Albin Kurti dje ka pasur një përvojë unike për të shkëmbyer ide me veteranë të diplomacisë amerikane, nëpërmjet një videolidhjeje, për të cilën kishin ndërmjetësuar studentët shqiptarë të Harvardit. Nicholas Burns, Frank Wisner, ish-diplomatë e zyrtarë të lartë amerikanë i bënë pyetje dhe i dhanë porosi kryeministrit në detyrë. Vetë Burns, që në Kongres në vitin 2005 kishte shpalosur planin për nisjen e negociatave që do ta definonin statusin e Kosovës, pasi e dëgjoi Kurtin të fliste për çarje në relacionet transatlantike, nuk u pajtua me Kurtin. Por ai dha edhe një porosi kundër ndryshimit të kufijve, shkruan Gazeta Express.
Kryeministri Albin Kurti ka pasur dje rastin t’i falënderojë post festum tre diplomatë amerikanë të rangut të lartë Nicholas Burns, Daniel Fried dhe Frank Wisner, të cilët në vitet 2006/7 ishin të involvuar direkt në procesin e definimit të statusit që kishte rezultuar me pavarësinë e Kosovës.
Kurti në këtë periudhë ishte skeptik për pavarësimin e Kosovës dhe veçmas kritikonte segmentin e decentralizimit, krijimin e komunave me shumicë serbe që vinte si një nga çmimet për pavarësinë, që u shpall në vitin 2008, pas procesit formalisht të ndërmjetësuar nga OKB-ja në krye me Presidentin Ahtisaari. Po ashtu, Kurti dyshonte në njohjen e pavarësisë madje edhe nga SHBA-ja. Por, dje kryeministri në detyrë mbajti një debat online me studentët e Harvardit, të moderuar nga Burns, i cili në vitin 2005 në një seancë dëgjimore në Kongres kishte shpalosur planin amerikan për nisjen e negociatave që do të kishin qëllim definimin e statusit final.
Burns në videolidhjen e djeshme kishte ftuar edhe kolegët e tij, diplomatin Frank Wisner, një diplomat karriere që në Kosovë u bë i njohur me angazhimin e tij në fund të vitit 2007, në kuadër të Treshes (SHBA, BE, Rusi), për të tentuar që në një periudhë shtesë të arrihet marrëveshja Kosovë -Serbi, për të evituar shpalljen e njëanshme të pavarësisë.
Po ashtu, njëri nga të ftuarit ishte edhe Daniel Fried, i ngarkuar me çështjet evropiane në Departamentin e Shtetit dhe vizitor i shpeshtë në Kosovë atëbotë, dhe ish-shefja e Zyrës Ndërlidhëse të SHBA-së në Kosovë, Marcie Ries.
Në lidhjen e tij me Harvardin, tash në petkun e kryeministrit, Kurti me një anglishte impresive, nuk harroi ta rikujtojë që dikur në Harvard kishte studiuar edhe Ukshin Hoti, i zhdukur tash e 21 vjet, ka folur për situatën në Kosovë duke iu referuar edhe raporteve të tij (që u komplikuan rrugës), me Emisarin Amerikan Richard Grenell, duke zbuluar një detaj që nuk është bërë i ditur deri tani. Kurti i tha audiencës së tij virtuale që përfshinte edhe studentë, se ka marrë vesh që bashkëpunëtori i ngushtë i Trumpit tani është duke kërkuar që të arrijë marrëveshje deri në muajin shtator, duke mos harruar të përmendë se SHBA-ja ndodhet në një vit elektoral.
“Ai e dëshironte marrëveshjen si qëllim kryesor. Në tetor më tha se dëshiron marrëveshje në shkurt, dhe tash dëshiron të arrihet marrëveshja deri në shtator”, u tha Kurti amerikanëve.
Diplomati amerikan Frank Wisner i cili kishte marrë pjesë në takimin e Berlinit në fund të vitit të kaluar ku Kurti para se të ulej në karrigen e Kryeministrit ishte pjesë e një paneli ku ishte edhe Gjuriq, i drejtoi Kurtit një pyetje se cila ishte strategjia e tij për raportet me Serbinë pasi ka dyshime për shkëmbimin territorial dhe se a ka ndonjë rrugë tjetër që Kosova e Serbia të gjejnë një gjuhë të përbashkët.
Kurti në përgjigjen e tij për Wisner tha se alternativa e diskutimeve për territoret është debati për punësimin. Le të flasim për punësimet, kujdesi shëndetësor, për edukimi kualitativ, për lidhjen e sistemimit arsimor me tregun e punës.
“Ne na duhen BE dhe SHBA së bashku. Unë s’kam asnjë simpati për këta evropianët që janë antiamerikanë, por të njëjtën duhet ta them edhe për amerikanët që janë anti -BE. Unë besoj në Transatlantiken, SHBA dhe BE duhet të jenë së bashku”
“Ne mund të flasim me Serbinë shumë për ekonomi por duhet t’i normalizojmë edhe shtete” shtoi Kurti.
Më pas ai i rikujtoi Wisnerit Planin Marshall që SHBA e kishte implentuar për Evropën pas Luftës së Dytë Botërore duke thënë se Evropa duhet ta bëjë një të tillë për Ballkanin Perëndimor.
Kurti është përgjigjur edhe ish -diplomatit Daniel Fried i cili më 2008 i kishte nxitur autoritetet kosovare që ta pranojnë Planin 6 Pikësh të Ban Ki Moon i cili ishte refuzuar asokohe publikisht nga Presidenti Fatmir Sejdiu e Kryeministri Thaçi. Kundër atij Plani Vetëvendosje kishte organizuar protesta.
Fried tani një diplomat veteran ka pyetur për anëtarësimin e rajonit në BE duke u interesuar specifikisht se çfarë i ka thënë Berlini, Parisi e Roma Kurtit për këtë.
Kurti me këtë rast ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet të integrohet si tërësi në BE deri në vitin 2030 ose 2035 duke thënë se Merkel e kupton këtë dhe se Franca nuk është dakord me shpejtësinë e këtij procesi.
Kurti është ndalur gjatë edhe te raportet SHBA -Rusi duke thënë se SHBA është fokusuar më shumë në relacionet me Kinën dhe se Trump nuk ka qenë shumë i vëmendshëm për pasojat e takimit të tij me Vladimir Putin në Helsinki.
“Trump s’ka qenë krejtësisht i vëmendshëm se si Putin do ta shfrytëzojë këtë takim për qasjen në Evropën Lindore, që tenton ta thyej BE’në dhe ta forcojë rolin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor”
Më pas Kurti ka sulmuar ashpër Putinin duke e akuzuar për puçet në Ballkan dhe involvim edhe në Kosovë.
“Në tre vitet e fundit i kemi pasur 2 dështime për grushtet të organizuara nga Presidentit Putin, një në Maqedoninë e Veriut dhe tjetrin në Mal të Zi. Të dy dështuan dhe ata tani e duan raundin e tretë ose në Bosnjë ose në Republikën e Kosovës. Ky është një element i rëndësishëm për ta kuptuar se Presidenti Putin është duke e përdorur një hapësirë të re të cilën ai mendon se e ka siguruar me faktin se tani SHBA është më shumë e preokupuar me Kinën” ka shtuar Kurti.
Duke i parë shqetësimet e Kurtit, Burns diplomati amerikan që në administratën e George Bush të riut ishte ngjitur deri në pozitën e Nënsekretarit të Shtetit tani në cilësinë e profesorit të praktikës së diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, siguroi që SHBA’të edhe pse janë fokusuar te Kina s’kanë lënë anash Bashkimin Evropian që është partneri i madh i SHBA’së.
“Është e vërtetë që jemi te fokusuar në Kinën, kjo është e vërtetë, por jemi të fokusuar edhe në Evropë. BE është partneri më i madh tregtar i SHBAsë , BE është investitori më i madh në ekonominë tonë dhe aleatët më të mëdhenj janë aleatët e NATO’s në Evropë si dhe Kanadaja, jemi ende të fokusuar në Evropë. Besojmë në Evropën si tërësi, të lirë dhe në paqe, ky është vizioni i Bushit, Miterand’it dhe Thatcherit, 30 vjet më parë, duam të punojmë në koncert me BE’në. Ne amerikanët besojmë se BE është partneri i madh i yni jo kundërshtar e as konkurrent”.
Pjesën e fundit Burns ia dedikoi Kosovës ku edhe doli kundër ndryshimit të kufijve. Ndërkohë që me një buzëqeshje dhe mirësjellje falënderoi Kurtin për kohën e ndarë që t’i edukojë diplomatët e rryer
“Duam ta shohim Kosovën anëtare të OKB’së, të njohur nga të gjitha shtetet e botës, që ka kufij të sigurt, që nuk është e detyruar t’i tregtojë kufijtë e saj për përfitime afatshkurtëra politike, të jetë plotësisht e pavarur dhe në paqe, ky është vizioni ynë . Ju falënderoj që ndatë kohë dhe na edukuat sot duke na ndihmuar t’i kuptojmë kompleksitetet e vendit tuaj” ishte porosia e Burns.
Komentet