VOAL – I paharrushëm mbetet edhe fustani i zi i Coco Chanel, i njohur me inicialet LBD – Little Black Dress, Petite Robe Noire për të cilën Coco Chanel ka një vlerësim shumë të veçantë, sepse në fund të fundit është shpikje e saj dhe vazhdon të mbetet në piedestal. LBD është një fustan mbrëmje ose tip cocktail, i thjeshtë, i shkurtër, në fillim ishte tub dhe pa mëngë. Për herë të parë doli në skenë në vitin 1926, por popullaritetin e fitoi sidomos gjatë viteve ’60 pasi Audrey Hepburn e veshi në filmin e famshëm Breakfast at Tiffany. LBD i veshur nga Hepburn në film u shit në ankandin e Christie’s në vitin 2006 për 410.000 stërlina. Sipas një sondazhi të publikuar nga Daily Mail rezultoi se 75 % e grave e kanë në garderobën e tyre të paktën një LBD, dhe është më i rëndësishëm se një palë jeans apo gjimbajtëse Wonderbra.

Fustani i zi i vogël – LBD – gjendet gjithnjë në garderobën time, shkoj nga shkoj, i dedikohem ngjyrave të tjera, por përsëri, rishtaz i kthehem LBD-së – I always come back to the black – unë gjithnjë i kthehem të ziut, sepse më shkon me flokët – dhe sot nuk mund të them të njëjtën gjë për ngjyrat e tjera. Se më shkon me trupin sepse m’i fsheh kilet e tepërta, çka ngjyrat e çelura m’i nxjerrin në pah, sepse fustani i zi është i pakohë, ose i përhershëm. Sepse me fustan të zi mund të futesh kudo. Kur ke ndonjë dyshim dhe pyet se çfarë duhet të veshësh dhe askund nuk gjen përgjigje, vishu me një LBD – Little Black Dress – Mba taka të larta dhe LBD do të bëjë që t’i të jesh gjithë sharm dhe mrekulli. Por mos i harro perlat e bardha, sepse LBD shkon mrekullisht me to. Dhe kështu, dil pa frikë dhe të shohësh… Por nëse në garderobë nuk e ke deri më tani një LBD – shko e blije menjëherë – që të mos përfshihesh në sentencën fataliste të Chanel se një grua që nuk e ka një LBD është pa të ardhme! /Elida Buçpapaj




Komentet