Me miqtë e Migjenit. Marrun prej Veprës 4 “Nji verë me Migjenin” e Dr. Lazër Radit
LAZËR RADI
Nji verë me Migjenin
Durrës, 2019
Nji verë me Migjenin
Kujtime dhe shënime
Nga Lazër Radi
Libri u përgatit për botim nga Jozef Radi dhe Luçiano Radi
Redaktor Jozef Radi
Në ballinë – Lazër Radi, Migjeni dhe Hajdar Delvina Puk, korrik 1936
Botimet, Jozef 2019
Botimi i dytë
ISBN 978-9928-280-53-4
Botimi i parë, 1998-Shtëpia botuese Liria Tiranë
Durrës, Shtator 2018
© Shtëpia botuese Jozef dhe Jozef Radi
Me miqtë e Migjenit
Nji ditë, në shkollën e Pukës, erdhi mësuesi i katundit të Dardhës, Filip Ndocaj.
Si kryemësues, gjithë shkollat e asaj nënprefekture vareshin prej Milloshit. Filip Ndocaj ishte thjesht nji mësues i atyne shkollave. Fillimisht u zhvillue nji bisedë zyrtare, mbi problemet shkollës, frekuentimin, vështirësitë e bazës arsimore. Kryemësuesi mbasi u vu në dijeni për krejt aktivitetin e shkollës, organizimin e bamë, mungesat e shumta, sidomos në libra, fletore e mjete të ndryshme mësimore, i dha edhe porositë e nevojshme…
Mbas asaj bisede pune u hap diskutimi mbi letërsinë dhe shtypin e kohës. Filipi e kishte krye shkollën e mesme ndër prifta, në Shkodër, (s’më kujtohet ndër jezuitë a françeskanë) kështu që kishte njohuni të plota mbi letërsinë klasike. Gjithashtu, ai ishte njoftës i mirë letërsisë italiane e deri diku edhe asaj frënge, mbasi i njifte mirë ato dy gjuhë. Në bisedë e sipër, vuna re se Milloshi e nxiste me shkrue, duket pse e shifte të talentuem:
-Filip, n’at zonë ku të kanë caktue mësues, ke kohë e mundsi me shkrue e me krijue gjana të bukura. Je krejt vetëm, mësimi t’i merr katër-pesë orë, po janë edhe njizet orë të tjera! Të kshilloj jo veç me lexue po në veçanti me shkrue, e po të lutem mos me e bjerrë kohën kot! Shpesh shkollat e malsisë, na krijojnë kët fat ne të letrave. Ndër qytete koha bjerret kafehaneve e muhabeteve kodra mbas bregut…
Si ta kishte prekë n’tel, Filipi qet prej xhepit të xhaketës nji fletore katrore dhe nis me na lexue nji novelëz të vetën, përmbajtja e së cilës ishte mjaft intriguese dhe na detyroi me e ndjekë me vëmendje deri në fund.
Bahesh fjalë për nji ngjarje të vërtetë, ku shfaqesh jeta, zakonet dhe traditat e katundit Dardhë. Nji dramë e dhimbshme e lidhun me malësorët me besën dhe fjalën e dhanë. Ajo ngjarje qe përjetue dikur n’at fshat e sot e kësaj dite përmendesh e kujtohesh me hollsi. Filipi, krejt rrëfimet e malsorëve të katundit i kishte mbledhë e kishte thurë nji novelëz të bukur e interesante, e ku ma së shumti i pat mëshue anës përshkrimore të zakoneve dhe traditave të asaj zone.
-Shumë bukur, – i tha Milloshi – asht punë e vyeshme, e s’duhet me u ndalë! Pa u marrë me vlerat artistike, po të tham se ke shkrue nji novelë prekëse e dramatike. “Ato shtatë krisma, ata shtatë të vdekun, ato shtatë varre…” asht nji tragjedi që ndodh shpesh ndër malsi tona. Unë deshta me e ditë mendimin tand, a bani mirë Sokoli që e vrau Diellën a jo?
-E vërteta asht që e ka vra! Asht fakt, e thonë të tanë në katund!
-Pavarësisht në asht a s’asht e vërtetë, unë due me dijtë prej teje, bani a s’bani mirë Sokoli që e vrau Diellën?
-Gojdhanat s’e komentojnë kët gjà!
-Dakord, që gojdhanat s’e komentojnë, po ti si shkrimtar i emancipimit, ti që len nji vepër për gjeneratat që vijnë, a e komenton kët veprim? Gjithsesi, ty të duhet me marrë nji pozicion te ngjarja, sepse edhe ti je mbrenda saj, a jo?
-As më kishte shkue ndërmend nji gjà e tillë! – i tha Filipi i ndodhun n’nji pozitë disi të vështirë.
-Ndigjo, Filip këtu s’asht fjala me t’bà vërejtje për punën që ke bà, jena tue folë miqsisht, po me dishmue pozicione ma të qarta na si shkrimtarë të parët, e mbas nesh sigurisht vijnë lexuesit, që mundet të jetë nxanës, malësorë, qytetarë, intelektualë, pse kështu puna që bajmë ne krijon gjithnji e ma tepër hapsina komunikimi. Ti je djalë i talentuem, mundesh me shkrue gjana shumë ma të bukura, veç mos harro asnjiherë se je edhe mësues: e njashtu si mësuesi asht edukator i nxansave të vet, ashtu edhe shkrimtari asht edukator i lexuesve të vet, edhe pse shpesh s’ka komunikim të drejtpërdrejt mes tyne, ai u shërben me shkrimet e veta njerzve dhe kohnave. Asht e domosdoshme për ne me synue me paraqitë të vërtetën, të përditshmen, at çka shofim me sy, çka ndigjojmë me veshë e çka ndijmë me shpirt, pse sot edhe letërsia moderne kët gjà po synon, e kët ne duhet me e mbajtë gjithmonë parasysh. S’mundem me thanë: “Na shkrimtarët”, sepse në t’vërtetë as unë e as ti s’jena shkrimtarë të mirfilltë; na jena veç filluesa që duhet me u përpjekë me ba diçka për kët vend. Kishe me dashtë që talentin tand ta vejshe në funksion të kësaj ideje, sepse novela jote asht e bukur, dramatike, emocionuese… po deri njaty. Ajo veç e paraqet tragjedinë e shtatë të vramve, të shtatë vorreve e shtatë plagëve të mbetuna hapë n’shpirtin e atyne malsorve, po s’jepet asnji alternativë, asnji zgjidhje, ajo i len të hapuna plagët. Si ngjarje ajo tashma ka kalue, asht shkue nga përjetimi në legjendë. Përballë kësaj tragjedie, ti si shkrimtar, e ke për detyrë me mbajtë nji qëndrim. Malsitë e Pukës, e përgjithsisht krejt malsitë tona janë përplot me ngjarje, me histori, me kangë e legjenda, me epos kreshnikësh ku ndërthuren heroikja, tragjikja, dhimbja, ndjenjat, pasionet njerzore, hakmarrja, kanuni e ku di unë… Shpesh ndër ne, për gjana krejt absurde, gjoja me mbrojtë nderin, kur në të vërtetë s’ta ka cënue kërkush, veç në dukje, ngjarjet koklaviten aq keq, sa për zgjidhjen e këtyne problemeve sa etike aq edhe juridike, fjala i jepet me lehtsinë ma të madhe grykës së pushkës…