LAVDËRIM PËR LIRINË E VOGËL
Liria e vogël që jepet,
Nga të mëdhenjtë ,nga hallet, dertet,
Liri e skamnorit jetim,
Liri që ecën në verbim,
Liri e trilleve, marseve, prilleve,
Liri e lëngëzimit të majit, qershorit,
Dëshmi trallisëse e skamnorit,
Të kërkoj dhe thur në tezgjah ëndrrash,
rrobat më të mëdha për ty,
Ato rrinë keq dhe shkoj
Rroba të shtrenjta kërkoj
Në tregun e rrobave të reja
çmendem prej ëndrrave verbtare,
Sepse ,ti, sidoqoftë je liri e çmendur
Edhe aq e vogël bëhesh mëkatare…
Liri e vogël që na madhëron
Vetëm kur dhuruesit më s`e japin…
DANTE NUK U KTHYE…
Purgator e parajsë janë koperturë,
Vetëm ferri ekziston.
Dante nuk u kthye për redakturë,
Një femër parajsën shpëton…
VALA
Folenë e zemrës tund,
Valë e dashurisë
nga funde misteresh pa fund,
Ngrihet me ironinë e stuhisë.
Bëhet fllad sikur nuk ishte
Po valë ishte edhe humbi,
erë dhe flak gjethishte
Nga pema shkundur.
Brigjet e zemrës na përflak
Urat e fjalëve godet,
për një trazim bëhet shkak
Në vrima shpellash humbet.
Nga vjen e s`vjen nuk e dimë
Fajin ua vemë syve të zi,
Një buzëqeshje që ndrin,
një buze që shuhet në gjallëri,
Se ç`është forcë e saj nuk e masim,
E dimë të madhe dhe përballemi,
Duke e ndjerë se mos humbasim
Duke e ndjerë si me ne tallet…
GËRSHETI
trill vetmitar,
ti më bëre kusar,
se me gërshetin tënd shartova mollën,
hijet përzura me të për fundbotën,
dhe sa e pashë kur shkonte gjer në mes,
si gjarpër përdridhej në erë,
krejt i çuditshëm ky gërshet,
si shpatë vajzërie që indiferencën godet.
Gërsheti jot, trill vetmitar,
Hije lisi ku frymë marr,
Dhe nojmë e thirrje dhe thirrje e buçimë,
Një rrjedhë që njom bukurinë,
Dhe kur s`munda prej teje një fjalë të marr,
Të gjitha harrova m`u duk si litar,
Në pemë të ëndrrës me të veten të var….
VEGIM
I vura shulin derës,
Lodhur nga njeriu,apo?
lashë një të çarë për erën
Për frymën e njeriut që më do.
Në mëngjes dera qe puthitur,
Shulin e kishin shtyrë dhe pak,
në vetminë e venitur
iriq me gjemba rrumbullak.
As erë kish hyrë dhe frymë,
Kisha harruar pamjen e dikujt,
Shuli ish djersitur në brymë,
Ve tminë time duke ruajtur…
Komentet