Fushata elektorale e zgjedhjeve vendore në Vlorë tashmë ka hyrë në fazën e saj më të nxehtë. Për kreun e bashkisë tashmë garojnë tre kandidatë: Për krahun e djathtë Ing. Genc Deromemaj, për të majtën Dr. Dritan Leli dhe si kandidati i pavarur ekonomisti Vasil Bedinaj. Për kandidatin e pavarur meqë është një nismë e tij demokratike, pa ndërhyrje, nuk do të doja që të bëja asnjë analizë për të, duke lënë gjykimin në dorën e votuesve.
Të gjithë mendojnë se Vlora është një bastion i së majtës dhe ky krah politik shpreson se edhe këtë herë fitoren do ta ketë më të lehtë, aq sa në gazetën “Telegraf”, të datës 6.8.2015 në intervistën dhënë gazetarit Çlirim Hoxha, shkruhet shprehimisht “Flet për “Telegraf” kryebashkiaku i ri i Vlorës”, duke zhvlerësuar kështu zgjedhjet dhe demokracinë pjesëmarrëse. Asnjëherë nuk duhet folur para kohe. Atë e vendos sovrani popull pasi në terren gjërat qëndrojnë ndryshe, pavarësisht tymnajës të medieve. Te komuniteti vlonjate gjysh vjet që kam punuar si gazetare në terren kam parë se po kristalizohej mendimi se e majta që është në pushtet është tjetërsuar dhe është duke e humbur thelbin e vet social. Nga dita në ditë po rritet varfëria si shkak i papunësisë dhe i masave drastike të qeverisë. Në Vlorë pakënaqësia është e dyfishtë, sepse njerëzit janë të pakënaqur dhe nga puna e bërë për 18 vjet nga pushteti vendor në pesë mandate, ku në dy prej të cilave kishte në krye dy mjekë dhe në tre të fundit një mësues të gjuhës frënge. Në këto zgjedhje, kandidati i përzgjedhur nga partia socialiste është një mjek në profesion, i larguar prej gati dy dekadash nga Vlora, gjë që nuk e ndihmon në njohjen e problemeve në terren. Përzgjedhja e tij e diktuar, apo siç shprehet vetë ai në intervistën dhënë në T.Ch i pyetur nga gazetari Alban Dudushi se “përfshirja në këtë garë u bë nga një iniciativë miqsh”, tregon se miqtë e tij kanë qenë aq të fortë sa kanë anashkaluar dhe lënë në hije strukturat poshtë në bazë, të cilat nuk ishin shumë entuziaste për këtë përzgjedhje të bërë nga lart. Me gjithë shkollimet e specializimet e tij mbresëlënëse në fushën e mjekësisë, për problemet që ka Vlora, përzgjedhja e tij duket sa e mistifikuar, po aq dhe irracionale. Mistike e bën mosdija se kush janë këta “miq”, për të cilët foli zoti Leli dhe çfarë favoresh mund të kërkojnë në këmbim.
Kandidati i së djathtës Genc Deromemaj është një Inxhinier Ndërtimit me specialitet Hidroteknik, që edhe pse është i ri në moshë, ka një kohë të gjatë pune dhe qëndrimi në Vlorë. Kjo kohë i ka shërbyer atij si një hapësirë jo vetëm për zhvillimin e aftësive të tij inxhinierike, por dhe si njohje dhe prekje nga afër e problemeve që ka Vlora sot. Mendoj se kandidati i së djathtës Genc Deromemaj ka më shumë mundësi për të fituar. Dhe ja pse:
- Profesioni dhe aftësitë e tij i duhen sot më shumë se kurrë Vlorës
Edhe kur zgjedh midis dy mallrave mendohesh shumë. Kandidatët tanë nuk janë mallra që për ti pasur do ti këmbejmë me votë. Gjithsesi dhe po të ishin të tillë nga mundësia për të zgjedhur vetëm njërin, do të zgjidhnim atë për të cilin do të kishim më shumë nevojë, atë që na hyn më shumë në punë.
Zona që do të administrohet me ndarjen e re territoriale administrative fillon që nga lumi Vjosa e deri në Qafë të Llogorait, do të ketë dhe lumenjtë e Vjosës, Shushicës dhe Izvorit, të cilët do të shfrytëzohen për qëllime të ndryshme, kryesisht vaditjeje dhe do të kihet kujdes mbi veprat e ndryshme hidroteknike që ndikojnë në regjimin e tyre natyror si pritat, argjinaturat, digat, urat, kanalet, motopompat, etj. Të mos harrojmë se lumi Vjosa solli përmbytje të jashtëzakonshme këtë fillimviti me pasoja të rënda mbi ekonominë. Krahas vaditjes do të jetë problem dhe kullimi. Një problem i madh është dhe përmbytja e Vlorës brenda, nga shirat e ndryshëm, kanalet e ujërave të larta, kanalet e ujërave të zeza, derdhja në det e tyre, etj. Veç kësaj furnizimi me ujë i disa lagjeve dhe zonave të Vlorës ka probleme të mëdha. Nuk po flasim për ujë 24 orë, por ka disa zona që nuk furnizohen fare me ujë. Tjetër problem i përhershëm është zona midis Dukatit dhe deri në Llogora, ku bëhet ndarja me Palasën, e cila i përket një terreni që i nënshtrohet rrebesheve të vazhdueshme dhe si i tillë është i gatshëm ndaj gërryerjes, fenomen i cili është sot prezent atje. Të gjitha këto probleme hidroteknike kërkojnë zgjidhje nga një profesionist siç është Genc Deromemaj, i cili jo vetëm që ka eksperiencë pune në zbatim të punimeve të objekteve të ndryshme hidroteknike, por ai punon së bashku me njeriun që ka projektuar dhe i ka dhënë zgjidhje problemeve hidroteknike prej rreth pesë dekadash, që është Ing. Atdhe Deromemaj, një nga inxhinierët hidroteknikë më të talentuar që ka pasur jo vetëm Vlora, por dhe Shqipëria, i cili është jo vetëm i ati i Gencit, por dhe konsulenti personal i tij.
Vlora ka gjithashtu dhe nevojën e madhe të rehabilitimit të rrugëve, ku infrastruktura është pothuajse e shkatërruar dhe kërkon një zgjidhje të mençur dhe profesionale. Veç këtyre, vetë kryeministri Rama ka deklaruar shpesh se Vlora do të shndërrohet në një kantier të madh ndërtimi me Përgjatëdetësen (Lungomare), By -passi nga hyrja e Vlorës deri në Orikum dhe lidhjen e autostradës me rrugën Transballkanike, etj. Vlora ka nevojë dhe për një plan të përgjithshëm urbanistik, i cili do të duhet të jetë i integruar me atë të Bashkisë Orikum dhe me ndryshimet e reja, të jetë afatgjatë dhe ti rezistojë kohës. Të gjitha këto kërkojnë një profesionist, një inxhinier që ti qëndrojë në kokë këtij kantieri. Mendoj se kandidati tjetër zoti Leli, pavarësisht dëshirës dhe dashurisë së tij për Vlorën, me profesionin e tij si radiolog dhe mjek nuklear, madje doktor i shkencave, pra si shkencëtar në profilin e vet, i cili ka thënë se i shikon gjërat në thellësi, nuk mendoj se do tu japë zgjidhje këtyre problemeve. Më mirë se unë arsyen e këtij përfundimi e jep Albert Einstein, një nga shkencëtarët më të mëdhenj të botës,i cili thotë se “Shkencëtarët hetojnë atë që ekziston tashmë, ndërsa inxhinierët krijojnë atë që nuk ka ekzistuar kurrë.” Vlora nuk ka nevojë të hetohet, ajo shihet nga të gjithë, ajo ka nevojë që ti krijohen ato që i mungojnë. Ky është ndryshimi midis dy kandidatëve Leli e Deromemaj.
- Vlora kërkon ndryshim në kahun e qeverisjes vendore
Është e vërtetë që pjesa e majtë e Vlorës, për shkak të problemeve që sollën firmat piramidale, e nxitur edhe nga krerët politikë, nuk ka pasur një raport të mirë me qeverinë Berisha, që në vitin 2013 pësoi humbje të thellë në Vlorë. Tashmë ky problem mund të quhet i tejkaluar pasi mjedisi politik ka ndryshuar dhe në krye të PD ka njerëz të rinj dhe vizione të reja. Aq më tepër që këto zgjedhje janë vendore dhe japin të vetmen mundësi për të zgjedhur individin, i cili do të shihet për vetitë e tij njerëzore dhe aftësitë e tij profesionale. Për vlonjatet Vlora vjen e para dhe ata e dinë që ajo tashmë nuk është në ditët e saj më të mira, ndaj duhet lëvizur rrota e konsumuar dhe tashmë e ngecur e pushtetit vendor në Vlorë e drejtuar nga e majta. Pra kanë nevojë siç do thoshin anglo- saksonët për një engine (motor ), pra një mekanizëm njerëzor që do të konvertojë fuqinë njerëzore në lëvizje, pra në zhvillim në shërbim të komunitetit dhe këtë rol mund ta luajë mrekullisht një djalë i ri, madje inxhinier. Për kërshëri, fjala inxhinier vjen nga latinishtja ingenium, që nënkupton i zgjuar, i mprehtë, rrënjë nga e cila në italishten e sotme vjen fjala ingegno që në shqip nënkupton i mençur, gjeni. Nëse është apo jo gjeni Genc Deromemaj, këtë nuk e dimë, por do të tregojë koha se çfarë është në gjendje të bëjë. Ajo që mund të themi me siguri është se përzgjedhja e tij si kandidat është gjeniale. Gjithashtu për aq kohë sa e njohin në Vlorë, për aq sa ka dalë në mediet lokale dhe ato kombëtare, në takimet me banorë dhe me grupe të interesit, mund të themi pa frikë se është një njeri inteligjent, praktik dhe i aftë për të zgjidhur probleme duke lënë mënjanë kostumin partiak dhe duke mbajtur atë njerëzor. Kjo vjen sepse Genc Deromemaj është i pajisur me një inteligjencë emocionale, e cila është aftësia për të arsyetuar mbi ndjenjat e vetes dhe të njerëzve të tjerë, për të bërë dallimin midis tyre dhe për ta përdorur këtë gjë si udhërrëfyes në mendime dhe në sjellje. Ai është i kujdesshëm përballë njerëzve të ngjyrave të ndryshme politike dhe shumë i kujdesshëm ndaj asaj shtrese vlonjate që ruan me fanatizëm vlerat e Luftës Nacionalçlirimtare. Genc Deromemaj në programin e tij e kishte vendosur përparësi rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve. Kjo e ka një arsye të fortë. Familja Deromemaj i ka dhënë kësaj lufte tre dëshmorë dhe konkretisht: Veiz Deromemaj, Ismail Deromemaj dhe Zeqir Deromemaj. Duhet theksuar fakti që kanë qenë të shkolluar dhe shumë aktivë gjatë luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ky kandidat i bën nder si të majtës dhe të djathtës, pra vlonjateve pa dallim dhe rotacionin e pushtetit e bën pa sforcim dhe pa qejfmbetje.
- Vlora ka nevojë për një menaxher të zotin
Kandidati Leli që në daljen e tij të parë në media, në T.CH përballë gazetarit Alban Dudushi, gjithashtu dhe në intervistën në “Telegraf” dhënë gazetarit Çlirim Hoxha, u tregua i paqartë për sa i përket menaxhimit. Ai flet për menaxhimin e njerëzve duke thënë se “të menaxhosh qytetin është e rëndësishme që të dish të menaxhosh njerëz, për momentin që kam menaxhuar kolegë, profesorë, doktorë gjithandej nëpër botë për projekte të ndryshme them që do ta bëj me shumë kënaqësi dhe për qytetin tim.” Si i ka menaxhuar zoti Leli këta njerëz, aq më tepër intelektualë? Nëse flasim për menaxhim të njerëzve atëherë flasim për një nënbashkësi të menaxhimit të burimeve njerëzore. Menaxhimi i burimeve njerëzore merret me çështjet strategjike, financiare dhe politike, si dhe me menaxhimin e njerëzve. Por pyetja është për menaxhimin në sipërmarrje dhe institucione siç është bashkia, menaxhim i cili është një punë, apo funksion që koordinon përpjekjet e njerëzve për të përmbushur qëllimet dhe objektivat duke përdorur burimet e disponueshme në mënyrë efikase dhe efektive. Ky lloj menaxhimi përfshin planifikimin, organizimin, përzgjedhjen e stafit, drejtimin dhe kontrollin e punëve për realizimin e objektivave. Kandidati Leli nuk ka nxjerrë një program të qartë në letër, me hollësi, se si do të menaxhojë taksat e bashkisë, detyrimet ligjore, shpërndarjen e tyre, buxhetin, etj. Ndërsa kandidati tjetër, Ing. Genc Deromemaj, jo vetëm që e ka bërë këtë gjë, por ka drejtuar mbi 300 punonjës si Administrator i Shoqërisë“Ndërtuesi” Sh.p.k. Vlorë, ku prej 8 vjetësh është dhe Ing.Projektimi & Zbatimi. Në këtë kompani ai ka punuar me dy prindërit e tij, babai inxhinier dhe nëna ekonomiste. Nuk duhet harruar dhe një fakt sa historik dhe i domosdoshëm që kandidati Deromemaj njerëzit e nënës, nga fisi Harunaj i Vlorës, i ka pasur të spikatur në tregti dhe sipërmarrje. Mund të përmendim këtu patriotin Shahin Haruni, i cili ka qenë një përkrahës dhe mbështetës i Ismail Qemalit, si dhe një nga themeluesit e Odës së Tregtisë Vlorë, me një flotë detare për peshkim e tregti prej pesë anijesh dhe ndërtues së Merkatos së Vlorës. Gjithsesi Genc Deromemaj foli në detaje mbi menaxhimin e burimet financiare me kujdes duke rritur bazën e të ardhurave dhe më pas shndërrimin e të ardhurave të fituara nga taksat e bashkisë në kapital për Vlorën, siç ishte jo marrja me qira, por ndërtimi i çerdheve të reja, terminalit multimodal, rehabilitimi i 447 510 m ² rrugë, etj. Në platformën e tij mbi administrimin e qytetit, kandidati Deromemaj, është me këmbë në tokë, duke treguar se intelektualë si ai janë zotër të kohës së vet, duke e ditur se çfarë kërkon qyteti në këtë kohë, por në të njëjtën kohë duke respektuar vlerat e të djeshmes së tij. Ai e thotë të zezë mbi të bardhë se kur vjen puna te taksat dhe menaxhimi, kërkon zhvillimin e një administrate efikase, e cila përmbush standardet e BE. Si inxhinier dhe njohës shumë i mirë i anglishtes dhe i italishtes, ai i ka vënë vetes misionin e Inxhinierëve Pa Kufi, për të luftuar varfërinë dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm dhe ka vizion të qartë mbi një të ardhme në të cilën varfëria të zhduket duke u zbutur dhe strukturat e pabarazisë dhe mundësive të pabarabarta të mos ekzistojnë më dhe të gjithë qytetarët të kenë mundësi ti gëzojnë të mirat e zhvillimit. Ai flet jo për ndërtimin e Vlorës, por për zhvillimin e saj. Konkretisht ai flet për uljen e taksave për qytetarët në minimumin e ligjit, por ajo që të bën përshtypje është fondi i rimbursimit si ndihmë ekonomike për energjinë elektrike me vlerë 3500 lekë për familjet në nevojë e më vonë punësimi i tyre. Kandidati Dritan Leli, më shumë flet për fondet e qeverisë, por jo për programin e tij për të ardhurat e brendshme. Madje në “Telegraf”, 8.6. 2015 shprehet se “Vlora ka nevojë për një kryetar që propozon dhe bashkëpunon dhe jo një kryetar që kundërshton këto projekte dhe që interesohet më shumë për dështimin dhe mosrealizimin e tyre.” Na habit ky fakt sepse kandidati Deromemaj në çdo dalje publike është shprehur se do të bashkëpunojë me qeverinë Rama. Ai ka thënë se edhe sikur kjo e fundit të mos i japë grantet qeveritare, ai do ti kërkojë me mjete ligjore, të cilat qeveria është e detyruar ti zbatojë nëse është qeveri e popullit dhe punon për popullin pa ngjyra partiake. Madje si kandidati Leli, ashtu dhe gjithë kandidatët e majtë flasim të njëjtat gjëra, sans raison (pa arsyetuar shumë për këtë), se do të kenë përkrahjen e qeverisë Rama. Sipas kësaj logjike del se Shqipëria është një xhungël dhe këta do të marrin pjesën e luanit. Kandidati Deromemaj, përveç se është një inxhinier i zoti, është dhe jurist, shkollë të cilën e ka bërë këtu në Vlorë për njohjen e ligjeve, por dhe si nxitje e profesionit të paraardhësve të tij nga Smokthina e Vlorës. Ekziston një këngë e vitit 1850 kur Smokthina ishte përqendruar në Matogjin dhe si pasojë e një shkarjeje të madhe dheu, një pjesë e fshatit u larguan dhe u vendosën në fushën e Mesaplikut: “Qaj e ulërij Smokthinë/ për Deromemajt që iknë / Vanë e zunë Mesapliknë.” Pse qau Smokthina? Sepse Deromemajt ishin njerëz shumë të ndershëm, punëtorë dhe patriotë, të lidhur shumë me kolektivitetin e Smokthinës, por mbi të gjitha shumë prej tyre kanë qenë gjykimtarë për të zgjidhur problemet që kishte ky komunitet. Gjithsesi ne po flasim për të ardhmen, por rrënjët janë të rëndësishme.
Ndaj, duke parë të gjitha këto cilësi dhe të gjitha ato që përmenda më lart, them se Vlorës i duhet një menaxher transformimi, i cili çdo premtim e ka detyrim për qytetin. Ky është Genc Deromemaj.
Komentet