Ish-mbrojtësi i Zvicrës dhe Juventusit, Stephan Lichsteiner, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij, përkundër që s’iu dha mundësia ta përfundonte karrierën ashtu siç kishte planifikuar, pas Kampionatit Evropian.
36-vjeçari ka thënë në një deklaratë për Federatën e Futbollit të Zvicrës se ai e kishte kuptuar se ky është momenti më i mirë për të për t’u pensionuar sapo u mor vendimi për shtyrjen e Kampionatit Evropian shkaku i koronavirusit, transmeton Gazeta Express.
Gjatë karrierës së tij, Lichtsteiner i bëri 108 paraqitje për ekipin kombëtar të Zvicrës, përfshirë këtu ndeshjet në tri Kupat e Botës të fundit dhe në EURO 2008 dhe EURO 2016. Ai ishte kapiten i Zvicrës në EURO 2016 dhe Kupën e Botës 2018, kur Zvicra ishte eliminuar në të dyja garat në fazën e 1/8 të finales.
Në mesin e këtyre paraqitjeve ishte edhe përballja e 22 qershorit të vitit 2018 në Kupën e Botës kundër Serbisë, kur ai festoi golat e Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës duke e bërë shqiponjën me duar. Lichtsteiner i kishte mbrojtur Shaqirin dhe Xhakën për festimin e tyre pas ndeshjes.
“Ne kishim shumë presion, nuk ishte një ndeshje e lehtë për ne. Ne kemi shumë shqiptarë dhe ka shumë histori mes Serbisë dhe Shqipërisë. Ishte një ndeshje e vështirë për ta, në aspektin psikik”, kishte thënë Lichsteiner.
“Ishte veprim i mirë, pse jo? Kjo është historia e tyre. Lufta mes tyre ishte e vështirë. Unë kam folur me babanë e një shqiptari që e kemi në ekip dhe ai ma tregoi historinë. Kjo ka domethënie më të madhe sesa thjesht një ndeshje futbolli”.
“Është më shumë sesa thjesht futboll sepse ata e kanë pasur atë periudhë dhe është pjesë e jetës së tyre. Kishte provokime të mëdha para ndeshjes nga ata [Serbia], kështu që mendoj që është normale”.
Lichtsteiner i kishte ndihmuar Juventusit ta fitojë titullin e Serisë A gjatë shtatë vjetëve të tij në Torino dhe kishte arritur dy herë në finale të Ligës së Kampionëve. Ai luajti në humbjen e vitit 2015 kundër Barcelonës ndërsa u la në stol dy vjet më vonë, kur fitoi Real Madridi.
Zivcerani e kishte nisur karrierën me tij me klubin zviceran, Grasshopper, ndërsa kishte vazhduar me Lille, Lazio dhe Arsenalin, para se ta kompletonte karrierën në Gjermani me Augsburg. /Gazeta Express/
Komentet