“…se qeveria është si ai hajvani i madh që shkon rrugës dhe i shkel marauzhgat me këmbë pa i vënë re.”
Lasgushi
LASGUSHI NË QYTETIN E VET
Nga qershori deri në fund të nëntorit Lasgushi veronte në Pogradec, në mjedisin ku ishte lindur dhe rritur. Në qytet ai kishte një shtëpi të vogël, të modelit të vjetër, ndërtuar nga babai, ose gjyshi i tij, me të cilën e lidhnin shumë kujtime. Për shkak se vuante nga një hernie kronike, Lasgushi i përballonte me vështirësi udhëtimet e gjata, por ai e mirrte në sy sakrificën, kur mendonte se pas një dite të lodhshme, do të pushonte disa muaj në klimën e mrekullueshme të vendlindjes. Ai u besonte fiziologëve modernë se klima e vendlindjes ka veti rigjeneruese për qelizat e trupit.
Pogradecarët krenoheshin me të, sepse ai ishte legjendë e gjallë, poet me famë, pavarësisht nga trajtimi qeveritar. Nga ana tjetër Lagushi ishte njeri i thjeshtë, i dashur, i sjellshëm. Ai takohej përzemërsisht me njerëzit që njihte, (me përjashtim të të ardhurve, ai i njihte të gjithë vendasit) dhe pyeste për shëndetin e tyre dhe të njerëzve të familjes. Po qe se Lasgushi vonohej për ndonjë shkak familjar a problem transporti, pogradecarët fillonin të shqetësoheshin. U dukej sikur vera pa Lasgushin nuk e kishte hijeshinë e përvitshme, sikur qytetit diçka i mungonte. Dashamirësit e tij përkujdeseshin t’i gjenin ndonjë veturë që ta sillnin nga Tirana në Pogradec. Ata e dinin mirëfilli se gjendja financiare nuk ia lejonte luksin të angazhonte ndonjë taksi, prandaj u luteshin drejtorëve të ndërmarrjeve ta takonin Lasgushin kur të vinin në Tiranë dhe mundësisht ta mirrnin në makinat e tyre. Shpesh Lasgushi udhëtonte edhe me kamionë. Shoferët e kishin për nder të kishin në kabinë një pasagjer të nderuar dhe bashkëudhëtar të këndshëm si Lasgushi. Asnjëherë nuk pranonin të merrnin të holla prej tij. Përkundrazi, kudo që ndalonin përpiqeshin ta qerasnin. Të nesërmen qysh në mëngjes, lajmi i gëzuar se Lasgushi kishte arrirë në Pogradec, përhapej gojë më gojë.
Lasgushin e trajtonin me respekt të afërmit, moshatarët, arsimtarët, intelektualët e rinj, me një fjalë gjithë shtresat e bashkëqytetarëve, me përjashtim të autoriteteve lokale. Sot duket e pakonceptueshme se si ata nuk organizuan kurrë ndonjë ceremoni të thjeshtë për të, një mbrëmje letrare me recitime poezish, një promovim libri, a festimin e ditëlindjes së tij. Sa për ta ftuar në pritjet zyrtare lokale, kjo as që mirrej në konsideratë. Edhe pa ndonjë udhëzim të posaçëm, ata e dinin qëndrimin e revervuar që mbante udhëheqja e partisë dhe Lidhja e Shkrimtarëve ndaj tij, çka mund të përmblidhej në dy fjalë, mospërfillje e hapur dhe mënjanim. Nuk mund t’ia falnin mëkatin se poeti i njohur nuk e përqafoi metodën e realizmit socialist, ndryshe nga kolegët e tij që u konformuan shpejt.
Ndërkohë as Lasgushi nuk u afrohej dyerve të Komitetit të Partisë ose të Komitetit Ekzekutiv të Pogradecit, për të takuar ata që njihte a për t’u kërkuar ndonjë nder. Me bastunin në dorë, me një kapele të vjetër republikë në kokë, dilte shëtiste anës liqenit, ose lart nga vreshtat, shpesh herë i vetmuar, duke patur shok mendimet e tij. Te Turizmi i Vjetër shkonte për të takuar miqtë e vet dhe intelektualët që vinin nga Tirana, bisedonte me ta për tema të ndryshme, pa pranuar asnjë lloj qerasje edhe kur të tjerët ngulmonin. Nga natyra Lasgushi ishte absentist, nuk e pinte as duhanin, as kafenë dhe asnjë lloj alkoholi.
Ai i sfidoi autoritetet lokale, me një mënyrë origjinale, lasgushiane do të thoshnim, duke u shoqëruar me Hariz Berberin, të cilin pogradecarët e kundronin si njeri jo normal. Njerëzit pyesnin si ishte e mundur që një poet me famë kombëtare, pëlqente shoqërinë e një monomaniaku? Dashamirët e justifikonin si trill të Lasgushit, po ndoshta nuk ishte tamam ashtu. Harizi qe i urtë, i përkorë, i shkueshëm. E meta e tij qe një lloj psikomanie letrare, se ishte poet i madh, akoma i panjohur, por vëllimi poetik që do të botonte së shpejti, do t’i eklipsonte poetët e tjerë. Ndërkohë Harizi nuk e fshihte aspak se poezitë që kishte dërguar nëpër redaksitë e ndryshme, ia kishin hedhur në kosh. Pata rast ta njihja Harizin dhe të dëgjoja prej gojës së tij se i gufonin shumë motive përbrenda dhe ai nuk do të reshtte së dërguari krijime të tjera nëpër redaksitë, sa të bindeshin që ishte poet. Lasgushi dukej sikur e kishte zgjedhur qëllimisht, ose ndoshta dhe i vinte keq për të. Harizi ishte me raport të gjatë paaftësie nga komisioni mediko-legal, i paangazhuar me ndonjë punë, pra edhe më i ngeshëm se të tjerët për të shoqëruar Lasgushin dhe këdo tjetër që pranonte shoqërinë e tij.
Bashkëbiseduesit çmeriteshin kur Lasgushi deklaronte: “miku im Hariz Berberi thotë…” në një kohë kur ithtarët e partisë për t’u mburrur a për të shitur mend, përmendnin citatet e Enver Hoxhës. Të vlerësoje thëniet e një maniaku dhe t’ia servirje shoqërisë, ashtu sikurse vepronte Lasgushi, ishte njëlloj si të talleshe me politikën e partisë. Dashamirët e tij besonin se Lasgushi nuk e thoshte me qëllim, por nga naiviteti.
Ironia e Lasgushit ishte pjesë organike që buronte në mënyrë të natyrshme nga shpirti i tij, aq sa kushdo që e dëgjonte, nuk mund të dallonte kufirin midis sinqeritetit dhe shfryrjes. Sytë e tij të zgjuar dhe fytyra e qeshur gjithmonë ruanin të papritura për bashkëbiseduesit. Lasgushi shpesh lëshonte kritika të forta për raportin shtet-individ, sa mund të akuzohej për pikëpamje ekzistencialiste. Ai thoshte: “…se qeveria është si ai hajvani i madh që shkon në rrugë dhe shkel me këmbë marauzhgat [milingonat] pa i vënë re.” Krahasimi i qeverisë me një mushkë a kalë që ecën shtegut, pa vënë re ku shkel, ishte skandaloz për nëpërkëmbjen e njerëzve të thjeshtë prej çdo pushteti, pa kurrfarë dallimi midis sistemit socialist dhe kapitalist.
* * *
POETI LARG POLITIKËS
Në kohën e Zogut u ndez një diskutim i hapur rreth vlerave të Lasgushit si poet. Në revistën letrare “Java,” në mos gabohem, u botua më 1937 një shkrim kritik i estetit Kris Maloku me titullin dyshues “A është poet Lasgush Poradeci?” Duke replikuar me Mitrush Kutelin që ngrinte lart meritat artistike të poetit, Kris Maloku rropatej ta ulte figurën e tij me një stratagjemë jo fort të zgjuar. Sipas etalonit të tij, Lasgushi nuk mund të barazohej me Homerin, Danten, Gëten, Hajnen, dhe si përfundim nuk mund të cilësohej poet. Ai nuk bënte asnjë dallim midis poetëve me madhësi kombëtare dhe botërore. Qe një kritikë estetizante, ku autori më shumë rropatej të shpaloste dijenitë e tij teorike në fushën e letërsisë, se sa të argumentonte vlerat e Lasgushit. Pretendimet e tij nuk gjetën përkrahës, për arsyen e thjeshtë se vëllimi poetik i Lasgushit “Vallja e Yjeve” (1933) dhe “Ylli i Zemrës (1937) e kishin lartësuar emrin e tij në shkallën e poetit kombëtar, me risinë, motivet dhe gjuhën poetike që solli. Poezia e tij nga çdo anë ishte më moderne, më afër poezisë europiane, se e çdo poeti shqiptar deri në atë kohë.
Lasgushi gjithmonë kishte qëndruar larg politikës dhe politikanëve. Në kohën e mbretërisë, Lasgushi nuk i thuri lavde mbretit, si disa shkrimtarë të kohës, por nuk u bashkua as me krahun me prirje revolucionare ose majtiste. Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e priti me urrejtje, për shkak se vendi humbi pavarësinë dhe rreziku i kolonizimit dukej imediat. Gjatë luftës, si mjaft intelektualë të tjerë, qëndroi neutral. As në kohën e pushtimit gjerman, nuk u vu në shërbim të tyre, edhe pse ata u përpoqën të afronin intelektualët shqiptarë që kishin studiuar në Gjermani, ose Austri dhe cilësoheshin me kulturë gjermanike, pra “dojçkultur.” Lasgushi ruajti pavarësinë e tij duke iu kushtuar punëve letrare dhe kulturore.
Megjithatë, për ndonjë keqkuptim a shpifje, komunistët e akuzuan sikur ai po i këndonte lavde fashizmit. Në shtypin ilegal të Frontit Nacionalçlirimtar, tok me artikujt propagandistikë, botoheshin edhe copa të vogla letrare, si vjersha e Memo Metos “Jam një vajzë shqipëtare,” poemthi “Epopeja e Ballit Kombëtar” e Shevqet Musarajt, etj. Në një nga buletinet e shaptilografuara u botua vjersha e Lame Kodrës, kushtuar Lasgushit, ku ai shfaqte keqardhjen që poeti lirik kishte shkarë në kampin kundërshtar. Poezia fillonte me vargun: “Të blenë me para o zog liqeni…” dhe më tej vinin vargjet se bilbilin e kishin futur në kuvli që ta detyronin të këndonte për ta.
Poezia në vetvete ishte e bukur dhe mendimi i qartë, po informacioni se Lasgushi kishte shkruar një poezi për Musolinin, Viktor Emanuelin III, a fashizmin, ishte i pasaktë. Nuk dihet as sot se nga kush e si u përhap kjo legjendë. Ndoshta ithtarët e fashizmit e sajuan me qëllim të joshnin intelektualët shqiptarë se në anën e tyre ishte rreshtuar një figurë e madhe e kulturës si Lasgushi, ose përndryshe duhet besuar se ishte një sajesë, një thashetheme nga ato që qarkullojnë dendur në kohë të trazuara. Pas lufte Lasgushi i kërkoi Prof. Sefulla Malëshovës t’i tregonte se ku e kishte gjetur poezinë e tij për Musolinin a për fashizmin, në cilën gazetë, në cilën revistë, sepse ai vetë si autor nuk dinte asgjë. Çështja u mbyll në heshtje mbasi në atë kohë Sefullai ishte Ministër i Arsimit.
Lasgushi nuk ishte poet oborri. Për të misoni i poezisë ishte hyjnor, prandaj ai as nuk e konceptonte si mund të shkruante poezi politike dhe aq më keq t’u këndonte diktatorëve.
* * *
NË PLENUMIN E KRITIKËS
Nga mesi i vitit 1963 Lidhja e Shkrimtareve organizoi një plenum për kritikën, me synimin të analizonte të metat duke sugjeruar disa rrugë efektive për ta shpënë përpara atë gjini të varfër letrare. Referatin ia ngarkuan Qamil Buxhelit. Ai u rropat mjaft që të harmonizonte mendimet e tij me ato të shefave për problemet e kritikës, ndaj u detyrua ta ripunonte referatin tri herë. Mbledhja u zhvillua në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve. Gjatë pushimit, pas leximit të referatit, njerëzit bashkoheshin me shokët e tyre, te tryezat e vogla, për biseda shoqërore. Lasgushi u afrua te tryeza jonë, ku ndodhej Fatos Arapi, Kin Dushi dhe unë. Fatosi e pyeti si iu duk referati. “Mjaft i mirë, u përgjegj Lasgushi, por habitem se si Qamili nuk na tha asnjë citat nga Bjelinski?!” Komenti i tij ironik qe i mprehtë. Sa pa u prishur aleanca politike me Bashkimin Sovjetik, çdo artikull teorik, kritikë a recension mbushej me citate nga Bjelinski, Dobroljubovi, Çernishevski, Plehanovi, të cilat autorët i sillnin si mbështetje për argumentet e tyre dhe njëkohësisht për të treguar sa thellë e zotëronin kulturën ruso-sovjetike. Pas vitit 1961, asnjeri nuk guxonte të përmendete kritikët rusë e sovjetikë nga drojtja se citimi i tyre mund të keqkuptohej si kundërvënie ndaj ideologjisë dhe politikës që ndiqte Partia e Punës.
Plenumi i kritikës, nuk pati asnjë lloj ndikimi mbi jetën kulturore shqiptare dhe as mund të kishte në kushtet e censurës.
* * *
MARRËDHËNIET E TIJ ME REDAKTORËT
Lasgushi e njihte mirë letërsinë klasike botërore e ndërmjet tyre edhe letërsinë ruse. Ai përktheu me sukses romanin në vargje “Evgjeni Onegin” të Pushkinit, duke ruajtur lirizmin e poetit të madh rus. Edhe pse e kritikuan për frymën lasgushiane që u kishte dhënë vargjeve, përkthimi edhe sot çmohet për vlerat e tij.
“Përzënë rrezesh parëvere,
Nga malet fqinj dëbora shkon,
E tatëpjetë me potere
Mbi fusha ujrat i vërshon.”
Kështu hapet romani në vargje dhe fakti që po i kujtoj vargjet edhe pas disa dekadash tregon mbresat e forta që më la përkthimi. Veçanërisht të bukura qenë përkthimet e kapitujve “Letra e Tatjanës” dërguar Oneginit dhe “Gjyshja.” Një ndihmesë të çmuar për redaktimin e veprës së Pushkinit dha poeti Dritëro Agolli.
Lasgushi në kuptimin e mirë të fjalës ishte sqimëtar për vargjet. Ai e zgjidhte fjalën me kujdes dhe i lëmonte për të patur kadencë dhe muzikalitet, ndaj mërzitej e nervozohej kur redaktorët vinin dorë mbi vargjet e përkthyera prej tij. Kjo e shtyri Lasgushin të hartonte një satirë të mprehtë, e cila qarkulloi gojë më gojë në mjediset letrare të Tiranës.
Redaktorët trukokallë,
Redaktojnë vjershëtorët,
Pa më thoni se kush vallë
Redakton redaktorët?
* * *
KOMENTE PËR DRININ PLAK
Gjatë kohës që punoja te revista “Ylli,” Lasgushi vinte herë pas herë, qoftë për të sjellë përkthimet që i ngarkonte redaksia, qoftë ato që sillte vetë nisur nga mendimi se vlenin të botoheshin. Ai çmonte veçanërisht poetët gjermanë, anglezë, francezë, klasikë dhe kontemporanë. Fliste me admirim për Gëten, Hajnen, Bërnsin, Bertolt Brehtin, etj. Horizonti i tij kulturor ishte mjaft i gjerë në fushën e letërsisë dhe të filologjisë. Lasgushi ishte nga studentët e rrallë shqiptarë, në mos i vetmi, që ndoqi edhe një kurs të gjuhës sanskrite, gjatë studimeve në Universitetin e Gracit, Austri. Besohet se kursin e mori i nxitur nga albanologu i njohur Norbert Jokl, me të cilin kishte miqësi. Jokli besonte se njohja e sanskrishtes, si rrënja e gjuhëve indoevropiane, do ta shtynte Lasgushin të mirrej me filologji, mirëpo shpirtin e tij e kishte pushtuar tërësisht poezia. As kur ishte i ri, as kur u moshua, Lasgushi nuk tregoi ndonjë interes për studime në fushën e prejardhjes së gjuhës shqipe. Veç duket se në shpirtin e tij la vragë leximi i vedave të lashta indiane në gjuhën sanskrite, qëkurse la dorëshkrim poemën “Kamadeva,” hyjni e dashurisë në mitet indiane, çka e dëshmonin të afërmit e tij. Poema e pa dritën e botimit pas vdekjes së tij.
Lasgushi e ktheu bukurinë fizike të vendlindjes në objekt artistik, duke i falur poezisë shqipe krijime jashtëzakonisht të bukura. Ndërsa Naimi i këndon bukurisë fizike të Shqipërisë me male, kodra, çuka e pyje, në tërësi dhe në mënyrë përgjithësuese, Lasgushi është konkret me emra e topologji. Mali i Thatë, Liqeni i Ohrit, Drini, Shën Naumi kanë zënë vend në poezitë e tij. Liqeni, (ose Liqeri sikurse e toskërizonte Lasgushi) si një medaljon i kaltërt mes maleve, ujërat me tejpamshmëri të jashtëzakonshme, përflakjet që merr liqeni kur dielli ndriçon retë nga poshtë, qetësia e amëshuar që bie mbi të natën, aq sa mund të dëgjohet kërcitja e një lopate varke, janë detaje poetike te krijimet e tij.
Poezia “Poradeci” mbushur me drita, ngjyra, tinguj, në çastin kur mbi të bie muzgu dhe muzikaliteti i saj është si oshëtimë e natyrës, sa e ëmbël aq edhe e saktë.
“Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir.
Po përhapet dal-nga-dalë një pluhùrë si një hije.
Nëpër Mal e në Lëndina shkrumb i natës që po bije,
Dyke sbritur që nga qjelli përmbi Fshat po bëhet fir…
E kudo krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë… në liqer hesht një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemr’ e vetëmuar mun në fund të shpirtit t’im.
Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroi më katër anë errësira…
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes në Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi.”
Lasgushi një ditë erdhi në redaksi, i zemëruar si rrallë herë. Shkakun na e zbuloi shpejt. Kishte marrë vesh se Prof. Zijaudin Kodra, pedagog në Fakultetin e Letërsisë Shqipe, duke komentuar vargun për Drinin plak që shkon mes-për-mes Shqipërisë, e komentoi se kjo ishte licencë poetike, interpretim i poetit, që nuk merr parasysh gjeografinë faktike, mbasi në fakt Drini “shkon anash, ngjat kufirit të Shqipërisë.”
Lasgushi e dinte se edhe sikur të dërgonte protesta për komentin e pasaktë të Prof. Kodrës, asnjë gazetë s’kishte për t’ia botuar, prandaj gjeti rrugën më praktike: t’ua shprehte pakënaqësinë me gojë shkrimtarëve, studiuesve, atyre që besonte se mund ta kuptonin. Isha bashkë me poetin Vehbi Skënderi, kur ai e ceku atë temë. “E kam mik Profesor Zijaudinin dhe e dua,” na tha, “por nuk jam aspak dakord me komentimin që u ka bërë vargjeve të mia për Drinin. Kur e lexoi këtë poezi albanologu Norbert Jokl, tha: ‘Ja sa bukur poeti u lë trashëgim brezave të ardhshëm Shqipërinë etnike,’ ndërsa një profesor shqiptar e quan licencë poetike, sikur unë të mos dija dramën e copëtimit të viseve shqiptare më 1913. Jo, nuk e vura për hatër të rimës e të ritmit, po sepse ashtu është e vërteta. Andej matanë kufirit është gjysma tjetër e Shqipërisë dhe Drini shkon mespërmes saj, ndërsa lumenjtë e tjerë, thuajse pa përjashtim, shkojnë nga lindja në perëndim.”
Askush tjetër nuk i këndoi aq bukur dhe aq poetikisht natyrës shqiptare sa ai te poezia “Mbarim Vjeshte.”
“Fluturoi dhe shtërg’ i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë,
Dyke ikur që-menatë sipër malesh me dëborë…
Iku rënd’ e i përmallshmë, dhe me sqep të ti të fortë
Zotëriut q’ i la folezën, i trokiti mu në portë.
Pra më s’duket shpes’ i fatit, prapa bujqësh edhe plorësh,
Prapa brazdës së rëxuar hap-me-hap prej qe malorësh;
Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë
Vdiq nepërka pikëlore ndaj blatisht’ e shkretëtirtë.
* * *
KOSOVARËT RRËFENIN NDERIM TË JASHTËZAKONSHËM PËR TË
Nderimi që rrëfenin kosovarët për Lasgushin, na linte mbresë të veçantë. Kushdo që vinte prej andej, pedagog, gazetar, shkrimtar, studiues, kërkonte të takohej me poetin e dëgjuar dhe e quante ngjarje të rëndësishme takimin me të. Shumë prej tyre mbanin shënim çdo fjalë që thoshte poeti, sepse për ta ishte legjendë e gjallë, ndërsa ne duke e patur përditë mes nesh, rrallë kujtoheshim të shënonim mendimet që shfaqte.
Lasgushi ishte poeti më i madh lirik, ura që lidhte letërsinë e Rilindjes me atë të pavarësisë, por kjo meritë nuk iu njoh nga rrethet zyrtare e për pasojë as nga studiuesit. Krijimet e tij poetike u mënjanuan nga antologjitë e shkollave tetëvjeçare dhe nga tekstet e shkollave të mesme. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve e gjykonte në mënyrë të njëanshme Lasgushin, si poet të luleve dhe të yjeve, se Lasgushi nuk u tregua i gatshëm ta përqafonte metodën e realizmit socialist si shkrimtarët e tjerë. Deri në verën e vitit 1947 ai nuk botoi asnjë krijim origjinal në organet e përkohshme letrare. Atë vit, i shtyrë nga shokët e vet, ose nga kritikat shoqërore që dëgjonte, ai dërgoi te revista “Nëndori” dy poezi të shkurtëra, për trenin dhe hekurudhën e parë që po ndërtohej nga Durrësi në Rrogozhinë. Poezitë ngjallën kureshtje te lexuesit, por jehona e tyre nuk qe e favorshme, në radhë të parë se ato motive ishin larg etosit të poetit, ndërsa niveli artistik, larg krijimeve të tij të mëparshme. Me pretekstin për të mos e diskredituar, Lasgushit nuk i botuan më shkrime në asnjë organ, duke e detyruar të hiqte dorë prej krijimeve origjinale. Për më se tridhjetë vjet gjithë forcën e tij poetike Lasgushi ua kushtoi përkthimeve.
Edhe pse poezitë e Lasgushit u hoqën nga antologjitë e shkollave tetëvjeçare dhe të mesme si të demoduara, se motivet e tij nuk përkonin me kërkesat e realizmit socialist, aureolën që gëzonte si poet nuk mundën t’ia hiqnin. “Kroi i fshatit tonë” kompozuar prej Konos, a prej Trakos zuri vend në repertorin e këngëtarëve lirikë të Operas dhe Baletit për dekada me radhë, madje vazhdon të këndohet edhe tani. Mjaft të rinj nga rrethet letrare dhe intelektuale e donin Lasgushin për krijimet e tij liriko-filozofike dhe për vetitë e tij të karakterit, sepse ai ishte njeri me cilësi të rralla. Kuteli dhe arkitekti PETRAQ KOLEVICA, përkthyes i talentuar i poezive gjermane, ishin nga miqtë e tij më të ngushtë.
Nga Lasgushi dëgjova për herë të parë sentencën “shkrimtarët janë artistë të fjalës” dhe ai vërtet ishte mjeshtër i përdorimit të fjalës në poezitë e tij. Ai e pasuroi poezinë shqiptare me fjalë e shprehje, me natyrën dhe konceptimin e tij poetik, sepse e bukura për të ishte e pandashme në çdo krijimtari artistike.
Pohimi i tij për formën e lartë artistike të poezisë, binte ndesh me teorinë e vijës së masave, që çmonte vetëm temat e idetë, e cila po zbatohej në Shqipëri duke imituar revolucionin kulturor kinez.
* * *
NGA BLLOKU I SHËNIMEVE TË MIA
Në mënyrë të thjeshtësuar veprimtaria letrare e Lasgushit përbëhet nga dy blloqe. Të parin e përbëjnë poezitë e tij meditative e filosofike, kurse tjetrin poezitë me frymë popullore, sipas traditës, sikurse “Kroi i fshatit tonë,” “Vijnë vashat radhë-radhë,” etj.
Tani vonë gjeta një shënim mbajtur më 7 qershor 1977 në Pogradec, nga takimi që pata me Lasgushin. U gëzova që kisha hedhur në letër bisedën që pata me të, sepse përndryshe do të më ishte fshirë nga kujtesa.
Lasgushi nuk fliste me superlativa për folklorin, nuk përkulej përpara çdo krijimi që mbante vulën e anonimatit, por gjykonte me realizëm vlerat e tij. Gjatë bisedës, ai më tregoi se si e tëharrte folklorin, se si gjuante modele të rralla me vlerë artistike.
– Takova një lab dhe e luta të më thoshte disa nga këngët e krahinës së tij, – më rrëfeu Lasgushi. – Ai këndonte dhe unë e dëgjoja. Njëra prej tyre më la mbresë të veçantë: “Qaj e qaj moj Këndrevicë,/E larta mbi male gjithë.” Vargjet e tjera që vinin pas tyre ishin të zakonshme, nuk kishin asnjë vlerë, se folklorin e bëjnë analfabetët, njerëz pa shkollë, por poeti e ka për mision t’i njohë dhe të qëmtojë anët e mira, se ato disa herë përmbajnë xhevahire. Forma e rrallë e ndërtimit sintaksikor, ku mbiemri del përpara emrit, “E larta mbi male gjithë,” i jep një bukuri poetike të jashtëzakonshme vargut, prandaj modelin e saj e shtiva në poezinë time “Vasha dhe trimi.”
“Vate prill i trimërisë,
Më zu maj’ i dashurisë.
“M’u shfaq vashëza në gjumë,
E ëmbla mbi shoqe shumë…”
Bëri një pushim të shkurtër meditative, pastaj vazhdoi:
– Tani provo ta thuash mendimin që shprehet në këto dy vargje në ndonjë formë tjetër, – vazhdoi Lasgushi, – si për shembull se vashëza ishte më e ëmbël se shoqet e saj, se ndër shoqet e saj ishte më e ëmbël, se ëmbëlsi si të sajnë s’e kishte asnjë shoqe, mirëpo asgjëkundi nuk e ka finesën dhe bukurinë poetike të sintagmës “e ëmbla mbi shoqe shumë.” Gëtja, Homeri, Shekspiri dhe Danteja kanë marrë nga folklori atë që u është dukur më e mirë dhe pastaj e kanë ngritur në art. Shkrimtari shquhet për kulturën e tij të gjerë. Një shkrimtar injorant nuk vlen, edhe kur e quan veten shkrimtar, edhe kur të tjerët e lavdërojnë për t’i bërë qejfin.”
Pastaj shpalosi një mendim që ishte si thikë me dy presa. Mund ta kundroje si ironi për udhëzimet që lëshonte partia, ose si lavdërim për zotësitë e udhëheqësit. ” Ju tani e keni lehtë, se u mëson Enveri, po mua s’kishte kush të më mësonte në atë kohë. Të gjitha i kam bërë vetë.” Thënie të tilla ekuivoke mund të dëgjoje shpesh në bisedat me Lasgushin, se ato ishin në natyrën e tij.
Habia tjetër ishte se Lasgushi që kishte shkruar dy vëllime poetike, i dinte përmendësh të gjitha poezitë e tij, madje dhe me variantet e tyre. Njëherë u zemërua keq me një poet që deklaroi se ai nuk mund t’i kujtonte vargjet që kishte shkruar. “Çfarë poet është ai që nuk kujton vargjet e tij?” pyeti me zemërim. Kjo ndodhte se Lasgushi jetonte mes poezisë së tij dhe i sillte kurdoherë nëpër mend. Mikrokozmosi i tij ishte poezia.
* * *
VLERA E KONCEPTEVE
Një ditë tjetër, po atë javë qershori, e pashë duke ecur më shpejt se zakonisht në bulevardin e Pogradecit anës liqenit. Më pyeti nëse e kisha parë Prof. Skënder Luarasin, me të cilin mbante miqësi qysh kur ishin studentë në Austri. I thashë se sapo isha ndarë me të dhe mund ta gjente te Turizmi.
– Më erdhi në shtëpi, po unë s’munda ta prisja se isha i pa veshur. Tani më duhet ta takoj patjetër. Këtu tek ne miku s’pyet, të vjen në shtëpi kur i mbushet mendja. Ne s’e kemi traditë të lemë pikëpjekje, a orar vizite. Në Grac unë ndenjta dhjetë vjet në një shtëpi. Atje haja, atje pija, atje flija si pjesëtar i saj. Hyra djalë 23 vjeçar dhe dola burrë 33 vjeçar. Nuk e harroj kurrë një kartpostale që më tregoi e zonja e shtëpisë. Më tha se ia dërgonte i vëllai dhe e pyeste nëse mund të vinte të premten në ora pesë pasdite. I thashë se vëllai mund të vinte edhe pa dërguar lajmërim, mirëpo ajo ma priti: “Mund të vijë dhe të mos më gjejë, mund të kem një plan tjetër atë pasdite.” Dhe vëllai i saj banonte po në Grac, në një qytet prej 250.000 banorësh. Nuk është qytet i madh, por ka një nga Universitetet më të vjetra të Evropës. Para disa kohe festuan 200 vjetorin e tij. Ne kemi norma të tjera morale. E di si thonë miqtë e mi nga Vërdova? “Mikun ndaj e kemi mik, të na mundojë dhe ta mundojmë.”
Njeriu pëson ndryshime nga vendi ku jeton, nga psikologjia e shoqërisë që e rrethon – vazhdoi mendimin Lazgushi.
– Kur ktheheshim nga Austria për pushimet verore në Shqipëri, na mirrte përpara rutina e jetës së përditshme dhe gjithë ditën e kalonim kafeneve, duke lojtur letra ose duke çaprashitur kot. Sapo vinte vjeshta dhe ktheheshim në Austri, ne studentët shqiptarë tjetërsoheshim, ulnim kokën mbi librat, vizitonim muzeumet, vendet historike, ndiqnim koncertet muzikore dhe jetën artistike, etj. Pse? Sepse kjo ishte jeta dhe psikologjia e atjeshme. Edhe në tram, edhe në park njerëzit i shihje me libra ndër duar. Edhe ata shkojnë klubeve sa për të pirë kafe, a çaj, por asnjë nuk e kalon gjithë ditën kot kafeneve.
Lasgushi u jepte rëndësi të veçantë koncepteve, zgjerimit të horizontit të kulturës qytetare.
Në anën lindore të qytetit, në fund të bulevardit, ku ndahet rruga e Drilonit me atë të Korçës, dalloheshin dy ndërtesa të reja njëkatshe me tulla. Lasgushi ndaloi hapin dhe drejtoi bastunin drejt tyre.
– I sheh ato dy ndërtesa në këndin midis rrugëve? Dikur aty ishin dy baraka druri të shëmtuara që nuk shiheshin me sy. Njëra shërbente për shitje vajguri, tjetra nuk e di për se. Kur ishte sekretar i parë Pirro Gusho dha urdhër të prisheshin dhe mirë bëri, po shih se çka ndërtuar. Në vend të ngrinte një ndërtese të bukur, të lartë që mund të hijeshonte qytetin, ndërtoi dy kolibe të vogla prej tullash. Pse? Se aq dinte, se koncepti i tij nuk shkonte përtej ustallarëve të Mokrës. Unë Pirron e kam nip dhe e dua, po nuk mund të mos e kritikoj për këtë shëmti që i la qytetit në një nga pikat më të bukura. Pa patur koncepte për të ardhmen, dijeni për urbanistikën, a mund të rregullohet qyteti?
Fliste me duf dhe dukej i zemëruar sepse në qytet deri në atë kohë nuk vihej re asnjë ndërtim modern.
(Pirro Gushoja pati një fund tragjik prej atij regjimi që i shërbeu me zell. U detyrua të vriste veten kur ishte Sekretar I në Fier, pasi u akuzua nga udhëheqja si pjesëtar i grupit të sabotatorëve të naftës.)
* * *
“GJYNAH O ZOTI LASGUSH QË JE KAUR…”
Në Vërdovë, Lasgushi kishte miqtë e tij. Ata vit për vit e ftonin të kalonte disa ditë mes tyre. Dhe kurdoherë, ashtu sikurse ua kërkonte nderi, ia dërgonin shoqëruesin dhe kalin deri te dera e shtëpisë edhe pse Vërdova ishte afër, as një orë në këmbë. Njëherë, tregonte Lasgushi, më dërguan një kalë, një mushkë dhe një gomar, stolisur me velënxa të kuqe dhe jastëkë të qendisur, si për krushq sepse ishim tre vetë. Vjehrra dhe unë shkuam kaluar, kurse ime shoqe nuk pranoi, se s’kishte hipur kurrë mbi ndonjë kafshë dhe dyshonte se mund t’i mirreshin mendte. Si përfundim erdhi në këmbë.
– Një verë, – mendova të qëndroja pak më gjatë në fshat,- vazhdoi Lasgushi prandaj mora me vete një tog librash. Fshatari i mësuar të ngarkonte barrë me kashtë, me bar, me dushk, me mollë, po jo me libra, e shprehu habinë e vet në një formë origjinale shumë të sinqertë. Lasgushi qeshte sa herë e kujtonte. E di ç’më tha? “Gjynah o zoti Lasgush që je kaur! Të ishe mysliman…” Kur e pyeta pse, m’u përgjegj se as hoxha, as myftiu nuk kishin aq libra. I thashë se edhe Naim Frashëri dhe Sami Frashëri dhe Hoxha Tahsini myslimanë ishin, po libra kishin patur më shumë se unë.
* * *
MOS SHKYEJ NJË DERË TË HAPUR
Marrëdhëniet e tij me Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Dhimitër Shuteriqin, në dukje ishin normale, por të ftohta. Lidhja mund t’ia kishte dhënë Lasgushit statusin e “shkrimtarit në profesion të lirë,” sikur brenda kryesisë të mos vepronte një korent i fortë dogmatik, të cilët e nënçmonin si poet apolitik, që i përkiste së kaluarës. Gjendja nuk ndryshoi as në kohën kur kryetar i Lidhjes u emërua Dritëro Agolli. Ai mbeti përkthyes me një rrogë të vogël dhe pensionist i thjeshtë, ndërsa disa të tjerë, shumë më pak të vyer se ai, gëzuan pensione të veçanta, “për shërbime të shquara në fushën e kulturës.” Në kishte ndonjë njeri që e meritonte atë motivim, ai ishte Lasgush Poradeci.
Dhimitër Shuteriqi vinte shpesh në Pogradec për të pushuar dhe për të punuar. Njëherë Lasgushi e pa në një kafe të vogël, duke biseduar me dy gabelë, por pandehu se rastësisht kishin qëlluar bashkë. Të nesërmen e njëjta skenë në të njëjtën kafene, gabelët duke folur e Dhimitri duke mbajtur shënime. Lasgushi u bë kureshtar dhe e pyeti Shuteriqin cili qe shkaku që po qeraste përditë ciganët. Ai iu përgjegj se gjuha cigane kishte disa fonema të veçanta dhe ai po mblidhte fjalë nga goja e tyre dhe përralla me qëllim të hartonte një gramatikë të asaj gjuhe pak të njohur. “Kot mundohesh,” – i preu Lasgushi. “Gramatikën e gjuhës cigane e kanë hartuar filologët gjermanë qysh në fillim të shekullit. Një kopje e librit ndodhet në Bibliotekën tonë Kombëtare. Po të doni ua jap dhe numërin e skedës. Për gjuhën e ciganëve të Shqipërisë ka shkruar anglezi Stjuart Man, në revistën “Gipsy.” Edhe kopjet e asaj reviste i ke në Bibliotekë.”
Shuteriqi kishte ngelur ngushtë, pa ditur çfarë të bënte me ciganët që kishte angazhuar për qëllime gjuhësore. Me dy fjalë Lasgushi i tregoi se po shqyente një derë të hapur.
– Më erdhi keq se po mundohej kot, – komentonte Lasgushi.
* * *
SFIDA E FUNDIT
Lasgushi u martua me një vajzë myslimane tiranase, me arsim të mesëm. Nafija nuk kishte asnjë lloj pretendimi për t’u dukur dhe as nuk lavdërohej me krijimtarinë e bashkëshortit të saj. Ajo ishte arsimtare e ciklit të ulët të shkollave dhe një amvisë e shkëlqyer që gjithë jetën punoi ia kushtoi kujdesit për familjen dhe burrin e saj. Me të Lasgushi pati dy vajza, të cilat qenë gëzimi i jetës së tij. E shoqja vdiq nga një sëmundje e pashërueshme nga mesi i vitete ’80. Miqtë, farefisi, të njohurit e Lasgushit dhe të rrethit të saj e përcollën për në varrezat. Kortezhi u bë mjaft i gjatë. Të afërmve u vinte keq si për Nafijen që vdiq në moshë relativisht të re, për dy vajzat që la jetime, ashtu edhe për Lasgushin që mbeti pa bashkëshorten në pleqëri, atëherë kur i duhej më shumë. Kur mbaroi ceremonia funebre, Lasgushi shkoi mbi varrin e saj, bëri kryqin tri herë dhe u përkul për të puthur kurorat me lule. Besnik ndaj idealeve dhe parimeve të tij, nuk u merakos aspak se çdo të thoshnin autoritetet dhe si do ta komentonin veprimin e tij, në një kohë që Shqipëria ishte deklaruar vendi i parë ateist në botë.
Autoritetet u detyruan ta justifikonin sfidën publike të Lasgushit, si tronditje pas dhimbjes që kishte pësuar, por ata që e njihnin nga afër kishin mendim tjetër. Lasgushi as nuk dinte, as nuk donte të shtihej. Ai kishte personalitetin e tij dhe atë e ruajti me dinjitet gjatë gjithë jetës së tij.
Këto vitet e fundit miqtë e Lasgushit kanë ngritur zërin për restaurimin e shtëpisë së tij në Pogradec, sepse ka rrezik të shembet po qe se nuk vihet dorë mbi të. Do të jetë në nderin e qytetit të Pogradecit dhe të Lidhjes së Shkrimtarëve që shtëpia e poetit të kthehet në një muzeum të vogël. Qytetit do t’i shtohet një objekt kulture, i cili çdo vit do të tërheqë me mijëra vizitorë, se Lasgushi ka vendin e tij në panteonin e kulturës kombëtare shqiptare.
New York, shtator 2001-gusht 2004
LIQENI LEMAN & LIQENI I OHRIT
Nga Elida Buçpapaj
Liqeni Léman
I mbushur
Me shiun
Prej loti
Të cironkave
Zemërmira
Të Liqenit
të Ohrit
Që përkund
si djep
Trupin e dremitur
Të qytetit
Që bie erëmollë
Vagëllyer
Prej Perëndimit
Që e mori
Me vete
Poeti*
Në ikjen e tij
Të fundme
Në shtëpinë
E ndërtuar
me gjethet
E verdha të plepit
Që e lëkund
Si kaike
Vala e Liqenit
Të Ohrit,
me Oh…
* Lasgush Poradeci
Gjenevë, maj 2007
Liqeni i Ohrit
Liqeni Leman Gjenevë
Komentet