë, si një “gjueti shtrigash”.
Nëse Departamenti i Shtetit, që nga viti 2017 e në vazhdim, është shprehur qartë në lidhje me “korrupsionin e masiv në qeverinë shqiptare”, atëherë shqiptarët kërkojnë përgjigje se çfarë keni bërë juve Zonja Ambasadore, për të luftuar këtë korrupsion dhe pse jeni përqendruar këmbë e krye në një person , i cili nuk ka ndonjë pozitë apo pushtet, pa asnjë lidhje me fondet publike apo shtetërore, për më shumë se tetë vjet. Për më tepër, veprime të tilla, në vend që të dëmtonin reputacionin dhe karrierën e zotit Berisha, ato patën një efekt bumerang. Berisha po fiton respekt dhe simpati mes shqiptarëve. Ai po bëhet figura e rëndësishme kryesore dhe shumica absolute e anëtarëve të Partisë Demokratike e adhurojnë dhe e ndjekin.
Nga ana tjetër, Z. Lulzim Basha, padyshim nën presionin tuaj dhe në konflikt të hapur me statutin e Partisë Demokratike, ndërmori një akt ekstrem individual duke e përjashtuar nga grupi parlamentar z. Berisha, udhëheqësin legjendar të demokratëve.
Ky ishte një “verdikt” pa pasur asnjë provë në posedim, ne një kohë që z. Berisha duhej të ishte prezumuar si i pafajshëm derisa të vërtetohej fajësia e tij.
Përsëri, ky veprim nuk e dëmtoi zotin Berisha, por përkundrazi, dukshëm që ka dëmtuar Partinë Demokratike, ka shkatërruar kredencialet e zotit Basha dhe ka shumë të ngjarë edhe karrierën e tij politike.
Veprimet autokratike të zotit Basha na treguan se ai nuk është njeri me integritet, ai merr vendime nën presion dhe i tradhton bashkëpunëtorët e tij. Si rezultat, ai po humbet terren dhe po ashtu edhe respektin e partisë së tij si kryetar.
Me fjalë të tjera, z. Basha nuk është më personi i besueshëm për të drejtuar më Partinë Demokratike. Historia e zotit Basha rezulton të jetë dështimi. Edhe pse humbi disa dhe të gjitha zgjedhjet qëkur mori drejtimin e Partisë, ai, padrejtësisht dhe në kundërshtim me standardet demokratike, u zgjodh përsëri si kryetar i PD -së. Egoja e tij për pushtet të pamerituar, ka bllokuar vizionin dhe koshiencen e tij për të kuptuar se Partia Demokratike i përket demokratëve të Shqipërisë, dhe jo atij. Ju lutem, ndihmojeni zotin Basha që ta kuptojë këtë. Mua personalisht, sikurse shumë demokratëve, për arsyet që shpjegova më lart, nuk na pëlqen zoti Basha dhe nuk ndihemi mirë me këdo që përpiqet të na e shesë atë si liderin tonë apo përpiqet të drejtojë ndjenjat tona. Zoti Basha i zhgënjeu disa herë demokratët dhe në fund i tradhtoi ata. Ndoshta një ditë, ai do t,ju zhgenjejë dhe do t’ju tradhtojë edhe juve zonja Ambasadore.
Për ta përfunduar, ndërsa kohët e fundit ju keni luftuar korrupsionin në mënyrë të përciptë dhe selektive, duke mbajtur anë në mes partive politike, po ashtu duke mbajtur anë edhe brenda Partisë Demokratike, kjo ka bërë që demokratët shqiptarë të humbasin pak besimin dhe respektin për ju. Por, kjo nuk duhet t’i japë askujt të drejtë që të akuzojë demokratët e Shqipërisë si anti-amerikanë. Nëse mungon besimi mes jush zonja Ambasadore dhe demokratëve shqiptarë, kjo nuk e kushtëzon, në asnjë rrethanë, dashurinë dhe respektin e tyre për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët në përgjithësi përtej pikëpamjeve të tyre politike dhe veçanërisht demokratët, janë pro-amerikanë. Një marrëdhënie e tillë ndjenjash është krijuar mbi një shekull më parë dhe do të vazhdojë në shekujt që do të vijnë. Dukshëm, unë jam një demokrat shqiptar dhe mbështes Berishën. Demokratët e Shqipërisë dhe unë i kemi dhënë shumë nga jeta jonë partisë Demokratike, kemi dhënë kohën, energjitë dhe pasionin tonë. Kemi qenë në rrezik shumë herë nga policia kriminale socialiste për vite e dekada; janë dhënë jetë dhe është derdhur gjak për të ndërtuar dhe mbrojtur partinë tonë. Por sot ne jemi zemërthyer dhe të tradhtuar. Gjithashtu, unë jam qytetar Amerikan dhe e dua Amerikën po aq sa e doni edhe juve dhe e dua Shqipërinë pak më shumë se juve zonja Ambasadore.
Unë e kuptoj plotësisht punën e madhe tuajën dhe te stafit që drejtoni dhe aty ku punohet edhe gabohet, ndodhin edhe defekte. Por nuk është vonë kurrë për t’i rregulluar ato.
Unë besoj se gjëja më e duhur për të fituar përsëri besimin e humbur, është që të luftoni korrupsionin në qeveri, të qëndroni pak larg nga Partisë Demokratike dhe t’i lini demokratët shqiptarë të zgjedhin vetë liderin e tyre pa qenë nevoja që ju të promoni të preferuarin tuaj.
Demokratët e Shqipërisë, veçanërisht ata në diasporë “nuk hanë bar”, ata janë të zgjuar, të edukuar dhe të aftë për të bërë vetë zgjidhjet e tyre politike dhe më e rëndësishmja ata nuk i pranojnë presionet.
Me respekt,
Valentin Lumaj/Michigan
I nderuar Valentin,
Ju, si një intelektual i nderuar amerikan dhe me shpirt shqiptar, në letrën tuaj i jeni drejtuar ambasadores amerikane me gjuhën e fakteve. Por, fatkeqësisht, ambasadorja e ka humbur rrugën në oborr dhe atë, bashkë me shefin e saj Blinken, e shqetësuaka “korrupsioni” i Profesor Berishës i para tetë viteve. Pra, për të luftuar korrupsionin në Shqipëri, ambasadorja dhe shefi i saj Blinken po merren me “gjurmët e korrupsionit” Berisha, por, çuditërisht,atyre nuk u bëka përshtypje absolutisht ujku i korrupsionit Rama dhe oligarkët politikë rreth tij gjatë këtyre tetë viteve të qeverisje socialiste, siç e thekson Departamenti i Shtetit në vitin 1017 dhe 2018, çka ju e citoni në letrën tuaj. Jam plotësisht në një mendje me ju se qëndrimi i ambasadores dhe i shefit të saj ndaj Profesor Berishës, këtij ia kanë rritur dhe do të vazhdojnë t’ia rritin edhe më shumë aksionet në sytë e demokratëve shqiptarë dhe Bashën, si peng dhe si servil të heshtur rë Ramës, do ta nxjerrin në “pension politik”.
Ju uroj shëndet dhe mbarësi.
Eshref Ymeri
Kaliforni, 04 tetor 2021
Te lume dora Zoti Valentin. T’rujt Zoti