Deputetët e LDK-së sot mund ta ulin Hashim Thaçin në “kolltukun” e presidentit të shtetit, aty ku dikur ishte ulur për dy mandate rivali më i përbetuar i tij, presidenti historik, Ibrahim Rugova.
Të gjithë këta ligjvënës të partisë që e themeloi Rugova, për një moment do t’i harrojnë të gjitha akuzat e Thaçit për ikonën e tyre.
Madje edhe atë deklaratë kur Thaçi shtëpinë e presidentit të ndjerë e pati quajtur “shtëpi të krimit”. Dhe kështu do ta ngrenë dorën për t’ia besuar postin më të lartë në shtet kundërshtarit kryesor politik të tyre, pavarësisht premtimeve diametralisht të kundërta gjatë fushatës se në asnjë mënyrë nuk do të bashkëqeverisin me Thaçin.
Atyre sot me gjasë u ka ikur nga mendja edhe një raport ndërkombëtar që hidhte dyshim se disa politikanë të LDK-së janë vrarë për motive politike dhe vetëm pse ishin kundërshtarë të PDK-së. Kjo dëshmon se LDK-ja është një parti pa vizion dhe tepër anemike, e cila për interesa të disa individëve sakrifikon parimet bazë mbi të cilën ka funksionuar dikur. Kjo parti politike sot do ta zgjedhë në postin e presidentit, një politikan më së paku unifikues, ashtu siç nuk kërkohet me Kushtetutë, i cili ka gjasa minimale për tejkalimin e krizës politike në vend.
⃰⃰ ⃰ ⃰
Ftesa e “Misionit të Ri” të Hashim Thaçit që t’i bashkojë militantët partiakë për të festuar në sheshin e Prishtinës, në ditën kur pritet të zgjidhet president i Republikës së Kosovës, ka qenë jo vetëm e panevojshme, por edhe njëkohësisht e rrezikshme për sigurinë e qytetarëve dhe për shtetin më të ri në Evropë.
Këtë shesh ka ditë që e kanë “pushtuar” opozitarët që e kundërshtojnë zgjedhjen e tij.
Dhe mundësia për festë dhe protestë njëkohësisht, duke i marrë parasysh “gjaknxehtët” e dy taborëve, nuk mendoj që ekziston.
Fundja pse do të duhej të festohej sot për Thaçin president, post ky i cili i garantohet me marrëveshjen e koalicionit me LDK-në të arritur para rreth 15 muajve.
Festë do të mundë të kishte po qe se Thaçi sot do të fitonte postin e presidentit nëpërmjet votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe assesi për një post që e ka fituar gati një vit e gjysmë më parë nëpërmjet pazareve politike me kryeministrin Isa Mustafa.
Në të gjitha shtetet me demokraci parlamentare, simpatizantët festojnë pasi të shpallen rezultatet e zgjedhjeve të rregullta dhe demokratike dhe nuk po e kuptoj festën partiake në ditën e sotme kur polarizimet politike në vend kanë arritur vlimin dhe nevojitet vetëm një shkëndijë e vogël që ky “triumf” të kthehet në tragjedi.
Dhe hipotetikisht nëse ndodh ky skenar, i cili asnjë njeri normal nuk besoj se ka qejf të ndodhë, atëherë si mund të cakërrohen gotat për të dhe çfarë fuqie të jep pozita e presidentit, për të cilin post qytetarët mund të bëhen “kurban”.
Por, nuk është larg mendsh që kjo mund të ndodhë, kur analizohen të gjitha deklaratat konfliktuoze të Thaçit të bëra gjatë muajve të fundit.
Pak ditë më parë, pas protestës së opozitës më 17 shkurt, ai deklaroi se bashkë me kryeministrin Mustafa ishin në zyrë, vetëm 20 metra larg liderëve opozitarë, mirëpo, siç tha ai, këta të fundit ikën si qyqarë, me bishtin nën shalë.
⃰ ⃰ ⃰
Hashim Thaçi sot mund të zgjidhet president, mirëpo asnjëherë nuk do ta luajë rolin unifikues në shtet. Derisa Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli mbahen mend si president që kanë shkelur Kushtetutën, Atifete Jahjaga si presidente e dalë nga zarfi, Thaçi do të mbahet mend si president i tavanit, ose president përçarës.
Pavarësisht se të gjithë paraardhësit e tij në Presidencë kanë pasur nga një epitet, megjithatë e kanë pasur edhe aftësinë që t’i bashkojnë të gjithë akterët politikë në një tryezë të rrumbullakët për çështje të caktuara, por një aftësi të tillë nuk do ta ketë asnjëherë Thaçi. Prandaj, Kosovës nuk i duhet një president si “gjarpri”!
Komentet