Të nderuem zonja dhe zotërinj!
Jam duke ju shkrue këtë letër, me cilësinë e bashkëqytetarit tuaj dhe përfaqësuesit të zgjedhun nga qyteti dhe Qarku i Shkodrës në Parlamentin e Shqipërisë, me mendimin dhe vullnetin e mirë, për të kontribue në qëndrueshmërinë shoqnore dhe atmosferën e mirëkuptimit politik pluralist në krahinën tonë, në rrethanat e degradimit total të shtetit konstitucional dhe ligjor, krizës së dy pushteteve dhe shkatërrimit të kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme në vend.
Ju jeni në dijeni se Kryeministri në detyrë, zoti Edi Rama, pavarësisht anulimit me dekret presidencial të zgjedhjeve krahinore të datës 30 qershor, po përpiqet me çdo mjet në dispozicion të pushtetit të tij personal, të realizojë një proces formal edhe në Bashkinë e Shkodrës dhe qendrat e tjera të qarkut tonë. Kjo përpjekje po vijon, pavarësisht mungesës në proces të opozitës politike, të zgjedhun nga elektorati i krahinës, në drejtim dhe përfaqësim. Vendimi i tij dhe i rrethit politikokrahinor që drejton me dorë të hekurt PS, për të shtrirë nivelin e provokimit për sundim, deri në zonat tradicionalisht kundërshtare të PPSH\PSSH, për shkak të vuejtjeve të pësueme, është një hap paprecedent në historinë e kohës së Shqipërisë parlamentare dhe vjen pas 6 viteve diskriminimi të faktuem, edhe me shifrat zyrtare të investimeve, degradimit të klimës së lirisë së biznesit, emigrimit të pashembullt të banorëve tanë. Qyteti dhe krahina jonë për nji numër arsyesh historike të një diskriminimi sistematik, të nisun nga viti 1945 nga të njëjtat familje të zonës së operativitetit të dhunshëm kundër rendit tradicional të Shqipërisë dhe mungesës së një kompensimi adekuat qualitativ në periudhat e frymëmarrjes, asht zhvendosun poshtë rolit parësor në vendimmarrjen politike dhe në peshën ekonomike dhe financiare në vend. Shkodra, dikur krenaria e qytetarisë shqiptare, për shkak të forcës së mendjeve drejtuese, peshës në ekonomi, tregti, transport, arsim, kulturë, sport, për shkak të këtij impostimi të kontrolluem të drejtimit rënës me shërbenjës krahinorë, sot ndodhet në ditët e saj ma të vështira, të cilat, në qoftë se ju do të vijoni me përulje të ndiqni lojën e arkitektëve të përplasjes civile, mund të bëhen ditë fundosjeje.
Unë mendoj që shkodranët bashkërisht duhet t’i thonë ndal përdorimit të qytetit dhe subjekteve të tij zgjedhore, për lojna politike dhe llogarina dritshkurtra, të bame në grupin e njerëzve brenda pushtetit që po shfaqet së fundmi, zbuluem në aktivitetin e zhvilluem në 6 vite, nga media prestigjioze ndërkombëtare. Shkodra nuk mund të bahet nji arenë e përplasjeve të forcës, ndërhymjeve policore, njësive paramilitare, që në fund do kenë rezultatin që shkodranët e provuan në vitet 1997-2002: ulje e mëtejshme e rolit parësor të Shkodrës në Shqipni, zbrazje e qytetit, sundim i gangsterizmit, trafik i pakontrolluem dhe një elitë drejtuese servitore edhe ma e përdorun se më parë.
Ju mund të pyesni se çfarë unë kërkoj? Asnjëherë nuk më shkon ndër mend të kërkoj dorëheqjen nga të drejtat tuaja politike konkurruese dhe as nga shpalosja e programit tuaj në një mjedis të lirë pluralist në Bashkinë dhe Qarkun e Shkodrës. Asnjëherë nuk më shkon ndër mend të bëj thirrje për të ndalun të drejtën e popullit për të zgjedhë organet e reja të pushtetit vendor, në afatet kohore kushtetuese. Kjo nuk do t’i shërbente bashkëjetesës së alternativave në konkurrencë në mjedisin qytetar me kushtetutën bashkiake më të vjetër në bashkësinë iliroarbnore. Unë kërkoj veç pezullimin e përkohshëm publik të aktivitetit elektoral tuajin personal, si drejtues dhe kandidatë, deri në zgjidhjen përfundimtare të krizës politike dhe kushtetuese të dypushteteve dhe plotësimit të konditave normale zgjedhore nacionale. Këtë kërkesë ua bëj në emër të interesave më të larta të Shkodrës, qytetarëve të saj, të djathtë, të majtë, të paanshmëve, të mërgatës sonë që nuk don asnjiherë ma të shohë të përsëritun rrënimet e kohës së gazepeve 1945, 1946, 1997, 1998.
Unë ju kërkoj anulimin e përkohshëm të të gjitha aktiviteteve zgjedhore, nga dita e sotme, në pritje që Tirana politike te zgjidhë problemin e funksionimit mbi binarët kushtetues të Republikës së fundosun në korrupsion dhe ilegalitet.
Është marrëzi të mendohet që për shkak të dhunës kryeministrore, t’i imponohet Shkodrës për katër vite, një pushtet i minorancës së minorancës, mbasi shkelet çdo parim demokratik.
Unë i kam ba thirrje dhe i kam komunikue personalisht, po ashtu, Drejtorisë së Policisë Shkodër të veprojë konform ligjit mbi Policinë e Shtetit, konform respektimit të ligjit mbi funksionimin e pushtetit vendor, duke vendosun në plan të parë interesat e sigurisë së qytetarëve të Shkodrës dhe paqes ndërkomunitare këtu. Ju duhet të keni parasysh se etërit tanë, në ditët ma të vështira, kanë gjetë përherë rrugën e marrëveshjes për ta ruajtun Shkodrën nga dhuna e përkundërt me Kodet Shkodrane të Bashkëjetesës në Pluralizëm.
Unë ju kërkoj mirëkuptimin tuaj për t’u dorëhequr nga dita e sotme, prej aktivitetit elektoral të parashikuem nga selia kryeministrore, pa nderim ndaj situatës së nderë që po kalon Shkodra.
Me besimin se ju të nderuem do të keni forca të arsyeshme për ta vlerësue pozitivisht kërkesën time, mbetem me shpresën e një reagimi patriotik dhe dashamires, për Shkodrën e zemrave dhe andrrave tona të përbashkëta.
Me nderime,
Romeo Gurakuqi.
Komentet