Në shkrimin e fundit me titull “LDK-në nuk e ndihmon më aureola e Rugovës” kam pritur reagime të shumta dhe përmbajtësore filluar nga kryetari i partisë, strukturat drejtuese, nga aktivist dhe veprimtarë e deri tek anëtari i fundit i LDK-së.
Heshtin ata që i ndihmova me shkrime dhe me votë
Qëllimi i shkrimit paraprak ishte motivimi i reflektimit të drejtuesve aktual të partisë dhe sensibiliizimi i elektoratit të LDK-së në prag të zgjedhjeve nacionale, për nevojën e unifikimit të njëmend dhe të mirëfillt të elektoratit të LDK-së.
Kam pritur reflektimin e drejtuesve të partisë, në veçanti të kryetarit z. Lumir Abdixhiku, të cilit i kam shkruar privatisht dhe ju kam drejtuar me letër publike më 12 dhjetor të vitit 2021 dhe më 18 gusht 2023.
Kam pritur reagime nga kryetar të degëve, filluar nga dega e LDK-së në Klinë, ku situata është më specifike dhe më e rënduar nga të gjitha degët në Kosovë. Po të ishte ndryshe, dega e LDK-së në Klinë që nga vrasja e kryetarit historik Ismet Rraci nuk do të ishte dalë humbëse e të gjitha zgjedhjeve lokale!
Kam pritur reagime nga ish kandidatët për deputet dhe asambleist të degës së LDK-së nga Klina, të cilët i kam mbështetur me shkrime dhe me votë në të gjitha zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale!
Por, kam pritur reagime edhe nga grupi reformator brenda Degës së LDK-së në Klinë, për ta dëshmuar veten publikisht dhe para elektoratit se janë për ndryshime përmbajtësore dhe substanciale në kryesinë e degës së LDK-së në Klinë ashtu siq ma thonë privatisht!
Kam pritur reagime nga ish deputet dhe ish ministra të LDK-së, për të cilët kam propaganduar gjatë fushatave zgjedhore, të cilët i kanë futur veshët në lesh dhe nuk duan të dëgjojnë për Florim Zeqën dhe shumë veprimtarë të tjerë, themeltarë të LDK-së rugoviane!
Por, kam pritur edhe reagime ndaj atyre që i kam kritikuar dhe këshilluar gjatë rrugëtimit të tyre politik, me kritikat qëllim-mira që ishin në funksion të përmirësimit të tyre!
Harrohet kontributi i themeltarëve, avancohen servilët dhe zvarranikët
Isha një ndër themeltarët e Forumit Rinor të LDK-së në Klinë dhe gjithandej Kosovës, më pas anëtarë kryesie dhe nënkryetar i degës së FR të LDK-së, kryetar i Komisionit për Informim, Koordinator i Komisionit për Arsim në kuadrin e Forumit Rinor gjatë viteve të ’90-ta, isha edhe përfaqësues i Degës së Forumit për Bashkësinë e Degëve të Forumit Rinor (Klinë, Skenderaj, Drenas dhe Malishevë). Por, kontributi i familjes Zeqa dhe fshatit në përgjithësi ishte më i madh dhe shumëdimensional. Për çka, fshati Bokshiq ishte kthyer në bastion të LDK-së dhe i rezistencës aktive paqësore kundër pushtuesve serbë. Si pasojë e kësaj, në vitin 1993 u sulmua fshati dhe u demolua Shtëpia e Kuvendeve të Rezistencës, kurse me fillimin e luftës çlirimtare, në shenjë hakmarrje, digjen dhe shkatërrohen mbi 80 % e shtëpive të fshatit nga forcat serbe.
Në këtë shkrim qëllimshëm nuk po i permendi emrat e të vrarëve dhe të masakruarve gjatë luftës dhe as të arrestuarit dhe të maltretuarit në aksionin e 23 shkurtit të vitit 1993.
Pasi, qëllimi i këtij shkrimi është sensibilizimi i opinionit vendor për realitetin e hidhur të krijuar viteve të fundit në Degën e LDK-së në Klinë, të cilët as që duan të dëgjojnë më për Bokshiqin legjendar dhe as për veprimtarët me zë e me nam të këtij lokaliteti të cilët mbi supet e tyre e bartën barrën e aktivitetit të LDK-së në vitet më të rënda të okupimit klasik të Serbisë!
Konkluzion
E personalizova shkrimin duke e përdorur degën e Klinës, për të pasqyruar të vërtetën e hidhur në shumicën e Degëve të LDK-së në mbarë Kosovën, më qëllim që ta kuptoj më mirë dhe më qartë lexuesi i këtyre rreshtave dhe elektorati arsyet e rënjes historike të LDK-së! Pra, shkaku i rënjes së LDK-së nuk janë rrënjët por koka, nuk është elektorati por drejtuesit paraprakë dhe këta aktualë që i katandisën vlerat demokratike në LDK.