Mbesë e dashur!
Sot bëhen 25 vjet që jam ndarë nga familja (1). Ti atëherë nuk kishte lindur, as nëna jote nuk ishte fejuar e martuar, kurse tani je rritur e vazhdon shkollën e mesme. Është kohë provimesh e do të jesh e mbytur në mësime. Unë s’mund të të ndihmoj, por do të tregoj diçka që do ta shtojë vullnetin për të mësuar.
Kur më futën në burg, së pari e kisha me tepri atë që më kishte munguar gjithmonë: kohën. Isha bërë 26 vjeç pa u ngopur një herë me gjumë, pa u kënaqur me asgjë, se gjithnjë sikur dëgjoja dikë që më thoshte: “U bëre vonë! S’ke kohë! Të pret provimi, takimi, puna!” Të gjitha i kisha nxjerrë me mundim në jetë. Tani, përveç andrrallës së madhe, s’kisha halle të tjera. As bukën për të fituar, as probleme të familjes për të zgjidhur. Do të gdhija e të ngrysja mijëra, në mos dhjetëra mijëra ditë me durimin e pikës së ujit që shpon gurin. Duhet të gjeja nj mënyrë për t’i kaluar dobishëm gjithë këto qindra mijëra orë, që të mos lija të më shtypnin me peshën e vet. Ëndërrimi i tepruar të bën melankolik. Po edhe ata që provojnë ta kalojnë burgun me gjumë, nuk bëjnë tjetër veçse ndryshojnë orën e tyre biologjike, flenë ditën dhe vuajnë natën. Po nata ka mendime të këqija, rraskapitëse dhe, përgjithësisht, ata që çrregullojnë gjumin, kanë prirje të parët për t’u çmendur. Punët e tjera, sidomos të larat e të qepurat, s’ta hanë gjithë ditën, sado të bubërrosh. S’mbetet vetëm një rrugë: studimi. Për fat të keq nuk kisha libra dhe nga shtëpia këtu nuk lejoheshin. Veç kësaj, në burg librat artistikë përpihen shpejt dhe s’ka bibliotekë që ta ngopë të burgosurin. Mbasi pata përpirë gazetat e palexuara gjatë dy vjetëve të fundit, kur isha shkëputur nga jeta, solla sytë se mos gjeja diçka tjetër për të studiuar. Të burgosurit që kisha në dhomë s’më vinin dot në ndihmë. Kisha një kamerier, një bujk, një murator, një oficer, një brigadier, një çoban, një llogaritar dhe një ambasador, të gjithë me nga një “ish” përpara. Vetëm oficeri më dha 4 vëllimet e romanit “Lufta dhe Paqja” të L. Tolstoit, libër i mrekullueshëm, që e kisha lexuar në rusisht, e vetmja gjuhë që dija kur isha i lirë. Që në faqet e para ndesha në bisedat që shkëmbenin frëngjisht konteshat e princeshat, siç ishte zakon i aristokracisë ruse të shek XIX.
Ndala leximin e po mendoja: Po sikur t’i mësoj disa fjalë frënge! Gjuha e huaj është puna më e dobishme dhe të cilën kalon kohën pa u ndier. Po me se të studioja kur nuk kisha një metodë, asnjë gramatikë, asnjë fjalor? Çobani dinte vetëm vllahçe, bujku e llogaritari dinin një greqishte të përdhosur. Kisha ngrirë me “Luftën e Paqen” në dorë. Mora një fletore dhe nisa të kopjoj rresht për rresht dialogët e shtypur në frëngjisht bashkë me përkthimin e dhënë në shqip. Më dolën, në mos gabohem, rreth 16 faqe të mira, duke përfshirë aty edhe letrat e Julisë, të Napoleonit apo Carit. Kur e kisha lexuar para disa vjetësh në origjinal, qeshë bezdisur nga gjithë ato shprehje frëngjisht, të dhëna edhe rusisht, me shkronja të vogla. Ç’nevojë ka pasur për këtë formalitet,- ankohesha atëherë me vete kundër Tolstoit. Tani po i shikoja me sy tjetër. E qortoja Tolstoin përse nuk kish futur edhe disa faqe më tepër frëngjisht. Sepse kjo ishte pasuria e vetme e frëngjishtes. Caktova tri fletore për fonetikën, për gramatikën dhe për fjalorin. Si do të mësoja pa ndihmën e asnjeriut?! Vërtetë shkollën e lartë e kisha kryer pa ndihmën e askujt, pa dëgjuar asnjë leksion, mirëpo, kisha librat. Këtu ishte ndryshe. Në bisedë, ambasadori më kishte thënë se kishte bërë metodat e frëngjishtes, por kur ia hodha fjalën largas, për ndonjë ndihmë, e bëri veshin shurdhër. E dija që frëngjishtja nuk lexohej ashtu siç shkruhej dhe ky ishte një telash i madh për mua.
Kur isha 11 vjeç, më 1946, na patën vënë në programin shkollor gjuhën frënge. Mësues kishim Hydajet Cenkën. E patëm marrë me qejf si unë, si Margarita (2). Gjithë ditën cicëronim fjalët e para në frëngjisht. Patëm bërë 7 a 8 mësime, por pas pak javësh na e hoqën. Ishte një kohë kur programet e gjuhëve të huaja ndryshonin me muaj, derisa përfundimisht u vu rusishtja, pak gjë mbaja mend nga ajo kohë. Diçka tjetër më erdhi ndër mend jrejt papritur. Kisha në kujtesë me qindra emra gjeografikë apo emra shkrimtarësh francezë. I mbaja mend se si shkruheshin, por edhe se si lexoheshin. Nisa pra, e i shënova si më vinin ndër mend: Bordeaux = Bordo, Voltaire = Volter etj. Filluan analizat e mundimshme fonetike së bashku me pikëpyetjet e para. Kështu, duke studiuar për shumë ditë e net qindra emra të përveçëm unë i nxora qindra ‘rregulla’ të fonetikës së frëngjishtes, deri në shterim. Kur e mbusha fletoren me gjithë ato ligje, nisa ballafaqimin e tyre. Kuptohet se frëngjishtja duhet të ishte shumë më e thjeshtë nga ç’më dilte mua dhe për këtë po përpiqesha edhe unë. Dhe inatosesha me vete për tri a katër tabela që më mungonin, më duhej të rropatesha ditë e net të tëra për t’i kodifikuar vetë dhe me gjithë mundin e djersën e derdhur, isha i ndërgjegjshëm për zbrazëtitë e krijuara.
Në çdo tre-katër shënime ngrihej kërcënuese një pikëpyetje e madhe e shënuar me të kuqe. Dhe kur arrija ta zhdukja njërën, më dilnin sërish dy të tjera. Kur m’u duk se mbarova punë me fonetikën, mora frymë i lehtësuar. Rrëmbeva atëherë fletoren me tekste frëngjisht dhe në orën e ajrimit nisa të lexoj në oborr me zë, në bazë të rregullave që kisha nxjerrë. Më vinte mirë që nuk dëgjonte ndonjë që e dinte frëngjishten se me siguri do të më shikonte i habitur për të më kuptuar se në cilën “gjuhë afrikane” po bëja ushtrimin. Ish-ambasadori më pati thënë në fillim se kishte bërë frëngjisht e rusisht. Po ai më tha se dinte fare pak, madje edhe atë që e kishte mësuar, tani e kishte harruar. Ndërsa në frëngjisht më tha se mbante mend më mirë. Që kur kisha nisur të mësoja, ambasadori më shikonte si me çudi, madje vinte buzën në gaz me dhembje.
Të them të drejtën, unë në fillim pata menduar ta pyesja për ndonjë paqartësi, duke menduar se frëngjishten do ta dinte më mirë se rusishten. Por më mundonte një sedër e theksuar, e cila sa të jep krahë, edhe të pengon në mësimin e gjuhëve të huaja. Sedra të shton vullnetin për të mësuar, por frika se mos po gabon, ët bën të skuqesh para se të gabosh dhe s’të lë të shprehesh lirshëm. I mësova përmendsh ato 16 faqe tekst në frëngjisht e në shqip, pastaj nisa të bëj analizën e përkthimit. Në të vërtetë përkthimi ishte shumë i mirë, por mua s’ma bënte qejfin se e doja fjalë për fjalë si fillestarët. Po më dilnin halle të reja me fjalorin dhe pikëpyetjet me laps të kuq po shtoheshin. Fjalori arriti në disa qindra fjalë, por gati gjysma kishte kuptime të dyshimta, madje edhe të kundërta, kurse disa të tjera gjysma kuptimesh. Iu ktheva me ngulm gramatikës, duke menduar se ajo e kishte fajin. Kur m’u mbush mendja se i kisha bërë “ujë” ato faje, e bëra zemrën “gur” dhe iu luta ambasadorit që të më dëgjonte një herë. Ai më dëgjoi me habi dhe më pyeti nëse kisha mësuar më parë ndonjëherë. Kur i tregova mënyrën se si kisha mësuar, ai shtrembëroi buzët dhe më dëgjoi pa dëshirë.
Teksa lexoja, duket se bëra një gabim trashanik (vetëm një?!) dhe ai qeshi me një zë të keq që më theri në zemër. Ndërsa përktheja, më shikonte me sy të çakërryer. E pyeta për disa çështje të thjeshta gramatikore, por nga shpjegimet e tij m’u mblodh një lëmsh në kokë. Te numërorët prapë bëra një gabim të pafalshëm. Duke u nisur nga analogjia, i thashë dy fjalë që nuk ekzistonin fare. Kjo e bëri të shkulej në gaz ambasadorin. Aso kohe unë s’e dija se frëngjishtja kishte mbeturina nga sistemi i numërimit vigesimal (një njëzetëshe, si shqipja e dikurshme: dyzet, trezet etj.). Që nga ajo ditë nuk e pyeta më për asgjë. Në atë kohë më erdhën dy buletine të shkencave shoqërore e natyrore, ku isha abonuar. Gëzimi im ishte i pafund kur pashë se pas çdo artikulli kishte një rezymè në fund. Tani materiali im u shtua së tepërmi. Të isha jashtë, vështirë se do të kisha lexuar, p.sh. për skifterin kthetraverdhë, shpend shtegtar që ushqehet me insekte, por halli të bën të shkosh edhe në derë të hasmit. E keqja ishte se shkurtimet e përmbledhjes nuk përkonin me tekstin e shkrimit. Kështu që detyrohesha të bëja përkthimin “me tahmin”. Fjalori trashej, por unë nuk kënaqesha me kuptimet e nxjerra dhe mundohesha të shkrija dhjamë nga pleshti. Më kujtohet një artikull mbi përkrenaren ilire. Eh, sa djersë kam derdhur mbi të! Po artikuj të tjerë të arkeologjisë, që më kishin ardhur te hunda! Sidomos dy fjalë aty, që s’dija kurrsesi t’i përktheja, ma prunë ngushtë. Por, me gjithë mungesat, tani isha më i sigurt në vetvete. Materiali tani ishte shtuar mjaft dhe unë kisha “zgjidhur” tani shumë probleme, që bota i dinte me kohë. Mirëpo, unë isha brenda e “bota” jashtë. Megjithatë, fati s’do të ishte gjithnjë kundër meje.
Në ditë përgjegjësi i të burgosurve, i cili ndihmonte në hapjen e dyerve dhe ruajtjen e depos, po ziente qiriç me letra. Në mes të flakës, syri më kapi menjëherë disa fletë frëngjisht. Dogja duart duke u shuar nën britmat kërcënuese të përgjegjësit, që ankohej që ia lashë qiriçin pa rënë në valë. I mbajta dorën që të mos i hidhte letra të tjera zjarrit nga një turrë aty pranë. Ky s’ishte fort i dhënë pas leximit. I shpjegova se ndërsa unë po vuaja për një fletë në gjuhën frënge, ai po ia falte flakëve pa pikë mëshire. Vura re i ngazëllyer se ato ishin revista “Temps Nouveaux” dhe i tërhoqa nga vetja. Por përgjegjësi, që dikur kishte qenë tregtar, ma mbajti dorën. “Është e ndaluar,- më tha. – Pa leje nuk mundem”. Mora vesh se ishin të një të dënuari të kulturuar të shëtitur, që rrinte në dhomën tjetër, i veçuar nga unë. E lusja çdo ditë të merrte leje sa më parë, se kisha nevojë për to. Sa më shumë padurim tregoja, aq më tepër e zvarriste punën vegtari. Kur i thosha që të kërkoj leje unë vetë, më përgjigjej që të mos e prishja punën që ai e kishte vënë në vijë.
Tani përgjegjësi më lypte pa teklif çdo gjë, sidomos caraga të thata, të cilat i pëlqente shumë. Në të vërtetë, caragat i hante shumë edhe “macja” e burgut, se para zbulimit të revistave, dy-tri herë më kishte qëlluar ta gjeja torbën kur i mbaja përtokë, thuajse bosh dhe përgjegjësi më porosiste që t’i ruaja mirë se macja ishte kobashe e madhe. E keqja ishte se ajo, me sa dukej, ua shpërndante caragat edhe maceve të tjera, meqë llogaria tregonte se pesha edemit dilte më e madhe se e barkut të saj. Një ditë, mbasi më kishte premtuar kush e di për të satën herë se do të ma jepte revistën e parë, përgjegjësi i tha ndihmësit të tij: “Kam bërë një spinaq për të lënë thonjtë në të. Tani për vezë nuk di si t’ia bëj! Ka njëri, por s’kam qejf t’ia marr”. Kam unë, – ndërhyra, – dhe i dhashë katër vezë. Vezë të mëdha, të freskëta, që m’i sillte nëna e dashur çdo muaj. E dija se një ditë para se të nisej në takim, ajo dilte ndër të gjitha shoqet e mëhallës për t’i ndërruar me vezë të freskëta, të porsadala nga furriku. Revista që mora kishte 48 faqe të ngjeshura me artikuj, përshtypje udhëtimi, kronika etj. Kur qeshë “i lirë”, e kisha lexuar atë revistë në rusisht e, falë kujtesës, shumë gjëra i rikujtoja. Po ec e zgjidh frazat në frëngjisht me atë fjalor të çalë që kisha hartuar vetë! Çdo fjalë për mua përbënte janë problemë matematike me shumë të panjohura që më kushtonte shumë mund për ta zgjidhur, por edhe kënaqësi të veçantë kur i bija në të. Fletoret mbusheshin gjithnjë dhe frëngjishtja tani më ngjante si një egërsirë që kisha zbutur me durim dhe forcë vullneti, pa asnjë mjet tjetër, po mos llogarisja 30-40 kokrra vezë e ndonjë copë proshutë që kisha shpenzuar për të “zbutur” përgjegjësin – ruajtësin e thesarit – që mezi e bëri zemrën “gur” dhe më dha brenda disa muajve 3 revista.
Koha kalonte dhe ambasadorit i lejuan dy metoda frëngjisht dhe dy rusisht. Ai më kishte parë shumë ditë e net duke thyer kokën mbi rebuset e frëngjishtes dhe e qeshura përçmuese kishte ardhur duke iu ngrirë në buzë. Por edhe unë ama s’e hapja një herë gojën për t’i kërkuar ndihmë në hapat e parë, por edhe nuk ndjehesha shumë krenar kur m’u duk se kisha arritur diçka. Sepse gjuhët nuk janë luks, por shërbëtorë të njeriut. Më dëgjoi zemra t’i shikoja ato metoda në mënyrë që të kontrolloja dijen time e të zhdukja te qeshurën tallëse të ambasadorit dhe nuk ia shtriva asnjëherë dorën, sado që i linte në një vend të dukshëm. Ai përgatiti fletoret, mprehu lapsat me kujdes te perberi, shkroi bukur blloqet me të kuqe e blu, caktoi orarin e punës krejt të detajuar, të gjitha shenja të sigurta se s’do të bënte asgjë. Në atë kohë mora edhe unë leje nga komanda e burgut të blija metodat e anglishtes dhe gjermanishtes dhe ndjehesha tepër i gëzuar. Ndërsa unë filloja studimin në pesë të mëngjesit dhe ndahesha nga librat kur bëhej pushimi, ai nuk e gjente lehtë pozicionin e përshtatshëm, nga ndenjur mbështetej në jastëk, pastaj pa e kuptuar, duke u shtrirë pak e nga pak në dyshek, niste e kotej dhe brenda dhjetë minutash ndizte “motorët” dhe gërhiste ndërmjet librit të rrëzuar dhe lapsit të varur.
Kjo skenë përsëritej çdo ditë, deri sa e la metodën e frëngjishtes, duke e cilësuar si gjuhën gjysmë të vdekur dhe kapi metodën e rusishtes, që qenkësh gjuha e së ardhmes. Unë, në muajin e tretë po mbaroja metodën e dytë të anglishtes, kurse ai s’po qulloste gjë as në “gjuhën e së ardhmes” dhe e la te mësimi i pesëmbëdhjetë, deri sa të kalonte të nxehtit. Isha i bindur se shumë stinë të nxehta dhe të ftohta do të kalonin për të deri në fund të këtij burgu dhe ai vështirë të mësonte gjë. Ndërsa unë po sulmoja gjermanishten në atë pisk vape, shpesh më shkonin sytë te blloqet e shkruara me qa kujdes të ambasadorit, por që kishin mbetur të panisur. E dëgjoja tek jepte mendime e konkluzione. Gjuha, po s’e fole nuk është gjuhë! Ama, për gjuhë burgu mësoj katër në vit! Janë disa që thonë se e dimë, por kur takohen me ndonjë të huaj, bëjnë mëk-mëk!
Një ngjarje na ndau me ambasadorin. Dhoma jonë u shkri, ai shkoi në kamp, ndërsa mua më transferuan te qelia e pronarit të revistave. E njihnim njëri-tjetrin me të dëgjuar. Më priti mirë. Me turp i thashë se kisha mësuar gjuhë të huaja, por ashtu si mund të mësosh në burg. E falënderova për revistat dhe i thashë se ia kisha ruajtur që të mos i prishej koleksioni. “E ç’koleksion,- tha ai, – revista po u lexua, iku. Koha i kapërcen ngjarjet që përshkruajnë ato. S’kuptoj përse nuk i ke marrë të gjitha. T’i kisha lënë turrë në depo”. I tregova historinë e vezëve. Hë, batakçiu, – tha ai, – sa këso lodrash më ka bërë edhe mua! Më foli aq fjalë të mira për studimin, thjeshtë e pa mendjemadhësi, sa m’u rrit guximi, nxora fletoret e mia të çuditshme dhe i tregova kaluarin tim të frëngjishtes. Pa metoda e fjalor, u habit ai. Të lumtë! Unë mora zemër. A mund të më dëgjoni paksa? Veç mos u trembni nga shqiptimi im. Unë nuk kam dëgjuar njeri të flasë frëngjisht.
Fillova të lexoja dhe prisja kur do shpërthente e qeshura e tij. Se ky kishte parë botë më tepër se ambasadori dhe diç kishte qenë më tepër se ai, e kishte hak të qeshte. Kisha vendosur të bëhesha më i durueshëm, dëshiroja ta shkelja sedrën time me këmbë. Ndryshe si do të mësoja? Po leximi vazhdonte e ai po buzëqeshte me dashamirësi. Oh, sa mirë! Oh, sa mirë! – Foli ai sinqerisht dhe pastaj vazhdoi të më fliste frëngjisht. Nga emocioni nuk mora vesh asnjë fjalë. U përflaka, por ai e kuptoi menjëherë dhe më tha: Mos u tremb! Kështu e kam pasur të vështirë edhe unë në fillim. Edhe unë me të vjedhur e kam shkollën. Më bëri vetëm nj vërejtje: Mbaresa “ent” e vetës së tretë shumës të foljeve në të pakryerën, nuk lexohet fare. Po edhe këtë ma tha në mënyrë kaq të njerëzishme, sa më erdhi turp për atë a hundore që unë e lexoja me një zë gomari për t’u dukur gjoja si francez. Më ndreqi edhe disa gabime të vogla. Në atë dhomë të errët të burgut lexova nja 6000 faqe reviste dhe rrallë kisha nevojë të pyesja…
Këtë histori ta shkrova për të treguar se kushtet e mira nuk janë gjithçka për të mësuar. Kryesorja mbetet sedra, ambicia pozitive. Madje, shpesh njeriu me sedër, mungesa e kushteve nuk e pengon, por e shtyn të përpiqet të kalisë një vullnet të hekurt për të mësuar. Tani mund të them i sigurt se frëngjishten ma ka mësuar “e qeshura” e atij ambasadori, sado që ai vetë mbeti tek mësimi i pesëmbëdhjetë.
Të përqafoj, daja yt që të do fort, PJETRI.
(27 maj 1986, botuar më 1996)
1)Autori vuante në atë kohë dënimin e dytë
2)Motra e autorit
Komentet