“Sot në mëngjes ka patur një takim mes nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri dhe kandidatit për kryeministër të LVV-së Albin Kurti, në mënyrë që të shihen mundësitë e bashkëpunimit”, tha Mustafa
PRISHTINË – Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, tha se LDK është e hapur të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për themelimin e institucioneve të reja të Kosovës, pas zgjedhjeve të mbajtura më 11 qershor.
Mustafa, gjatë aktivitetit ku prezantoi ministrin në largim të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashin, si kandidat për kryetar të Prishtinës, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me bashkëpunimin e mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, tha se LDK do të bëjë përpjekje maksimale që të themelohen institucionet e Kosovës, duke theksuar se nuk do të jenë pjesë e ndonjë koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës(PDK).
“Jemi të hapur që të shohim anën programore se sa mundemi që ta përshtasim si program të përbashkët të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë mund të ju them se sot në mëngjes ka patur një takim mes nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri dhe kandidatit për kryeministër të LVV-së Albin Kurti, në mënyrë që të shihen mundësitë e bashkëpunimit”, tha Mustafa.
Ndërsa, në lidhje me marrëveshjet e nënshkruara dy vite më parë në Bruksel në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Mustafa, theksoi se disa prej atyre marrëveshjeve kanë ecur përpara, ndërsa ngecja ka ndodhur në marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe me marrëveshjet për telekomin dhe energjetikën.
Ndërkaq, nënkryetari i LDK-së , Lufti Haziri, lidhur me bashkëpunimin e mundshëm të koalicionit LDK-AKR-Alternativa me LVV theksoi se sot kanë diskutuar temë e mundësive për përafrimin e programeve qeverisëse. Ai duke bërë të ditur se do të punojnë një grup i ekspertëve nga secila parti e koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe LVV me qëllim që të zbatohet një program i përbashkët, tha se pjesa e dytë e bisedimeve me LVV-në do të jetë në nivel të liderëve.
Kurse, Arban Abrashi, kandidati i LDK-së, i cili në zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të garojë për kryetar të Prishtinës, tha se si kryetar i ardhshëm i Prishtinës do të punojë për të ofruar zgjidhje problemeve të qytetarëve të Prishtinës dhe nuk do të merret me çështje rajonale apo ndërkombëtare.
Ndryshe, zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 22 tetor, ku kryetari aktual i komunë së Prishtinës, Shpend Ahmeti do të kandidojë përsëri për Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa kandidati i Partisë Demokratike të Kosovë s (PDK) do të jetë Lirak Çelaj.
Komentet