Ukë Ukaj nga fshati Zajm i Klinës, të cilit iu vranë dy familjarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Doruntina Baliu
Banorë të fshatit Zajm, që ndodhet në Komunën e Klinës, në veriperëndim të Kosovës, shprehen të gëzuar, por edhe skeptikë, nëse drejtësia do të vihet në vend nga një aktakuzë në mungesë për krime lufte ndaj fqinjit të tyre.
“Axhën e kam dashur fort, ndoshta më fort se babën”, thotë mallëngjyeshëm Ukë Ukaj, të cilit, përveç xhaxhait, i është vrarë edhe djali i hallës.
Në një hapësirë ndeje, në ambient të jashtëm, ky 73-vjeçar, me duart që i dridhen, e pi çajin e mesditës, teksa qëndron ballë shtëpisë së tij me ngjyrë të bardhë.
Këtë shtëpi, në Zajm, rreth 60 kilometra larg Prishtinës, ai thotë se e kanë rinovuar tri herë, që nga viti 1998.
Rreth 20 majit të atij viti, Ukaj, bashkë me disa familjarë, kishin marrë rrugë për të vizituar disa familjarë në qytetin e Pejës.
Në shtëpinë e tij kishin qëndruar xhaxhai i tij, Brahim Ukaj, dhe djalli i hallës së tij, Bajram Kastrati.
Ajo ishte hera e fundit që Ukë Ukaj i kishte parë ata dy të gjallë.
Kur u kthyen në shtëpi, Ukaj thotë se u përball me një nga pamjet më të trishtueshme të jetës së tij.
Ai gjeti shtëpinë e shkrumbuar, me dy familjarët të vrarë e të djegur.
Djegia e shtëpisë së tij do të shënonte ndër sulmet e para ndaj civilëve shqiptarë, nga forcat serbe, në luftën e fundviteve ‘90.
“E kam identifikuar axhën nga jeleku, i ka mbetur i djegur [ngjitur për trupi], sikur letër. Aty e kam ditur që është axha”, kujton Ukaj.
Siç rrëfen ai, brenda mureve gjetën edhe gëzhoja plumbash, që ata i la të kuptojnë se Brahim Ukaj e Bajram Kastrati ishin ekzekutuar para se shtëpisë t’i vihej flaka.
Deri vonë, familja Ukaj besonte se autorë të krimit kanë qenë forcat serbe.
Por, më 10 korrik 2023, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj një personi me inicialet I.B., ish-banor i fshatit Zajm, nga komuniteti rom.
Sipas Prokurorisë, ai dyshohet për disa krime gjatë luftës në Kosovë, përfshirë pjesëmarrjen “në djegien e shtëpive në Zajm dhe në fshatrat përreth”.
Aktakuza përmend pikërisht edhe djegien e familjarëve të Ukajt.
“E kam njohur [të akuzuarin]. Dëgjova në televizor, por nuk e di, nuk kam qenë këtu. Kush e ka djegur, a ia ka futur ai flakën, unë nuk e di”, thotë Ukaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai, megjithatë, është i lumtur që po i vihet një emër krimit, ndonëse i akuzuari nuk gjendet në Kosovë.
“Mirë është [akuza në mungesë], le të dihet. Nëse paskan fakte, le të dihet, le të gjykohet, pak ka lehtësim [për ne]. Shpresat nuk humbin kurrë”, shprehet Ukaj.
“Theu e vodhi në shtëpitë e fshatit”
Djegien e shtëpisë së Ukajt e mban mend edhe Asllan Morina, i cili jeton pak kilometra larg saj.
Ai e kujton edhe të akuzuarin I.B., me të cilin e ndante vetëm një rrugë.
“Më herët e kemi pasur fqinj, kemi pasur raporte shumë të mira. Babanë e ka pasur farkëtar, dhe nuk ka pasur njeri më të mirë se ai”, rrëfen 60-vjeçari Morina.
Sipas tij, sjellja e I.B. nisi të ndryshonte me fillimin e luftës në Kosovë, në vitin 1998.
“Filloi nëpër fshat, duke thyer e duke vjedhur, i theu dy shitore andej. Çdo gjë shihej, çfarëdo që ka bërë, ne e kemi parë”, tregon Morina për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, tashmë i akuzuari I.B. kishte marrë guximin të plaçkiste i papenguar nëpër fshat, meqë kishte marrëdhënie të afërta me forcat ushtarake e policore serbe, dhe ishte i armatosur.
“Vinin ushtria te ai shpesh, hanin e pinin. Shumica nuk kanë guxuar edhe ta kundërshtojnë. Automatikun e ka bartur ngado që ka shkuar”, tregon Morina.
Ndonëse pas luftës I.B. ishte larguar nga Kosova, Morina thotë se para disa vitesh ai ishte kthyer përkohësisht në Kosovë.
Për rastet e vjedhjeve që i kishte parë, Morina thotë se ka dëshmuar në Polici, madje edhe është përballur me të akuzuarin.
Ai shprehet i zhgënjyer për faktin se I.B. ka arritur të largohet prapë nga Kosova. Ai druan se përveç aktakuzës në mungesë, edhe gjykimi i tij do të zhvillohet njësoj.
“Nuk po e çojnë drejtësinë në vend”, thotë Morina.
Policia e Kosovës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se ky i akuzuar ishte ndaluar dhe intervistuar në Polici më 24 shtator të vitit 2008, “si i dyshuar për veprën penale të krimeve të luftës”.
Megjithëse nuk kanë dhënë detaje të tjera për mënyrën se si ishte liruar, sipas Policisë, atëbotë ai ishte ndaluar për 72 orë.
“Gjykimet në mungesë mund t’i sjellin zhgënjime viktimave”
Në maj të vitit 2023, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës së parë në mungesë. Ajo aktakuzë ka të bëjë me dhunim seksual.
Që nga ajo kohë, sipas Prokurorisë, në total janë ngritur katër aktakuza për krime lufte, në mungesë të të akuzuarve.
Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka konfirmuar nëse ka nisur gjykimet për ndonjërën prej këtyre akuzave.
Por, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në Prishtinë, që i monitoron këto raste, thotë se janë “të sigurt që nuk ka filluar asnjë gjykim prej aktakuzave në mungesë”.
Blakaj bën të ditur se FDH-ja është shprehur kundër këtyre akuzave e gjykimeve, kur vendndodhja e të akuzuarve nuk dihet.
“Edhe pse në fillim mund të duket që viktimat janë të kënaqur me drejtësinë, më vonë shumica e tyre zhgënjehen, sepse edhe në rastet kur dikush dënohet, kur e kuptojnë viktimat që ndoshta kryesi i krimit nuk do të prangoset, është një zhgënjim për viktimën”, shprehet Blakaj.
Ai, gjithashtu, ka shprehur shqetësim, për kohën që mund të marrin nisja dhe përfundimi i këtyre gjykimeve.
“Rreziku është se kanë kaluar më shumë se 24 vjet nga kryerja e krimeve të luftës. Në shumicën e rasteve, Prokuroria është mbështetur në dëshminë e dëshmitarëve, nuk është që ka pasur prova materiale ose mjekoligjore. Rreziku është që dëshmitarët të vdesin, ose ta humbin memorien”, shton ai.
Deri vonë, Kodi i Procedurës Penale i Kosovës nuk i ka lejuar gjykimet në mungesë, ndërsa tani ato lejohen vetëm nëse dëshmohet se janë shterur mundësitë për të siguruar praninë e të akuzuarit.