Është e pashpjegueshme, pse shumë komunistë fanatikë të regjimit diktatorial enverist pas ardhjes së demokracisë shfrytëzuan hapjen e rrugëve dhe shkuan në SHBA, Itali, Gjermani, Britaninë e Madhe, etj. ku ishin regjime, që ata i urrenin jo vetëm në kohën e qoftëlargut, por edhe sot i urrejnë. Në fakt nuk janë aspak komunistë të vërtetë, sepse po të ishin të tillë duhej të shkonin për të jetuar në vendet komuniste si Kina, Korea e Veriut, Vietnami, etj.
Mirë që u strehuan në Perëndim dhe gëzojnë pensionet e mira, ndihmën shëndetësore falas dhe të mirat sociale të kapitalizmit perëndimor, por pse nuk rrinë urtë e të heshtin, por lehin nëpër rrjetet sociale në Shqipëri në mbrojtje të komunizmit enverist. Në fakt nuk janë komunistë të vërtetë, por janë thjesht njerëz të ligj, që kanë zili dhe urrejnë realitetin, që shumica e popullit shqiptar jeton sot shumë më mirë se në kohën e triskave dhe tollonave të Enverit dhe e kanë bërë lanet atë regjim dhe atë diktator. Nostalgjikët enveristë, që lehin nëpër rrjetet sociale të Shqipërisë nga rehatia e vendeve kapitaliste perëndimore, janë pjesa më e zezë dhe më helmatisëse e llumit të shoqërisë shqiptare.
Brezi ynë e njeh mirë regjimin diktatorial dhe e di se kjo skotë lehësish nostalgjikë i ka borxhe të mëdha diktaturës, e cila i mori ata nga krraba dhe dhitë në skërkat e humbura të maleve dhe pushtuan qytetet, duke i bërë vegla të instrumenteve më shtypëse të diktaturës dhe duke u dhënë si shpërblim vila, poste, pushtet dhe jetë të paparë në qytetet kryesore të Shqipërisë. Shembull tipik i këtij modeli është një ambasador i asaj kohe që mburrej për mrekullinë, që bënte Partia e Punës dhe shoku Enver, që atë bari në mal me dy klasë fillore e kishte bërë ambasador.
Mirë, që nuk kërkuan falje për atë regjim gjakatar, që vrau shqiptarë më shumë se sa u vranë në Luftën e Dytë Botërore, por përse nuk heshtin dhe të gëzojnë në qetësi të mirat e kapitalizmit të urryer prej tyre. Treguan më dinjitet nazistët gjermanë, të cilët ikën me mijra vetë nga Gjermania pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe shkuan në vendet e Amerikës Latine, ku kurrë nuk u ndjenë dhe nuk dolën në mbrojtje të nazizmit as në publik dhe as në rrjetet sociale. Por nostalgjikët enveristë shqiptarë nuk janë as komunistë dhe as njerëz, por janë thjeshtë të ligj, që ëndërrojnë ende të vrasin, të shtypin dhe t’i vdesin nga uria shqiptarët si dikur në regjimin e tyre. Ata janë lehësit e së keqes.
Është një grup nostalgjikësh, që lehin edhe nga shtrati, edhe nga varrri, që duan ta kthejnë Shqipërinë në ferrin e dikurshëm enverist dhe tani lufton nëpër rrjetet sociale shqiptare dhe perëndimore për të arritur të paktën synimin e ligë që Shqipëria dhe populli shqiptar të përbuzen nga popujt dhe nga shtetet e tjera si njerëz të lindur për të keqen.