BASHA: JEMI TË SHOKUAR, RAMA DEKLARATË DIABOLIKE, EFEKTIVËT ME MAKINË TË PAPËRSHTATSHME
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, së bashku me deputetët Flamur Noka dhe Arben Ristani ka vizituar dy efektivët e plagosur në Lazarat, në Qendrën Spitalore të Traumës. Pasi ka dalë nga takimi me dy efektivët, Basha i ka shprehur ngushëllime familjes së efektivit të vrarë në Lazarat, Ibrahim Basha dhe u ka uruar shërim të shpejtë dy policëve të plagosur.Nga Spitali i Traumës, kreu i PD-së i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Rama, duke i quajtur ato të papërgjegjshme dhe diabolike.
“Humbje për të cilën dua të shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet e mia familjarëve të Ibrahimit dhe kolegëve dhe shokëve të tij. Të shokuar nga kjo humbje. Vizituam dy kolegët e tij, të cilët janë me plagë të lehta fatmirësisht dhe jashtë rrezik i uroj shërim të shpejtë. Kemi kërkuar që në orët e para nga policia që të marrë të gjitha masat që të mos cenohet jeta e efektivëve dhe banorëve. Që autorët të ndalen me forcën e ligjit. Kemi kërkuar transparencë. Një fakt shqetësues, i gjithë grupi i efektivëve ka qenë me një mjet të papërshtatshëm, një Volswagen”, tha Basha.
Ai theksoi se kryeministri Rama shfrytëzoi rastin për të sulmuar opozitën.
“Nuk është momenti për tu ndalur këtu, por një analizë e plotë dhe e gjithanshme duhet bërë me objektivitet dhe pa politizim. Shpreh keqardhjen e thellë që me një qëndrim totalisht të papranueshëm, Kryeministri i vendit gjeti rastin ta përdorë këtu tek dera e spitalit për politikë dhe për të sulmuar opozitën me një frymë. Deklaratë e papërgjegjshme, diabolike të cilën e hedh poshtë me neveri. Nuk ka asgjë të dykuptimtë që dënimin që i bëjmë me ashpërsi këtij akti. PD dhe unë jemi në krah të efektivëve të policisë dhe ligjit. Nuk ka asgjë të dykuptimtë të kërkosh transparencë. Ndaj është një deklaratë e papërgjegjshme dhe me motive të errëta. Por nuk është momenti të ndalem këtu ndaj i shpreh edhe njëherë ngushëllime familjes së viktimës dhe shërim të shpejtë dhe dy efektivëve”, tha Basha.
NISHANI: AUTORITETET TË ZBARDHIN KRIMIN, AUTORËT PARA DREJTËSIE
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka dënuar ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Lazarat, ku një efektiv humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën. Nishani theksoi se autoritetet ligjzbatuese duhet të zbardhin ngjarjen dhe të vërë para drejtësisë autorët.
“Presidenti i Republikës po ndjek me shqetësim ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në fshatin Lazarat gjatë ditës së sotme ku ka humbur jetën Ibrahim Basha, efektiv i forcave speciale RENEA, dhe ku janë plagosur dy efektivë të tjerë. Kreu i Shtetit ngushëllon familjen e të ndjerit Basha për humbjen e rëndë si dhe i gjendet pranë të gjithë familjarëve e të afërmve në këtë ditë të rëndë për ta, ndërkohë që u uron shërim të shpejtë policëve të plagosur.
Presidenti Nishani dënon aktin kriminal dhe u kërkon autoriteteve ligjzbatuese që në mënyrë profesionale të bëjnë zbulimin e menjëhershëm të këtij krimi dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve, duke u bërë njëkohësisht thirrje për qetësi qytetarëve të Lazaratit në këto momente të vështira.”, citohet në reagimin e Nishanit.
BERISHA: NJË AKT KRIMINAL I SHËMTUAR NË LAZARAT, NDËSHKIM ME FORCËN E LIGJIT AUTORËVE
Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar një akt kriminal të shëmtuar ngjarjen e ndodhur sot në Lazarat, ku për pasojë mbeti i vrarë një efektiv policie dhe u plagosën dy të tjerë.
Me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook”, Berisha deklaroi se autorët duhet të ndëshkohen.
“Një akt kriminal i shëmtuar në Lazarat!
Të dashur miq, një ngjarje e rende, ne te cilën ka humbur jetën një efektiv i Policisë dhe janë plagosur dy police të tjerë, ka ndodhur ne Lazarat. Duke dënuar ashpër këtë krim të shëmtuar, shpreh ngushëllimet me të thella familjes te efektivit të Policisë, të ndjerit Ibrahim Basha dhe ju uroj shërim të shpejt e të plotë dy punonjësve të plagosur të Policisë. Me këtë rast u bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit të identifikojnë, vendosin e ndëshkojnë me forcën e ligjit autorët e këtij krimi të shëmtuar! Sb”, citohet në mesazhin e Berishës.
MESILA DODA: TRAGJEDI NJERËZORE VRASJA E POLICIT, AUTORËT TË MARRIN DËNIMIN. NGJARJA JO NGJYRIME POLITIKE
Pas ngjarjes së rëndë në Lazarat ku mbeti i vrarë një efektiv i RENEA-s ka reaguar deputetja demokrate Mesila Doda. Ajo e ka quajtur vrasjen e efektivit Ibrahim Basha, një tragjedi njerëzore dhe ka kërkuar vënien para përgjegjësisë dhe ligjit të autorëve.
Deputetja demokrate gjithashtu ka bërë thirrje që të mos ngatërrohet popullsia civile, banorët e Lazaratit me këtë krim të rëndë dhe të mos i japin ngjyrime politike kësaj ngjarjeje.
“Një tragjedi njerëzore vrasja e policit të RENEA-s Ibrahim Basha. Sot lutjet dhe ngushëllimet tona shkojnë për familjen, të afërmit dhe miqtë e të ndjerit. Zoti ju dhëntë forcë dhe ngushëllim për humbjen e njeriut të tyre të dashur. Forcat e rendit duhet të sigurojnë që autoret do kapen dhe të shkojnë para drejtësisë dhe të marrin dënimin që meritojnë. Ndërkohë duhet të bëhet kujdes veçanërisht nga media për të mos ngatërruar popullsinë civile, burrat, gratë, fëmijët e të moshuarit banorë të Lazaratit me këtë krim të rëndë apo të kërkojnë ti japin ngjyrime politike. Krimi nuk ka as mbrojtje dhe as përkatësi politike ashtu si rendi dhe forcat e rendit nuk kanë përkatësi partiake a politike, ato janë në mbrojtjen tonë dhe si të tilla duhet të mbështeten dhe respektohen”, shkruan Doda.
INCIDENTI NË LAZARAT, PD: POLICIA TË ZBARDHË NGJARJEN, BANORËT TË RUAJNË GJAKFTOHTËSINË
TIRANE- Partia Demokratike ka reaguar fill pas ngjarjes së rëndë, ku një efektiv i RENEA-s humbi jetën dhe dy të tjerë janë plagosur, pas një shkëmbimi me armë zjarri në Lazarat.
PD, e para forcë politike që ka reaguar publikisht, ka dënuar ashpër incidentin, ndërsa i ka kërkuar policisë që të zbardhë ngjarjen.
“Partia Demokratike po ndjek me shqetësim te thelle zhvillimet ne Lazarat ku raportohet për shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe personave të armatosur me pasojë humbjen e jetës së një efektivi të RENEA dhe plagosjen e nje efektivi tjetër. Kërkojmë nga Policia të zbardhë menjëherë ngjarjen, të ofrojë transparencë maksimale për çfarë po ndodh, të marrë të gjitha masat për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë të banoreve dhe punonjësve të policisë si dhe të marrë të gjitha masat për ndalimin e autoreve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, duke shmangur çdo pasojë mbi popullatën civile. Partia Demokratike i bën thirrje banoreve te Lazaratit të ruajnë gjakftohtësinë dhe te mos bien pre e provokimeve te grupeve kriminale.”, citohet në reagimin e PD-së.
NGJARJA NË LAZARAT, REAGON AMBASADA AMERIKANE: NGUSHËLLIMET FAMILJES SË EFEKTIVIT BASHA, DËNOJMË DHUNËN
Ambasada amerikane ka reaguar për ngjarjen e ndodhur në Lazarat duke i shprehu ngushëllime familjes së efektivit Ibrahim Pasha. Gjithashtu Ambasada e SHBA-ve mbështet përpjekjet e ligjzbatuesve shqiptarët dhe bën thirrje që autorët e këtij krimi të dënohen me fuqinë e ligjit.
“I shprehim ngushëllimet më të thella familjes së oficerit të policisë Ibrahim Basha – anëtar i Forcave Speciale Shqiptare, dy herë pjesëmarrës në misione me forcat e NATO-s në Afganistan – i cili u vra në Lazarat sot. Mendimet tona janë edhe me dy oficerët që u vranë në krye të detyrës. Ambasada e SHBA mbështet plotësisht përpjekjet e ligjzbatuesve shqiptarë për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë dhe bën thirrje që autorët e këtij krimi të tmerrshëm të ndiqen penalisht dhe të dënohen me të gjithë fuqinë e ligjit. Dënojmë me forcë çfarëdo dhune që drejtohet ndaj forcave të zbatimit të ligjit”, deklaron Ambasada e SHBA-ve.
TOTOZANI: ASKUSH S’DUHET TË KETË GUXIM TË NGREJË ARMËT NDAJ POLICISË, APEL BANORËVE TË LAZARATIT TË BASHKËPUNOJNË
Avokati i Popullit, Igli Totozani ka vizituar në spital dy oficerët e policisë që mbetën të plagosur gjatë aksionit në Lazarat, nga ku ka deklaruar se askush nuk duhet të ketë guxim të ngrejë armët ndaj Policisë së Shtetit.
Ai u ka bërë thirrje banorëve të Lazaratit që të bashkëpunojnë me policinë, duke shtuar se një grup ekspertësh i AP është nisur tashmë në Lazarat.
“Mesazh për këdoqoftë: Askush nuk duhet të ketë guxim të ngrejë armët ndaj policisë së shtetit dhe të ndërmarrë akte të tilla. I dënoj rreptësisht këto akte të tilla, mbështetje policisë. Dua ti bëj thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë dhe në mënyrë të veçantë banorëve të Lazaratit që të bashkëpunojnë. Kemi nisur një grup ekspertësh të Avokatit të Populli. Brenda një kohe të shkurtër do të jem vetë në Lazarat, për të diskutuar me banorët e Lazaratit për të parë mundësitë që edhe ata si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë të jetojnë në paqe”, ka thënë Totozani.
Komentet