Parathënie
Për librin “Lasgushi në Poradec”
Është e natyrshme që lexuesit të jenë kureshtarë për jetën dhe karakterin e Lasgushit. Me pleqërinë e tij të gjatë, u krijua një lloj mjegulle rreth poetit, e cila rridhte edhe nga gjoja heshtja e tij krijuese, si dhe nga mosbesimi me të cilin e vështronte regjimi komunist. Lasgushi ishte enigmë. Për një lexues të huaj që nuk kishte qenë kurrë në Shqipëri dhe për të cilin tërë vendi ishte enigmë, Lasgushi ishte një mister brenda një misteri. Në vitin 1986, kur më ra në dorë Fjalori Enciklopedik Shqiptar, pashë atje një fotografi të Lasgushit, me siguri nga vitet e paraluftës. Fotografia ishte shoqëruar me ca fjalë të ngathëta dhe me një formulë dredharake që hidhte një hije dyshimi ideologjik mbi veprën e tij. Kishte edhe datën (e supozuar) të lindjes. Ende gjallë.
Kjo mjegull tani deri diku është shpërndarë. Së pari, Petraq Kolevica ka shkruar kujtime të tij për bisedat me Lasgushin gjatë viteve, duke shpalosur mjaft aspekte të filozofisë letrare të poetit, si edhe duke dhënë një përshkrim të gjallë të poetit si njeri. Tani, Meri Lalaj na jep kujtime të Lasgushit në Pogradec. Botimi i këtyre kujtimeve nuk e zgjidh enigmën e Lasgushit. Ndoshta ajo është koklavitur më tej. Megjithatë, mund të thuhet se Lasgushi na duket enigmatik jo sepse ishte kontradiktor, por sepse ishte i thellë. Lasgushi ishte një shembull frymëzues i integritetit njerëzor, i cili i shërbeu poezisë me gjithë shpirtin e tij. Me Lasgushin muza ishte bujare, por edhe e pamëshirshme në kërkesa. Për hir të poezisë, Lasgushi duroi varfërinë në rini dhe në pleqëri, mospërfilljen (në mos më keq) të pushtetit totalitar, madje edhe përbuzjen e njerëzve të rëndomtë, të cilët e merrnin si “të roitur.”
Po të mos botoheshin këto kujtime prej miqve të Lasgushit, ç’përshtypje do të kishim për karakterin e poetit, duke gjykuar thjesht nga poezitë e tij? Mendoj se mund të thoshim çuditërisht pak, për faktin se personalja te Lasgushi është shkrirë në një art që e lë prapa individin. Pa dyshim, Lasgushi ishte njeri i përfshirë nga emocionet e forta dhe shërbëtor i dashurisë; po, por dashuria tek ai zhvishet nga cilado veçori personale e dashnores së tij. “Trimi” dhe “vasha” takohen në një peizazh të stilizuar, në një pastorale simbolike, në të cilën vetëm emocionet kanë forcë frymëmarrëse. Dashuria e poetit lidhet me “femëroren e përjetshme” të Gëtes. Kur poeti këndon atë që e quan “ajo magji prej çupërie,” dashuria e tij bëhet gati për t’u birësuar edhe nga lexuesi i dashuruar. Dashnori që lexon Lasgushin, gjen te poezia shprehjen e emocioneve të tij të fshehura pas fjalëve. Ky zgjerim i vetëdijes njerëzore quhet kulturë.
Si poet tepër i ndjeshëm ndaj dhembjeve dhe fuqisë së dashurisë, Lasgushi kurrë nuk bie në plogështinë dhe limontinë, që nganjëherë mund të jenë ana e mbrapshtë e romantizmit të skajshëm. Siç mësojmë nga këto kujtime, ana e mbrapshtë e Lasgushit në jetë u shpreh në ashpërsinë dhe pandjeshmërinë me të cilat nganjëherë trajtoi ai femra të veçanta. “Gruaja duhet të jetë skllave e duhet të bëjë siç i thotë burri.”
Por edhe te poezitë, mund të vihet re se Lasgushi ishte kokëfortë dhe kryeneç. Gjuha e tij shumë e veçantë, herë dialektore dhe herë thjesht personale, sfidon prirjen e shqipes letrare drejt standardizimit “Rregullat e drejtshkrimit, – thotë Lasgushi, -janë për prozatorët, jo për poetët, dhe ca më pak për mua.” Kështu Lasgushi-poet ngacmon lexuesin me “huqet” e tij, sikurse Lasgushi-njeri vinte në provë durimin e njerëzve që e donin.
Lasgushi i shërbeu poezisë edhe kur heshtte. Dihet se në vitet e fundit të jetës Lasgushi botonte pak ose asgjë. A heshti për shkak të venitjes së aftësive të tij poetike, sepse kaloi në depresion nga disidentizmi kundrejt regjimit komunist, apo për ndonjë arsye tjetër? Lasgushi nuk reshti kurrë së shkruari. As në rini nuk shkruante shumë. Krijonte me përsosmëri përshtypjen sikur po heshtte. Heshtja e Lasgushit është pa dyshim ndër kryeveprat e tij, ajo ka funksionin e vet shpirtëror në veprën e tij: lirikat paraqiten si yje të ndritshme që xixëllojnë në një qiell të zi të heshtjes. Edhe brenda një poezie, Lasgushi është mjeshtër i përdorimit të heshtjes. Shikoni përdorimin e heshtjeve te vjershat e titulluara “Poradeci” dhe “Korrik.” Shumë të rrallë janë ata poetë që mund të shkruajnë si Lasgushi; edhe më të rrallë janë ata që dinë të heshtin si Lasgushi. Dhe ja…
Prej të brengosurave dete
Kam huar dhembje-e zemërim,
Që të buças në krismë jete
Prej buçim-heshturit durim.
Ishte e natyrshme që një shpirt i lirë dhe individual si Lasgushi të mos pajtohej kurrë me ideologjinë kolektiviste që iu imponua Shqipërisë, dhe gjithashtu e qartë se ai kishte fuqinë shpirtërore që ta përballonte pa bujë. Meri Lalaj na përshkruan një ngjarje të vogël, por kuptimplote:
“E pyeta Lasgushin nëse do të vinte në orën pesë pasdite në Shtëpinë e Kulturës në një takim në kuadrin e hapjes së muajit të letërsisë, e ai më tha:
– Për ty unë vij të them një vjershë.”
Me këtë përgjigje të thjeshtë, Lasgushi hedh poshtë tërë atë botë të letërsisë zyrtare, me mbledhje, përvjetorë, “takime me poetë” dhe shkrimtarë të tufëzuar nëpër degë të Lidhjes; për të poezia është komunikim njerëzor.
Meri Lalaj e bën të qartë se si Lasgushi vuante nga varfëria. që ishte gjithashtu pasojë e distancimit të tij nga kultura zyrtare: “Mos kujto se ndiej kënaqësi që të rri me këto pantallona të arnuara mizerje.” Në këto kujtime, Lasgushi shpeshherë rënkon si luan në kafaz, i tërbuar nga vogëlsirat e jetës së përditshme në një Shqipëri të varfëruar deri në palcë. Prandaj spikatin në këto kujtime probleme të kuzhinës dhe të ngrohjes. Pa dyshim që i dhembte Lasgushit, të cilit i pëlqente një kulturë materiale dinjitoze, shëmtimi i jetës së përditshme në Shqipëri. Jo se ishte i dhënë pas luksit, por gotën e rakisë ose filxhanin e kafes e donte për të qenë, letrën e donte të bardhë. Ai zbatonte shijen e tij të hollë estetike në jetën e përditshme, duke ruajtur në mënyrë prekëse relike materiale të viteve të paraluftës. Ishte viti i fundit i jetës së Lasgushit, kur bregu i liqenit, ku e kishte zakon të shëtiste, u mbulua me beton.
Mund ta përfytyrojmë poetin duke qëndruar në bregun e liqenit, duke hedhur sytë herë nga ujërat me madhështinë e tyre natyrore, herë nga qyteti i Pogradecit me gjallërinë e vet njerëzore. Libri që kemi tani në dorë, vë në dukje lidhjet e ngushta që mbante Lasgushi me qytetin e tij të lindjes. Si çdo lloj marrëdhënieje familjare, lidhjet e Lasgushit me Pogradecin nuk ishin pa probleme. Megjithatë, ai e donte këtë qytet pa masë. Në këto kujtime e shohim poetin e zbritur nga Parnasi, duke shëtitur në rrugët e qytetit të tij ose të ngujuar në odiçkën e katit të tretë të shtëpisë së tij. E shohim të durueshëm, të stuhishëm, të butë ose idhnak, a të qëndrueshëm dhe tekanjoz, si vetë gjoli i tij i dashur.
John Hodgson
LASGUSHI NË PORADEC
Mendoj se Lasgushin e kam parë që kur isha fëmijë, kur fillova t’i njoh njerëzit dhe botën përreth meje.
Lasgushi ka lindur në kapërcyell të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në prag të shekullit të njëzetë: ose në vitin 1896, ose më 1899, pikërisht më 27 dhjetor, dhe, po të marrim datën e fundit, vetëm nja njëqind orë para se të fillonte shekulli i ri.
Pogradeci në atë kohë ishte një qytet shumë i vogël dhe i qetë. Ai përbëhej nga familje të krishtera e myslimane, të cilat shkonin mirë në mes tyre, e respektonin dhe e nderonin njëra-tjetrën, por nuk lidheshin me krushqi. Atëherë Pogradeci bënte më shumë krushqi me Ohrin sesa me Korçën.
Në ato vite edhe stinët ishin të përcaktuara mirë e nuk ishin tekanjoze si në kohën tonë. Sipas tregimeve të të moshuarve, më 1 mars vinte pranvera me lulepoleskat e kukurakët. Ditën e Shën Vangjelizmoit më 25 mars, dielli e ngrohte tokën aq fort, saqë gjarpërinjtë dilnin e shullëheshin nëpër gurët e nxehur nën rrezet e tij. Kurse shenja e fillimit të stinës së ftohtë ishte kur çelnin krizantemat, që në Pogradec ne i quajmë lule Shën Bitri, sepse lulëzonin aty nga gjysma e tetorit dhe Shën Mitri është më 26 tetor. Në ato vite të largëta, pa hyrë vjeshta, që në gusht, graria përgatitnin zahiretë e dimrit: bënin trahana e peta; mbushnin kadet me piperka e domate turshi; vinin lakër të bardhë në shëllirë për ta bërë arme; shtronin copat e djathit e mbushnin qypat me gjalpë; mishin e therur e bënin pastërma e kolloface; kurse rrushin, pasi e mblidhnin nga vreshtat, e shtinin nëpër bute dhe e bënin verë të kuqe a verë të bardhë.
E kështu rrinin e prisnin që të vinte dimri e të mblidheshin rreth e qark vatrës, ku digjeshin drutë e dushkut në zjarrin bubulak, dhe mbrëmjeve, pasi kishin ngrënë darkë tregonin përralla të bukura duke pritur që të valonte gjymi me gështenja.
Shkolla e parë shqipe në Pogradec u hap më 14 mars 1887, pikërisht një javë pas asaj të Korçës. Babai i Lasgushit. Sotir Gusho ose Sotirka i Gjatë, siç e thërrisnin në Pogradec, ishte njëri prej atyre që ndihmuan në çeljen e shkollës shqipe, bashkë me të vëllanë, Ndinka Gushon, duke vënë në dispozicion shtëpinë e tyre. Nëse Lasgushi ka lindur më 1896 a më 1899, kjo nuk ka shumë rëndësi, ai shpesh thoshte: “E përse u duhet datëlindja ime e saktë, sikur jam ndonjë çupë e mbetem pa martuar?!”
Miqësia me Lasgushin ka qenë ndoshta privilegji më i madh artistik i jetës sime. Unë kam lindur në një shtëpi të Pogradecit as njëqind metra larg shtëpisë ku banon Lasgushi gjatë muajve të ngrohtë. U rrita në shtëpinë e gjyshes (nga ana e nënës) dhe Lumi i Madh e ndante shtëpinë tonë nga shtëpia e Lasgushit; edhe tani që shkruaj, banoj në një apartament dhe Lasgushin e kam vetëm nja dyqind metra larg.
Kur isha e vogël, nuk e dija se ai burri me kostum të bardhë, me bastun në dorë dhe me një qen që e ndiqte nga pas, ishte poeti Lasgush Poradeci. Ai vinte te daja im, Kostaq Gusho, në shtëpinë përballë sonës, dhe shpesh bisedat bëheshin aty në oborr ulur në karrige. Vinte edhe Mitrush Kuteli, që ishte bërë byrazer me dajën tim. Thonë se me Lasgushin biem kushërinj nga ana e nënës sime, që është prej fisit të Gushollarëve, por më duket se kjo nuk është e vërtetë, sepse në Pogradec ka shumë familje me këtë mbiemër. (Gjithashtu, sipas Thimi Mitkos te “Bleta Shqiptare”, ky mbiemër: Gusho, është një nga më të vjetrit në Shqipëri.) Por ka një histori për këtë fis: Gushollarët janë prej Prenishti, fshat i Gorës; ata banonin atje në mesin e shekullit të kaluar, në vitet 1850-1860; gjysma e fshatit ishin ortodoksë, Gushollarët, kurse gjysma tjetër, myslimanë, por shkonin mirë midis tyre. Mirëpo, një ditë prej ditësh, hoxhës së fshatit i vajti syri te njëra nga nuset e Gushollarëve, e cila ishte e re dhe e bukur. Hoxha i bënte shenja dhe e ndiqte këmba–këmbës, nusja e re, e druajtur, nuk guxonte t’i tregonte burrit të vet për këtë shqetësim. Më në fund ajo, shumë e bezdisur dhe nga halli se mos e merrte vesh fshati, i tregoi kunatës së madhe. Kjo e fundit e pleqëroi punën me burrat dhe vendosën që nusja e re t’i jepte një shenjë pranimi ndjenjave të hoxhës. E kështu ndodhi, hoxhën e kapën, e therën dhe e hodhën në pus. Në fshat u hap fjala se hoxhën e ngritën xhindet, meqenëse nuk po gjendej asgjëkund. Mirëpo pas disa kohësh, një ditë të bukur behari, ndërsa çunat e të dy fiseve ishin duke luajtur, papritmas plasi sherri. Fjala solli fjalën dhe njëri nga fëmijët e Gushollarëve, që rastësisht kishte parë masakrën e burrave, e kërcënoi fëmijën e myslimanëve: “Hë, se do të ta pres kokën me naxhake e do të të hedh në pus si hoxhën!”. Kështu e fshehta doli në shesh. Burrat myslimanë vendosën të merrnin hakun e hoxhës dhe e bënë planin që t’i digjnin Gushollarët natën në gjumë. Përsëri gratë: Njëra nuse e palës së hoxhës erdhi dhe i tregoi shoqes së vet Gusho planet e burrave. Gushollarët ngarkuan laçkë e plaçkë, e lanë bereqetin pa futur në hambar dhe ikën nëpër natë. Në ngut e sipër harruan në djep një djalë me emrin Sotir, të cilin e rritën myslimanët, duke ia ndërruar emrin në Sadik. Gushollarët, pasi zbritën nga malet e Gorës, u dorëzuan tevabinj te beu i Rrëmenjit ‘domethënë tani e tutje do të ishin bujkrobër të tij dhe nën mbrojtjen e tij). Mendohet se disa nga fisi i Gushove nuk zbritën në Rrëmenj, por ikën në Kolonjë dhe ndoshta nga kjo pakicë mund të jetë Lasgushi; megjithëse daja im thoshte se Lasgushi e kishte të vënë mbiemrin Gusho, jo të trashëguar. Por unë mendoj se të gjithë Gushollarët janë të ngjashëm fizikisht, sepse midis tyre ka ezmerë shtatlartë, si edhe bardhoshë nga fytyra, me flokë të çelët e shtatmesatarë, me mollëza të ngritura.
Në vogëli më mahnitnin mbrëmjet e ngrohta të verës me qiell të kulluar dhe me hënën e plotë atje lart; nëpër natë përhapej aroma dehëse e frutave të pjekura ndër kopshte. Gjallesat këndonin e murmuritnin sipas qejfit të tyre e përmbi të gjitha zotëronte shushurima e Lumit të Madh; i rrethuar nga të dy anët me shkurre ferrash, ai rrëshqiste shtruar-shtruar në dritë argjendi larë prej hënës, e kështu shkonte të derdhej drejt gjolit të bukur.
Dhe unë nuk e dija se në anën tjetër të lumit, tek ajo shtëpia e ndërtuar me plitharë pranë dy plepave gjatoshë, rrinte pa gjumë një poet për t’i renditur fjalët varg e varg si rruazat, që të tingëllonin porsi këngë të pakënduara ndonjëherë.
Për disa pogradecarë, Lasgushi ishte një njeri jo i zakonshëm, ata e quanin të roitur e të lajthitur, sepse merrej vetëm me libra, shëtiste natën vonë bregut të liqenit së bashku me qenin pas vetes dhe nuk ishte i dhënë si njerëzit e tjerë pas ndonjë copë toke a vreshti ose dyqani, a të merrej me shitjen e mollëve ose të rrushit, të mbushte butet me verë e të ziente raki, a të ushqente ndonjë derrkuc, që të hante dimrit pastërma.
Tregojnë se, kur iku Lasgushi për studime, u hap fjala sikur “atë e shpunë në Shën Naum, që t’i vinin mendtë”. (Atje i shpinin qëmoti të marrët për t’u bërë derman.) Madje njëherë Lasgushi i ka dëgjuar me veshët e tij xhandarët që patrullonin natën nëpër sokakë, duke ecur me çizmet që u kërcitnin zhdrang e zhdrung, ndërsa i gjithë qyteti flinte dhe vetëm një kandil ndriçonte odën e tij:
-Po, ky mo, pse ka dritë natë për natë ? …
-Lëre atë, se është i luajtur nga mendtë e kokës…
Lasgushi më ka treguar se, kur shkoi jashtë shtetit për studime, librat i kishte mbyllur në odiçkën e tij dhe e pati porositur të ëmën që të mos lejonte asnjeri të hynte brenda dhe t’ia prekte, mirëpo xhaxheshat kureshtare vendosën që të merrnin vesh patjetër se çfarë kishte atje brenda, dhe, kur i zbuluan librat, filluan që t’i përdornin kapakët dhe fletët e tyre kur piqnin lakrorët, i grisnin librat dhe i vinin të mbulonin petët e byrekut, që të mos digjeshin nga saçi me thëngjij të ndezur.
Kur isha e vogël, lexoja libra, shumë libra njëri pas tjetrit, dhe mamaja ime më thoshte: “Do të bëhesh si Llazari!” Në shkollën e mesme vetëm sa e përmendnim pak Lasgushin në ndonjë orë të mësimit të letërsisë. Ndërsa unë në atë kohë kisha përshtypjen sikur poetët nuk ishin fare qenie njerëzore. Në vitin e parë në fakultet, na jepte teori të letërsisë shqipe profesori dhe shkrimtari Jakov Xoxa, ai i ilustronte leksionet e tij me shumë shembuj nga poezitë e Lasgush Poradecit, si për shembull: “Vijnë vashat valle-valle…” e plot vargje të tjera mahnitëse.
Fat i madh për mua ka qenë se për katër vjet radhazi, ndërsa isha studente, pata profesor të anglishtes Skënder Luarasin, mikun e Lasgushit. Ai na jepte katër ose gjashtë orë mësim në ditë, na fliste me shumë pasion anglisht dhe shqip në të njëjtën kohë, fillonte një temë e vazhdonte duke u hedhur te një tjetër dhe kishte një shpirt të jashtëzakonshëm poetik, na mrekullonte me mençurinë e bukurinë e fjalës .shqipe. Ai ishte një nga njerëzit më energjikë dhe impulsivë që kam njohur në jetën time. Në vitin e tretë të studimeve të mia, profesor Skënder Luarasi më dha si detyrë që të shkruaja një referat të plotë për jetën dhe veprën e poetit skocez Robert Bërns. Në atë kohë sapo ishte botuar te ne libri i Bërnsit “Vjersha dhe balada” shqipëruar prej Lasgushit. Kështu, unë për herë të parë vajta te shtëpia e Lasgushit në Pogradec dhe bisedova me të një pasdite vonë në pushimet verore të vitit 1963. Mbaj mend se kisha veshur një fustan basme në ngjyrë të kuqe me lule të vogla të bardha, që lidhej vetëm me dy fjongo te supet, kurse në këmbë kisha mbathur këpucë me taka të larta. Dielli sapo kishte perënduar dhe qielli ishte i kuqërremtë. Ishte ngrohtë, por mua më fërgëllonte trupi e më dridheshin gjunjët, sikur po shkoja në një provim të vështirë a në një takim të parë dashurie. Nuk pata shkelur në atë rrugicë që në vogëli. Dikur, andej, përmes shtegut midis shtëpive kalonte vija e ujit të mullirit të Mitri Shkurtit. Pra, me druajtje e me zemrën që më trokëllinte, trokita në deriçkë, e cila ishte më e ulët se trupi im (tani dera është e hapur në drejtim tjetër dhe është më e madhe). Pranë deriçkës ndodhej një penxherkë e vogël nja 30 centimetra me 40. Kjo ishte veç një kapak dërrase, që mbyllej nga brenda me një gozhdë të përkulur. Pasi trokita e prita pak, Lasgushi u përgjigj dhe doli te dritarja lart përmbi deriçkë, shkundi diçka, pastaj zbriti dhe më doli te deriçka me një gërshërë të madhe në dorë, i veshur me fanellë dhe me benevrekë. Unë e mposhta turbullimin dhe e përshëndeta. Nuk hymë brenda në shtëpi. Kur i thashë se e bija e kujt isha, më tha: “Gjaku i ëmbël, jemi kushërinj”. I kërkova librin e Bërnsit në anglisht, duke i shpjeguar se aty do të kishte ndonjë parathënie, që do të më hynte në punë për referatin tim. Ai më tha se librin e kishte lënë në shtëpi në Tiranë, në bibliotekën personale, por çelësin e kësaj biblioteke e kishte marrë me vete Petraq Kolevica dhe Petraq Kolevica ishte martuar e pati shkuar me pushime në Vlorë.
Unë isha aq naive në atë kohë, saqë nuk e nuhata fare kuptimin e këtij lloj të foluri degë me degë. Më duket se e lamë që të takoheshim në Tiranë për ta zgjidhur këtë punë. Dhe në Tiranë u takuam të dy fare rastësisht. Me sa mbaj mend, ishte ditë e diel. Unë po kthehesha për në konvikt, ndërsa ai po shkonte te një miku i vet me emrin Sotir. Më la takim për ditën e mërkurë, ora dymbëdhjetë e drekës, në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, që asokohe ndodhej ngjitur me Teatrin Popullor. Lasgushi e shënoi takimin prapa paketës së cigareve, që, me sa më kujtohet, ishte një “Luks” në ngjyrë blu.
Kujtova se do të harronte të vinte të më takonte, ose do ta shpërfillte këtë takim; unë qeshë e përpiktë, vajta në kohë, ai u vonua fare pak, një minutë ose dy. U ulëm të dy përballë në tryezë, por na erdhi Fatos Arapi e, në vend që të flisnim për Bërnsin, siç mendoja unë, biseduam për martesën e Skënder Luarasit me ukrainasen Maja Poljakova, për dashurinë e tyre të madhe e të jashtëzakonshme që na pati lënë pa mend të gjithëve. Lasgushi më tregoi se në kohën e Zogut, kur e kishin pushuar nga puna, ai pati vajtur në Ministrinë e Arsimit, që të ankohej; atje në paradhomë ndodhej një sekretare daktilografiste,) “mua, sapo e pashë, trëng mu këput diçka këtu në gjoks, por ajo nuk ishte kësmeti im, e kishte fat ai “i marri”, Skënderi, që një herë martohet me një engjëll (Ollga, e motra e Migjenit) dhe ja tani, prapë martohet me një shqerrkë”.
E ngatërroi si e ngatërroi bisedën dhe nuk më tha asgjë për Bërnsin (kurse unë vetëm pak ditë më vonë e gjeta Bërnsin fare lehtë në Enciklopedinë e Madhe Britanike në Bibliotekën e Vjetër). Lasgushi e ka shqipëruar Bërnsin nga anglishtja, duke parë njëkohësisht edhe variantet në gjuhët e tjera. Shumë vjet më vonë, e lexova Bërnsin në origjinal dhe nuk më bëri shumë përshtypje, për shembull “Meri Morison” është një poezi e zakonshme kushtuar një vajze të dashur, dhe me siguri edhe Bërnsi vetë do të mrekullohej, po të lexonte shqipërimin e kësaj poezie nga Lasgushi; ose poezitë: “Ja shishja dhe një mik”, “Findlej”, “Makfersoni para ekzekutimit” e të tjera.
Pasi mbarova fakultetint u emërova mësuese e anglishtes në një gjimnaz të Korçës, ku punova tre vjet. Me Lasgushin takoheshim në Pogradec dhe këmbenim urime sipas rastit. Mbaj mend, njëherë për Vitin e Ri, Lasgushi më dërgoi një kartolinë në të cilën kishte shkruar poezinë e tij të mrekullueshme “E mora shoqezën përkrah”, me atë shkrimin e tij të bukur si rruazë.
Njëherë, kur pata ardhur nga Korça në Pogradec. Lasgushi më pyeti fare natyrshëm: “Po ti, Meri, nuk ke ndonjë djalë të dashur” “Oh, më ka vdekur…” – iu përgjigja.
Në fillim të qershorit të vitit 1968, ndodhesha në Tiranë. Ishte një mesditë me diell dhe e takova Lasgushin afër ndërtesës së “Zërit të Popullit” dhe bar-kafe “Tiranës”, ai kishte në dorë një pusullë me dy a tri vargje të Xhon Kicit, m’i dha t’i lexoja e më pyeti se si përktheheshin. Unë i përktheva si munda, por ai më tha se nuk lidhej me pjesën tjetër e nuk dilte mendimi i duhur poetik. Pastaj unë i thashë vrulltas: “Lasgush, kam rënë në dashuri!” Ai më vështroi drejt në sy e më tha se “po të duash dikë, nuk duhet që t’ia tregosh askujt, sepse të gjithë njerëzit janë si gjarpërinjtë dhe vetëm duan që të ta helmojnë shpirtin, – (e, duke thënë kështu, i pleksi fort me njëri-tjetrin gishtërinjtë e duarve të tij), njerëzia të prishin me një njeri që ti e do, vetëm e vetëm se nuk duan të të shohin mirë”, – këmbënguli ai në mendimin e vet.
E pyeta nëse e dinte që e kishin arrestuar dhe e kishin dënuar me shtatë vjet burg Qani Çollakun. E Lasgushi më tha: “Nuk mund ta duroj që të vij në Pogradec e të mos takoj Qaniun, nuk është e mundur, dua ta gjej të liruar këto ditë kur të vij”. E kishim ulur zërin e flisnim me druajtje e me fjali gjysma-gjysma nga frika se mos na përgjonte njeri.
Kur Lasgushi botoi në gazetën “Drita” baladën “Muharrem Çollaku”, fitoi çmim dhe unë e urova me letër e telegram. Më tregonte vite më vonë se “unë i kam bërë poezi vetëm Reshit e Muharrem Çollakut, sepse Çollakët i kam miq dhe poeti e ka për detyrë që të shkruajë për miqtë e tij të dashur”.
Në fillim të viteve ’70, jetoja së bashku me burrin në internim, në minierën e Manzës afër Durrësit. Mora vesh se Lasgushi kishte përfunduar poemën e tij të dashurisë “Kamadeva”. I shkrova një letër dhe i kërkoja që të ma dërgonte, por ai m’u përgjigj me kartolinë e më shkruante: “Kur të ngehem, do të vij e do të ta sjell”. E si do të mundte Lasgushi të vinte e të më takonte në Manzë?!
Me sa di unë, këtë poemë e ka përfunduar aty rreth vitit 1972. E nuk më hiqen nga mendja vargjet :
Ti s’vjen, o mall, ti s’vjen
Për të dytë herë.
E zemra ime zjen
Si në skëterrë!
Apo:
…Je vesë, a menjë je,
Brymë a dëborë,
Hirploteja mi dhe
Vetull-kurorë;
Ose:
S’e mirrnja dot mi dhe
Me ment e mija
Që shpatë, presë e teh
të kishte dashurija!
Në këtë poemë, ashtu sikurse në të gjitha krijimet e tjera të tij, Lasgushi ruan në mënyrë të rreptë ortografinë e vet. Poema “Kamadeva” i kushtohet dashurisë së parë ose dashurisë së tij më të fuqishme të viteve 1931-1932. Por, përveç strofave shumë të bukura, ka edhe strofa të përsëritura e të zgjatura. Kjo poemë nuk mund të botohej ndërsa sundonte realizmi socialist, kështu që për vite të tëra qarkulloi nën dorë. Edhe unë kam shtypur shumë kopje dhe i kam dhuruar.
Ishte një ditë fillim vjeshte në Pogradec, po ecnim të dy rrugës me Lasgushin, ndodheshim te sheshi përballë Shtëpisë së Kulturës, kur ai ndaloi dhe takoi një burrë, pakëz më vonë më tha se ai ishte Pano Taçi (nuk e kisha dëgjuar kurrë këtë emër). Ai sapo kishte dalë nga burgu dhe ishte poet. Në fillim sikur nuk e besova Lasgushin, por më tej m’u kujtua poezia e tij që ishte te dorëshkrimi i “Kamadevës”. Unë e kam kopjuar me dorë nga dorëshkrimi i Lasgushit. Dhe ja poezia e Pano Taçit:
Kamadev, Kupid, Eros
Ç’është ky zjarr që s’na u sos?!
U shkëput nga dega mëmë, gjeth’ i fundit vjeshtarak,
Pres të ngrihet anës gjolit zogu i mallit endacak,
Po ku je, nosit i dashur, s’t’i ndjej flatrat nëpër erë,
Dimri xhokebardhë nisi të trokas’ me shkop në derë.
S’ka ç’m’i bën ngrica e ftohtë zemrës sime, o Lasgush,
Shpirti ngrohet kur më çmallet, sepse malli është prush!
Eja, o thëngjill i ndezur, të ma shkrish mardhjen në gjak!
U shkëput nga dega mëmë gjeth’ i fundit vjeshtarak.
Sa shkronja, aq përqafime Pano Taçi, Tiranë 17.11.1972
Në vitin 1991, kur filloi greva e të burgosurve politikë, dëgjova të intervistohej në radio Pano Taçi dhe e besova me të vërtetë se ishte poet dhe se pati bërë burg politik. Shkova dhe e takova atje në grevë.
Në nëntor 1972, me rastin e 60-vjetorit të Pavarësisë, Lasgushi botoi në revistën “Nëntori” poemën “Mbi ta”, të cilën ia kushton poetit dhe patriotit Risto Siliqi. Lasgushi më ka treguar se, kur vdiq Risto Siliqi, mori makinë “angazhe” dhe vajti në Shkodër për të marrë shënimet e tij (arkivin), sepse fëmijët e Ristos ishin të vegjël dhe nuk e kuptonin rëndësinë dhe vlerën e tyre. Shumë vjet më vonë Lasgushi ia dorëzoi këto materiale të birit, Llazar Siliqit. Në poemën “Mbi ta”, fjala “Kosova” është zëvendësuar me “Malësia”, sepse në vitet ’70 nuk guxohej që të përmendej emri i Kosovës. Ishte koha e reaksionit socialist, shterpëzimi ishte kudo e ndihej kudo. Shkrimtarëve dhe poetëve u varej përmbi krye censura ideologjike për çdo mendim, për çdo varg, për çdo fjali e fjalë dhe pikërisht poetë të vërtetë si Lasgushi i nënshtroheshin edhe një censure tjetër për të mos dalë nga caku, për të mos paraprirë në mendim, për të mos ua kaluar atyre që i kishte ngritur në piedestal Partia. Kështu për Lasgushin vetëm heshtej, sikur ai të mos ishte midis të gjallëve, por ai nuk ishte as midis të vdekurve. Heshtja ndaj tij ishte aq e rëndë, shtypëse e torturuese, kurse Lasgushi me mënyrën e vet nuk e përfillte as bujën, as heshtjen. Vetëm Ismail Kadareja botoi gati pas pesë vjetësh (pasi ishte botuar poema) shkrimin ‘Përtëritja e poetit” në gazetën “Drita”, ku shtjellon gjerësisht mendimin poetik lasgushian.
Kur rrinim së toku me Lasgushin, unë nuk i thosha dot as “zoti Llazar”, as “shoku Llazar”, as “xha Llazar”, por gjithmonë e thërrisja fare shkurt: Lasgush; njëlloj siç do të thërrisja një shokun tim të klasës, për shembull: Bujar.
LASGUSHI NË SHËNIMET E MIA
I përditshmi Lasgush
Më vjen shumë keq se shënimet për Lasgushin i kam filluar shumë vonë, në vitin 1979, por edhe në këto shënime mungojnë sharjet që i bënim Partisë e Qeverisë, këto të fundit nuk i shkruaja nga frika se mos blloku im i binte dikujt në dorë e përfundonim në hetuesi si unë, ashtu edhe Lasgushi. Gjatë kohës që mbaja shënime, e qetësoja veten: “Do të shkruaj fare thjesht për Lasgushin si njeri: si bisedon, si ha, si fle, si vishet e për gjërat më të rëndomta të jetës së tij”, – e këto shënime kanë qenë të shpërndara nëpër shumë blloqe ku unë shkruaja edhe për detyrat e mia si mësuese e të tjera.
9.9.1979
Takova Lasgushin, mban dy rripa prej lëkure në mes mbi pantallona dhe një thikë me këllëf në brez. Erdhi më vonë në shtëpi tek unë dhe më solli fjalorin. (Nuk më kujtohet: më kishte kërkuar një fjalor anglisht-italisht apo italisht-anglisht.)
24.9.1979
Nëpër oborrin tonë (shtëpia e mamasë) kaloi Lasgushi bashkë me qenin. Kishte hequr xhaketën dhe e mbante hedhur përmbi sup si çapkënët çakërqejf. Këmishën e bardhë e kishte me njolla të gjelbra, siç duket do të kishte ndenjur shtrirë mbi bar; nën këmishë mbante të veshur fanellë leshi. Me xhaketën mbulonte barkun; vura re se këmishën nga brenda e kishte mbushur plot me mollë dhe dukej tamam si shkollar i larguar nga ora e mësimit për të vjedhur fruta të papjekura. Sapo kishte zbritur nga Kalaja (kodra e qytetit tonë). Dikur Kalaja ishte e gjitha e gjelbëruar me copa vreshti e drurë molle që ishin prona të pogradecarëve, por tani është bërë fermë shtetërore dhe tregohet pak kujdes për to.
1.10.1979
Vajta te piktori Skënder Lako. Më tregoi plot skica që i ka bërë Lasgushit vizatuar me laps, por në pozicion nga prapa (pa portret) me xhaketën hedhur supit, me kapelën e rrumbullaktë në kokë, duket pak si Hemingueji, shulak, me shkopin në dorë dhe qenin nga pas. (Kam në shtëpi një skicë që e ka bërë S. Lako për disa minuta më 3.12.1981, pa e pasur Lasgushin para syve.) Kurse piktori Todi Mato më ka treguar disa piktura me bojë vaji: mjedise të brendshme të shtëpisë së Lasgushit: kapelat, rripat, koshat e mëdhenj të mollëve, llastikat për të vrarë zogj, orenditë e tjera shtëpiake. Por Todi nuk i ka bërë dot një portret Lasgushit, megjithëse ka ndenjur me të për më se tridhjetë vjet.
Nuk e mbaj mend në ishte vera e vitit 1976 apo e 1977, kur një ditë në kohën e drekës e takova Lasgushin në rrugë dhe e përcolla gjer te dera e shtëpisë së tij. Ai më ftoi që të hyja brenda dhe më ngjiti lart në odiçkë (në kullën e tij). Kulla është një dhomë e vockël në të cilën ndodhet vetëm një shtrat për një person, një karrige dhe nja dy sende të tjera. Aty ka një oxhak të ngushtë, afër tij ndodhet një sobë e gjatë me pllaka, e çmontuar, dhe në mure, në të tri drejtimet, janë tri dritare të vogla si frëngji, nga të cilat shihen pika të ndryshme të horizontit. Ndërsa ishim aty, Lasgushi hapi një baule dhe më tregoi një portret: profili shumë i bukur i një femre, vizatuar me laps në letër kalk. Në atë baule ndodheshin shumë blloqe shënimesh, letra të lidhura tufa-tufa dhe një letër e zverdhur, ndoshta prej dhjetëra vjetësh; në të ishin mbështjellë ca lule mali të thara. Biseduam për poezinë dhe për kujtimet që lë jeta nga pas.
Sipas datëlindjes 1899, më 27 dhjetor 1979, Lasgushi mbushi 80 vjeç. Në këtë kohë te ne nuk u përmend fare, kurse Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës botoi përmbledhjen e bukur poetike “Vdekja e Nositit”; megjithëse në të mungojnë edhe poezi të botuara, ai është një botim i mrekullueshëm. Kapakët e librit janë në ngjyrë të gjelbër të errët dhe shkronjat mbi ballinë janë të arta. Redaktori Sabri Hamiti, që ka bërë redaktimin e librit dhe parathënien, ia dërgoi Lasgushit librin me kushtim në faqen e parë:
“Lasgushit, duke e lexuar, duke e kujtuar. Sabri Hamiti”
Lasgushi ka korrigjuar me dorën e vet në këtë libër të gjitha gabimet ortografike dhe të shtypit.
Më vonë, në pranverën e vitit 1980, Lasgushit i ra në dorë gazeta “Fjala” e dhjetorit 1979 (numri i fundit i vitit ose i parafundit); e dërgonte kryeredaktori, e aty më se dhjetë faqe i kushtoheshin Lasgushit. Në këtë gazetë ishin të botuara edhe poezitë “Testamenti” dhe “E mora shoqezën përkrah”, të cilat nuk janë te përmbledhja “Vdekja e Nositit”.
Në vitin 1979, kosovarët e ftuan Lasgushin, me rastin e përvjetorit të lindjes dhe paraqitjes së librit të tij, por Lasgushi kishte operuar syrin e kishte frikë të udhëtonte nëpër dimër e të ftohtë. Më tha: “Mos jam Çabeu unë, që vajti në Kalabri në mes të dimrit, u ftoh dhe i hoqën tri brinjë!” E megjithëse ai fliste kështu, këtë gjë e bënte për t’i mbushur mendjen vetes se nuk qe i zoti të udhëtonte për në Kosovë. Ai donte me gjithë shpirt që të shkonte në Kosovë. Ai ëndërronte të shkonte në Kosovë. madje edhe sikur të vdiste atje. Por askush nuk e organizoi vajtjen e tij. Duhej që dikush ta shoqëronte, një njeri i dashur që të kujdesej për të dhe jo një punonjës sigurimi, që do ta spiunonte e do t’i regjistronte fjalët e tij të mençura. Pas kësaj, me dhjetëra herë më thoshte: “Gjëja e parë që do të bëj kur të shkoj në Kosovë, do t’u jap “Kamadevën” time dhe ata do të ma botojnë, sepse atje mua më duan!”. E vijonte: “Dëgjo këtu, ti, Meri Lalaj, ti do të vesh një ditë në Kosovë, do të vesh në Prishtinë…”
Nga Kosova ishin nisur tri gazeta “Fjala” për në drejtim të Lasgushit, me numrin kushtuar atij: njëra në adresën e Lidhjes së Shkrimtarëve, e dyta në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” dhe e treta, që arriti në “Lagjen e Burimave” në Pogradec. Dhe pikërisht në këtë kohë, shumë njerëz nuk e dinin nëse Lasgushi jetonte. Kurse ne të tjerët përsëritnim vargjet e sajuara nga miqtë e shokët e Lasgushit, ndoshta dhe nga Mitrushi ose edhe nga vetë Lasgushi.
Britmat e poetit
Mori moti përsëmbari
Thonë bota vjen Llazari.
Vjen tashi e vjen pastaj,
Iku prilli e doli maj.
Kukurraku hapi fletë
Gëmërit o të përpjetë;
Gjinovdoll zilet buçasin,
Në Kabash kecat vërrasin.
Edhe çoçërri nëpër ferra,
Të kujton Llazar përhera:
“Hajt, poet, se erdh pranvera
Me bastunin si ngahera
Na sill Misto shkencëtarë,
Mjaft u mor me seminarë!
Edhe Niko simpatiku,
Që na la edhe na iku
Që këtej, o, seç na krisi,
Kollovar Tiranë degdisi!
Hiqi derës katinarë,
Në s’ke kyç, ka Gjorgji sharrë!
Të pret Klime marangozi
Edhe Gjorgji i ngashëryer.
Ishallah! Ka thënë turku
Ardhja ka për të na bashkuar.
Të pret Misto shkencëtari,
Me qitap e me defterë,
Që na ruan shëndenë ngaherë,
Të pret Todi bagabondi,
Vagabondi simpatik,
Që ka mbetur, mor i shkreti,
Pa një shok e pa një mik.
Nga ardhja jote veç
Sotir i qenve s’ndjen gëzim,
Përgatitet, mor i shkreti,
Nër beteja, për luftim.
U ka shkelur prapë sinorë
Gushollarëve plot lavdi,
E ne, të bashkuar tërë tok,
Gushollarë e shokëri,
Gushollarë e shokë e miq,
Do ta lemë Sotirë e gjorë
Si një shportëzë pa fiq!
* * *
Në vitin 1980 nuk pati pranverë. Prilli dhe maji vazhduan me shira, erë e dëborë. Disa herë u vendos që të festohej e organizuar në Lidhjen e Shkrimtarëve ditëlindja e Lasgushit. Por vazhdimisht shtyhej e shtyhej. Na lajmëruan se do të festohej më 21 maj, ditën e mërkurë. U nisëm me tren: Konstandina, unë, Dr. Mistoja dhe Tomi, inspektor i kulturës së rrethit. Shiu vazhdonte të binte i zgjatur litar-litar. Ne të gjithë ishim të veshur me pallto të trasha e shalle, ishte shumë ftohtë. Mirëpo, kur arritëm në Tiranë në Lidhjen e Shkrimtarëve, nuk dinin asgjë për këtë ceremoni. U kthyem sërish në Pogradec. Pas disa ditësh u hap fjala se ditëlindja e Lasgushit e 27 dhjetorit do të festohej më 28 maj të këtij viti. Por përsëri nuk ishim të sigurt.
Më datën 27 maj, Vaso Samsuri më tha se kishte marrë një telegram, ku njoftohej se ditëlindja e Lasgushit do të festohej të nesërmen, më 28 maj. Në telegram shkruhej: “I thuaj edhe Meri Lalajt”. Në kohën që ai më lajmëroi, ishte vonë. Treni ishte nisur, ndonjë makinë nuk gjeja dot. Dr. Mistoja dhe Vasoja ikën me autoambulancën e spitalit, unë mbeta. Kështu që të nesërmen shkova në postë nëpër tufanin që frynte e binte, dhe i dërgova Lasgushit këtë telegram: “Nosit i dashur, uroj edhe shumë ditëlindje të lumtura. Të presim bashkë me beharin. Përqafime, Meri”
Ky përvjetor (mendoj i vetmi që i është kremtuar Lasgushit) u festua pas pesë muajsh. Lasgushit unë i kam uruar ditëlindjen dy herë në vit: një herë në dhjetor, kur vërtet e kishte ditëlindjen, dhe një herë për Shën Llazar, sepse, meqë i kishim hequr përdhunshëm festat fetare, nuk mund t’i uroja ditën e emrit. Por ai më kuptonte.
Dhe, në orën që zhvillohej ceremonia e festimit të ditëlindjes së Lasgushit në Tiranë, unë shtypja në makinën e shkrimit në Shtëpinë e Kulturës (nuk kisha makinë shkrimi personale). Më erdhi Tomi Mato e më tha: “E. o, mirë bëmë që nuk shkuam në Tiranë, se edhe Kryetari \ Komitetit) Spiro Bice, nuk e kishte me qejf këtë ditëlindje”. Ky kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Pogradecit nuk i pati lejuar poetët kosovarë, kur vinin dhe donin që të takoheshin me Lasgushin. Më kanë treguar se një studiues kosovar, të cilin nuk e lejuan që të takohej me Lasgushin, e kishte parë që nga larg në rrugë dhe kishte bërtitur me të madhe: “Kam pa Lasgushin!”
Para ngjarjeve të pranverës 1981, te ne u lejuan që të vinin për të dhënë shfaqje grupe kulturore artistike nga Kosova. Natyrisht që salla mbushej plot me komunistë, sigurimsa, shitës e kasapë. Unë jo e jo që nuk isha e denjë për një biletë, por as Lasgushi. Për fat, ai u ndodh në një shfaqje, sepse e mori një miku i vet, dhe, porsa paraqitësja e programit doli para publikut, tha: “Kemi nderin që të përshëndetim Pogradecin, qytetin e bukur të poetit të madh Lasgush…”. Njerëzit në sallën e shfaqjes me siguri kanë parë njëri-tjetrin të hutuar: “More, po ç’bëhet kështu? Nga mbiu ky poet i madh që këta e dinë dhe ne nuk e dimë?!…” Kokat e poetëve ishin prerë si kokat e shenjtorëve e prapë ringjalleshin si shenjtorët.
Ceremonia e 80-vjetorit të Lasgushit kishte kaluar shumë bukur. Kishin përshëndetur e recituar: Aleks Buda me poezinë “Këngë pleqërishte” në gjermanisht, Skënder Luarasi, Misto Marko, Vehbi Bala e të tjerë. Lasgushi dukej shumë simpatik me flokët krejt të bardhë, kostum të zi e këmishë të bardhë. Ai u foli të pranishmëve pa syze, sepse i kishte shkruar fjalët me shkronja të mëdha në disa skeda të bardha. Të gjitha materialet e kësaj ceremonie janë të regjistruara. Një shirit magnetofoni ndodhet në muzeun e Pogradecit, por nuk është regjistrim i pastër. Natasha Lako i dhuroi një tufë lule, Dritëroi ishte në Turqi. Në mbrëmje i shkuan Lasgushit në shtëpi për darkë Ismaili me Elenën, Shevqet Musaraj, Ana dhe disa nga Pogradeci. Të gjitha fotografitë i ka bërë Fatos Maliqi.
Në fillim të qershorit 1980 Lasgushi erdhi në Pogradec. Bleva një tortë, këputa disa gonxhe të bardha trëndafilash dhe vajta te Lasgushi. Ishte një ditë me shi dhe qiell të murrëtyer nga retë. Cuci lehte. Ai ishte i veshur me pantallona me arna, që nuk i mbërtheheshin plotësisht, të shtrënguara me një rrip të gjerë lëkure. Shtrati i çrregulluar. (Lasgushi zgjohet vonë, në orën 11, dhe Nina ishte në punë.) Cuci u shtri përmbi shtrat, duke u rehatuar. Kafenë e bëra unë. Trëndafilat e bardhë si në ngjyrë rozë të çelur i futa në një kupë me ujë dhe i vendosa mbi oxhak. Nëpër gozhdët e ngulura në mur, Lasgushi mban të varur rripa meshini dhe kravata. U emocionua shumë që i shkova për vizitë. E putha në të dyja faqet. Biseduam gati për dy orë dhe sa mirë e mbante veten. Rrinte i ulur me trupin drejt, nuk donte të mbështetej as te jastëkët. Kur ika, më përcolli deri poshtë shkallëve, te dera.
18.6.1980
Ndërsa po ktheheshim me Manjolën natën vonë për në shtëpi, rrugës takuam Lasgushin. Ai ecte rrëzë shtëpive, mbështjellë qafën me një shall të trashë, në kokë një kapelë bojëkafe, i veshur me triko leshi, bastunin në dorë dhe një cigare me filtër të ndezur në gojë. Tamam i rreshkur, por jo i plakur, sytë i ndritnin. Ngjasonte si shkëmb i rrahur nga erërat.
28.8.1980
Kur dola nga mbledhja e shkollës në kohën e drekës, takova Lasgushin, e putha në faqe. Në orën 6 pasdite takova Klara Kodrën, ajo më lexoi poezinë “Vdekja e Nositit” në italisht, e kishte përkthyer vetë. “Con fuoco io parlo, con fuoco…”, por në shqip ajo tingëllon mrekullisht. Vajtëm t’ia jepnim Lasgushit, pasi Klara do të largohej të nesërmen për në Tiranë. Brenda në shtëpinë e tij, poshtë shkallëve ishte duke pritur Dr. Mistoja, ndërsa Lasgushi po vishej. Ne të dyja u ngjitëm lart. Lasgushi dukej shumë bukur me flokët e bardhë të furçuar, i veshur me kostum të zi, kravatë e këmishë të bardhë. Ata të dy shkuan te hoteli “Guri i Kuq” për të takuar poeten greke Rita Bumi Papas dhe burrin e saj Nikos Papas. Në çastin kur i kishte takuar, Lasgushi u ishte drejtuar atyre me vargjet e Solomonit në greqishten e vjetër.
* * *
Ishte fund gushti, ende nuk kishte rënë muzgu. Koha e ndërmjetme, kur nuk është as ditë, as natë, pikërisht atëherë kur femrat duken shumë interesante, të bukura, flurore, të këndshme, sytë iu ndrijnë e vetëtijnë; edhe ato vetë e ndiejnë sesa tërheqëse janë, prandaj nuk shkelin mbi tokë, por vetëm e cikin atë paksa me takat e këpucëve të tyre, gati-gati ecin si qeniet që fluturojnë… Po ecnim bulevardit të qytetit të dy me Lasgushin. Ai ishte duke më shpjeguar dy fjalë: “lingotë”, që është një top i rrumbullakët prej floriri, ja kaq i madh sa grushti, e më tregoi grushtin e tij të mbyllur fort. E vijoi: “Kurse “Ravvi” do të thotë profet e vjen nga indishtja e shkruhet me dy -v- (Ravvi)”. Ndërkaq hapi portofolin e vet dhe nxori që aty një fletë të daktilografuar, ku ishte shtypur poezia “Urim”, të cilën ia ka kushtuar Petraq Kolevica për poemën “Kamadeva”. Ma fali mua duke më thënë: “Kam kopje tjetër unë.”
Urim
Po të blatoj, Ravvi,
Gjithë ç’ndjej që fellë;
Me “Kamadevën”, Ti
Ke sjellë Djellë.
Si Djellë ndrit, Ravvi,
Kjo fjala Shqipe
Nga kaqë lartësi
Ku Ti e hipe.
Dhe Shqipes sot, Ravvi,
lu rrit thesari:
Çdo varg që vure Ti-
Lingotë ari!
Rrëfyer ke, Ravvi,
Me varg të vyer,
Një art që s’njeh njeri
Më të përkryer.
E bëre Ti, Ravvi,
Krejt poezinë
Muzikë, simfoni
Mbi simfoninë!
Një simfoni, Ravvi,
Prej shpirtit bërë,
Q’e thith në shpirt të tij
Një komb i tërë.
30 prill 1972
Lasgushi i dhuroi Ismail Kadaresë një kopje të daktilografuar të “Kamadevës” duke i shkruar: “Nimfës kokëpërpjetë të Shqipërisë”, kurse Bashkim Shehut, djalit të Mehmet Shehut, i dedikoi këto vargje:
“Ngjitu lart nëpër gëzime,
Zbrit në fund nëpër mjerime,
Ji veç NJË nëpër ndryshime
Varg solemn i këngës sime.”
4.9.1980
Dola nëpër diell, takova Lasgushin. Flisja e gëzuar me të. E lamë për t’u takuar në mbrëmje në orën 8 pa një çerek në shtëpinë e tij. Vajta për ta marrë. Ai më priste i veshur gati. Shkuam në Turizmin e Vjetër. Aty ai takoi Dhimitër Shuteriqin me gruan. Ne të dy u ulëm brenda në lokal në një tryezë në qoshe. Unë porosita arançatë, ai kafe (sepse sipas tij gratë pak a shumë të reja në moshë nuk duhet që të pinë kafe). Biseduam. Ai më shpjegoi hollësisht se njeriu për njeriun është qenie biologjike. Më i madhi, më i forti, më i fuqishmi e ha më të voglin, më të dobëtin. Kjo fillon që nga bimët njëqelizore e vazhdon deri te njeriu, sidomos te njeriu mbështetur në ciklin biologjik të jetës.
26.9.1980
Më takoi Lasgushi. Unë kisha blerë një bukë të madhe të zezë e po e mbaja në duar. Ai më tha: ” Më e trashë buka se sa ti!”
20.10.1980
Vajta në shtëpinë e Lasgushit. Brenda në dhomë pikonte tavani, sepse përjashta binte shumë shi dhe çatisë do t’i ishin thyer tjegullat; aty ishin të dyja vajzat: Nina dhe Maria. Kishin në mes të dhomës një legen plastmasi ngjyrërozë për të mbledhur shiun që kullonte. Maria rri në Tiranë me të ëmën, Nafijen, kurse Nina rri vazhdimisht në Pogradec me Lasgushin. Ai, me luftë të madhe, duke trokitur nëpër zyrat e komitetit, ka mundur që ta rregullojë Ninën si mësuese të gjuhës shqipe në Starovë (Buçimas). Ndërsa unë po rrija me vajzat, Lasgushi ishte lart në odiçkën e tij. Kur ai zbriti poshtë, unë i dhashë një tufë me karafila të kuq.
4.11.1980
Flitet se do të bëhet një dokumentar televiziv për Lasgushin. Para disa vjetësh ka filmuar Endri Keko për kinostudion “Shqipëria e re” dhe nuk është dokumentar i keq.
Po dokumentari i ri si mund të bëhet? Ku mund të bazohet, se duhet të ketë një mbështetje ideologjike. Lasgushi nuk ka marrë pjesë në Luftën Nacional-çlirimtare, nuk ka shkruar për socializmin, është jashtë kohe…
8.11.1980
Ika nga shkolla me nxitim, sepse më priste Lasgushi në orën 1 e 30 të drekës dhe unë u vonova disa minuta. Zbriti shkallët, sapo e thirra unë, por kishte harruar lart këpucët; kur i thashë: “Po ngjitem të t’i marr dhe të t’i sjell këpucët”, – ai më hodhi një vështrim, pastaj i ngjiti shkallët me shkathtësi e, kur u kthye, duke i mbathur, më tha: “Dashkërke të thuash më vonë se ia kam lidhur këpucët Lasgushit!” “Jo, – i thashë, – mund të vdes unë para teje!”
Dolëm në rrugë. Ai bleu një gotë verë te klubi “Mokra” dhe e hodhi në një shishe kauçuku ngjyrëblu nga ato të lëngjeve larëse; brenda në shishe kishte mbetur një tapë. Ishte gazmor. Edhe mbrëmë ishte shumë simpatik me atë kapelën kasketë me pak strehë, të çngjyrosur e me një vrimë të djegur. Takuam rrugës Niko fotografin, por ai nuk donte të bënte fotografi dhe moti ishte i vrenjtur. Pimë kafe në Turizmin e Vjetër, Lasgushi më tha se në portofol kishte vetëm 10 lekë të vjetër e nuk mund të hante e të pinte gjëra të shtrenjta. Kur e mori vesh se pasdite unë duhej që të shkoja në mbledhje, vijoi ta zgjaste fillin e bisedës me egoizëm dhe këmbëngulje; ora ishte 3 pa pesë minuta, ai më përcolli deri tek ura.
Pasi ra dëbora e parë, Lasgushi u nis për në Tiranë.
VITI 1981
20.1.1981
Sot në shkollën tonë erdhën mësuesit kosovarë të shkollës “Miladin Popoviç” të Prishtinës. Hera e parë që takohemi me mësues kosovarë; femrat ishin jashtëzakonisht të bukura, me këmbë të gjata, veshur me peliçe, me çizme me taka të larta dhe fytyrat i kishin të lyera për mrekulli. Në muzeun e shkollës, te fotografia e Muharrem Çollakut, unë u thashë se në vitin 1941, Muharremi ka qenë drejtor i shkollës në Gilan dhe mandej u recitova vargjet e Lasgushit kushtuar këtij dëshmori:
“Muharrem rovol me naze
Kur mbi tetë armiqtë i zbraze,
Tetë plumba me çapraze
Gjoks më gjoks ua ngule taze.”
Nga dritarja e shkollës u tregova atyre lapidarin e bardhë të ngritur në majë të Kalasë për lavdinë e këtij dëshmori, por nuk mund t’u thosha vargjet e Lasgushit për Kosovën, as nuk mund t’u tregoja se shtëpia e Lasgushit ishte aty shumë pranë shkollës, mjafton të hidhje një vështrim nga ana tjetër e dritareve, sepse ata nuk ishin vetëm mësues, midis tyre kishte edhe udëbistë, ashtu siç kishte edhe sigurimsa nga ana jonë. Kur u larguan, ata na thanë se nuk kishim për t’u takuar më kurrë me njëri-tjetrin. Dhe ashtu ndodhi me të vërtetë.
31.3.1981
Isha në Tiranë. Vajta në shtëpinë e Lasgushit dhe ndenja më se dy orë me të. Ai ishte i veshur me pizhame me vija. Përmbi to, një rrip i gjerë lëkure dhe një shall me katrorë hedhur pas qafës. Po bisedonim për pranverën, e Lasgushi po më tregonte se si bëhet glyra (shtrembërim i fjalës gloria-trumbetë fitoreje): pritet lëkura e njomë nga druri i gështenjës, përdridhet dhe në majë i vendoset pizga e prerë nga një bisk i hollë. Ndërsa duduku bëhet nga filizat e drurëve të gështenjave që janë dy gisht të trashë (ai ngriti lart dy gishtërinjtë e tij, treguesin e ka pakëz të përkulur), pra filizit i hiqet druri që ka brenda duke e gërryer, i lihet vetëm pak në krye, aty hapet vrima dhe futet pizga. Natyrisht duhet të ketë zë të trashë, sepse edhe emrin ashtu e ka: duduk. E më tej vazhdoi: “Dua të vij në Poradec, tashi në prill, që të dëgjoj bilbilin kur të këndojë. Në dimër isha i sëmurë nga gripi dhe kujtova se do të vdes pa e parë edhe njëherë me sy Poradecin tim të dashur…”
Më kanë treguar se vite më parë, ndërsa gdhihej një mëngjes pranvere, Lasgushin e kishin zgjuar nga gjumi duke u rënë glyrave disa pogradecarë që banojnë në Tiranë: Pandi Cici, Niko Nikolla e të tjerë, për t’i sjellë atij përfytyrimin e pyllit me gështenja të Pogradecit.
5.5.1981
Bie shumë shi. Më thanë se dje e kanë parë Lasgushin në veturë me Llazar Siliqin. Pra, ka ardhur nga Tirana.
6.5.1981
Bleva një shishe verë, preva disa copa nga keku që kisha gatuar, i mbështolla dhe vajta te Lasgushi. E putha në të dyja faqet. Ai ishte i veshur me tërë ato triko leshi dhe i vareshin mëngët e shqepura të xhaketës. Mbi një karrige kishte ca fanella leshi, të cilat donte t’i qepte, t’i arnonte. “Unë tërë jetën me të grisura e të arnuara!” – më tha.
U ngrit të më qeraste. Hapi dollapin në mur, gjeti vetëm një kupë; e mori, e shpëlau me ujë te çezma në korridor dhe e mbushi me konjak nga shishja që ia kishte zënë grykën me një shuk letre. Unë po e pija dalëngadalë. Ai më pyeti: “Pse nuk e pi përnjëherësh si Niko Nikolla?” – Unë qesha.
Lasgushi ka shumë termometra që i matin temperaturën e mjedisit: Te dritarja, pranë shtratit ku shtrihet e fle, ndodhen dy, njëri i rrumbullakët, i kuq dhe tjetri gjatosh, bojë qielli. Këta janë kinezë. Në murin e dhomës ka një tjetër. Një e ka te penxherka e korridorit. Më thotë se në Tiranë paskërka një termometër prej floriri që ia kanë sjellë peshqesh nga Parisi.
7.5.1981
Në mëngjes koha ishte qelq dhe prapë u vrenjt. Vajta te Lasgushi. Ai sapo ishte rruar, dukej ndryshe, më i ri, më i gjallëruar. Unë isha shumë e mërzitur, sepse nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” më kishin kthyer mbrapsht një vëllim me tregime. I tregova Lasgushit për sa më kishte ndodhur, dhe ai për të më ngushëlluar më tha: “Po unë pse e kam shkruar atë poezinë? Duhet që ta përsëritësh gjithnjë me veten tënde”. Dhe ja, cila është poezia:
Redaktorët trukokallë,
Redaktojnë vjershëtorët,
Pa më thoni cilët vallë
Redaktojnë redaktorët?
Redaktorët zemërpisë
Fyenjës të poezisë,
Shpirtkatran që më qërtojnë,
Janë qen që s’më kafshojnë.
KOSOVA DHE LASGUSHI
Me Lasgushin gjithnjë kemi biseduar për Kosovën. Ai ka një dashuri të jashtëzakonshme, të pakufishme për të. Dua ta filloj me 8 prillin 1981, kur dëgjova në lajmet e para të mëngjesit artikullin e “Zërit të popullit”: “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë” e midis të tjerash këto fraza: “urdhëruan sulmin me tanke, vranë, gjakosën, torturuan e burgosën studentët shqiptarë, nipërit dhe mbesat e Isa Boletinit, Naimit…”. Atë ditë unë nuk bëja dot mësim.
Ndodhem në katin e tretë të shkollës. Klasa është e zhytur në një dritë dielli pranveror. Nga dritarja duket sikur i gjithë qyteti i sapozgjuar nga gjumi lan e shpëlan sytë në ujërat e kaltra e të shndritshme si argjend të liqenit të bukur. Dritaret e shtëpive janë të hapura dhe përshëndetin gjithë gaz diellin e madh të praruar. Midis ndërtesave syri të sheh degëza të bardha lule kumbullash të sapolulëzuara. Ndonjë oxhak aty-këtu nxjerr tym. Plepat degëgjerë porsa kanë filluar të mugullojnë. Midis shtëpive sërë-sërë në të dyja anët e Lumit të Madh dallohen degëzat e njoma e të përkulura të shelgjeve lotonjës, të cilat janë mbushur plot e përplot me gjethe të vockëla të blerta, ndërsa lumi gurgullon, rrjedh e shkon të derdhet në liqen. Pse na erdhe e përgjakur, moj pranverë?!
Ja edhe ata dy plepat gjatoshë pranë shtëpisë së Lasgushit lart e mbajnë kryet… Mësuam një fjalë të re “irredentist” e në mendje na trokasin vargjet e mrekullueshme:
Duke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…
Kurrë më parë gazetat dhe radioja jonë nuk kishin dhënë ndonjë informacion se çfarë ndodh në Kosovë. Kështu, ne i marrim me mend shumë gjëra që ngjasin atje.
26.5.1981
Në Kosovë vazhdojnë demonstratat, janë pushuar nga puna punonjës të artit, të kulturës, televizionit e të tjerë. Është mbyllur Universiteti dhe shkollat e larta në Prishtinë. Në Tiranë ndodhi incidenti me lëndë plasëse në kuzhinën e ambasadës jugosllave. Te “Zëri i Popullit” u botua artikulli i pedagogëve për Kosovën.
Vajta te Lasgushi rreth orës një të drekës, trokita, dera ishte e mbyllur dhe unë, si e paduruar që jam, ika menjëherë. Nuk kisha arritur në shtëpinë time, kur më erdhi një djalë i vogël me vrap e më tha se më kërkonte Lasgushi. U ktheva përsëri atje dhe ai më tha: “Nuk duhet të ikësh me kaq nxitim, trokit, prit, pastaj ikë. Unë ty ta hap derën gjithnjë… sepse unë nuk ia hap derën kujtdoje… Më dëgjon?”. Dhe pastaj vijoi: “Kur vete te poeti, është njësoj sikur vete te Perëndia, duhet edhe të vishesh bukur!” (Unë isha veshur shumë bukur dhe syrit të tij asgjë nuk i shpëton.) U ngjitëm lart, në dhomën e katit të dytë, dhe më tregoi për çiften elektronike dhe për librat e kirurgjisë të doktor Polenës së famshëm. Pasi lexuam artikullin e “Zërit”, ai më tha: ” Kosova është vullkan!” Dhe më tej më recitoi vargjet:
Kush është lulja në Ballkan
Që bota i ka sevdanë?
Kosova që nuk pyet sulltan (Dushan)
Plot difë e kapedanë.
Të sedrës e me shpirt krenar
S’durojnë cen e dhunë,
Tregojnë gjoks në sulm e zjarr
Si shkaba në furtunë.
Kosova që bën sulm në zjarr
Posi dragoi me fletë,
Siç bënte sulm ngadhënjimtar
Gjergj Kastrioti vetë.
E ndërsa recitonte, ishte një mrekulli në zë, në gjeste dhe kaq fuqishëm e me shpirt deklamonte, saqë mua më dukej sikur shtëpia e tij e vjetër tundej e lëkundej e për pak do të rrokullisej prej fuqisë së zërit të tij kumbues. Kërkëllinin trarët, tjegullat kërcitnin, kurse lulet e bardha të mollëve fërgëllonin petalet e tyre të harlisura pas qelqeve të ngushta të dritareve.
Ndërsa ishim duke biseduar, dëgjuam që lehu Cuci. Ndoshta dikush po hidhte gurë në kopsht. Lasgushi ndërpreu fjalën, zbriti me nxitim dhe u kthye përsëri duke iu ngjitur shkallëve me vrap. As që e bëri veten se po i mbahej fryma, por e vazhdoi bisedën pikërisht te fjala ku e pati lënë. (Sa keq që unë kurrë nuk pata një magnetofon që ta regjistroja!)
Vajtëm të dy tek Turizmi i Vjetër dhe u ulëm përjashta tek tryezat ku shërbehet tani në verë. Ishte shumë bukur midis gjelbërimit. Ai piu kafe ekspres. Unë arançatë.
29.5.1981
Vajta te Lasgushi dhe i shpura gazetën “Zëri i Popullit” me artikullin e Ismail Kadaresë: “Kultura shqiptare në shenjestër të shovinizmit serbomadh”. Lasgushi më tha: “Serbi ka qenë dhe do të jetë armiku i përhershëm i shqiptarit”. Paksa më vonë më përmendi vargjet e Mitrush Kutelit nga “Poem Kosovar”:
“Se jam këtu e do të jem
Dem baba dem,
Gjersa mali të bëhet hi
Dhe hiri mal përsëri !!!”
Lasgushi më tha se i dhembte gryka dhe se doktor Mistoja donte t’i bënte injeksione vitaminash B12, që t’i jepnin fuqi. Mirëpo Lasgushi nuk kishte pranuar duke i thënë: “Më jep ca hapje (kokrra) t’i pi, mos më bëj gjilpëra, sepse pastaj njerëzia do te thonë se Lasgushi po mbahet më këmbë dhe po e shtyn me gjilpëra”.
E kam shkruar, por po e përsërit se Lasgushi ka shumë rrypa (kështu e shqipton ai këtë fjalë). Pra, rrypat ai i përdor për pantallonat ose për t’i vënë në mes. Riypat i var nëpër gozhdë të ngulura në një dërrasë të hollë në mur nja një metër sipër dyshemesë nën dollapët e futur në mur, që ngjasojnë si musëndra të vogla. Unë numërova nëntë rrypa, por ai më tha se ka edhe të tjerë. “Jam rrypoman”, – më tha.
30.5.1981
Afër shtëpisë sime takova Lasgushin. Erdhi tek unë. Piu një gotë raki, pastaj, duke i parë librat e mi, më tha: “Nuk duhet të kesh shumë libra, por ato që ke, duhet t’i kesh lexuar” sepse unë i thashë: “Kam pak libra”. Ishte bashkë me qenin, Cucin. Cucit i dhashë karamele. E përcolla Lasgushin deri nga ana tjetër e pallatit, tek trotuari.
Pasdite vonë vajta te Lasgushi. Piva vermut dhe kafe. I shpura lapsin kopjativ që më kishte porositur, por ai nuk e donte që pjesa e drunjtë e lapsit të ishte e lyer me ngjyrë jargavani, por bojë qeramidhke. Vërtet i duhet nje laps i tillë kopjativ apo kërkon që të më vërë mua në provë se sa mund të bëj për të?
Në mbrëmje Lasgushi ishte me Klime marangozin në Turizmin e Vjetër përjashta në verandë, ulur në një qoshe të kafenesë, të dy të shkurtuar në trup nga vitet, të dy të plakur. Klime marangozi është i vetmi shok fëmijërie (Lasgushi është më i madh se ai), vetëm ai i ka mbetur. Çfarë bisedojnë vallë të dy?! Çfarë çuçuritin ashtu seriozë e hijerëndë? Ndoshta me mendimet e tyre bredhin larg, shumë larg, këmbëzbathur nëpër vitet që nuk kthehen kurrë më…
Lasgushi nuk e duron dot falsitetin dhe hipokrizinë te njerëzit, mjafton që të thotë për dikë se është fals dhe i ka bërë sharjen më të rëndë. Lëre sikur të thotë se dikush është hipokrit…
9.6.1981
Afër kohës së drekës, të dy me Skëndin, vajtëm te Lasgushi dhe e gjetëm të zhveshur, në mbathje. Na tha: “Jam i gëzuar që të jem në intimitet me ju, të jem në breçka!” U ngjit lart në kullë, u vesh me këmishën së prapthi dhe zbriti. Lasgushi na tregoi për rektoren e Universitetit të Prishtinës, së cilës i thanë të jepte dorëheqjen, sepse kishte marrë pjesë në turbullirat e studentëve duke mjekuar të plagosurit. Milicët e kapën për krahësh, që ta arrestonin, dhe ajo si burrëreshë u tha: “Vetëm kufomë mund të më merrni, se të gjallë kurrë!” Studentët e shpëtuan duke u ndeshur me milicët.
10.6.1981
Takova Lasgushin. Më tregoi, se kur ishte i vogël sa Manjola (ime bijë, 12 vjeç), kishte llastika për të vrarë zogj. (Edhe tani ka një palë llastika të varura te gozhda e dritares në korridor afër shkallëve dhe te pezuli i ngushtë mban guriçka për të gjuajtur zogjtë.) Pra, kur ishte Lasgushi i vogël, një mëngjes vajti anës gjolit dhe zgjodhi nëntëdhjetë e tre guriçka, i mbushi plot e përplot të dy xhepat, se aq i merrnin xhepat, po t’i nxinin xhepat më shumë, do të merrte më shumë. Pastaj vajti nga gështenjat për të gjuajtur dhe vrau nëntëdhjetë e tre verdhashë e mëllenja dhe një këndes të egër. “Bëra batërdi, – tha. -Guriçkat i kisha të vogla dhe rrumbullake”. Këtë bisedë e bëmë që te farmacia e deri tek ura e betontë e lumit.
Kur del rrugës, Lasgushi fut në xhepin e pantallonave një sahat tryeze ose oxhaku, jo shumë të madh e të rrumbullaktë, që të dijë sa është ora. Më tregoi se e kishte takuar Guri Miçinoti, i cili ia kishte parë sahatin dhe i kishte thënë se do ta bënte problem në Lidhjen e Shkrimtarëve që t’i blinin Lasgushit një orë dore të mirë dhjetëmijëlekëshe. Lasgushi fliste shumë i gëzuar porsi fëmijë për këtë punën e blerjes së orës, por ndoshta edhe tallej, sepse ironia e tij është tejet e hollë.
Nuk ma mban shpirti pa e shkruar se Lasgushin e tallin fëmijët kur del rrugës (jo të gjithë, natyrisht, por rrugaçët) duke e pyetur kot fare: “Shoko, sa është ora?” Ai nuk duron dot as fjalën “shok” dhe as ta pyesësh ashtu kot për orën. Njëherë po ngjiteshim të dy me Lasgushin për në spital për të vizituar dikë, kur disa fëmijë e pyetën: “Shoko, sa është ora ?”. Ai u bë si i tërbuar, u vërsul që t’i godiste me bastun, unë e mbajta, e kapa nga supet si fëmijë e i thashë shumë fjalë që të qetësohej. Atij i dridhej i gjithë trupi nga nervozizmi dhe ishte bërë i bardhë si letër në fytyrë.
11.6.1981
Vajta te Lasgushi, i shpura një palë llastika (për të vrarë zogj) që ia mora një nxënësit tim, sepse Lasgushi m’i kërkoi dje… Ai më tha të rrija, por ika se isha bashkë me Manjolën dhe duhej që të hanim drekë. I thashë atij se do të shkoja përsëri në orën shtatë për ta marrë, se do të shkonim të dy për të vizituar ekspozitën e dy talenteve të reja: Luan Topçiu dhe Nesti Tona. Kur i vajta në orën shtatë, ai ende nuk ishte veshur. Sillej huqli, tekanjoz. Unë desha të iki e zemëruar, sepse ai vetë e la vizitën për në orën shtatë, por më tha: “Lexoje gazetën, sa të bëhem gati!” Dhe, sapo unë mbarova së lexuari artikullin: “Jugosllavia, e sëmura e Ballkanit”, ai zbriti që lart, i veshur gati për të dalë.
Në sallën e ekspozitës na prisnin dy autorët e rinj, të cilët hapnin ekspozitë për herë të parë. Hymë, i takuam duke u dhënë dorën dhe i uruam për suksese të tjera. Aty nuk ndodhej asnjeri tjetër, pasi ceremonia e hapjes ishte zhvilluar gati dy orë më parë. Lasgushi, sapo u hodhi sytë dy punimeve të para, filloi që të shtjellonte mendimin e tij për punën e mundimshme të artistit dhe sa rëndësi ka talenti. Ndër të tjera përmendi Leonardo Da Vinçin dhe tha se ai ishte kopil, heshti një grimë dhe vijoi: “por ama ishte bir i një dashurie, kjo është madhështore!” Në këtë kohë erdhi aty në sallë Behar Shtylla. Sa njeri i mençur dhe njohës i artit, me kulturë shumë të gjerë. Bisedonin me Lasgushin, një elokuencë e mahnitshme, u mrekullova teksa i dëgjoja dhe midis të tjerash zoti Behar Shtylla i tha se vargjet për “Kosovën” duhej t’i recitonte në një emision televiziv, që ta shihnin dhe ta dëgjonin edhe kosovarët. U bisedua për takimet e zotit Behar Shtylla me Imzot Fan Nolin, e ndërmjet të tjerash Lasgushi më vuri mua dorën mbi sup duke më thënë: “Ti Meri, të lutem të më falësh…” – e vijoi lidhur me akuzat që u kanë bërë dikur shqiptarëve duke i quajtur njerëz me bisht, dhe – vazhdoi Lasgushi – se Noli kishte dhënë dikur një përgjigje për këtë problem duke thënë: “Po, zotërinj, ne shqiptarët kemi bisht, veç nuk e kemi prapa siç do të mund të kujtonit ju, por përpara…”.
Ekspozita ishte vendosur në një sallë të Shtëpisë së Kultures. Kur dolëm jashtë ndërtesës, te shkallët takuam B. Xhelon e të tjerë. (B.Xhelo është korrespondent i televizionit të Partisë në rrethin e Pogradecit.) Ata na u servilosën. sepse e dinin që Lasgushi kishte biseduar me Behar Shtyllen, i dërguar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë për zgjedhjet e organizatave-bazë të Partisë, të cilat i paraprijnë Kongresit të 8-të të PPSH. Ky B. Xhelo kërkonte të filmonte Lasgushin për televizionin. Ata flisnin me zë të lartë, sepse, siç duket, kishin hedhur ndonjë kupë. Lasgushi përgjigjej duke i ironizuar. Ata na ftuan që të hynim brenda në Turizmin e Vjetër, meqë ndodheshin aty në trotuar përballë, por Lasgushi u tha se kishte lënë për të bërë një vizitë dhe se kishte vajtur ora tamam. Unë e besova, por, sapo u larguan ata, Lasgushi më tha: “Do të hyjmë të dy në Turizmi, që të hamë gjësendi!” Në restorant nuk kishte vende dhe ne u ulëm në kolltukët e sallonit. Unë po i flisja Lasgushit e nxehur: “Pse nuk do që të filmohesh për teleuizionin?!”
Ai m’u përgjigj: “Gëtja nuk doli kurrë në televizion dhe prapë mbeti Gëte\
Unë: “Po në kohën e Gëtes nuk kishte televizion”.
Ai: “Lërna, mo, rehat tani!”
Më në fund i thashë se “në televizion nuk do të dalësh as për Budjonin, as për drejtorin, por për “Kosovën vullkan””. Këtu sikur u bind pakëz.
Së fundi, meqë nuk gjetëm vend të uleshim e të hanim diçka, u larguam.
14.6.1981
Mora Lasgushin dhe vajtëm për të parë komedinë e Ruzhdi Pulahës “Lindi një burrë”, vënë në skenë nga teatri i Durrësit. Në këtë komedi kishte rol mikesha e Lasgushit, Marta Burda, e bija e fotografit patriot korçar Vani Burda dhe e mbesa e Nikolla Naços. Ajo na tregoi se gjatë kohës së luftës, kur iknin nëpër bombardime për të shpëtuar kokën, merrnin me vete vetëm abetaren e Naum Veqilharxhit dhe një arkë me dokumente. Ndenjëm të tre pas shfaqjes në lulishten e Turizmit të Vjetër deri në orën dhjetë e tridhjetë minuta. Pimë nga një gotë raki me meze.
16.6.1981
Dje biseduam me doktor Miston për emisionin televiziv të Lasgushit, të cilin po e përgatit Mevlan Shanaj. Pasdite isha te Lasgushi lart në dhomëzën-kullë të tij. Ai vazhdonte punën e të shkruarit, hidhte shënime në të pastër. Lexova në një fletë të hollë që e kishte aty përmbi tryezkën e vogël, përshkrimin e një nate zhvirgjërimi… Pata kujtuar se ajo dashuri e tij pati qenë platonike, ëndërrimtare, dhe unë u çudita nga ky zbulim.
Unë i kisha sjellë Lasgushit petulla në një pjatë të mbuluar me letër, si edhe përkthimin e asaj pullës amerikane: “A public that reads-root of democracy”. (Një publik që lexon është bazë demokracie.)
E pyeta përsëri pse nuk donte që të filmohej për televizionin, dhe ai më tha: “Jam shumë egoist, nuk dua. Më mbushet mendja, po të më thotë një dashurore”.
20.6.1981
Isha në Tiranë më 17.6.1981 dhe të nesërmen vajta në shtëpinë e Lasgushit për t’i thënë Nafijes porositë e tij. Sapo u ktheva nga Tirana, shkova te Lasgushi. E putha në faqe, edhe ai më puthi. I tregova se si i kisha kryer porositë e tij.
Në kohën që unë isha në Tiranë, Lasgushin e kishin filmuar për televizionin, me gjithë kundërshtimet e tij dhe tekat pa fund.
Gjithnjë Besnik Xhelo e pyet Lasgushin: “Profesor, si je me shëndet?”. Dhe ai i përgjigjet serbes-serbes: “E pse më pyet? Derisa jam në këmhë, jam fare mirë. Apo ju lexom ato qe shkruan Xhaxhiu për mua, se Lasgushi qenkërka shendetlig e delikat? Unë e ngjit më këmbë përditë Kalanë”- dhe kështu i vë pikë bisedës.
Kjo ka ndodhur para disa vjetësh: Profesor Muzafer Xhaxhiu ndodhej këtu në Pogradec me një studiues gjerman. Takoi në rrugë Lasgushin, i cili ishte duke biseduar me Gjorgjin e Madh, e Xhaxhiu, duke përfituar nga rasti, iu lut Lasgushit që të takohej për të komunikuar në gjermanisht me atë studiuesin.
Posi jo, – i thotë Lasgushi, – vetëm prisni sa të bëhem hazër!
Po në ç’orë? – pyet Xhaxhiu.
E Gjorgji i Madh i kthen përgjigje:
-Lasgushit i duhen tri ditë që të bëhet hazër!
14.6.1981
Në mëngjes vajta dhe e piva kafen te Lasgushi. Ai ishte duke ngrënë mëngjesin gjysmë i shtrirë në shtrat. Nga njëra anë kishte qenin dhe nga ana tjetër macen, të cilët herë pas here i skërmiteshin njëri-tjetrit.
Mbrëmë nuk e gjeta Lasgushin në shtëpi dhe i vura te doreza e derës një copë letër me një poezi të shkruar nga një ish-nxënësi im, Dhimitër Pojanaku:
Lirikut
Vargje të zjeu gjaku,
Vargje të ngrohta prush,
Dashuria e tyre s’të mplaku,
Mbete i ri përjetësisht, Lasgush!
Kur e pyeta nëse e kishte lexuar poezinë, ai më tha: “Nuk kam kohë që ta lexoj”. Siç duket, nuk ishte me orë të mira.
26.6.1981
Ndodheshim në Shtëpinë e Kulturës (Lasgushi hyri në sallë me pak vonesë, i bëra me shenjë që të ulej aty afër meje në radhën e parë, ku ishim ulur ne). Ndoqëm një koncert recital të kitaristit Eduard Abaxhogli dhe flautistit Raimond Malholli. Me Lasgushin dhe Manjolën shkuam në Turizmin e Vjetër dhe ndenjëm në lulishte. Biseduam dhe pimë arançatë. U kthyem nga ora dhjetë e gjysmë. Lasgushi na nxori nga rrugica e Angjeleve, ku unë nuk kisha kaluar kurrë natën; ai më tregonte se dikur kjo rrugicë mbyllej në krye dhe në fund me nga një portë.
30.6.1981
Ishte vapë edhe frynte një erë tërë pluhur. Takova B.Xhelon dhe vajtëm të dy te Lasgushi. Sapo ishte ngrysur. Lart në kullën e tij kishte dritë dhe unë i hodha një guriçkë të vogël në qelqet e dritares. Ai nxori kokën i inatosur: “Do të të godas me llastika!” Pasi mori vesh se isha unë, zbriti poshtë dhe e hapi derën. Ishte i veshur me fanellën e leshit e me brekë dhe ashtu ndenji gjithë kohën duke na bërë tërë atë bisedë. Na tregoi se italishten e kishte mësuar për njëmbëdhjetë ditë me një metodë prej 220 faqesh, e kishte mësuar vetë, pa profesor. Dhe vijoi: ” Në gjashtë muaj mësova gjermanishten, desha që të marr edhe doktoratën për sanskritishten, por e lashë. Nga sanskritishtja kam marrë shumë fjalë që më janë dashur dhe më kanë hyrë në punë për poezinë time, si për shembull “fshehur fshehtësije” e shumë të tjera”.
Ku i qëndron vallë gjithë ajo forcë e madhe kolosale mendimi, kur e sheh aq të imët në trup dhe me këmbë skeletike?! Mezi u vesh, mezi i mbathi dhe i mbërtheu pantallonat. Zbritëm shkallët dhe dolëm deri te dera poshtë. Unë i shuaja dritat prapa tij, kur befas u kujtua se nuk e kishte me vete çelësin që të mbyllte derën e jashtme. U ngjita unë lart në kullë, u ngjit edhe ai me nxitim prapa meje. Kërkuam nëpër xhepat e pantallonave e të xhaketës që kishte veshur ai paradite, po nuk e gjetëm dot. Zbritëm përsëri shkallët, unë përsëri pas tij duke shuar dritat. (Më vonë, kur e takuam Ninën, na tha se ajo çelësin e kishte futur brenda në këpucë, që ta gjente kollaj, dhe vërtet aty e kishte.)
Lasgushi nuk do që ta incizojë Arqile Ndini i Radio-Tiranës. “Sa paguan ai?” më pyeti, duke e ditur fare mirë që nuk paguhet asgjë.
Vajtëm tek Turizmi i Vjetër, pimë arançatë. Ai fliste tepër i kthjellët, jashtëzakonisht komunikues.
1.7.1981
Në kohën e drekës, me gazetën “Zëri” në dorë, trokita fort te dera e Lasgushit. Ai e nxori kokën lart në dritare shumë i qeshur dhe i gëzuar.
-O, o, hajde!- thirri,
-Jo nuk vij, – i thashë. – Do të ta hedh gazetën nga dritarja.
-Të vish vetëm për një minutë e gjysmë! – më tha.
-Jo, – ngulmova unë, – se më pret një shoqe.
-Atëherë hajde vetëm për një minutë!
Toni i zërit, mënyra e të folurit: plotësisht aktoriale me nuancat më të ngrohta dhe më të ëmbla. Dhe kështu u binda.
Zbriti poshtë, e hapi derën. Përsëri ashtu gjysmë i zhveshur, sepse ishte shumë vapë. U ula te cepi i shtratit (ku isha ulur edhe mbrëmë). Ai filloi që të guiste rrotull meje si ndonjë shpend i stërmadh i shpushluar: “Po si të bën zemra që të ikësh pa pirë një kupë konjak me mua, moj zonjushë?…”
E mori shishen dhe kupat dhe u ul pranë meje. I mbushi kupat plot pa iu dridhur dora fare dhe vazhdonte që të cicëronte tërë ledhatim e ëmbëlsi: “Ja kështu e ja ashtu”. Filloi të tregonte diçka, i gatshëm për të hapur një bisedë të gjatë, vetëm e vetëm që unë të mos ikja. Pastaj. duke qenë me mua më intim se kurrë, më tregoi se si i pati dhuruar Nafijes, kur kishin qenë të fejuar, dy librat e tij: “Ylli i Zemrës” dhe “Vallja e Yjve”, kapakët e librave ishin me lëkurë të kuqe dhe me shkronja prej floriri. Ia lidhi edhe me një fjongo të kuqe “sepse dashuria rrëfehet me poezi”. Pinim konjak me ngadalë, ai e përplaste paksa kupën me mua duke më cikur lehtas me bërryl.
Dhoma e tij është jashtëzakonisht e varfër, me dy shtretër të vjetër, dollap të futur brenda mureve dhe një tryezkë të vogël me këmbët që i çalojnë. E pyeta se çfarë do të bënte, po t’i dhuronin një televizor. U përgjigj duke thënë se “jam i varfër, por, po të kisha ndonjë dashurore, do t’ia dhuroja”
Pastaj më tregoi për ditët kur mbaroi lufta dhe u çlirua Tirana:
“Dola natën për të bërë shëtitje. Meqë ishte vjeshtë, fund nëntori, e mbështolla mirë e mirë shallin e madh rreth qafës gjer te hunda, sigurisht vura edhe kapelën në kokë. Eca nga shtëpia ime deri te Pazari i Ri, nuk kishte dritë nëpër rrugë dhe partizanët mund të të vrisnin kot më kot. Kur arrita në Pazarin e Ri, desha ta ul shallin, por në atë kohë më afrohet një partizan e më pyet:
-Ku vete?
-Dola! – i thashë.
-Vdekje fashizmit! – tha.
-Liri popullit! – iu përgjigja.
Ndodheshim përballë pallatit të Zef Serreqit dhe unë nuk e dija se ky pallat tani ishte bërë komandanturë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ai partizani më tha: “Hajde dhe hyrë këtu!”. Aty afër ndodhej një makinë e vogël ushtarake, “gaz” a “xhips”, si i thonë. Hyra në makinë dhe kujtova se më arrestuan. Aty brenda në makinë dëgjova një zë, dikush më pyeti: “Ku vete kështu natën?” Pyetjen e bëri me inat dhe unë iu përgjigja: “Po unë dhe Eqrem Çabeu kështu e kemi zakon, që të dalim natën. Kur ishim në Vjenë, na quanin nachtfolgen, zogj nate.
-Po cili jeni ju?
-Jam Lasgush Poradeci.
-Ju qenkeni, Lasgush?… Po do t’ju vrasin, po të dilni kështu natën vonë dhe i mbështjellë me shall, se nuk do t’ju njohin.
-Shallin unë e mbaj që të mos më ftohet giyka. Po tani lufta mbaroi…
-Jo! Tamam tani mund të hash ndonjë plumb kokës kot!
Urdhëroi një partizan që të më shpinte deri në shtëpinë time: “Përgjigjesh me kokën tënde për jetën e Lasgushit!” – i tha me rreptësi.
(Ky ishte Mehmet Shehu dhe, ndërsa Lasgushi më tregonte këtë ndodhi, mua m’u kujtua se kam lexuar te një numër i revistës “LABOREMUS”, organ i shkollës teknike amerikane, se Lasgushi ishte i ftuar nderi i asaj shkolle, kurse Mehmet Shehu, student i vitit të fundit. Aty ishte botuar edhe një pjesë nga “Vallja e Yjve”.)
I thashë Lasgushit:
– Mos rri i zhveshur!
– Kështu më vijnë më mirë mendimet, – më tha.
-Interesant, por doktor Mistoja, kur shkruan, jo vetëm që rri i veshur, po lidh edhe një shall të madh rreth e rrotull kokës, që të mos i ikin mendimet. – i thashë unë.
-Ja! – bëri ai si fëmijë i habitur dhe qeshi.
Më thirri vetëm për një minutë dhe më mbajti më se treçerek ore.
3.7.1981
Në orën tre pa pesë minuta, ndërsa unë po zbritja shkallët për të blerë bukë, nga rrugica këtej prapa pallatit po vinte Lasgushi. E ftova që të vinte tek unë brenda në shtëpi. I dhashë një gotë vermut. Iu luta të qëndronte, dhe ai, krenar siç është, mezi pranoi që të rrinte për drekë. Kisha gatuar pilaf me gjalpë dhe mish viçi me qepë. E shtrova tryezën me mbulesë të bardhë të hekurosur. I ndava gjellët nëpër pjata. Lasgushi ha pak dhe nuk i do pjatat e mbushura plot. I pëlqeu gjellët e mia dhe më tha:
– Ti ditkërke të bësh pilaf të shkoqitur, se ka shumë gra që e bëjnë pilafin si qull. Edhe çupat e mia dinë të bëjnë pilaf, se i kam mësuar unë.
Ai hante dhe më tregonte për shtëpinë ku ka banuar në Vjenë, dhe për madamën e asaj shtëpie.
-Tamam si atje po ha drekë, me mbulesë të bardhë e të hekurosur, – vijoi që të më lavdëronte.
Në të vërtetë unë isha në siklet të madh, sepse Cucit (qenit të tij) i hodha për të ngrënë në ballkon, por ai i mori kockat dhe po i lëpinte përmbi qilim; veç të tjerash, Cuci vinte vërdallë nëpër dhomë e kapte me thonj fijet e bardha të mbulesave të divaneve, fërkohej pas pantallonave të Lasgushit dhe i binin qimet e tij të bardha tufa-tufa.
Lasgushi fliste e fliste dhe unë e dëgjoja e nemitur. Isha në këmbë me mullirin e kafesë në dorë duke bluar (kishim mbaruar së ngrëni drekë), dhe në një çast desha që të ulem te cepi i divanit, mirëpo, e hutuar, duke ndjekur ato fjalë që nxirrte ai nga goja, rashë në dysheme. Më erdhi shumë turp edhe shumë për të qeshur njëkohësisht. Lasgushi më tha: “Të hutova!”
Nxora poemën “Kamadeva” (kopjen time të daktilografuar) dhe ia lexoja. Lasgushi di përmendsh çdo varg që e ka shkruar vetë. Pastaj i lexova shkrimin e Ismail Kadaresë botuar para disa vitesh te gazeta “Drita”, “Përtëritja e poetit”. Lasgushi më tha: “Ismaili mua më do!” – Pamë së bashku disa fjalorë. Po shfletonim librin e tij “Vdekja e Nositit”, me ato shkronja prej floriri në ballinë, që Lasgushit i pëlqejnë aq shumë, iu luta që të më shkruajë një autograf te libri im, dhe ai më tha:
-Kur ta meritosh, do të të shkruaj katër vargje!
Pasi u kthye Manjola nga plazhi, ai i dha llokume (të cilat gjithnjë i gjenden nëpër xhepa, të mbështjella me letër). Ai ble llokume e karamele për të ushqyer Cucin, i cili ha gjithë të mirat, njësoj me të zotin e vet: të verdhë veze, mjaltë e ëmbëlsira, përveç bukë që nuk i pëlqen të hajë. Cuci e kupton dhe ia di mirë vlerat vetes, se ai nuk është një qen dosido, por i përkëdheluri i vetëm i Lasgushit!
4.7.1981
Po ecja rrugës ndaj të ngrysur dhe takova Lasgushin tok me Klime marangozin. Sa bukur duken të dy! Unë e ndala Lasgushin dhe i thashë se, meqë do të shkoja të hënën në Tiranë, mos kishte ndonjë porosi për atje. Ai më tha menjëherë:
-Të më sjellësh televizorin!
-Po unë nuk e mbaj dot, – iu përgjigja.
-E mban ti, e mban, se je e zonja! – më tha. (Unë e di se ai gjithnjë kërkon që t’i vërë në provë njerëzit se sa mund të bëjnë për të.)
Unë, duke e përfytyruar se sa i madh dhe kaba ishte televizori i tij bardhezi, i thashë se nuk mund ta mbaja dot, sepse televizori ishte shumë i madh dhe peshonte më shumë sesa unë, dhe se mua mund të më mbante një burrë hopa në krahë, kurse një televizor të madh duhet ta mbajnë dy burra, pasi ta kenë mbështjellë me një çarçaf. “A, ah\”- ia bëri sikur nuk më kuptonte.
5.7.1981
E diel. Frynte erë e ftohtë. Pasi u err, vajta te shtëpia e Lasgushit. Trokita pak, nuk desha të prisja; lart në kullë kishte dritë. Unë i lidha te doreza e derës një palë llastika për të vrarë zogj dhe ika. Le ta kuptonte që kisha vajtur.
Kur e takoj Lasgushin vetëm në rrugë, i recitoj vargje nga të tijat ose vargje që i ka përkthyer ai, si për shembull nga Adam Mickieviç:
Kur ty nuk të shoh, nuk qaj e nuk rënkoj,
Mendjen nuk e humbas kur të takoj,
Megjithatë, kur kohë rri pa të parë
Dishka më mungon, ndiej mallin të më marrë
Dhe veten pyes me kureshti:
Miqësi të jetë kjo a dashuri?
Ose nga Hajne:
Prej mallit tim
Të desha dhe prapë të dua ty.
Sikur të prishej jeta,
Gërmadhash do të ngrihej malli im
Me flakët e tij të nxehta.
Ai më vështron me ata sytë që i ndritin fort e herë e vazhdon poezinë bashkë me mua dhe herë më korrigjon ndonjë fjalë që unë mund ta them gabim.
Në revistën “Studime Filologjike” nr. 1 e vitit 1981), u botua shkrimi i gjatë i Fatos Arapit kundër Lasgushit. Mbaj mend se ndodheshim përballë Shtëpisë së kulturës ne anësoren e rrugës buzë liqenit me Dr. Miston dhe nja dy të tjerë dhe e bëmë me fjalë që për këtë artikull të mos i tregojmë Lasgushit sepse autori e quante poetin mikroborgjez, poezia e tij ishte hermetike dhe se rridhte prej një familjeje teneqexhiu. Ndodhi që dikush ia shpuri këtë gjë në vesh Lasgushit. Pak ditë pasi kishim biseduar në kohën e drekës vajta tek Lasgushi dhe ai menjëherë më pyeti:
-Ti, Meri, di ndonjë varg më gojë nga Fatos Arapi?
-Jo. -I thashë duke e kuptuar se ku donte të dilte dhe ngutshëm nuk doja ta kuptonte se dija vargje prej tij. Ai si triumfator:
-E shikon, nuk ia di poezinë, sepse ai nuk është poet, kurse poezinë time ti e di më gojë se unë jam poet.
E kurrë më nuk e përmendi këtë bisedë. Ndërsa unë tri a katër herë jam grindur me Fatosin lidhur me këtë shkrim, por ai kujton se i ka bërë mirë Lasgushit, gjoja e ka mbrojtur duke ma shpjeguar se pas vdekjes së profesor Mark Gurakuqit, Fatos Arapin e caktuan për të dhënë lëndën e tij Letërsinë e Viteve ’30, mirëpo Lasgushi jepej vetëm një leksion në javë dhe Fatosi donte të shtonte orët prandaj duhej ta bënte atë shkrim që të justifikohej para Komitetit Qendror duke e kritikuar dhe më ka mbytur me shumë llafe të tjera.
Kulmi ishte në vitin 1996, kur u organizuan për herë të parë në Pogradec Takimet Poetike “Ditët e Lasgushit” kaluam shumë bukur, u takuam për herë të parë me poetët kosovarë dhe shqiptarë të Maqedonisë. Natën e fundit na shtruan darkë në Drilon, aty u ndanë edhe çmimet pikërisht Fatos Arapi u nderua me çmimin “Lasgush Poradeci”, sapo dëgjuam këtë vendim Aurel Plasari, unë, Koçi Petriti dhe ndonjë tjetër dolëm jashtë nga salla.
6.7.1981
Para se të nisesha për në Tiranë, vajta te Lasgushi. U ngjita lart në kullë (aty ndodhej Ana), Lasgushi sillej lajkatar me ne të dyja. Ai më dha një recetë për syze, duke më porositur me këmbëngulje: “Shko atje ne optika në Tiranë dhe lutu: “Aman, aman të m’i bëni sa më parë, se jam nga Poradeci.”.
Duke i thënë “mirupafshim” Anës dhe atij, desha që ta përqafoja, por ai u largua paksa prej meje (ndoshta për shkak të Anës). Kur i zbrita shkallët, i zbriti edhe ai me vrap pas meje duke më porositur përsëri që të lutesha atje në Tiranë për syzet e tij.
-Nuk di të lutem unë! – i thashë prerazi.
Ai kushedi mendoi se do ta puthja aty në fund të shkallëve, por unë i thashë vetëm një “mirupafshim” të thatë dhe ika pa e kthyer kokën fare.
9.7.1981
Më takoi rrugës Nina dhe më ktheu në shtëpi për një kafe. Lasgushi pyeti që lart nga odiçka:
-A u bë gati gjella?
-Po! – i tha Nina
Pak minuta më vonë zbriti. Ishte veshur gati për të dalë. Unë ia mbërtheva orën në dorë dhe rripin në mes. Erdhi në shtëpinë time, i dhashë recetën dhe syzet. Ai më tha se isha punëmbaruar. Filloi të më shante Anën. Unë ndërkohë heshtja, duke sjellë në mendje se ai më ka thënë: “Ju femrat jeni ziliqare për njëra-tjetrën”.
Më tregoi për Vaso Pashën, që hante pilafin e turkut dhe i rëndonin në gjoks nishanet e Sulltanit, sepse Sulltani e kishte bërë “Pasha”.
-Por ama poezinë “Mori Shqypni, e mjera Shqypni” e ka shkruar shumë bukur, – i thashë.
-Po, shumë bukur, – më tha.
Piu gotën me vermut dhe cigaren duke biseduar.
Në mbrëmje në orën 20 e 30 minuta u transmetua emisioni për Lasgushin në televizion. Ai vetë ishte një mrekulli, një artist i vërtetë. Sa bukur fliste dhe qeshte,i lëvizte duart shumë hijshëm, kur mbante cigaren, dhe sidomos ai gjesti kur lëvizi kapelën (sikur e vuri festen përmbi sy), ndërsa tregonte se si më në fund i kishte akorduar bursë qeveria e Fan Nolit. Emisioni deri diku ishte përgatitur mirë, por aktorët tanë recitonin shumë keq. Do të ishte më mirë të ishin futur në program recitimet në 80-vjetorin e Lasgushit. Lasgushi e ruajti gazetën ku ishte i shkruar programi i televizionit, dhe nënvizoi me stilograf emrin e tij.
Të nesërmen e kësaj dite vajta te Lasgushi lart në kullë. Ai ishte kënaqur prej emisionit televiziv, por jo nga recitimet, aq më shumë që fjala “përrallshëm” u shqiptua ashtu siç është shtypur te botimi i Xhaxhiut: “përmallshëm”. Mua më tha se duhej të blija një televizor, sepse “ke një dhomë të bukur moderne me libra, prandaj ke nevojë edhe për televizorin. Duhet të kursesh nga dy mijë lekë në muaj dhe ta blesh.” Nuk ishte gërnjar e më lavdëroi: “S’ka si ty!”
Ai më porosit që të kursej e të blej televizor, por harron se ai, vetëm pasi u futën në punë të dy të bijat, mundi ta blinte televizorin. Rroga është e llogaritur vetëm për të ngrënë, e duke kursyer unë kam mundur të blej veç libra, asgjë tjetër. Dhe, mu në mes të Pogradecit, është një parullë e madhe: “Kursim, kursim kudo dhe në çdo gjë” (megjithëse kurrë nuk ngremë kokën për të lexuar parullat revolucionare që na e trishtojnë shpirtin, ato i dimë përmendsh).
11.7.1981
Takova Lasgushin në orën tre e një çerek pasdite, kur po vija për në shtëpi me shishet e qumështit dhe lulet margarita në duar. “Gjithnjë me lule!” – më tha. I thashë se paradite kisha qenë në Volorekë, e ai vazhdoi: “Mos shko vetëm në Volorekë, se edhe unë jam i Volorekave!”
14.7.1981
Takova Lasgushin, mbante në dorë një panine dhe dy qofte të mbështjella me letër. Ishte mesditë dhe dielli përvëlonte përmbi kokët tona. Biseduam për të shkuar te varret e Selcës. (Dhe në Selcë nuk vajtëm dot asnjëherë.) Më vonë vajta te Lasgushi dhe i shpura gazetën. Nina nuk ndodhej aty. (Janë zemëruar, sepse Nina do të ikë nesër në Tiranë për të parë Nafijen.) I zbrita jastëkët dhe rrobat që lart, i rregullova shallin nën xhaketë dhe pastaj vijuan fjalët rutinë: “Merre pallarinë!… Do ta ndezësh cigaren?… Do ta marrësh çelësin?… Jashtë po veson shi…”
Ai pa termometrin te dritarëza e hapur e korridorit. “21 gradë”, – tha dhe i zbriti shkallët. Unë qëndrova të shuaja dritat e zbrita pas tij. Dolëm rrugës. Lasgusbi nuk pi duhan, por e ndez nga një cigare, kur del nga shtëpia, “për terjaqillëk”, siç thotë vetë.
15.7.1981
Takova Lasgushin tek ura, ishte bashkë me Todi Maton. Sot kisha vendosur që të mos e takoja. E shoqërova tek Turizmi i Vjetër për drekë, hëngri mish me bizele. l’asdite unë hyra në farmaci për të blerë aspirina. l.asgushi erdhi aty, se kishte çjerrë dorën me tel, bleu fasho dhe e lidhi. Dolëm nga farmacia, unë ia ndeza shkrepësen për cigaren, se frynte erë. Ai m’i kapi të dyja duart, që të mos i shuhej flaka e shkrepëses, ndërkohë po më shikonin dy shoqe të miat, të cilat më vonë më thanë me shaka: “Po bëje dashuri me Lasgushin!”
17.7.1981
Takova Lasgushin vetëm për një minutë, unë mbaja një karafil të kuq në dorë. Ai ishte me inat. Ka ardhur Maria. E takova.
19.7.1981
Në shtëpinë time erdhi Maria pas orës pesë pasdite dhe më tha: “Të vish me ne që të dalim, tha babi”. U vesha, vajta në shtëpinë e tyre dhe dolëm rrugëve të katër, së toku me Cucin. Ia lidha Lasgushit dorën me fasho dhe ia mbërtheva kopsat e këmishës. Recituam poezi për Cucin.
Kënga e Cucit
Pa e dëgjoni Cuci ç’thotë:
Jam më i bukuri në botë.
Cuc i bukur si pëllumb
Që lëshohesh mu si plumb,
Pa po pulat i gërmon,
Pulë e shkretë fluturon,
Pa po macet i gërmon,
Mace e shkretë mjaullon,
Pa po njerzit i gërmon,
I gërmon e i mundon,
I mundon e i kafshon,
I kafshon e i copton,
Njerëzia zë rënkon,
Ne gjykaci ankon
Edhe Cuci i pagon,
Pagon pagë për çdo plagë,
Prandaj plaga plot zeher
Ëmbëlson porsi sheqer
Edhe Cuci rri me nder.
Hymë në Turizmin e Vjetër. Në lulishte mezi gjetëm vend, pastaj e ngritëm tryezën dhe e larguam pak më tutje, se na frynte era. Vazhduam të recitonim vargje në anglisht dhe shqip. Pimë nga një krikëll birrë, Lasgushi sa e vuri në buzë. Aty erdhi im vëlla dhe na solli këmbë të fërguara bretkosash dhe kulaç të gatuar me kos, Lasgushi vetëm sa i provoi fare pak. Unë me Marien bisedonim, ndërsa ai rrinte drejt në karrige dhe mendohej. Kapelën e kishte ulur dhe streha e saj i zinte sytë, por edhe sytë se si i kishte, i shkëlqenin fort dhe si të përlotur, gati i dridhej buza, por qëndronte me trupin drejt, stoik e i papërkulur. Kur ikëm prej aty, po hisedonim për Pushkinin dhe përkthimin që i ka bërë Lasgushi romanit në vargje “Eugjen Onjegin”. Sa e sa herë ia prapësuan atë përkthim, derisa u bindën se askush tjetër nuk mund ta përkthente më mirë se ai. Mrekullia duket edhe në katër vargjet e para të letrës së Tatjanës:
Po marr kuximin që t’ju shkruaj,
Ç’do deshit më veç shpirtit tim,
E di që është e drejta juaj
Të më dënoni me përçmim…
Ne vijuam duke recituar vargje të tjera rusisht nga “Eugjen Onjegin”, “Ciganët”, “Çadajevit”, poezi të Lermontovit, Eseninit e të tjerë. Kaluam një mbrëmje poetike dhe askush nuk na dëgjoi që po recitonim rusisht.
20.7.1981
Dolëm të dy me Lasgushin, kërkonim Sarafin, shefin c komunales, i cili do të na ndihmonte për ta rrethuar me dërraska kopshtin e Lasgushit. Nuk e gjetëm. Vajtëm në Degën e Punëve të Brendshme, Lasgushi mori leje kufitare për të shkuar e vizituar Tushemishtin. Oficeri i rojës e trajtoi Lasgushin si ndonjë plak çfarëdo. Por për çudi një polic i ri e dinte se ai ishte poet.
23.7.1981
Vajta e pashë Lasgushin lart në kullë. Ishte i veshur me benevrekë të bardhë dhe përmbi to e kishte mbështjellë njërin gju me diçka të leshtë të arnuar. Kur e pyeta: “Pse e ke lidhur gjurin?” – ai më tha: “Po e zgjidh, se duket inestetike”. Pasi ndenja pak, më tha: “Njeriu lind i lirë dhe duhet që të jetë i lirë. Askush nuk ka të drejtë të të ndalojë ty, në qoftë se ke qejf për të pirë duhan, apo ke qejf të veshësh një fustan të bukur – vishe!”
24.7.1981
Vajta mora Lasgushin dhe dolëm. Lasgushi më tregoi për Androniqi Zengon, kur ajo hapi ekspozitën e saj të parë në Tiranë dhe nuk po i shitej asnjë pikturë. Mbetej edhe vetëm një ditë që ekspozita të qëndronte e hapur e të pasnesërmen do të mbyllej. Atëherë ç’bëri Lasgushi?! Shkroi një artikull ku vinte në dukje cilësinë e ekspozitës dhe punën e pasionuar të piktores së re dhe në orën dy pas mesnate ia çoi shkrimin kryeredaktorit të gazetës “Drita” të asaj kohe, Gjergj Bubanit. Hoqën artikullin e faqes së parë dhe në vend të tij vendosën shkrimin e Lasgushit. Kështu që asaj iu shitën pikturat, mori para dhe pati porosi për piktura të tjera. Sapo doli artikulli, u interesuan edhe nga Ministria e Arsim-Kulturës dhe këta zyrtarë blenë një kompozim ku paraqitej një betejë e Skënderbeut. Mirëpo ministri, një turkoshak (pikërisht këtë fjalë përdori Lasgushi) urdhëroi që çallmat e turqve të bëheshin kaska (helmeta) evropiane, se nuk mund të duronte që turqit e tij të ishin aq anadollakë me çallma majë kokës. E kështu Lasgushi bashkë me Androniqi Zengon kapën furçat dhe bojërat e vajit e duke qeshur i shndërruan çallmat në kaska.
U ulëm me Lasgushin tek ajo tryeza ku patëm qenë ulur atë natë. Lasgushi filloi që të grindej kot fare duke argumentuar se si duhet të jetë një grua nikoqire e vërtetë. U mundova shumë dhe mezi ia ndërrova bisedën duke i përmendur disa vargje poetike. Tek po e përcillja për në shtëpi Lasgushin, ai m’u drejtua duke më thënë:
-Meri e ëmbël!
E unë me shaka ia ktheva:
-Shyqyr që më së fundi dëgjova një fjalë të ëmbël prej teje.
Sigurisht diçka e mundon, përderisa një njeri aq i mençur dhe i ekuilibruar kthehet e grindet për gjëra të kota. Vetëm i sajon, se përbrenda fsheh arsye të tjera që e brengosin dhe e mërzitin.
26.7.1981
Në mëngjes në orën 7 e 27 minuta isha te dera e Lasgushit (duke ndenjur me të, jam bërë edhe unë e përpiktë në kohë e në shënime si ai). Trokita. Maria nuk ishte në shtëpi. Lasgushi e nxori kokën që lart në dritare e më tha:
-Do të zbres që të hap derën, se unë jam i lehtë si ti, nuk jam dembo.
Unë iu përgjigja:
-Mos zbrit, se po iki. – Dhe ika. Ai zakonisht ngrihet vonë dhe unë kërkoja Marien.
Paksa më vonë, në orën nëntë, erdhi Maria tek unë. Dolëm bashkë deri tek Turizmi i Ri. Është kulmi i sezonit, qyteti ynë është plot e përplot me njerëz që kanë ardhur për të pushuar këtu. Për çudi, përballë nesh takuam Lasgushin pa bastun dhe shumë të inatosur.
-Ka dalë karpuz, shko të blesh! – i bërtiti Maries.
Kur e pyeta me të butë se ku e kishte bastunin, ai më tha:
-Bastunin ma vodhën në baçë kurbetrit!
E lamë Lasgushin dhe shkuam e zumë radhë për të blerë shalqi. Ai erdhi, na gjeti në radhë e na bërtiti:
-Pse nuk e bleve karpuzin? Unë tani dua të ha mëngjesin, – dhe iku si i ndërkryer.
Unë e ndoqa nga pas për ta qetësuar.
-Eja të shkojmë në shtëpinë time për të ngrënë mëngjes. – I thashë. Por ai nuk donte dhe nuk bindej për kiamet. Mezi ia mbusha mendjen dhe më së fundi erdhi. Vura vezët për t’i zier. Ai filloi të grindej se shtëpia do rregull, orar e pastërti.
-Po ti ke dy vajza që të bëjnë çdo punë, – i thashë.
Atij i kërceu damari edhe më keq.
-Gruaja ime nuk më bëri një djalë. Tani unë do të kisha nusen e djalit, që do të më bënte hyzmet, se çupat do të thyejnë qafën te burrat e tyre!
(Sa egoist që është!)
E ndërkaq Lasgushi vijonte të më hakërrohej mua me arsyetimet e veta:
-Gruaja duhet të lindë dymbëdhjetë fëmijë, atë punë ka gruaja. Pse në Kosovë bëjnë shumë djem e çupa? Sepse u duhen për në luftë. Posi!
I shtrova për të ngrënë gjalpë, djathë, panine, domate, vezë të ziera, kek. Hëngri vetëm një vezë, gjysmë cope kek me djathë, piu kafenë. Kur e pyeta në donte çaj apo komposto, më tha:
-S’dua, hëngra unë, jepi Tomi Matos, se ai ha katër pjata me supë!
Ndërsa hante një kafshatë, hop ngrihej më këmbë dhe më rrëfente për pakënaqësitë e jetës së tij.
Në shtëpinë time kam shumë vazo me lule të bukura e të vendosura në ujë, si gladiola, karafila, lulemargarita e të tjera. Dhe në kohën që unë po i zieja Lasgushit kafenë mbi furnelën e vogël në aneks, ai preku me dorë lulemargaritat e bardha në vazon e madhe e më tha :
-Jam i lig, kujtova se ishin lule artificiale, por ti je e zonja që kujdesesh edhe për lulet!
Më tregoi kur ndërtoi shtëpinë e tij në Tiranë dhe për gjashtëdhjetë e shtatë vazot e luleve që bleu, pastaj vijoi:
– Gruaja duhet të jetë skllave dhe është skllave. Duhet të bëjë siç i thotë burri!
Kurse unë me mendjen time: “Mirë e ke, o Lasgush, mirë, por harron kur na ulen burrat në gjunjë e na luten me lot në sy duke na thënë plot marrëzira përkëdhelëse”. Lasgushi grindet me Nafijen (gjithnjë janë grindur ashtu, sikurse të gjitha çiftet bashkëshortore), një periudhë kohe u ndanë e ajo iku në Durrës tek e ëma, ndërkohë i ka shkruar letra me fjalë të mrekullueshme dashurie, ai e thërret atë me përgjërim “Shqipka ime!” dhe i shkruan: “Kthehu, se edhe gurët e kalldrëmit qajnë për ty!”
Pasdite në turmën e madhe të njerëzve takova Dalan Shapllon dhe ai më pyeti nëse dija gjë për poemën e Lasgushit “Ekskursioni teologjik i Sokratit”. A ishte e vërtetë se e kishte lexuar Enver Hoxha? (udhëheqësi ynë i Partisë dhe i shtetit ndodhet këtu në Pogradec me pushime.) Të them të vërtetën unë i dredhova pakëz në përgjigje, duke i thënë: “Më duket se po, nuk jam shumë c sigurt. Vetëm se Lasgushi bisedoi me Behar Shtyllën, hëngrën edhe drekë të dy… Ndoshta Lasgushi ia ka dhënë poemën për ta lexuar dhe ky i fundit, shokut Enver…”. Por ma merr mendja se Enveri nuk merret fare me Lasgushin. Atij i duket vetja mbret-diell e Lasgushi jo vetëm që nuk ka denjuar t’i kushtojë atij një varg, por ka jetuar në mbretërinë e vet poetike pa i përfillur aspak vështirësitë e sajuara nga regjimi komunist.
Me një kartëvizitë prej Lasgushit, ku shënoheshin të gjithë titujt e tij: Doktor Profesor Lasgush Poradeci e të tjera dhe sipas porosisë së tij, të dyja me Marien vajtëm te shoku Stili Kaskaviqi, sekretar i parë i Partisë së rrethit të Pogradecit, për të pyetur se kur do të shkojmë në Selcë për të parë varret ilire. Dhe nuk shkuam kurrë, sepse nuk patëm një makinë. Tek i madhi Lasgush unë shkoj pa druajtje në çfarëdo kohe dhe bisedoj siç dua unë, kurse te dera e shtëpisë së sekretarit të Partisë (megjithëse e njoh) më lidhet goja, sepse në kohërat tona një sekretar partie është më shumë se një poet!
Në mbrëmje ne do të dilnim dhe unë i thashë Lasgushit:
-Të pres ose në Turizmin e Ri ose në të Vjetrin!
Ai tha:
– Doemos burrë modern unë, ikën, më lë dhe pastaj më pret ja këtu, ja atje!
Por e takova në mes të bulevardit, në mes të turmës me aq shumë njerëz. Ishte tërë humor dhe po më përkthente: “Solomoni ka thënë…”
Hymë tek Turizmi, pimë arançatë dhe biseduam të gëzuar. Më tha vargjet:
M’u mërzit edhe kjo jetë,
Edhe si të mos mërzitet,
Sa mbaron një helm i shkretë,
Hop një tjetër të vërtitet.
Si edhe:
Poetët janë si profetët,
Më të mëdhenj se mbretët.
Në minutën e fundit, kur do të ndaheshim, u zemëruam përsëri, sepse ai filloi të shante dikë dhe unë e kundërshtova.
27.7.1981
Koha është shumë e vrenjtur dhe e ftohtë. Me Manjolën po ktheheshim nga rrugica anës lumit e ajo më tha: “Mami, Lasgushi është në baçë!”
Unë nuk desha t’i flisja fare, meqë u zemëruam mbrëmë; por prapëseprapë i thashë vetëm: “Mirëmëngjes!” Ai u gëzua shumë dhe më porositi:
-Shko te Çelniku (drejtor i përpunim drurit) dhe i thuaj për të bërë bastunin tim. Shko tani, se drejtorët i gjen vetëm në mëngjes!
Sipas urdhrit të tij, unë i vajta Çelnikut në zyrë, po nuk e gjeta. Më vonë e gjeta te kafene “Liqeni” dhe ia thashë porosinë e Lasgushit.
Kur u ktheva, ishte ora dymbëdhjetë, trokita te Lasgusbi, ai doli lart në dritare.
-Hajde! – më tha.
-Nuk vij! – i thashë me zë të prerë. – Erdha vetëm të të jap përgjigje se ta mbarova porosinë e bastunit.
-Prit se ardha! – thirri ai. Zbriti poshtë, e hapi derën e u ngjitëm lart.
-Ulu! – tha dhe më dha në dorë shishen e vermutit.
Mbushe kupën dhe pije! – ndërkohë ligjëronte rrotull meje:
Bota janë vrarë e prerë
Dhe janë pajtuar,
Ne as vrarë, as prerë,
Vetëm dashuruar…
Dhe vijoi: -E ke dëgjuar këtë këngë: “Ma ngjitnje malin përpjetë, oi, oi! Xhinde mushka, xhinde vetë…” (Krahason femrën me mushkën!) Ma këndoi me zë dhe qeshte me gurgullimë, me sytë që i shndritnin dinakërisht. “Kështu ia shpreh labi dashurinë labes, – më tha: – Të dua moj qëne,..”
Domethënë e mbante mend që u zemëruam inbrëmë… E kështu më iku inati.
Erdhi Maria, pimë kafe, Lasgushi u vesh për të dalë. Nc të dyja i vinim rrotull duke i dhënë ato që i duheshin: rrypi, këpucët, krehëri, kapelja, cigarja e ndezur e të tjera.
Të dyja me Marien vajtëm në shtëpinë e Niko Tonës dhe e lajmëruam që të vinte sonte në orën tetë e gjysmë të darkës në shtëpinë time, që të bënim fotografi me Lasgushin. Sapo kishim mbaruar së ngrëni drekë me Marien, kur u kthye në shtëpi Lasgushi. Ishte shumë i inatosur.
-Më jep të ha! (Pjatat ishin gati.) – Kupën me verë! I shtive ujë? I shtive sheqer? – U ul mbi shtrat gjysmë i shtrirë e po hante duke ushqyer edhe Cucin në të njëjtën kohë e duke e mbajtur mbi gjunjët e tij. Ishte i veshur me pizhame.
Meqë e kuptuam se ai ishte me xhinde, ne të dyja me Marien nuk po bënim as gëk, as mëk. Unë qëndroja ulur e heshtur te shtrati tjetër përballë tij. Kur më në fund, befas, ai e hapi gojën e tha:
-Ah, po kjo qenkërka Meri Lalaj!
Unë u ngrita dhe e putha në faqe.
Në mbrëmje isha shumë e lodhur dhe e mërzitur, mirëpo erdhën Niko fotografi me Skënder Lakon, pastaj erdhi Lasgushi dhe Maria, e cila e kishte marrë Cucin hopa në krahë, që të mos i bëheshin këmbët me baltë, sepse përjashta binte pak shi. Bëmë shumë fotografi, Lasgushi gëzohej shumë kur Cuci merrte poza të bukura. Nga fotografitë që bëmë në shtëpinë time, mora dymbëdhjetë copë, njëra prej tyre është e mrekullueshme: Lasgushi i ulur në karrige me librin “Vdekja e Nositit” në duar.
28.7.1981
Me Marien vajtëm për bastunin e Lasgushit. E kishim vendosur që të shkonim për të ngrënë drekë në Katjel në formë pikniku, por nuk shkuam dot, sepse filloi kohë e keqe, kështu që gjërat që i kishim gatuar, i hëngrëm aty te shtëpia e Lasgushit: qoftet, patatet e skuqura e të tjera. Ai vazhdimisht na thoshte:
-Ushqejeni Cucin, mos hani vetëm për vete, po ushqejeni Cucin!
Meqenëse e kisha marrë me vete ekspresin e kafesë, se do shkonim në piknik, pasi hëngrëm drekë, i bëra një kafe Lasgushit, por nuk ma pëlqeu. Më tha: “Shumë e ëmbël”
Lasgushi më tregoi se Cucit ia ka vënë mbiemrin Kosova. Tani Cuci ka filluar të më dojë vërtet edhe mua. Kështu nuk më frikëson më me të lehura, madje tani më lejon që t’i përkëdhel edhe kokën. Sytë i ka shumë të bukur e të mençur, kurse qimet e trupit i ka të gjata, gati në ngjyrë të bardhë. Hera-herës Cuci më kafshon paksa dorën, si për të më provuar nëse e meritoj miqësinë e tij apo jo. Nga ana tjetër, unë e kam si njësi matëse se, kur më do Cuci, kjo do të thotë se më do edhe Lasgushi. Sot Lasgushi më tha: “O, Meri e gjithgjendshme!” Dhe pastaj pesë herë me radhë ma përsëriti se vetëm për hatrin tim pranoi që të dilte mbrëmë në fotografi.
29.7.1981
Ndodhesha te Lasgushi, ai më dha për të përkthyer një letër të dikujt. Maria pyeti:
-Babi, sekretare e ke Merin? Ai u përgjigj.
-Jo, Meri është shoqja ime më e dashur!
Ç’është Lasgushi për mua? Ai është burri më i mençur që kam takuar, ndonëse është gati pesëdhjetë vjet më i madh në moshë se unë, por mirëkuptohemi sikur të ishim të dy gjimnazistë. Është një fat i madh për mua që, duke jetuar në një qytet të vogël plot thashetheme, të kem mundësi të rri dhe të bisedoj me të. E kam vënë re se Lasgushi u përshtatet në mënyrën e sjelljes dhe të të biseduarit të gjithëve: ai di të komunikojë me fëmijët, me pleqtë, me gratë e rëndomta, me kurbetrit dhe evgjitrit. E përsërit edhe një herë se për mua është diçka tejet e jashtëzakonshme që të njoh një njeri kaq të veçantë. Natyrisht, kur jam me të, më duket sikur i përkasim të dy të njëjtit seks, kujdesem dhe e puth me një dashuri si për time bijë. E adhuroj siç mund të adhurohen gjërat më të larta.
31.7.1981
Vajta nga Lasgushi. Ai po vishej. Dolëm të tre me Marien dhe me Cucin u bëmë katër. Në rrugë ishin nja tre burra dhe na e shanë Cucin duke i thënë: “Qen bir qeni!”. Unë u inatosa, por Lasgushi më tha:
-Jepu përgjigje se si e ka emrin.
Dhe unë fola me zë të lartë:
-Cuc Kosova, dhe ndoshta këta burra që po e shajnë, do të jenë me siguri serbë.
Ata burrat (nuk ishin nga Pogradeci) e njohën Lasgushin dhe i kërkuan të falur.
Ndenjëm në Turizmin e Vjetër (vendi më i parapëlqyer i Lasgushit), u ulëm në ato karriget e bukura plastike që janë në lulishte, pastaj shkuam te stacioni i autobusëve dhe e përcollëm Marien për në Tiranë. Asaj i mbaroi leja dhe e fillon punën nesër. Pasi u nis Maria, po ecnim të dy nëpër vapë dhe kërkonim shtëpinë e Petro Priftit (nip i Lasgushit nga e motra). Unë lexoja te dyert apartamenteve emrat e familjarëve, por ai e dinte se ku duhej të shkonte, e dinte mirëfilli, e dinte si djalli, më thoshte kot “ta gjejmë këtu e atje”, dhe, kur po i ngjitnim shkallët te banesa e duhur, ai më tha:
-Unë të mora me vete që të më shoqëronte një femër elegante si ti. Pa sa për shtëpinë e dija se ku ishte…
E lashë te dera dhe u largova, ika. Nina nuk është kthyer nga Tirana dhe në orën dy e tridhjetë minuta vajta të shihja se çfarë do të hante për drekë Lasgushi. Kur do të ikja, më dha një antologji poetike frëngjisht për t’ia shpënë doktor Mistos.
Në orën tetë e tridhjetë në mbrëmje i vajta në shtëpi, e gjeta të veshur gati për të dalë. Dolëm në rrugë. Afër kafe “Mokrës” më tha: “Më bli një paketë cigare”. (Ai donte “Partizani”, që janë më të lira, duke më thënë se nuk kishte para për të blerë cigare të shtrenjta. Por unë i bleva “DS”.) Kur dola nga klubi me paketën në dorë, e gjeta Lasgushin me doktor Miston, Myzejenin e Dalan Shapllon. Ndërkohë që ishim duke biseduar, erdhi edhe Koço Kosta me gruan dhe fëmijët, pak më vonë erdhën edhe Sokol Angjeli me të fejuarën, Burbuqen. Lasgushi vazhdoi bisedën që kishte filluar me mua për kombin, të cilin e përbën një popull me të njëjtën gjuhë dhe zakone të njëjta, e, ndërsa fliste, na elektrizoi plotësisht aty në mes të rrugës, ku kalonin kamionë që na mbulonin me pluhur. Ne vazhduam rrugën me doktor Miston dhe Koço Kostën për në Turizmin e Vjetër. U ulëm në verandë. Biseduam shumë e shumë gjëra për Ilirinë. Lasgushi na tha se Norbert Jokli, albanologu i shquar, nuk i ka pasur në konsideratë pellazgët, prandaj edhe nxënësi i tij Eqrem Çabej, nuk i përmend. Folëm për studimin e Spiro Kondës, librin e të cilit gjatë kësaj kohe Lasgushi e mban nën jastëk. Lasgushi thotë se po shkruaka baladën e Themistokli Gërmenjit. Shtjelloi idenë e atdhetarit të vendosur se “po të iki unë, nuk bëhet Shqipëria”. Na recitoi katër vargje ku heroi shpreh tri dëshira:
1. Të vishej me rroba shqiptarisht.
2. Të mos ia lidhnin sytë para ekzekutimit.
3. Të jepte vetë komandën për zjarr, kur ta qëllonte skuadra e pushkatimit.
“Tha të tri fjalët dhe mbaroi
Dhe shpejt jep urdhër: “Zjarr!”
Atje ku bie vdes heroi,
Rilind Atdheu Shqiptar!”
1.8.1981
Ishte një mëngjes i shkëlqyer me diell. Në orën nëntë e tridhjetë vajta te Lasgushi. Shumë gjynah që jeton në një mizerje dhe varfëri të tillë! Më tregoi rregullat e tij:
-Derdhi plirat (plehrat) jashtë në kazanin e plirave dhe laje legenin e fshesën në çezmën e Ditkës.”. Unë sigurisht që zbatoj gjithçka me përpikëri. Lasgushi më ka treguar hollësisht për gruan e tij, Nafijen, e cila, kur ishte vajzë, i kishte kaluar tifon e zorrëve dhe e ëma i vinte akull mbi bark për t’ia larguar zjarrminë. Në këtë mënyrë iu ftohën vezoret. Dhe, pasi u martua, nuk lindte dot fëmijë. U vizitua në shumë mjekë dhe më së fundi i bëri derman doktor Jani Basho; kështu, pas një mjekimi në llixhat, Nafija lindi Ninën, pasi kishin kaluar gjashtëmbëdhjetë vjet martesë. Kur ata u martuan, Nafija ishte nëntëmbëdhjetë vjeçe, kurse Lasgushi, dyzet e një vjeç. Lasgushi më ka thënë: “Unë ia vura emrin çupës sime të madhe Konstandina, sipas emrit të nënës sime, dhe çupës tjetër, Maries, sipas emrit të motrës sime, murgës që më ka vdekur”. Kur Nina ishte vajzë e vogël, Lasgushi i këndonte:
Nina, Nina Konstandinë,
Leshraverdhë trëndelinë,
Ke afër shtëpinë me mullinë.
Gjithë bota vijnë e shkojnë,
Konstandinën vizitojnë.
Në orën nëntë e gjysmë të darkës Lasgushi ishte me Klime marangozin, ulur tek Turizmi i Vjetër, tek ajo tryeza e qoshes.
2.8.1981
Në orën dhjetë pa njëzet e pesë minuta i vajta Lasgushit në shtëpi, ishte duke ngrënë shtrirë, pa hequr as jorganin. Djathin e kishte skuqur në një tigan të nxirë. Çudi, sa gjëra të fërguara që përdor për të ngrënë!
Gjatë ditës Lasgushi ha: Në mëngjes mund të pijë kafe, pastaj një vezë të zier dhe pak bukë të bardhë me djathë, pas këtyre përsëri kafe. Në drekë medoemos e do një copë mish ose sallam a kremviçe dhe një pjatë gjellë, mundësisht perime ose sallatë dhe, kur ka mundësi, pi një kupë të vogël me verë të holluar me ujë dhe me pak sheqer. Pas buke, kafenë e do të fortë dhe të zier shumë. Mund të hajë gjësendi edhe për zemër. Ndërsa darkën e ha vonë, në orën njëmbëdhjetë të natës: vetëm një gotë kos dhe një pjatë makarona. Gjatë gjithë ditës ai mund të hajë vetëm një panine të vogël.
Kur i vajta unë, po i vlonte kafeja në xhezve përmbi furnelën e vogël elektrike. Ia zbraza në një filxhan të ciflosur. E lashë pak të ftohej, pastaj ia dhashë për të pirë. Më tha: “Je e mrekullueshme!”. E, ndërsa unë i thashë se nuk isha hiç e mrekullueshme, se do të isha e mrekullueshme, po të kisha para dhe t’ia blija të gjitha gjërat të reja: shtëpinë, enët e kuzhinës dhe çdo gjë tjetër, tha: “Mos kujto se gjej kënaqësi të rri në këto kushte dhe me këto pantallona të arnuara mizerje!”
Më tregoi për Mikelanxhelon, kur e thirri Papa që t’i pikturonte muret dhe tavanin e sallës ku hanin priftërinjtë. Si përfundim Papa e shpërbleu me gjashtë milionë florinj. Por theksoi: “Arti i vërtetë nuk ka të shpërblyer!”. E pyeta se çfarë donte të thoshte me vargun: “Që t’i jap shpresë edhe t’ia marr” te poezia “Vdekja e Nositit”. Më shpjegoi se nositi, që e ka çarë gjoksin e tij, i jep shpresë vetes se me gjakun e zemrës së tij ushqen atë që do të jetojë më tej, por edhe fati i zogut do të jetë
pikërisht si fati i artistit, që sakrifikon vetveten për të lënë diçka pas. Ndërsa komentonte, filloi të më recitonte poezinë “Vdekja e Nositif’ dhe ishte diçka aq e bukur, aq e jashtëzakonshme. Nisën të më rridhnin lotët dhe si me kujdes i vura duart në fytyrë, që ai të mos më shihte. Por Lasgushi më kuptoi që po qaja. Dje më tha për një shkrimtar:
-Ai i dobëti më ka hyrë në zemër, shumë i mençur. – Dhe unë iu kundërpërgjigja me ironi:
-Interesant, me burrat nuk gabohesh kurrë për t’i përcaktuar, kurse me gratë gënjehesh!
-Po, – tha, – janë djallëzore dhe se si më mashtrojnë!
Ai u ngjit lart në odiçkë dhe i zbriti shkallët tri herë me vrull: herën e parë mbushi një shishe me ujë aty te çezma në korridor, herën e dytë më tha këto vargje të cilat, i ka shkruar që më 1912 me stil liceist:
Enigma (e jetës)
Ah, zero është çfarëdogjë,
Se plus me minus venë kot,
Sa vijnë e shkojnë gjithënjë
Enigmën (e botës) nuk ma thonë dot.
Se është mi dhe kocomi
Njeriu që zbriti nën dhe,
Do çduken në përjetësi
Dhe çdo gjigant, dhe çdo pigme.
Herën e tretë zbriti me portofolin në dorë për të më paguar (meqë nga data 31 korrik në drekë e këtej, kujdesem unë për të, sepse të dy vajzat e tij janë në Tiranë).
– Merr kalemin dhe shkruaj sa para bëjnë ato që më blerë këto ditë, – më urdhëroi.
Unë i thashë:
-Nuk të kam blerë asgjë! – dhe në një fletë letre i shkrova me shkronja të mëdha e të qarta: ” Ciniku di çmimm e çdo gjëje dhe vlerën e asgjëje”.
Kur i vajta ta shihja në drekë, kishte nëpër duar disa nga pusullet e mia.
Në orën shtatë dola vetëm. Kisha veshur kostumin si në ngjyrërozë-lejla me bluzën që lidhet me fjongo. Vajta te Lasgushi dhe i shpura një vazo me kos. Ai ishte lart në kullë, shtrirë në shtrat me një libër para duarve, i mbuluar me një pallto të vjetër, të grisur copë e çikë. Kur hapa derën, ai heshti për disa çaste e pastaj më tha:
-Tashti kisha një mendim të tmerrshëm në kokë që nuk po më vjen, që nuk po e rregulloj dot. Por më erdhe ti. Je shumë elegante, je e veshur shumë bukur, e tëra me një ngjyrë nga koka në këmbët (fliste ngadalë e ngadalë, duke i renditur fjalët një pas një e me kujdes). Tani, këtë minutë, edhe sikur të më vinte femra më e bukur e botës, do t’ia prisja syve, po nuk kam çfarë të bëj, se më ardhe
ti… dhe ti je e mrekullueshme… Ti je mbi të gjitha… – Heshti një hop. (Unë, natyrisht, po mrekullohesha nga fjalët e tij. M’u duk sikur po më dilnin krahë për të fluturuar e këmbët majë këpucëve me taka nuk i kisha fare aty përmbi pragun e deriçkës së kullës së tij, por në ajër.) Atij i ndritnin sytë djallëzisht, për tmerr, e vazhdoi:
-Se ti, zonjushë, më solle mua kosin, pra interesin… Kështu që unë sonte nuk do të mbetem pa ngrënë darkë.
-Po, po, – u përmenda unë dhe shpejt e shpejt, pa e bërë veten, zbrita nga qielli në tokë, i thashë me zë të qetë një “Mirupafshim!” dhe ika.
3.8.1981
Në frigorifer, te mamaja ime, se unë nuk kam frigorifer, kisha futur një peshk të madh për Lasgushin. I skuqa një copë për drekë, por ai donte edhe kokën e peshkut, që t’ia bëja supë. Nuk kisha çfarë të bëja. Ndeza furnelën e vajgurit atje në atë copëz korridor të ngushtë (të cilit Lasgushi i thotë “çardhak”), dhe e vura kokën e peshkut për të zier në tenxheren me presion. Ne po rrinim të dy përballë tenxheres që vërshëllente, kur befas u shkëput valvola e hekurt dhe kaloi me tërsëllëm porsi plumb midis kokës së tij dhe kokës sime. Unë u tmerrova për Lasgushin, se mos pësoi gjë, por shpëtuam të dy për mrekulli. Dhe si përfundim, pasi u zie koka e peshkut, ia dhamë për ta ngrënë maces. Tani macja ka pjellë tri kotele dhe Cuci vajti që t’ia hajë. Njërën e mbyti fare, por dy të tjerat mundi t’i shpëtonte Lasgushi. Macja është akrobate e vërtetë, hidhet mbi dorezën e lartë të derës dhe e hap vetë duke u varur mbi të, ndërsa, duke u hapur, derës i kërcasin menteshat e ndryshkura.
Lasgushit i thashë se nuk do të shkoja më aq shpesh tek ai, sepse gratë e mëhallës nxjerrin kokët pas knrtinaqkave të dritareve, kur kaloj unë rrugicës së tij dhe më shohin kur futem brenda në shtëpi, madje kanë filluar që të pëshpëritin sikur Meri Lalaj ka rënë në dashuri me Lasgushin. Dhe ai qetë-qetë mu përgjigj: “Po ku ka gjë më të mirë dhe më të bukur sesa të biesh në dashuri me dikë!”
4.8.1981
Në orën nëntë e tridhjetë vajta te Lasgushi. Po hante mëngjesin ashtu në mizerje. Ishte i përsosur, i mrekullueshëm në bisedë dhe si gjithnjë më erdhi shumë keq për veten time që nuk kisha një magnetofon që ta regjistroja. Më tregoi fije e për për bisedën e një nate më parë me Dhimitër Shuteriqin dhe se si e kishte vënë përpara me fjalët: “Ke sunduar Lidhjen e Shkrimtarëve për njëzet e pesë vjet me radhë; kur u mblodhët pas Luftës me Sejfulla Malëshovën, thatë që Lasgushit të mos i japim rrogë, se është i sëmurë dhe nuk punon dot më. Domethënë prisnit që unë të vdisja, por unë nuk vdiqa, se më ndihmoi Shevqet Musaraj, i cili tha se Lasgushin e kemi poet, Megjithatë, kur u bëre kryetar i shkrimtarëve, kohë më kohë më dërgoje nga dhjetë mijë lekë”… “Unë e Dhimitër Pasko, siç të thashë, punonim si përkthyes në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Punonim me normë e përkthenim ç’të na jepnin: libra shkollorë, si algjebër, kimi, trigonometri e të tjera… (të përfytyrosh Lasgushin duke u marrë me formula e ekuacione, kur më ka thënë se matematika është një ofendim për njeriun). Po duhej të punonim, se duhej të jetonim, se kishim fëmijë për të ushqyer. Dhe punonim me normë e merrnim nga katër mijë leka në muaj, po nuk kishim se ç’të bënim, aq ishte rroga. Kur papritur një ditë na qeshi fati, sepse drejtor i shtëpisë botuese u vu Drago Siliqi. Eh! Çfarë djali ishte Drago Siliqi! Na mblodhi në zyrë e na tha: “Që sot e tutje rrogën nuk do ta keni katër mijë, por tetë mijë leka e do të përktheni sipas dëshirës suaj, autorët më të mirë, kryeveprat e letërsisë botërore do t’ia japim lexuesit shqiptar. Ju i dini këto gjëra më mirë se unë e do të punoni në shtëpitë tuaja, nuk do të keni më normë, sepse arti, poezia nuk bëhet me normë…”E kështu ne shpëtuam…”
(Më kujtohet një mbrëmje letrare kur unë isha gjimnaziste e Lasgushi recitoi vjershën “Norma” që përfundonte kështu: “Norma është ajo gjë që duhet tejkaluar!”. Mbaj mend se aty ndodhej edhe Dhori Qiriazi.)
E Lasgushi vijonte të më rrëfente: “Një ditë na mblodhën në Lidhjen e Shkrimtarëue. Sallë e madhc, mbledhje e madhe, kokë të mëdha. Fol njëri, fol tjetri. Që të tërë flisnin kundër Ismail Kadaresë, kundër librit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Jo po është kështu, jo po është ashtu… Mbledhje, mbledhje e madhe tërë ditën e ditës. Ra nata. Ne aty në mbledhjen e madhe… Më në fund u vendos që libri të ndalohej, të mos botohej dhe mhledhja u mbyll, mbledhja mbaroi. Sapo bëheshim gati për të ikur, Skënder Luarasi, që rrinte pranë meje, ngre dorën: “Me leje, e dua fjalën vetëm për një minutë!” Dhe Skënderi tha: “Ky djalë, ky libër do të hapin portat që letërsia shqipe të njihet në botë, që bota ta njohë Shqipërinë. Kaq!” Pasi mbaroi Skënderi së foluri, unë ngrita gishtin dhe thashë: “Me leje, e dua fjalën vetëm për gjysmë minute!”. Dhe thashë: “Bashkohem edhe unë me mendimin e Skënderit”. E kështu e shpëtuam atë libër…”
Ndenja me Lasgushin më shumë se një orë e gjysmë. Ai ligjëronte e ligjëronte e medet sikur të mundja të mbaja mend çdo fjalë që nxirrte nga goja, sepse fliste mrekullisht, e zgjidhte çdo fjalë me kujdes të veçantë.
I ka mbetur në mendje Ana Dostojevskaja njëzetvjeçare, e cila u martua me Dostojevskin e famshëm, kur ai ishte plak.
I bleva karpuz dhe ia shpura bashkë me peshkun e skuqur. Ndërsa po ngjitja shkallët, më priti me fjalët: “Meri, e dashur!”
Ishte shumë vapë dhe unë nuk rrija dot te Lasgushi. Ai filloi të hante së bashku me qenin dhe macen. Macja kërkonte t’ia rrëmbente peshkun Lasgushit, ta linte pa ngrënë. Në mbrëmje dolëm bashkë. Ndenjëm deri vonë, në orën dhjetë. Ishim ulur në lulishten e Turizmit të Vjetër, tek tryeza e qoshes. Ai po më tregonte diçka dhe unë duhet që ta ndiqja me shumë vëmendje. Mirëpo pranë nesh kaloi një grua dhe unë ia hodha sytë kot për ta parë se cila ishte. Ajo ishte shumë e shëndoshë, e trashë në trup. Lasgushit, të cilit nuk i shpëtoi vështrimi im, më tha: “E ç’e shikon atë? Po të ishe ti ashtu si ajo, unë as që do të shoqërohesha me ty. Mishra, mishra… si ne kasapi…”
Unë qesha dhe vazhdova ta ndiqja me vëmendje.
6.8.1981
Lasgushi më tha se nuk kishte shkruar vetëm “Ekskursioni teologjik i Sokratit”, por edhe të tjera “ekskursione” si i Krishtit, Muhametit, Dantes, i Perëndisë Gjermane, për pernditë indiane Veda e të tjera.
8.8.1981
Mëngjes. Në orën tetë pa pesë minuta vajta te dera e Lasgushit. Ishte e mbyllur. Trokita. Brenda Cuci lehte,
9.8.1981
Vajta te Lasgushi. U ngjita lart në kullë. Më tha se detyra e njeriut fisnik në këtë botë është që të lërë diçka pas. Lasgushi ka një dashuri të jashtëzakonshme për Atdheun. Ai thotë: “Armikun e Shqipërisë unë e ha të gjallë, e vjell dhe e ha prapë”. Lasgushi dhe Manjola më prisnin në mbrëmje në lulishten e Turizmit të Vjetër. 1 gjeta kos edhe panine, që të hante Lasgushi darkë. (Unë shkruaj hollësisht për gjëra ushqimore, sepse ne jetojmë me racione dhe ushqimet e mira gjenden me vështirësi).
11.8.1981
Dje, sapo kisha dalë, kur më zuri syri Lasgushin që po e mbante për krahu Klime marangozi, shoku i tij i rinisë. Sa bukur duken të dy. Njësoj të gjatë në trup, xhaketat iu varen nga supet e rëna dhe me bastune në duar. Pasi Lasgushi u nda me Klimen, vazhduam të ecnim ne të dy nëpër rrugë dhe më tregoi se si i ishin përndjekur nga serbët kosovarët në kohën e Zogut. Kështu, kishin ardhur në Shqipëri dy kosovarë: Bajram Gashi dhe Haki Taha, që jepnin mësim njëri në njërën shkollë të fshatit, tjetri në shkollën tjetër të Shënavlashit. “Një ditë në Tiranë, vazhdoi Lasgushi, – më takoi në rrugë Haki Taha dhe më tregoi një libër, ja kaq të trashë, sa gishti im. Ai libri ishte një përmbledhje me poezi për Kosovën. Aty ishte edhe poezia ime “Marsh kosovar”.”
-Të lutem, – më tha Haki Taha, – të na bësh një paarathënie për botimin e këtij libri.
-Unë nuk shkruaj në prozë, – i thashë, – po për Kosovën do ta bëj parathënien.
-Një herë tjetër vajta në Shënavlash, – vijoi Lasgushi, dhe më ftoi për drekë prifti i fshatit. Duke ecur rrugës nëpër fshat, takova Haki Tahën, i cili më tha: “Unë dhe nana po të presim për drekë”. Unë i thashë: “Më ka ftuar për drekë prifti i fshatit, por do të vij tek ti.” Në shtëpinë e tij ndodhej një koritë me shtatë a tetë kilogramë qumësht për mikun, se shqiptari, kosovari, e përmbys shtëpinë për mikun, – e vazhdoi:
-Kur hyri Italia fashiste, që të dy, Haki Taha dhe Bajram Gashi, dolën malit për të luftuar, Bajrami u vra duke sulmuar një postë italiane. Kur Haki Taha doli malit partizan, Miladin Popoviçi i tha: “Kur të çlirohemi, në Kosovë do të udhëheqin shqiptarët”. Pasi u çlirua vendi, Miladin Popoviçi u bë sekretar i parë dhe nuk i binte më ndërmend që të mendonte për kosovarët aty ku kishte zënë vend në kolltuk. Dhe një ditë prej ditësh Haki Taha vajti atje në komitet dhe i tha rojës me pushkë që ruante tek dera: “Lajmëroje Miladin Popoviçin se e kërkoj unë!”. Roja e lejoi që Haki Taha të hynte brenda në komitet dhe mu në zyrën e Miladinlt ai nxori koburen e ia numëroi të dhjeta mu në ballë. Pasi e vrau, e fshehën kosovarët, se me javë të tëra e ndiqnin serbët. Më së fundi, kur e rrethuan dhe donin që ta kapnin të gjallë, Haki Taha vrau veten, vetëm trimat e vrasin veten.”
Meqenëse më mbajti në këmbë pesëdhjetë e pesë minuta duke folur vetëm ai dhe meqë pa shenja padurimi tek unë, më foli me zë të vrazhdë:
-Ty të intereson më shumë barku (se unë isha pangrënë), sesa Kosova!
Isha tmerrësisht e lodhur dhe e uritur njëkohësisht.
Në mbrëmje, në lulishten e Turizmit të Vjetër erdhi Lasgushi me Klime Dhamin (marangozin), u ulën me ne. Lasgushi më tha se e lexoi novelën time “E gëzofsh jetën!”, shtoi se duhet titulluar “Kronikë spitali” dhe vazhdoi: “E ke shkruar bukur, me partishmëri të lartë!”. Më erdhi për të qeshur: sa i mençur dhe sa humor fin që zotëron. Unë ndërrova vend dhe ndenja pranë tij. Kapelën e kishte ngritur përmbi ballë, fytyrën shumë të rrudhur, por sytë i vetëtinin dhe ndrinin.
15.8.1981
Vajta te Lasgushi. Më tha: “Ti je hije e lehtë që kur më vjen atje ku shkruaj unë, nuk më shqetëson, nuk m ‘i prish dhe nuk m’i largon mendimet”. Dolëm në rrugë Aty na takoi një burrë i ri, i cili më shpotiti pse rrija me Lasgushin, duke aluduar për moshën dhe shëndetin e tij. Unë e përmbajta inatin që më vlonte përbrenda, dhe iu përgjigja ashpër: “Lasgushi është më i mençuri dhe më interesanti burrë që kam takuar në jetën time!”
16.8.1981
Në kohën e drekës po kthehesha nga kampet, ku kisha vajtur për të takuar një shoqen time. Prej së largu, diku përballë Turizmit të Ri më zuri syri Lasgushin bashkë me Cucin. I thirra gjithë gëzim: “Lasgush!”. Ai qëndroi buzagaz, duke më thënë: “Ma nxirr këtë lulelakër nga xhepi!”. Pastaj filloi që të nxirrte vezë nga xhepat e pantallonave e xhepat e xhaketës, nja 20 kokrra. “Ju gratë mbani çanta! Më shpëtove! – tha tërë humor e duke qeshur – Se unë po ecja me shumë siklet, që të mos i thyeja. – Dhe vazhdoi: – Ju femrat jeni krijuar për të na shërbyer neve, burrave!” Dy djem të rinj simpatikë rrinin e na dëgjoinn mbështetur pas murit të Mapos. Ndërsa unë iu përgjigja
“Sigurisht skllave jemi, por harroni veten tuaj kur luteni e betoheni dhe bëheni skllevërit tanë…”. “E… e… doemos… ashtu është!” – tha dhe iu mbyll goja.
17.8.1981
Po shkoja te Lasgushi. Aty te kthesa e ngushtë para shtëpisë së tij më doli Cuci. Unë u tremba, pas tij ishte Lasgushi, shumë i gëzuar që po më takonte, dhe më tha: “Si më del kaq papritur? Dalëse!”
6.9.1981
Të dyja me Manjolën vajtëm te shtëpia e Lasgushit. Trokitëm në derë. Sa bukur e nxori kokën lart në dritare: “Ja ardha!”. Më tregoi se poemën “Kamadeva” ka filluar ta shkruajë në Vlorë në spital, në vitin 1958, në orën tre e një çerek pas mesnate, me kokën nën jorgan, se ishte ftohtë. Në mbrëmje e takova përsëri Lasgushin. Ishte vetëm dhe më tha: “Jam skllavi yt!” Të dy u futëm në Turizmin e Vjetër brenda në sallë. Unë pija arançatë, ai fërnet. Midis të tjerash më pëshpëriti: “E dëgjova në radion time se Sabri Hamitin e dënuan serbët me 15 vjet burg dhe se ai ka thënë në gjyq: “E kam për nder të dënohem për Atdhe…” (Të jetë e vërtetë apo Lasgushi fantazon?)
– Gëzuar! – i thashë. – Shëndeti i Sabri Hamitit!- dhe pimë pasi i çukitëm kupat së toku. – Le të jetojmë derisa ta takojmë Sabri Hamitin.
Ishte shumë i kthjellët, i mirë dhe komunikues. Më tregoi një fotografi ku kishin dalë Tefta Tashko, Lola Gjoka, Lasgushi, Asdreni, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Koço Tashko, pas një koncerti që ishte dhënë në Shkodër për nder të Asdrenit e Lasgushit.
20.9.1981
Vajta pasdite nga Lasgushi. Unë isha mbështetur tek shtrati anës murit, pranë derës. Ai te shtrati i vet rrëzë dritareve. Duke ngrënë bukë, ngrihej, më hakërrehej dhe përleshej me fjalë me mua kot më kot. Unë vendosa të mos i përgjigjesha dhe nuk ia vija re se çfarë sajonte, po, kur më tha: “Ti qenkërke si Ana, që thotë se do të shkruajë autobiografinë time”, – iu përvesha: “E para, unë nuk jam Ana; e dyta, nuk të kam thënë se do të shkruaj gjë për ty; e treta, nuk të kam vjedhur ndonjë dokument që ta kem material për monografinë tënde”, – e të tjera, e të tjera
Kishte dëshirë të fliste me mua për Niqkën, të më rrëfente për të. Unë i thashë se, kur ndodhesha në një shtëpi në Tiranë për vizitë, atje ishte edhe Niqka. (Po kot sa ia tregova këtë fakt, sepse për Lasgushin Niqki nuk mund të jetë ajo gruaja e rëndomtë që pi kafe me shoqet e saj nëpër vizita, por malli dashuror i dikurshëm, malli i përjetshëm, i mbetur pezull në hapësirë midis viteve).
25.9.1981
Te Lasgushi kishte vajtur një arkitekt nga Instituti i Monumenteve të Tiranës, i cili po skiconte shtëpinë ngt brenda, por që nuk kishte asnjë ide për poezinë. Lasgushi ndodhej në kullë. Unë u ngjita atje. Më tha se sot e kish mbaruar së shkruari “Gjeneza e Kamadevës”. (Për dashurinë e Niqkës. Janë ato shënimet e imëta shkruar me shkronja aq të vockëla, saqë ai i lexon me lupë. I ka hedhur në të pastër nja 600 faqe në fletë që përdoren pëi makinën e shkrimit. Unë nuk kam lexuar asgjë.)
Më mbajti një leksion teologjik. Më dha për të lexuar një fletore me lirika, të cilat i kopjova me dorë. Disa janë shumë të bukura.
27.9.1981
Në orën dy pa dhjetë minuta e takova Lasgushin tek ura. Më këshilloi se koha duhet racionuar për çdo punë dhe shtoi: “Unë shkruaj, se dua ta rrëfej veten që jam shqiptar”.
1.10.1981
I shpura Lasgushit fletoren me “Lirika”, të cilën ma pati dhënë për ta lexuar, dhe i thashë se redaksia e i tregimit të shtëpisë botuese “Naim Frashëri” ma ktheu përsëri librin tim me tregime. “S’ka gjë, – më tha, – përsërit atë vjershën që kam shkruar unë për redaktorët. Ti e di fare mirë se si më qethën shtatëmbëdhjetë vargje nga balada e Muharremit, por unë e dua shumë Atdheun dhe vazhdoj të shkruaj për dashurinë e filozofinë”.
4.10.1981
Pas orës dymbëdhjetë vajta te Lasgushi lart në kullë (ishte bashkë me Rinush Idrizin, i cili interesohet për poetët e viteve ’30). Dolëm bashkë. Lasgushi më tha: “Anës iu zhvesha pisk e lakuriq, i rrëfeva çdo mendim dhe ajo më vodhi poezitë e vogëlisë që kam shkruar në Poradec e Manastir.”
Pasdite e kishim lënë për të shkuar të uronim Tokun (Fatos Minarollin), se i lindi nusja vajzë. Pritëm Lasgushin gati dyzet minuta, derisa u bë gati. Duke zbritur shkallët, theu një filxhan kafeje e ne thamë: “Gëzuar!”. Cuci më do fort, më hidhet në gjunjë e më përqafon. Pasi i morëm pastat në duar, u nisëm duke qeshur dhe Lasgushi tha: “Një burrë gjithmonë degjenerohet midis femrave”. Meqenëse ne po vazhdonim të llokoçitnim, ai na tha proverbin gjerman dhe e përktheu: “Një burrë-një fjalë, një grua-një fjalor”.
Kur u kthyem nga vizita e po bisedonim për ritet dhe zakonet kur shkohet te foshnja e porsalindur, ai na tha:
-E, ç’janë këto besëtytnira? Fall me filxhanin e kafesë, fat, gjëra të kota. Më e vështira është të gjesh dhe t’i vësh një emër fëmijës.
Kur ndodheshim në kullë në kohën e drekës, Lasgushi po i tregonte Rinushit për dyqanin që kishte pasur babai i tij, i cili shiste lloj-lloj gjërash: kandilë, sapun, lesh, litar, kripë, vaj, sheqer, allaxha (cohë), kandarë për të peshuar e të tjera sende. Nëna e Lasgushit thoshte: “Kam katër djem, se i duhen Shqipërisë. Njërin do ta bëj oficer”, – dhe e bëri, Vangjelin. Na rrëfeu edhe se si ky Vangjeli kishte rrahur djalin e beut të Minarollëve, e kishte lidhur pas drurit të kumbullës dhe e kishte zhdëpur paq. Lasgushi vijoi: “Minarollët ishin bejlerë, por ama ishin shumë patriotë, e donin Shqipërinë.”
5.10.1981
Në orën dy pa pesë minuta, nën diellin e nxehtë takova Lasgushin, që ishte bashkë me Klime marangozin. Gjithnjë më çuditin se sa bukur duken të dy, i ndalin hapat në rrugë e mbeten duke çuçuritur me njëri-tjetrin. Të dy me bastunë, me gjunjë pak të përthyer. Klimes i vezullojnë fap e fap qelqet e trasha të syzeve (por i mjeri ai, ka një brengë brenda në shpirt për djalin e vogël që ia futën shtatë vjet në burg, vetëm sepse kapërceu kufirin).
E pyeta Lasgushin nëse do të vinte në orën pesë pasdite në Shtëpinë e Kulturës në një takim në kuadrin e hapjes së muajit të letërsisë. Ai më tha:
– Për ty unë vij të them një vjershë.
– Atëherë, mos hajde sot, – i thashë, – por më 20 tetor, ditën e poezisë.
Ndaj të ngrysur isha me Frida Idrizin dhe e dërguam Manjolën te shtëpia e Lasgushit, që ta pyeste se në ç’orë do të dilte. Vajtëm dhe e pritëm përpara derës së shtëpisë së tij. Doli bashkë me qenin të lidhur me rryp. Në fillim të bisedës sonë u hëngra me fjalë me Lasgushin se përse kishte lejuar që t’ia vidhnin librat e dorëshkrimet. Ai u justifikua duke thënë: “Jam shqiptar dhe e kam traditë mikpritjen. Por, po të kesh futur tjetrin brenda në shtëpi, e futur edhe spiunin, edhe hajdutin…”
Hymë në Turizmin e Vjetër. Gjatë kohës që Frida dhe Rinushi vajtën për të ngrënë darkë, Lasgushi më tregoi se, kur ishte student njëzetvjeçar në Bukuresht, kishte një shok piktor dhe poet. Ky shoku i Lasgushit kishte një vëlla piktor shumë të mirë, që pikturonte detin. Vetëm detin, pa zall e pa breg, vetëm valë, vaporë, dallgë. por ama, pikturat e tij ishin të bukura, shumë të bukura; po të shikoje një pikturë të tij me dallgë të ngrira e të ftohta, të hynin në trup ethet e të dridhurat. Kritikët,
ata që kanë zili, domethënë ziliqarët, i thanë se nuk dinte të bënte portrete, por vetëm peizazhe. Atëherë ç’bëri ky piktori rumun? Pikturoi portretin e mbretëreshës së Rumanisë, e cila e donte artin dhe shkruante vjersha, se ishte poeteshë dhe i botonte poezitë me pseudonim, jo me emrin e saj të vërtetë. Dhe ky piktori hapi prapë ekspozitë me dete, dallgë e valë, por ama u tregua i mençur, se në krye të ekspozitës vendosi portretin e mbretëreshës. Pra, ua mbylli gojën keqdashësve e ziliqarëve, tani ata nuk guxonin të flisnin, sepse ai kishte bërë portretin e mbretëreshës dhe e kishte bërë mirë…
(Donte që gjithë kohës ta dëgjoja me vëmendje e të mos ia hiqja sytë.)
Ai vazhdimisht më përmend: “Unë jam shumë komunikativ, shumë elektrizues në bisedë, Ismail Kadareja është i madh gjeni, por nuk është komunikativ.”. Dhe vijoi tregimin. Vëllai i këtij piktorit të madh të Bukureshtit, duke qenë shok i Lasgushit, i gjeti këtij një dhomë për të jetuar e banuar si student, në një shtëpi të mirë me oborr të madh. “Rreth e rrotull ndodheshin tri, katër, pesë fqinjë, më respektonin, dhe një vajzë (e njërës shtëpi), që e kishte emrin Aleksandrina, më donte. Por unë nuk kisha ndjenja për të dhe nuk mund ta gënjeja, se nuk jam donzhuan. Gjithashtu në njërën nga këto shtëpi përdhese banonte edhe një familje tjetër. Nusja e shtëpisë ishte shumë e dashur me mua dhe hera-herës më kthente në shtëpinë e saj. Njëherë kjo nusja më nxori mjaltë në një pjatkë të vogël floriri. Unë pyeta se ku e kishte gjetur, se nuk shiteshin gjëkundi, dhe më bëri përshtypje ajo pjatkë prej floriri. Kurse ajo më tha: “Llazar, im shoq, Kristaqi, është kamerier në pallatin mbretëror dhe atje e ka vjedhur”. Unë isha gjithnjë i mirëpritur në atë shtëpi. Nusja (nuk ia përmendi emrin asnjëherë) më donte, por nuk mund ta doja unë atë që ishte grua e martuar, ishte e një tjetri. Po të ishte vejushë ose vajzë, ndryshonte puna…”
(Nejse, Lasgushi kështu e ka zakon, hap paranteza të gjata dhe, duke qenë tmerrësisht i kthjellët, kthehet pikërisht te fjala ku e ka lënë fillin e bisedës së nisur.)
“Pra, – vazhdoi Lasgushi, – e pyeta Kristaqin, që ishte kamerier në pallatin mbretëror:
-A ka bibliotekë mbreti?
-Ka, – u përgjigj ai.
-Po mua, – vazhdoi Lasgushi, – më duhet një gazetë shqiptare me titull “Shqiptari”, numri i parë që dilte nga shoqëria shqiptare e Bukureshtit me kryeredaktor Nikolla Naçon (Korça).”
Dhe kështu kamerieri ia mbaroi porosinë. Ia solli gazetën dhe, siç më tha Lasgushi, e ka atë gazetë edhr sot e kësaj dite, atë numër të parë me kushtim për mbretin Karol. (Nuk jam e sigurt në e ka atë gazetë.)
Kur u kthyem, unë po e mbaja Lasgushin për krahu. Ai, si gjithnjë egoist, më tha:
– Gëtja, kur ishte tetëdhjetë e tre vjeç, shkroi lirikat e tij më të bukura! Dhe unë i thashë:
– Nuk je larg Gëtes. A ka shkruar Gëtja mrekulli të tilla si “Ku vemi shpesh”, “Gjeniu i anijes”, “Vdekja e Nositit”, “Pandaj”, “Zemërimi jonë” e plot të tjera mrekulli? (Hera-herës Lasgushin duhet ta llastosh si fëmijë, si cilindo artist tjetër.)
6.10.1981
Në orën njëmbëdhjetë e dhjetë minuta vajta te Lasgushi. (Sa shumë gëzohet kur i vete njeri!) Më tha:
– Unë nuk ia hap derën kujtdoje. Le të trokasë dhe le të ikë. Por ty ta hap, ti ke leje të hysh deri lart në kullën time! -E, ndërsa fliste, sytë i vetëtinin me një gëzim gati-gati fëmijëror.
Unë vajta atje, që të takoja Rinushin. E kishim lënë të takoheshim në orën njëmbëdhjetë. Ndërsa po rrinim të dy me Lasgushin në dritare, në atë pak më të madhen që i bie nga rruga, dhe Lasgushi po më tregonte se si e zgjat kokën për të parë se kush po i vjen nga jashtë, pikërisht në atë çast, ndërsa ne po shihnim nga dritarja, po vinin Rinushi me Rinushevicën (kështu e thërret ngandonjëherë Lasgushi Fridën).
Pak më parë në bisedë Lasgushi pati thënë: “Kush e bën Shqipërinë?” (i ka qejf pyetjet retorike). Dhe u përgjigj po vetë: “Shqipërinë e bën Meri, Lasgushi, Kozma Basho, Qani Çollaku, Rinushi, nusja e Rinushit. Po, ne e bëjmë Shqipërinë.”
Për Fridën më tha: “Është shumë inteligjente, shumë komunikative dhe shumë e bukur!” I lashë të rrinin të tre dhe ika.
Gjatë këtyre muajve Lasgushi ka qenë i qetë dhe mirë me shëndet.
7.10.1981
Në Shtëpinë e Kulturës pashë një tekst kënge që e kishin vënë në muzikë për koncertin me rastin e 40 -vjetorit të themelimit të PPSH. Më thanë se teksti kishte për autor Lasgushin.
Në orën gjashtë pa dhjetë minuta të mbrëmjes i trokita Lasgushit te dera.
U përgjigj që lart:
– Ti Meri je? Ja, erdha ta hap!
Ia lexova tekstin e këngës. Ai tha: “Titulli nuk është imi, paskërka një varg në strofën e parë që nuk rimon. Refreni qenkërka i Majakovskit, dhe strofa e tretë nuk është mirë nga ana gramatikore.” Nuk më tregoi nëse poezia ishte e tij apo e kishte sajuar ndonjë tjetër. Por vargjet në atë poezi-këngë ishin aq të rëndomtë, saqë unë kujtova atë që ka thënë Mitrushi dikur se Lasgushi krijon poezi të përkryera, njësoj si argjendari që punon arturina të mrekullueshme, dhe pastaj kthehet e bën masha dhe kaci
Unë i flisja e zemëruar se ai duhet të shkruante një tekst kënge të bukur dhe jo atë që kishim në duar. Poi nuk e besoj që ta ketë shkruar Lasgushi.
8.10.1981
Takova Rinushin e vajtëm te Lasgushi. Edhe Frida ndodhej atje lart në odiçkë, ku nuk ke se nga të vërtitesh. Unë u ula në një fronkë të vockël prej druri mbuluar me një copë gazetë.
Lasgushi, kur e përshëndeta, më ciku vetëm majat e gishtërinjve të dorës së djathtë (siç duket, më mban inat që i bërtita dje për tekstin e dobët të asaj këngës) Por tani që hëpërhë ka Fridën, unë me siguri që kam kaluar në plan të dytë ose të tretë. I thashë për ta ngacmuar se, pasi të ikin Frida me Rinushin, “unë nuk do të vij fare këtu tek ti, edhe atëherë kur të fryjë erë e të bjerë shi, e ti do të jesh i vetmuar.” Rinushit i tha për librin që kishte shkruar, “Ndre Mjedja”: “E lexova të gjithë, më pëlqeu. Është shkruar bukur, me stil potent, punë gjermane, punë e saktë.”
10.10.1981
Aty lart në kullë, përmbi tryezkë, Lasgushi shkruan përsëri pusulle për natën e parë të dashurisë… Por Lasgushi më ka thënë se mbaroi së shkruari kujtimet për të. Apo ende vazhdon që të ripërtypë? Lasgushi tha: Më pyeti Rinushi: nuk të ka ardhur Meri?”. “Po unë me Rinushin isha.”- iu përgjigja. Sot Lasgushi me Rinushin dhe doktor Miston kishin bërë shumë fotografi në rrugë dhe anës liqenit.
11.10.1981
Dje, si ngaherë, Lasgushi po i bënte komplimente Fridës, duke i ardhur rrotull e duke i thënë: “Sa e mirë e sa homunikuese je”, – e të tjera. Ndërkaq Rinushi i tha: “Merre, Lasgush, se ta kam falur!” Dhe ai, ciniku Lasgush, iu përgjigj flakë për flakë: “Nuk kam nevojë të ma falësh, nuk jam evgjit. Unë jam i zoti që ta fitoj vetë Fridën.”
(Rinushi, kur ma tregoi, e zbuti fjalën “evgjit” dhe përdori “mikroborgjez”. Kishin bërë edhe plot shaka të tjera dhe lojëra fjalësh, si për shembull: “Një Lasgush e një Rinush, njëri zbraz e tjetri mbush…”)
Pasdite vajta te Lasgushi dhe, pasi e putha në faqe, i lexova poezinë që ka shkruar Rinushi për të. Po citoj një strofë të kësaj poezie:
Poet, poet, me gjoks liqeri,
Me sqep nositësh zemrën rreh,
Copton dhimbje pjellë-vreri
Dhe yje-zjarresh qiellit le.
(Pogradec, ora 3 e mëngjesit, 11.10.1981)
Ndërsa bisedonim, Lasgushi ishte shumë i mirë, komunikues. Më tregoi për Ulrikën e bukur, me origjinë nga Çekia, me sy të kaltër e flokët në ngjyrë të errët, prandaj ra në dashuri me të Gëtja tetëdhjetetrevjeçar, kurse ajo ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçe. Unë e dëgjoja majë takave të larta të këpucëve, Lasgushi më tha: “Duhet të vësh një varëse në qafë, që të dukesh më femërore, – dhe vazhdoi: – Kam fotografi të Niqkës, kur ishte shumë e bukur, si te vargjet: “Je brymë a menjë je, a je dëborë…”
“Mjaft më me Niqkën!” – e ndërpreva unë.
Kishim shëtitur nëpër rrugë. Kur po ndaheshim, Lasgushi më tha:
– Unë do të shkoj të farmakos drekën, ndërsa ti do të hash ambrozi (gjellë perëndish) dhe do të pish nektar (pije perëndish).
– Po eliksiri çfarë është? – e pyeta.
– Eliksiri është një lloj pije që nuk ekziston, thonë se, po ta pish atë, bie në dashuri dhe rinohesh, – u përgjigj.
Në mbrëmje ishim në Turizmin e Ri me Fridën, Rinushin dhe me atë çiftin e sapomartuar. Prisnim Lasgushin. Ai erdhi në orën nëntë e ne ndenjëm deri në orën dhjetë, kur po e mbyllnin lokalin. Duke u kthyer për në shtëpi, ecnim rrugës ngëc e ngëc, sepse Lasgusln shastisej me llafe pas Fridës. Frida, Rinushi dhe Lasgushi erdhën në shtëpinë time. Pimë kafe. Bënim muhabet hidh e prit nga një degë në tjetrën, sipas zakonit të Lasgushit.
12.10.1981
Lasgushi nuk ndodhej në shtëpi. E gjeta në agjencinë e autobusëve duke përcjellë për në Tiranë Fridën Rinushin dhe çiftin “fringo”. Lasgushi u shty midis turmës së njerëzve tek autobusi urban, që t’u jepte mundësi atyre të hipnin. U trishtua shumë, kur u nis autobusi për tek stacioni i trenit. Më fliste për vdekjen: “Na vdes një i afërm, qajmë, lebetitemi, e varrosim, e mbulojmë në dhe pastaj themi se sikur na hahet bukë… njësoj harrohet edhe i miri… edhe i ligu…”.
I thashë të mos e përmendnim vdekjen, sepse porsa kishim përcjellë e u kishim thënë : “Rrugë të mbarë!” atij çiftit të sapomartuar që kaloi muajin e mjaltit këtu në Pogradec, si edhe Fridës me Rinushin.
Më tregoi (e nxori nga portofoli) fotografinë e Niqkës “me ngjyra dhe me lule në duar, që dukej si kartolinë e viteve të dikurshme. Nga ana e pasme e fotografisë ajo i shkruante: “Lasgushit tim të dashur përjetë, duke kujtuar vitet e njohjes 1930-1931”.
Kur mbetëm të dy vetëm, më tha me shumë mall, brengë e dhembje: “Na iku edhe Rinushi!”
I bleva kremviçe për drekë, ndërsa për darkë do të vejë nga Qani Çollaku bashkë me Kudret Kokoshin, me të cilin takohen e rrinë tok, sa herë që ai vjen në Pogradec.
1.1.10.1981
Ndenja pak me Lasgushin, ai më tha:
Do të shkruaj për Kosovën. I kam vargjet në kokë. Për Rinushin do ta shkruaj! – Unë nxora nga çanta dhe i lexova poezinë tjetër të Rinushit. Ja dy vargje:
Po mos harro se djalëria
Poem “Kosovën” në zemër mban.
(Pogradec, mëngjes, ora 5, 11.10.1981, Rinush Idrizi)
Cuci u shtri në prehrin tim dhe mbështeste kokën duke u përkëdhelur.
– E shikon se sa të do Cuci? – më tha Lasgushi.
– Posi, – i thashë, – dashurinë e Cucit e kam njësi matëse se sa më do Lasgushi.
14.10.1981
I shpura Lasgushit një copë petanik të ngrohtë me fasule, që e kishte bërë mamaja ime. Ai u kënaq shumë sepse i pëlqejnë gatimet e veçanta pogradecare me brumë si: qullnik, gjyzmele, petanik, dredhanik e të tjera.
I thashë Lasgushit se pas një ore do të bëhet varrimi i doktor Kristaq Nunçit (Cokut). I erdhi shumë keq për vdekjen e tij e më tha: “Ishte njeri e doktor i mirë. Do vishem e do të vemë në varrim.”
Kur u kthyem nga varrimi, ku mori pjesë pothuaj gjithë qyteti, po ecnim me Lasgushin dhe Cucin e ai më tha: “Qeni thotë: emrin e kam të keq – qen, por punën e kam të mirë, jam besnik. Qeni vdes sapo i vdes i zoti, nuk i ndahet të zotit as në varr…”
16.10.1981
Pasdite vajta nga Lasgushi. Po hante bukë me qenin dhe me macen, gjysmë i shtrirë. Një pjatë gjellë, kremviçi, djathë, verë, mollë të qëruara, gështenja të ziera, kafe. Pasi ha vetë, u bën përshesh Cucit dhe Hotit (maces) Çfarëdolloj ushqimi që ha vetë, ua jep edhe kafshëve. Dreka, (të ngrënët e tij, vazhdon më se një orë).
– Qëroja gështenjat Cucit! – më tha. Pastaj shtoi: – Ti je mbi të gjitha! (Doemos që jam, meqenëse kujdesein për qenin e tij.)
Lasgushi më thotë: “O Meri, dalëse!” dhe “O Meri ikëse!”, sepse, sapo vete për ta takuar, që në fjalët e para i them: “Do të iki!”
18.10.1981
Në derën time trokiti Lasgushi me bastun. Kërkonte Ninën për të vajtur në një urim dasme. Nuk deshi të hynte brenda, që të pinte një kupë raki. Ishte së bashkn me Cucin.
Lasgushi më ka thënë se në shtëpinë e tij ka 16 faqe të shkruara me alfabetin e Naum Veqilharxhit. I ka gjetur Niqka në sëndukun e një prifti në Dardhë.
24. 10.1981
Ndodhesha brenda në dyqanin e bukës dhe nga qelqet e lartë përjashta pashë Lasgushin. Kisha me vete çadrën e gjatë, ia nxora para trupit të tij për ta ndaluar. Ai qeshi kur më pa dhe më tha: “Dalëse!” – e vazhdoi: – “Unë kujtova se dikush po m’i nxirrte sytë, se një shqiptar ia nxjerr sytë tjetrit dhe ky ia nxjerr të parit, e kështu të dy mbeten pa sy”. Lasgushi më përmend gjithnjë: “Dashuria e ka rrugën nëpër stomak” dhe “Fjala e keqe, më e rëndë se plumbi, fjala e mirë të shëron”.
Njëherë Lasgushi ndodhej në radhë për të blerë qumësht, aty u ndodh edhe Dalan Shapllo, i cili ia mori i mori shishen dhe ia bleu qumështin pa radhë.
25. 10.1981
E diel. Vajta për disa minuta te Lasgushi. Ai ishte lart në kullë. Më tha: “Prit një çerek minute!” dhe unë fillova të numëroja prapa derës: “Një, dy, tre..”. Kishte ndezur zjarrin në sobë dhe po lexonte “Kritikë arti” në frëngjisht. Ndër të tjera më tha: “Përse nuk ma ke shtypur akoma “Ekskursionin teologjik të Sokratit?” I premtova se brenda javës do t’ia shtypja.
30.10.1981
Ia shtypa poemën “Ekskursioni teologjik i Sokratit” Lasgushit në katër kopje. Ai nuk donte të më jepte as kopjen e fundit, e cila ishte më e keqja, por unë e mbajta.
Nina iku në Tiranë dhe ma la Lasgushin në dorëzim, çelësin e shtëpisë dhe disa gjellë të gatuara, si edhe qofte, byrekë, kulaç.
Të enjten aty rreth kohës së drekës, unë ndodhesha tek dyqani që shet gjoja gjëra gjysmë të gatshme. Nga xhamat e lartë tërë diell dallova Lasgushin dhe i dola përballë me vrap.
– Më bli sallam! – më urdhëroi ai, pasi më bëri disa lajka: – Sa e mirë, sa çlodhëse që je, dhe më del përpara në çastin e duhur… – e të tjera.
Unë i thashë:
– Nuk të blej sallam, se është nga ai i liri me thundra e veshë derri. Unë do të të gjej kremviçe ose peshk, se po të helmohesh me atë sallamin e keq, unë do të përgjigjem përpara Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë për ty. Sot drekën e ke gati. Në mbrëmje do të vij.
Kur i vajta ndaj të ngrysur, i ndeza zjarrin në sobën poshtë, ai ishte lart në kullë. Herë e kam gjetur duko lexuar poezi në gjermanisht, herë kritikë arti në frëngjisht dhe hera-herës me lupë në dorë si maniak duke lexuar ato shënimet mikroskopike të viteve 1937- 1938.
Mbrëmë, kur i shpura lart në kullë Lasgushit librin e Elena Kadaresë “Bashkëshortë”, i thashë:
– Po e zbres librin poshtë.
– Ç’thua! – më tha. – Nuk kam kohë të lexoj, tregomë ku janë vargjet e mia. Pasi ia lexova, shtoi:
– Nuk e ka dhënë idenë time irredentiste pëi Kosovën.
Pasdite përsëri te Lasgushi. Në dorezën e derës së dhomës së tij gjeta të ngulur një letër në të cilën shkruhej:
“MERI E DASHUR, LUTEM SHUMË QË PËRPARA SE TË NGRESH SOFRËN, TË KESH MIRËSINË TË NDEZËSH SOBËN, që të mund të ngrohet oda gjer më darkë. Lasgush.”
31.10.1981
I rregullova drekën Lasgushit. Ai nuk ishte në shtëpi dhe unë i lashë të shkruar një letër gazmore duke shënuar në fund: “Skllavja jote e bindur, Meri”.
Në të ngrysur vajta përsëri te Lasgushi. U ngjita lart në kullën e tij. E putha në të dyja faqet, ndërsa ai më puthi në njërën faqe. Më kishte lënë përsëri një shënim tek dera e dhomës poshtë:
“E dashur Meri. Lutem me lutje të madhe, sapo të hysh në dhomë, gjëja e parë të ndezësh sobën, që të mund ngrohet dhoma gjer natën.
Falem me mirënjohje,
Lasgush”.
(Fjala “e parë” ishte nënvizuar tri herë.)
Kur iu ngjita lart në odiçkë, më tha:
– Çfarë pune duhet të bëje të parën?
– E di, – I thashë, – të ndizja zjarrin, por unë erdha të të shoh ty në fillim, kjo është puna ime e parë.
Atij i shkëlqenin sytë. Lexonte letrën time që i shkrova në drekë, dhe qeshte. I vura rregull, në mund të vihet rregull në atë shtëpi me qen dhe me mace. Në kohën që Lasgushi po më shpjegonte diçka shumë serioze rreth albanologjisë, macja rrinte hipur mbi supin e tij.
1.11.1981
Lasgushi e kishte bërë shtëpinë rrëmujë. Tri herë vajta sot tek ai, Nina ende nuk ka ardhur. Herën e fundit u zemërova shumë me huqet e tij. Zbriti që lart, rrëmbeu sëpatën dhe po priste dru si i ndërkryer.
Pasdite, kur i shpura gazetën “Drita”, më pyeti:
– Ç’ka gazeta, vargje cërr-cërr si Natasha Lako?
– Pse e shan Natashën? – i thashë.
– Jo, nuk e shaj, – tha, – ajo më ka puthur dhe më ka dhënë lule, por puthje false…
– Po pse? – e pyeta.
– Sepse më ka puthur në sy të të gjithëve, prandaj është false, zyrtare. E puthura duhet të jepet në fshehtësi pa të parë njeri, – dhe filloi që të më recitonte vargje nga poezia “Ku shtrohet vala”:
Se s’dashuronja as un’ as ti,
po dashuronte dashurija:
Një dashuri- një fshehtësi
M’e fshehur sesa fshehtësija!
– Ti, Meri, a e kupton mrekullinë e fjalëve ” më e fshehur sesa fshehtësija”? Këtu qëndron edhe thelbi i poezisë: atë që të ndien shpirti, ta vësh në vargje.
Kur ishte errur, u zumë, sepse filloi të shante Nafijen “Nuk vjen këtu t’i bëjë hyzmet burrit, po rri në Tiranë,” – vijonte të shfrynte duke çarë dru dhe unë ika shumë e inatosur. Nuk kishte pse të çante dru, pasi bodrumin e ka plot e përplot me dru të prera gati për zjarr.
Në orën tetë e njëzet minuta në darkë erdhi tek unë duke më thënë sikur gjoja në shtëpinë e tij pati vajtur një djalë, i cili donte të më takonte mua. Në të vërtetë erdhi që unë t’ia shikoja dorën që e kishte vrarë me një dru. Lasgushi e kishte mbështjellë dorën me shami, e i kishte vënë përsipër një shuk të madh me pambuk dhe e kishte lidhur me fije peri të zi, duke e rrotulluar anembanë dorës. Pasi biseduam për njëfarë kohe, ai iku.
15.11.1981
Vajta nga Lasgushi, i çova një shishe verë të mirë prej buti dhe ca copa mish derri të sapotherur. Nina i tha:
– Baba, uroje Merin, se ka fituar çmim me vëllimin me tregime (në konkursin e 40-vjetorit të PPSH).
– Hajde të të përqafoj! – më tha.
Unë e putha në të dyja faqet, por ai nuk më puthi. Fillova që ta nxehja mashën në prushin e sobës dhe i poqa atij në zjarr dy copa mish derri.
– Për kë po e pjek?
– Për ty!
– Po ç’je kështu sjellëse! – dhe qeshte kur më shihte se më përcëlloheshin gishtërinjtë, ndërsa kapja mashën e nxehtë. Pastaj filloi që të grindej me Ninën, sepse ajo inik i kishte skuqur dy patate qenit dhe maces.
– Konstandina, skuqi shpejt patatet për qenin dhe macen, pastaj ha për veten tënde! – i thërriste ai.
Tërë ditën ra dëborë e bardhë, e bukur, e qetë dhe unë shkrova “Tingëllimat e dëborës”, ia lexova Lasgushit. Dhe ja disa strofa:
Bie dëbora litar-litar
Mbi pullaz të poetit Llazar,
Por në zemër ai ka behar,
E mban gjallë dasliuri e parë.
Vazhdon bora fjolla-fjolla
Në ballkon ka dalë Manjola
Edhe këngës ia ka marrë
Nga gëzimi i borës së parë.
Shtron dëbora mbi çati
Ku jeton zonja Lavdi,
Ajo nuk e prish terezinë,
Lexon prozë-poezinë.
Rrokulliset orteku në hon
Edhe kthehet në ujë sifon,
Në Turizmi vjen na gjen,
Kamerier Sifi shërben.
Zgjatet bora fije peri,
Vazhdon vjershën shoqja Meri,
Duke ngrënë bërxolla derri,
Duke pirë shurup likeri.
Bie dëbora itri-bitri
Mbi çatinë e murgut Mitri,
Ky çuditet dhe mahnitet:
Ç’do kjo uajzë që më vërtitet?
Mbulon bora çdo luadh,
Del me çifte Gjorgji i Madh,
Lëshon zë sa tund dynjanë
Duke vrarë torozhanë.
27.11.1981
Nina iku në Tiranë për festat e Nëntorit, mori me vete edhe Manjolën, që unë të kujdesem vetëm për Lasgushin.
Te Lasgushi vajta në orën tre pa pesë minuta pasdite. Ishte i veshur me benevrekët e gjata. Përmbi to mbathur çorapet e leshit të lidhura te gjunjët me gjalma (me fantazinë time përfytyrova se ndoshta kështu kanë pasë qenë veshur luftëtarët skocezë).
– Nuk do të ha tani, – më tha. – Do të çlodhem si ndonja gjysmë ore. – Dhe filloi bisedën me mua:
– E ke dëgjuar Maskanjin? Ç’do të thotë “Kavaleria Rustikana”? Më recitoi vargjet e aries së Lolës në dialektin sicilian dhe m’i përktheu: “O Lola, e bukur me këmishë të bardhë si qumështi e me pika të kuqe si qershi…”. U mundua që të ma këndonte me zë e me nota.
Përmbi tryezën e vogël ishin disa kokrra limonë dhe lekë të hedhur, disa monedha kishin rënë përdhe, unë i ngrita dhe i vura mbi tryezë.
Është shumë ftohtë, ka rënë një pëllëmbë dëborë dhe tani ajo po ngrin. Në orën pesë e tridhjetë minuta, kur gati po ngrysej, vajta që ta shoh edhe njëherë Lasgushin, se mos i duhej ndonjë gjë për mbrëmjen dhe natën. Ndenja vetëm disa çaste, i vura dru zjarrit. Kur po ikja, më porositi:
– Mbështille mirë hundën me shall, se nga organet e frymëmarrjes ftohesh shumë kollaj.
Në shtëpinë time, pasi vura rregull të plotë, iu përvesha punës, u ula për të shtypur në makinë. Sapo ia kisha filluar të shkruarit për së mbari dhe po përqendrohesha, kur befas trokiti dera. E hapa, ishte Lasgushi.
– Hajde brenda, Lasgush! – i thashë e gëzuar
Ai tamam si një harbut, pa u përshëndetur fare me mua, m’u drejtua me ton të vrazhdë:
– Nëm karnetin tim!
Në fillim, kur i shqiptoi ato fjalë, nuk e kuptova fare, kujtova se kushedi ç’gjë i duhej, por ai vazhdoi i egër:
– Më ke marrë karnetin tim që punoja!
(Mua më tingëlloi fjala “karnet” diçka si “kamineto” ose si ndonjë mjet tjetër i teknikës.)
– Nuk të kam marrë asgjë, Lasgush, për kokën tënde! – iu përgjigja unë me të butë.
– Po hyrë brenda, të lutem!
Ai: (pasi unë e mbylla derën) – Lëre, mo, kokën time, po nxirre karnetin tim, ku e ke fshehur, se do të lajmëroj Degën, nxirre se e kam të punës sime… me të unë shkruaj përditë…
(Atëherë e kuptova se bëhej fjalë për njërin nga blloqet ku ka mbajtur shënime për dashurinë e tij me Niqkën.)
Hyri brenda në dhomën time duke vëzhguar sa andej, sa këndej. Mbi tryezën ku punoja unë, ndodheshin tre blloqe (shënimet e mia), i preku me duar, i ktheu e i vërtiti mbarë e prapë dhe ndërkaq vazhdonte që të shkrofëtinte:
– Nuk dal unë nga shtëpia pa e gjetur, se këtu është! -dhe ndërkohë i binte fort dyshemesë me bastun duke më kërcënuar. – Nxirre të them, se do të lajmëroj policinë!
E pyeta se mos ndoshta i kishte rënë rrugës kur doli për të blerë limonë.
-Jo! – m’u përgjigj gjithë inat e vendosmëri. – Ato nuk i marr kurrë me vete, por i lë aty ku punoj! (Më doli para syve tryezka e tij e punës: goma, lupa, lapsat e mprehur me majë të hollë, brisku.) Kurse ai vazhdoi:
– Ti e ke marrë, se ti e ke çelësin e shtëpisë sime. Ke ardhur e ke marrë nga kurioziteti për të parë se çfarë kam shkruar unë!
( O Zot, sa u fyeva! Vallë a i kam marrë unë atij ndonjëherë diçka pa leje? Ai shkruan pusulla, të cilat i var nëpër gozhdët e mureve: “Meri Lalaj rnë mori fletoren me “Lirika” për tri ditë”, ose diçka të ngjashme sipas rastit.)
Iu luta shumë që të ulej dhe të qetësohej, po ku shtronte ai! Vazhdonte të ulërinte me zë të lartë:
– Do të të sjell Degën këtu, do të të kontrolloj tërë shtëpinë, derisa ta gjej!
U ndodha në pozitë tmerrësisht të vështirë. Fjalët e mia as që kishin pikën e forcës t’i mbushnin mendjen dhe ta bindnin për të vërtetën që i thosha. Meqenëse më siguroi dhe më bindi plotësisht se, kur pati dalë për të bërë pazar, nuk e kishte marrë bllokun me vete, unë, edhe më e vendosur se ai, thashë:
– Hajde të shkojmë në shtëpinë tënde, që ta gjejmë!
Nuk donte në asnjë mënyrë që të më bindej, duke ngulmuar me një kokëfortësi prej mushke:
– Nuk është atje, po është këtu!
Megjithatë, arrita që ta bindja. Dolëm nga shtëpia ime. Edhe gjatë rrugës, deri në shtëpinë e tij, vazhdonte të më bërtiste me zë të egër e gjithë inat e mua më vinte shumë turp, se mos na dëgjonte njeri dhe dukeshim sikur po ziheshim e po grindeshim. Por rrugës më duket se nuk kishte njerëz, pasi qe shumë ftohtë.
Vajtëm në shtëpinë e tij. Tani dimrit ai rri dhe fle në dhomën poshtë (në katin e mesit) dhe jo lart në kullë. I vura vetes detyrë që ose do ta gjeja atë bllok të mallkuar, ose nuk do të dilja e gjallë nga ajo shtëpi. Fillova që të kërkoja, e tërhoqa shtratin, pashë përmbi tryezën që çalon, edhe nën të, u futa poshtë shtratit, kontrollova atje ku ishin lënë limonët dhe lekët që patën rënë përtokë, por karneti nuk gjendej e nuk gjendej. Lasgushi më bërtiste:
– Hë, ku e ke? A e shikon se nuk është? Gjeje tani!
Afër shtratit mban edhe karrigen (e ministreshës) me njërën këmbë të thyer lidhur me një tel pas një cope tjetër dërrase, atë karrige e mban pranë shtratit natën sepse përmbi të vendos një tufë librash, të cilët i shfleton gjatë ditës edhe gjatë natës. Desha që të kontrolloja midis këtyre librave, por ai më tha:
– Nuk e ke aty, se i pashë unë!- (U mundova që të sjell në mendje ndonjë roman me detektivë që kam lexuar dikur e që do të më ndihmonte për të gjetur objekte të zhdukura.)
E megjithatë nuk ia vura veshin dhe fillova që t’i kontrolloja një për një librat që ndodheshin mbi atë karrige… E më në fund e gjeta pikërisht tek ai tog libranh ndërmjet një “Nëntori” dhe një libri me autor Arshin Xhezon, ndërkaq ai vijonte të më bërtiste:
– S’është aty, nuk është aty, kot kërkon aty!
Unë ngrita dorën që të shihte Lasgushi çfarë po mbaja.. Dhe ai ishte një bllok shënimesh me anë të praruara, me kapakë si prej lëkure, ndoshta i vitit 1933. Me ta parë, Lasgushi, thirri tej mase i gëzuar e i mrekulluar:
– Ai është! Ai është! Ma jep këtu!…
Por unë, në kulm të zemërimit, siç e kisha blloknn në dorë, e vërvita me të gjithë forcën e krahut tim lart në tavan, duke i thirrur sa më hante zëri:
– Më çmende me gjithë Niqkë!… Pesëdhjetë vjet dashuri!… Dashuri gjysmëshekullore!… As që më
interesojnë blloqet e tua!… Unë nuk do të të vij më kurrë këtu!… Nuk dua më të shkel këtu!…
Ai e mbylli gojën. Nuk pipëtinte fare. Dhe unë në heshtje të plotë vesha pallton e trashë, vura dorashkat, hodha shallin mbi kokë, zbrita shkallët me tërbim dhe ika duke përplasur fort derën e jashtme që mbyllet automatikisht. Që kur po i zbrisja shkallët, fillova të qaja me ngashërim dhe dhembje. Shkelja kuturu përmbi dëborën e ngrirë nga shtëpia e tij për në shtëpinë time dhe qaja apo nuk qaja. Sapo e mbylla derën e banesës sime, shpërtheva në të qara me zë e gulçima, e fyer, e poshtëruar, e vetmuar. As që bëhej fjalë se mund të ulesha dhe të vazhdoja të shkruaja. Vija kot rrotull nëpër dhomë duke qarë. Nuk e mbaj mend sa kohë kaloi në këtë mënyrë, ndoshta gjysmë ore
a një orë, kur papritmas dëgjoj tri goditje të forta në derë, pastaj tri të tjera. E hapa derën. Ishte ai, Lasgushi. Më tepër e ndieva, sesa e pashë, dhe në të vërtetë as që doja t’ia hidhja sytë e ta shikoja.
– Hajde, hyrë! – i thashë pa e ngritur vështrimin.
Ai, pa hedhur asnjë hap nga pragu im i derës për t’u futur brenda, më tha:
– Erdha të të shfajësoj… se karnetin e kishin vënë aty ata dy djemtë që më erdhën sot më drekë.
– Hyrë brenda! – përsërita (dhe isha shumë e sigurt se nuk i kishte shkuar askush në shtëpi, se ky ishte thjesht një justifikim ndaj meje).
Ai hyri. Unë vazhdoja të qaja me dhembje, por pa zë heshturazi. Supet e i gjithë trupi më dridheshin ndërsa ecja kot poshtë e lart nëpër dhomë.
Lasgushi më pyeti dhelpërisht, për ta marrë situatën në dorë:
– Të rri apo të iki?
– Rri! – i thashë me inat, – Ulu! – Po kokën nuk ia ngrija fare që ta shikoja.
Pasi ai u ul, unë vijova të mos i flisja asnjë fjalë. Ai përsëri posi ndonjë djallush, duke u munduar që të hidhte një hap më tej:
– Nuk do të na japësh ndonjë gotë për të pirë?
– Posi jo, – i thashë, – do të të jap!
Hapa dollapin me zhurmë të madhe bramb e brumb, mora prej andej një shishe gjatoshe me raki rrushi dhe i mbusha një kupë. Nuk e mbaj mend si ia dhashë gotën. Ai duke vërtitur gotën në dorën e vet dhe duke derdhur pakëz raki përmbi qilimin kuq e zi:
– Nuk ke konjak ose ndonjë pije tjetër? – pyeti me një zë të ngadalshëm, gati qiellor, siç mund të pyesin vetëm engjëjt, duke bërë gjysmë hapi përparim në bisedë, ndërkaq sytë i ndritnin për tmerr. E ndieja dritën e atyre syve.
– Jo! – iu përgjigja me zemërim. – Nuk kam! Po kjo raki është shumë e mirë… më e mira… prej rrushi, s’ka pije tjetër më të mirë këtu në Poradec.
– E, e, e marr vesh, por mua mund të më japësh ndonjë gjësendi tjetër, kurse rakinë lëre për ndonjë njeri të dashur, meqë është shumë e mirë, kaq e mirë, siç thua… (Zëri i tij i butë, i butë si mëndafsh.)
Unë, duke vazhduar të qaja pa zë, duke i mbytur ngashërimet dhe pa ia kthyer fare kokën që ta shihja, iu përgjigja pak me vonesë, që të mos më dridhej zëri:
– Nuk kam asnjeri të dashur unë!…
Fjalët e mia e bënë që të përparonte edhe një hap e gjysmë drejt pajtimit dhe qetë-qetë vijoi në formë të këshillës dhe që më habiti fort në këtë rast:
– Njeriu ka nevojë që të qajë ngandonjëherë… Po, mos qaj më… Të lutem!…
Unë, me zë të lartë:
– Jam tmerrësisht e ofenduar!… (E ngrita zërin edhe më shumë e më fort.) Nuk më duhen fare shënimet e tua, as dorëshkrimet, as Niqka jote!… Si mund të të marr diçka pa leje?… Ç’më kujton ti mua? Apo ke humbur besimin tek ata që të kanë hyrë në shtëpi, dhe tani nuk më beson as mua…
– Por unë erdha të të shfajësoj, se për bllokun ti nuk dije gjë, por ata të dy djemtë që më erdhën qëparë, ata i kishin trazuar librat…, – vijonte përsëri duke u justifikuar.
U ngrit nga vendi hijerëndë e krenar, duke e lënë kupën pa e pirë, se gjoja donte të ikte, se duhej të ikte.
– Ulu, pije! – i thashë.
U ul përsëri. Po mundohej shumë, herë me një fill bisede, herë me një tjetër, që të komunikonte me mua, veçse nuk po ia arrinte dot.
Hodha pakëz raki për vete në një kupë dhe po e pija me sytë përdhe duke vështruar qilimin. Ai më tha:
– Më shiko mua në sy, kur të flas. – Dhe toni i zërit të tij nuk ishte as lutës, as urdhërues.
– Mirë! – i thashë dhe e ngrita kokën e po e shikoja drejt në sy. Ai vazhdonte të fliste duke mos lënë çaste heshtjeje duke dashur të zotërojë krejt çka po ndodhte.
E piu gotën e rakisë. Unë tani, disi e qetësuar, e pyeta:
– Lasgush, të të bëj një kakao? (Gjatë gjithë kohës që ndodhej aty, nuk e kisha thirrur asnjëherë në emër.)
Ai, shumë i kënaqur, i mrekulluar (sikur unë t’i kisha i thënë: tani, a do të hash një elefant ose një krokodil?), u përgjigj me gatishmëri të plotë:
– Për ty, për ty e pi unë…
Ndërsa po pinte kakaon, vazhdonte copëra bisedash duke e mbajtur veten krenar, dinjitoz e të panënshtruar. Edhe qëndrimi i trupit, edhe mënyra se si e mbante kokën, edhe lëvizjet e duarve shprehnin veç një mendim, të cilin unë duhej domosdo ta ngulitja njëherë e mirë në trurin tim: “Unë jam Lasgushi! Ja, ky jam unë!…”. Vijonte të fliste e të fliste me një interpretim të shkëlqyer, të përsosur prej aktori, i cili e ndien dhe e kupton mirëfilli se ka përballë spektatorë me të cilët nuk komunikon dot, por ai është i zoti të bëjë të pamundurën, të jashtëzakonshmen, sepse dnhet që patjetër t’i futë këta spektatorë në lojën e vet. Zbrazi edhe një fishek nga të fundit:
– Unë kam një potencial të jashtëzakonshëm për t’i elektrizuar të tjerët.
Ndenji më shumë se një orë me mua. Pasi vuri re se unë isha qetësuar plotësisht, u ngrit për të ikur duke më thënë ngadalë ngadalë:
– Zonjushë e dashur, më lejo të iki, se po më presin ata të dy djemtë. (Askush nuk e priste. Edhe ai e dinte këtë gjë, edhe unë e dija.)
Para se të dilte te dera e jashtme, i thashë:
– Natën e mirë, Lasgush! ,
– Natën e mirë, zonjushë! Falemnderit shumë që më uron e para natën e mirë, – tha dhe vijoi duke më lavdëruar. Ishim tek shkallët e brendshme të pallatit dhe vazhdoi:
– Je shumë inteligjente. Erdhe dhe e gjete bllokun tim! – fliste qetë e shtruar me zë të ëmbël dhe të butë.
E përcolla deri në fund të shkallëve të jashtme. Shkallët ishin të mbuluara me një shtresë të trashë akulli të ngrirë. Unë doja që ta mbaja për krahu, po ku pranon ai, sepse as që do ta japë veten se është i moshuar, as se është i pafuqishëm. Unë shkelja me kujdes përmbi akull prapa tij. Pasi i zbritëm të gjitha shkallët, i thashë edhe një herë:
– Mirupafshim, Lasgush!
Ai, duke mërmëritur me vete, por edhe që ta dëgjoja unë:
– Nuk do të më vish kurrë më! Fjalë është kjo?
Pasi iku ai, unë as nuk shkruaja dot, as nuk lexoja dot, as nuk flija dot…
28.11.1981
Gatova një supë me perime, ndërsa mishit të grirë i hodha qepë, erëza dhe e zieva me pak lëng. Pas orës dymbëdhjetë të ditës, me gjellët e ngrohta, vajta tek Lasgushi. Ai u kënaq sa më s’ka që i shkova.
– Erdhe, moj besnike! – më tha. (Domethënë ai mendonte se edhe mund të mos i shkoja fare, ta braktisja ‘
Unë iu përgjigja se i kisha sjellë gjëra për të ngrënë kurse ai pa e prishur fare terezinë vijoi:
– The se nuk do të vije kurrë më! (O Zot, o Zot çfarë njeriu është”)
Paskëtaj u soll sikur ndërmjet nesh të mos kishte udodhur asgjë fare. E megjithëse unë e kam zemrën të thyer e të copëtuar prej tij, nuk mund ta lë Lasgushin të vetmuar dhe të uritur.
Përsëri i vajta në orën tre. I ngroha gjellët e i rregullova zjarrin. Kur vajta në orën gjashtë të mbrëmjes, Lasgushi ishte i përkulur dhe po rrëmonte nëpër një pirg me dorëshkrime. Më tha se po kërkonte një poezi. Aty i kishte letra, telegrame, kartëvizita, pusulla me shënime, karrtolina urimesh e të tjera… Më tregoi “Autobiografia e Asdrenit” të shkruar me laps dhe në letër të zverdhur prej kohës, fillonte kështu: “Asdreni flet, Lasgushi shkruan”‘.Më tregoi letra të Anës me shkrim të bukur. Fillonin me fjalët në gjermanisht “Poet i dashur”. Kur befas pashë një fletore, e tërhoqa dhe lexova përmbi kapak shkruar prej dorës së Lasgushit “Vizitat e zonjushës Ana në kullën time”. Ia kërkova për ta lexuar, ai në fillim hezitoi, pastaj, kur i thashë se për dy ditë do ta lexoja e do t’ia ktheja, u bind. Kishte dhe një arsye tjetër që Lasgushi ishte në atë kohë i zhytur në ato letra: atë natë festohej përvjetori i Çlirimit të Atdheut dhe përvjetori i Pavarësisë, Lasgushit i kishin dërguar ftesë (ndoshta ndër herët e vetme që e përfillnin për ceremoni të tilla), por ai nuk vajti.
Të them të drejtën atë ditë e besova vërtet se ekzistonte djalli, e kjo gjë nuk kishte pikë dyshimi. Përse duhej ta gjeja Lasgushin duke kërkuar nëpër dorëshkrimet e tij dhe pikërisht rreth orës gjashtë pasdite, vetëm njëzet e katër orë pas sherrit dhe gurgulesë që më bëri për karnetin me shënimet e dashurisë të Niqkës, se mos ndoshta ia pata marrë unë? Apo ai e bëri qëllimisht për mua, që të vështroja në një copëz tjetër të jetës së tij? Kur ma dha atë fletore, kujtova se do të ishin shënime të rëndomta, ashtu «i zakonisht shkruan Lasgushi… Sapo u ktheva në shtëpinë time, pa mundur të hiqja dot as pallton, që në korridor, fillova ta lexoja me kureshtje pa u ulur, ashtu siç isha në këmbë. I lexova ato faqe tmerrësisht shpejt, me një frymë, një lexim pakëz diagonal për të thithur vetëm thelbin, kryesoren e asaj që shkruhej. Dhe, kur arrita te faqja e fundit, nuk ngopesha dot me frymë, u hutova e u çmerita dhe fillova ta lexoja përsëri nga e para më me vëmendje. Habia ime ishte e jashtëzakonshme dhe e pakufishme: Lasgushi kishte rënë në dashuri! Kishte rënë vërtet në dashuri! Dhe sipas shënimeve të tij mua më tronditi përputhja në kohë. Janë të njëjtat data: 25, 27 qershor 1938 dhe 25, 26, 27 qershor 1978. Kjo përputhje datash të kujton dukjen ose zhdukjen e trupave qiellorë: kometa, yje, në periudha të caktuara kohe. Hapësira kohore midis dy dashurive është dyzetë vjet. E Lasgushi përsëri i dashuruar. Të dyja dashuritë janë vendosur përballë njëra-tjetrës, porsi dy pasqyra reflektuese vigane: njëra, dashuria e Niqkës, më e madhja, më e fuqishmja, më gllabëruesja, që e ka ndjekur Lasgushin gjatë tërë jetës e të cilën Lasgushi gjithnjë e ka mbartur mundimshëm nëpër vite. Dhe tjetra, kjo dashuri e re, do ta quaja e fundit, dashuria për Anën që i jep jetë, me të cilën ai shmang çdo lloj apatie, plogështie ose rënieje shpirtërore. Kjo dashuri është madhështore, e vërtetë, e plotë, por nga ana tjetër zbulohet se është tragjike, sepse është e njëanshme: dashuron vetëm ai.
Fletoren “Vizitat e zonjushës Ana në kullën time” unë e ruajta nëntë vjet. Lasgushi asnjëherë nuk u kujtua të ma kërkonte, madje nuk ma përmendi kurrë. Pas gjashtë vjetësh që unë e kisha në shtëpinë time atë fletore, Lasgushi vdiq. Ditën kur përkujtohej përvjetori i tretë i vdekjes së tij, unë ua ktheva të bijave fletoren-ditar.
Ajo ishte një fletore e sajuar nga disa fletë që përdoren për të shkruar në makinë, jo plotësisht të bardha, por disi të verdheme, të përthyera më dysh, të qepura në mes me pe të zi dhe të shkruara me bojë stilografi blu.
Në fletën e parë, përdorur si kapak, lexohet: “Vizitat c zonjushës Ana në kullën time”; pasi kthehet kjo fletë, ndodhet një faqe e shkruar për qëllimin fmal të Lasgushit dhe mban datën 12 shtator 1978, kurse ditari fillon në 30 maj, 1978.
29 nëntor, 1981
Kur i vajta Lasgushit në drekë, në orën 12 e njëzet minuta, i thashë se nuk do t’i vija në orën tre, kur do të hante drekën (pa i dhënë asnjë sqarim).
Në orën tre fiks, Lasgushi erdhi tek unë me një shishe qumësht në dorë që t’ia zija kos. Ai erdhi disi tinëzar për të parë se çfarë po bëja ose se me kë isha unë. I vajta përsëri në shtëpi pas orës katër, kur ishte duke ngrënë drekën, dhe i shpura një kanë me verë të kuqe të mirë prej buti.
Lasgushi më tha diçka që më bëri shumë për të qeshur: “Ke fituar një çmim në gazetën “Drita” dhe se ç’të duket vetja!”
Në mbrëmje, në orën tetë, i vajta përsëri Lasgushit dhe i shpura kosin. Atje ndodhej Sokoli dhe unë për inat të tij e putha Lasgushin në të dyja faqet.
1.12.1981
Dje u kthyen nga Tirana Nina dhe Manjola. Lasgushi nuk di fare aritmetikë. Hesapet, llogaritë, mbledhjet, zbritjet i bën në greqisht, siç e ka kryer shkollën fillore. Dikur Nafija i kishte prerë një tabelë shumëzimi nga ato që kanë qenë prapa kapakut të fletoreve, dhe ia kishte palosur e vendosur Lasgushit në portofol. Kur Lasgushi c pyeste, për shembull: “Nafije, sa bëjnë shtatë herë tetë?”. Ajo i përgjigjej: “E ke në xhep!”
Sot Lasgushi më tregoi për luftën e vitit 1911, në çastin kur duhej marrë doemos Maja e Deçiçit. Ded Gjo Luli dërgoi njëri pas tjetrit shtatë luftëtarë trima, që ta ngulnin flamurin në majë dhe turqit e ligj i qëllonin dhe i vrisnin këta flamurtarë. Sapo vritej njëri, vinin e lajmëronin Ded Gjo Lulin dhe ai përgjigjej: “E lehtë deka!”. Por, kur me zë të ulët e njoftuan për vdekjen e birit të vet, ai foli trimërisht: “Mos u ligështoni, bre burra. Mos të tjerët i ka pjellë demi e tem bir lopa?!” Një ditë Lasgushi më tregoi për Sali Butkën (bëhej fjalë për përcaktimin e kufijve midis Shqipërisë dhe Greqisë). Kështu, Sali Butka mblodhi burrat e fshatit dhe zgjodhi më të hijshmin, më të pashmin, më shtatlartin midis tyre e i tha: “Ti do të jesh Sali Butka. Do vesh atje dhe do të firmosësh në vendin tim.” Këtë gjë e bëri – vijoi Lasgushi – sepse Sali Butka ishte një burrë i moshuar e shtatpaktë, ishte dhe me cen, me një sy. Dhe ai donte që grekërit të mendonin se shqiptarët, që janë bërë të famshëm, duhet të jenë edhe të pashëm. Me të birin e Saliut, Safet Butkën, Lasgushi ka kryer studimet në Austri dhe së bashku kanë botuar një revistë me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit, ku u përfshinë, përveç pjesëve nga veprat e Naimit, edhe artikuj studimorë të shkruar nga intelektualë të kohës.
19.11.1981
Mbrëmë u njoftua në lajmet se kryeministri ynë, Mehmet Shehu, ka vrarë veten. Sot në drekë, Nina i tha Lasgushit:
– Baba, e more vesh? Mehmet Shehu ka vrarë veten!
– Doemos, trimat e vrasin veten! – u përgjigj ai.
Nina, e shqetësuar, vazhdoi:
– Se mos dërgosh ndonjë telegram ngushëllimi…
– Pse, budalla më di ti mua?!…
Kur i patën vajtur për vizitë Ismaili me Elenën dhe Bashkim Shehu (i biri i Mehmetit), Lasgushi i pati thënë Bashkimit: “Ti, gjeneral Shehu i vogël, do t’i thuash atij gjeneral Shehut të madh që të më ndihmojë ta vendos Konstandinën me punë këtu në Poradec!”
23.12.1981
U mora me përgatitjen e udhëtimit të Lasgushit për në Tiranë. Bagazhet i ka mbledhur, rregulluar e bërë gati, por nuk po gjen dot makinë për të ikur. Ishte tmerrësisht i nervozuar. Dhe gjithnjë kështu i ndodh, bëhet gati për udhë dhe mund të presë tri a katër ditë, derisa dikush të gjendet për ta shpënë në Tiranë, ndonjë kamion ose ndonjë makinë tjetër e rastit.
VITI 1982
9.2.1982
Në Tiranë. Te Lasgushi. Mjedisi i zakonshëm. Ai duke ngrënë me qenin dhe macen. Nafija me gjurin e enjtur nga reumatizmi dhe shumë e plakur.
30.3.1982
Përsëri në Tiranë te Lasgushi. Më porositi: “Thuaji Konstandinës në Poradec, ke gjashtë lata për dru për t’i blerë. A i bleve ? Të thashë dy lata do t’i blesh për në muajin janar, a i bleve? Dy në shkurt, i bleve? Dy në mars, i bleve? Në qoftë se nuk i ke blerë, ç’pret? Të paguash për sahatin sa të jetë nevoja. Ta shpjerë që sot për ta rregulluar dhe jo ta lërë me ditë e me javë. Kur do të m’i blejë mua pantallonat apo kurrë…?”
2.4.1982
Vajta tek Lasgushi. Cuci lehte. Ai ishte veshur me xhaketë e pantallona tërë arna. Bisedoi më se një orë me mua, si gjithnjë shumë elokuent e shumë komunikues. Çdo fjalë e ka të mençur. E gjithnjë më vjen shumë keq dhe shumë inat që nuk pata një magnetofon për ta regjistruar. Më tregoi për një natë vonë, kur po kthehej në shtëpi në Tiranë dhe rrugës takoi Nonda Bulkën, që po kthehej edhe ai në shtëpinë e vet me një libër në dorë. Ishte “Albumi” i Fan Nolit i sapobotuar. Lasgushi ia kërkoi për ta lexuar, por Nonda i tha se duhej ta dorëzonte të nesërmen në mëngjes në orën tetë pa një çerek. Atëherë Lasgushi i tha: “Ma jep vetëm për sonte!” E mori dhe, meqë nuk kishte kohë për ta lexuar, e kopjoi për tërë natën dhe të nesërmen në mëngjes në orën tetë pa një çerek, ia ktheu përsëri Nonda Bulkës.
25.4.1982
Dje kishin hyrë për të vjedhur në shtëpinë e Lasgushit. Ishin futur që poshtë në bodrum, duke hequr njërin nga hekurat e dritares. Kishin shqyer kapakun prej dërrase që mbyll dritaren. Gjurmë nëpër shkallë. Gjurmë këmbësh të mbathura me këpucë plastike. Kishin marrë vetëm pesë a gjashtë shishe bosh e ndonjë vogëlsirë tjetër. Siç duket, punë kalamajsh.
29.4.1982
Duke folur në telefon me Tiranën, më thanë se pardje paskësh vdekur profesori im Skënder Luarasi. Solla në mendje kur i kam takuar të dy bashkë me Lasgushin para disa vjetësh tek trotuari përballë Lidhjes së Shkrimtarëve. Të dy aq të mençur, aq energjikë, dhe fjalët me të cilat Lasgushi e ka përcaktuar Skënder Luarasin: “Shumë patriot, shumë trim, shumë i mençur dhe shumë sherrxhi”, (në kuptimin e mirë të kësaj fjale, sepse ai nuk i duronte dot padrejtësitë). Atë ditë profesor Skënderi inë pyeti: “Ç’ fëmijë ke?” Kur unë iu përgjigja se kisha vetëm një vajzë, ai më tha: “Duhet të bësh djem, sepse Shqipërisë i duhen djem trima”.
11.5.1982
Ka ardhur piktori austriak Peter Oberuber, i cili është kryetar i shoqatës së miqësisë Austri-Shqipëri. Ai donte të takonte Lasgushin, sepse kanë pasur letërkëmbim bashkë. P. Oberuber banon në Grac, ku ka studiuar Lasgushi. Ai i kishte prurë Lasgushit një kuti të bukur me bonbone me fytyrën e Moxartit, një paketë cigare, një pako me kafe të pjekur dhe tableta për gjumë. Lasgushi nuk doli ta takonte, sepse ishte pa qejf (ndoshta edhe nuk e lejuan ta takonte, se mos ai ndikonte me idetë c tij te Lasgushi!…)
28.5.1982
Afër orës dy të drekës vajta te Lasgushi. Ai po lyente një copëz buke me gjalpë. “Dua ta ushqej macen, se ka katër ditë që nuk ha. Do të më vdesë…” – tha me zë të dëshpëruar. Më vonë te Lasgushi vajti Manjola, që i mbante filxhanin me qumësht, ndërsa Lasgushi i jepte me zor maces për të pirë, i dha nja katër a pesë lugë të vogla. Parmbrëmë doktor Mistoja i shënoi në një recetë valerian për macen, që t’i vinte oreksi dhe të gjallërohej.
2.6.1982
Macja vazhdon të jetë e sëmurë. Lasgushi ia lidhi këmbët maces dy nga dy (të prapmet veç dhe të parmet veç), e mori me kujdes nën sqetull dhe me njërën dorë i mbante gojën hapur, ndërsa me dorën tjetër i jepte qumësht me lugë të vogël nga një filxhan kafeje. Macja llastohej, nuk donte që të pinte, lëshonte ca ulërima të mbytura, por ai vazhdonte që ta ushqente me durim dhe këmbëngulje. Unë i dërgova Manjolën ta ndihmonte për ta ushqyer macen. Dhe në këtë mënyrë vazhduan ta ushqenin për disa ditë me radhë, derisa macja e mori veten plotësisht dhe shpëtoi nga vdekja.
Lasgushi thotë: “Njeriu për mirësjellje edhe gënjen”. Ai ka marrë vargjet popullore:
O Hasan, Hasan Peshtani,
Gjak të rridhte jatagani
Së preri koka nizami,
dhe i ka përshtatur te balada ” Muharrem Çollaku” me fjalët “së preri koka gjermani”.
Lasgushi më tha: “Jugosllavia nuk mund të jetojë kurrë si shtet më vete, sepse është ashtu me copa, si i thonë – shtet mozaik: kroatët, sllovenët, malazeztë, maqedonasit… Po serbi ka qenë dhe do të mbetet armiku i përjetshëm i shqiptarëve.”.
Para shumë e shumë vjetësh, Lasgushi, në një bisedë me disa letrarë të rinj, pyeti ironik si ngaherë: “Nuk dini ndonjë varg përmendsh?”. Për çudi aty u ndodh një vajzë që filloi të recitonte njëra pas tjetrës shumë poezi nga të Lasgushit, dhe poeti i habitur tha: “Vajzë, mos dole nga liqeri?”. Kjo ishte Flora Mullaymeri.
Lasgushi gjithnjë më ka përsëritur se “unë nuk kam shkruar shumë, por ato që kam shkruar, i kam “art magjie”. Edhe Leopardi ka lënë pas një libër të hollë ja kaq sa gishti im i vogël, por mbeti poet i madh italian”. Lasgushi, në bisedë e sipër: “Unë e ha të gjallë poezinë popullore. Ushqehem prej saj, gjej aty një fjalë, një shprehje të rrallë dhe e marr e përdor në poezinë time.”
Mora për Lasgushin në bibliotekë librin me poezi kosovare “Për vend ton’ jem tuj luftue” (nuk e blemë dot pasi tirazhi ishte vetëm 3000 kopje). Lasgushi filloi ta lexonte librin duke bërë shënime gjithandej, edhe nëpër kapakët, duke nënvizuar vargje e të tjera. Në një vend të librit kishte shkruar: “He – që Duro Mustafaj ma bëri hej.” Unë i thashë se libri është i bibliotekës dhe nuk duhet të shkruante, sepse atë libër do ta marrin edhe të tjerë për ta lexuar, dhe ai më tha: “Gëtja i madh i merrte nga biblioteka librat me afate të gjata. Kur vdiq Gëtja, i gjetën libra të cilët i kishte tërhequr tridhjetë e dy vjet më parë. Edhe unë, kur marr një libër në bibliotekë, më venë afat një muaj për ta lexuar. Po pse, për një muaj e mbaroj librin unë? E për se të rrinë librat kot në bibliotekë, kur niund të jenë bibliotekë e gjallë?”
Një herë Lasgushi kërkoi në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës një libër. Bibliotekarja i tha se “libri është në fond” (kjo do të thotë se libri është rezervuar për persona të caktuar dhe se nuk mund të jepej pa autorizim). Dhe Lasgushi ironik i tha asaj bibliotekares: “Aha, e paskërkeni librin në fund.”
Lasgushit i pëlqente shumë të dëgjonte pjesën muzikore “Shko mendim” të Verdit. E mua më dukej se tek ajo kërcëllitje zinxhirësh, tek ajo mënyrë e të kënduarit gojëmbyllur pa shqiptuar asnjë fjalë, ai gjente vetveten, heshtjen e vet ndër vitet e gjata socialiste.
Një ditë prej ditësh, ndërsa po bisedonim të dy me Lasgushin, ai u kthye rrëmbimthi kundruall meje e më tha si me buçimë: “E njeh pianisten Nora Çashku?”. “Jo, – i thashë. – E kam parë vetëm në televizor” “Ajo i ka rënë pianos vetëm për mua, vetëm për mua…” Sikur donte të thoshte edhe diçka tjetër, por mori frymë thellë dhe heshti.
ZËNKA E LASGUSHIT ME GJORGJIN E MADH
Gjorgji Mëngri, ose siç e thërriste Lasgushi: “Gjorgji i Madh”, për ta dalluar nga Gjorgjët e tjerë që ka Pogradeci, është një pogradecar tepër i zakonshëm që merret me rregullime çadrash, çelësash, drynash, biçikletash dhe që e ka ndihmuar Lasgushin për shumë gjëra. Dhe ja se si u grindën ata të dy:
Kur u kthye një pranverë Lasgushi nga Tirana në Pogradec, vuri re se Gjorgji i Madh ia kishte mbjellë bahçen vetëm me presh dhe u justifikua duke thënë se do ta shisnin farën e preshëve me nga një mijë e pesëqind lekë kilogramin dhe do të fitonin pare të madhe. Në të vërtetë, nuk fituan asgjë, sepse shumë pak presh zunë farë, të tjerët ishin gorgucë.
Pranverës tjetër Lasgushi e gjeti bahçen të mbjellë vetëm me domate, të cilave Gjorgji i Madh nuk u bëri shërbimin e duhur, që do të thotë se, kur degët e domatevc u rënduan nga kokrrat, nuk u vuri huçkat e vreshtave, që të mbaheshin, dhe kësisoj domatet ranë dhe u kalbën të gjitha.
Vitin e tretë Gjorgji i Madh e mbolli bahçen vetëm me lakra të bardha, që i shtiem në kade për të bërë lakër-arme. Mirëpo i kishte mbjellë me vonesë dhe lakrat i zuri ngrica e dimrit e kështu nuk i mbështollën dot gjethet e mëdha e mbetën si të hallakatura e të çakërdisura.
Pas gjithë këtyre eksperimenteve në fushën e kopshtarisë e të perimeve, kur iku dimri dhe po vinte pranvera e katërt Lasgushi i dërgoi lajm e haber Gjorgjit të Madh: “Mos mbill asgjësendi në baçë, se unë e dua vend bosh që të më lozin çupat!”. Gjorgji i Madh u zemërua shumë, sepse Lasgushi e fyeu në punën e tij. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt ai është njeri që i hanë duart për punë. Dhe pas kësaj ndodhie ata kanë shumë vjet që nuk flasin me gojë me njëri-tjetrin, megjithëse më parë kanë këmbyer letra dhe bejte gazmore, madje edhe për këto të fundit Gjorgji i Madh mburret sikur Lasgushi ka marrë prej vargjeve të tij për të shkruar poezitë e veta. Në të vërtetë, ky Gjorgji i Madh është pak si i fandaksur, por ama i zë dora lloj-lloj punërash mekanike. Njëherë i shkrepi në kokë që të ndërtonte një satelit. E kështu mblodhi andej-këndej shumë copëra xhamash e llambaeclektrike të çfarëdollojshme dhe, pasi e mbaroi atë që kishte pasur në mendjen e vet, pikërisht në çastin që donte ta vinte në punë, ndodhi një shpërthim i llahtarshëm që i frikësoi shumë njerëzit dhe për një kohë të shkurtër në mëhallë u ndërpre rryma elektrike.
Pasi u grind me Lasgushin për punën e bahçes, (Gjorgji i Madh u mendua e u mendua dhe hapi fjalë se do t’ia punonte rëndë Lasgushit. Donte t’ia merrte bahçen, sepse ligji thotë: “Toka i takon atij që e punon”. Kur i ra në vesh kjo gjë Lasgushit, ai u tremb se mos Gjorgji i Madh do t’ia merrte bahçen me të vërtetë dhe kështu mori e lexoi Kushtetutën seriozisht dhe u këshillua me juristë.
MIQ TË TJERË TË LASGUSHIT
Lasgushi e ka pasur shumë mik Thomaq Angjelin, ose siç e thërriste ndryshe “Thomaqin e dashur”. Thomaqi ka dy kaseta magnetofoni ku ka regjistruar Lasgushin duke recituar.
Po ashtu Lasgushi pothuaj çdo natë shkonte për të bërë muhabet në familjen e Kopi dhe Ollga Matos. Ata kishin një furrë për pjekjen e bukëve; shpesh edhe unë jam ndodhur në atë dhomëzën e vogël me disa shkallë, të cilën e quanin “hamburanë” e që ndodhej përballë portës së furrës dhe afër vendit të pjekjes, aty dikur zihej dhe lihej brumi që të rrinte i ngrohtë. Kur hynte mbrëmjeve aty, Lasgushi pyeste: “Hë, ç’kemi ndonjë të re?” (Sepse Kopi mbante veshin ngjitur pas radios për ta dëgjuar “Zërin e Amerikës” dhe “BBC-në”). Ollga e mençur i tregonte Lasgushit për lajmet e Radio-Tiranës: “Ja, këta posi fallxhorë duan të na mbushin mendjen… u bë kjo vepër, u bë ajo vepër… pika që nuk u bie mu në kokë!”. Unë kam qenë mjaft e re atëherë për t’u vënë veshin të gjithave sa thuheshin, po kurrë nuk do të harroj një rast: Lasgushi, siç ishte i ulur ndenjur mbi karrige pranë derës, u ngrit, iu afrua sobës dhe u përkul e mori mashën në dorë. Ne po e vështronim të shtangur. Ai krejt natyrshëm na u drejtua: “A e shikoni? Kjo është mashë që trazojmë zjarrin. Sikur unë të them “mashë, mashë, mashë… njëqind herë, një mijë herë, një milion herë, juve do t’ju buçasë koka: mashë… mashë… Po kështu: Partia, partia, partia… A nuk është njësoj?! Ta mësojnë me zor, ta futin në tru…”
Një ditë prej ditësh, Lasgushi më shpjegoi fjalën: “llërët”. Unë e dija se llërë quhet pjesa nga kyçi i dorës deri te bërryli. “Jo, – më tha Lasgushi, – llërët janë që te krahu, deri te supi. A nuk thuhet në këngë: “Më hynje në magje me llërët përveshur…”? E kështu themi, se, kur gruaja gatuan, i përvesh mëngët deri lart…”
LASGUSHI SHUMË I SËMURË
Gjatë muajve të dimrit në Tiranë, Lasgushi e ndiente veten disi të këputur dhe një ditë i ishin marrë mendtë në autobus. Pas kësaj pati një diarre të zgjatur. Po, kur erdhi këtu në Pogradec, e përmirësoi doktor Mistoja me mjekim dhe dietë, kështu që u qetësua. Në ditët me vapë të tmerrshme, ai dilte rrugëve nëpër diell, pikërisht në orën një dhe dy të mesditës, kur ishte kulmi i nxehtësisë. Të hënën më 28 qershor përsëri kishte pasur diarre. Unë i vajta në orën tetë të mbrëmjes dhe e gjeta duke ngrënë llapë orizi. U ngrit dhe i pafuqishëm, u mbajt pas hekurit të sobës duke më thënë: “Më dhemb barku.” Ndërkaq mundohej që të kujtonte: “Hëngra apo nuk hëngra drekë”- pyeti nja dhjetë herë. Ne dolëm me Ninën, menduam që të këshilloheshim me ndonjë mjek, por e lamë pas dore duk« menduar e duke besuar se ishte diçka kalimtare. Kur u kthyem, e gjetëm me Todi Maton, çehren e kishte shumë të zbehtë. Prapë menduam për doktor e përsëri thamë se do të flinte e do të qetësohej e kështu do t’i kalonte.
29.6.1982
Afër orës tetë të mëngjesit, ndërsa isha ulur në tryezë duke shkruar, erdhi Nina e më tha:
– Llazarit i ra hemorragji cerebrale!
Unë përplasa pëllëmbët e llahtarisur, por pas disa sekondash e përmbodha veten, që të mos e alarmoja e shqetësoja Ninën. Vajtëm në shtëpinë e tyre. Atje ishin doktor Mistoja dhe Todi Mato. Lasgushi flinte nën ndikimin e qetësuesve.
Si kish ndodhur?
Lasgushit i kishte dalë gjumi natën, ishte ngritur dhe i kishte ndezur të gjitha dritat. Në orën katër e një çerek të mëngjesit po rënkonte. Nina e kishte pyetur:
– Çfarë ke, babi?
Ai kishte thënë: – Asgjë.
Në orën shtatë të mëngjesit, kur do të nisej Nina për në punë, ai nuk fliste dot. I ishte prerë të folurit. Menjëherë kishte ardhur doktor Mistoja dhe i kishte filluar mjekimet. Unë ndërkohë i telefonova Maries dhe Elena Kadaresë. Afër drekës Lasgushi ishte ngritur që të lante sytë te lavamani në çardak dhe tre veta nuk e bënin dot zap e nuk e bindnin se detyrimisht duhej të rrinte shtrirë dhe pa lëvizur. Pasdite vonë ai hëngri bukë, kërkonte mish. Aty kishin ardhur për ta parë Qani Çollaku, Nuçi Tira, Tasi Nikolla e të tjerë. Vendosa që ta kaloja natën atje. Në orën dy pas mesnate arritën nga Tirana Nafija dhe Maria me taksi. Nafija ka dhjetë vjet që nuk vjen fare në Pogradec, sepse është shumë e sëmurë nga reumatizmi, i ka kyçet e duarve dhe të këmbëve të enjtura. Dhe kështu që i kanë ndarë vajzat: Nina rri gjithnjë me Lasgushin në Pogradec, sepse Lasgushi patjetër do të rrijë beharit këtu, kurse Maria rri vazhdimisht në Tiranë me Nafijen. Ditën tjetër, Lasgushit i erdhi nga Tirana neurologu Hysen Baboçi. Ai e vizitoi dhe konstatoi iskiemi të trurit. Në kohën që doktor Hysen Baboçi e vizitonte, Lasgushi i bënte numra: “Do që t’i lëviz këmbët e duart njëqind herë?”. Dr. Hysen Baboçi i dha udhëzime për mjekimin e Lasgushit doktor Llazi Binishit dhe doktor Mistos, por ai sugjeroi se do të ishte më mirë që Lasgushin ta shtronin në spital. Unë vrapoja për të gjetur infermieret që do t’i bënin injeksionet në shtëpi. Doktor Mistoja iku në Tiranë në Konferencën Albanologjike dhe kështu Lasgushin e shtruan për disa ditë në spital. Mirëpo atje ia shtuan shumë dozat e barnave dhe një javë pas goditjes, duke gdhirë e martë, Lasgushi ra në gjendje kome. Megjithëse ishte paradite, të gjithë mjekët dhe infermieret që ndodheshin në pavijon, u larguan. Mbetëm vetëm unë dhe Nina dhe prisnim që ai të jepte shpirt nga minuta në minutë. Ne qanim te koka e tij. Ia hapnim kapakët e syve, por sytë i kishte pa jetë. Hundën e kishte të ftohtë, duart akull, këmbët po ashtu, dhe ishte korrik. Dukej sikur nuk merrte fare frymë, vetëm sa regëtinte paksa. Kurrë nuk isha ndodhur më parë kaq pranë vdekjes. Ndodheshim në një dhomë spitali të katit të katërt të patologjisë. Zbrita poshtë nga shkallët e pasme, prej nga i nxjerrin të vdekurit e spitalit për t’i shpënë në morg. Dola në oborrin e spitalit dhe po kërkoja një autoambulancë, që ta merrnim Lasgushin me vete dhe le të vdiste rehat në shtëpinë e vet. Aty në oborr takova Ademin, që e kam pasur nxënës dhe që e ka ndihmuar shpesh Lasgushin për të shkuar në Tiranë dhe anasjelltas. Aty ishte edhe dikush tjetër që nuk e mbaj mend, i cili më hoqi mënjanë dhe më shpjegoi se, në qoftë se Lasgushi kishte mbaruar (vdekur), nuk lejohej që ta transportonte ambulanca, por makina e të vdekurve.
“Jo, jo, – përsërita unë me këmbëngulje, – është ende gjallë.” (Pa qenë as vetë aspak e sigurt në do ta gjeja të gjallë, kur të ngjitesha lart, se ndoshta kishte mbaruar në kohën që unë zbrisja poshtë.) U mblodhën katër djem të njohur, që na ndihmuan. Por nga tronditja e ankthi mbaj mend vetëm Ademin. E zbritëm me barelë dhe e futëm në autoambulancë, pastaj drejt e në shtëpi.
Përsëri vazhdonte me tension shumë të ulët, temperatura 35.5 gradë, pulsi shumë i dobët, fytyra, duart, këmbët shumë të ftohta. Pas mesit të ditës erdhën doktor Mistoja dhe Kozma Basho. Kur po zbrisnim shkallët e shtëpisë së Lasgushit ne të tre, doktor Mistoja tha: “Lasgushi po shuhet dalëngadalë si qiriri… Bëhuni gati!”‘. Edhe profesori im i gjimnazit, Kozma Basho, më përcolli një copë rrugë dhe bisedoi me mua hollësisht si biolog që është. Më tha se kishte parë edhe raste të tjera kur njerëzit janë kaq afër vdekjes, prandaj duhen lajmëruar të afërmit, që të jenë të përgatitur. I telefonova Elenës dhe fola me Ismailin. E pyeta se, po të vdiste Lasgushi, a do të varrosej si plak i rëndomtë, apo si poet, si Lasgush. Njoftova me telefon edhe Dhimitër Pilikën, si mik të Lasgushit, dhe i thashë se ai ndodhej në gjendje kome.
Vajzat e tij, Nina dhe Maria, filluan nga përgatitjet, të bënin gati rrobat e vdekjes. Lasgushi gjithmonë në udhëtimet e veta: Pogradec-Tiranë dhe Tiranë-Pogradec mbart me vete boshtallëkun ku ka kostumin e mirë të zi, të cilin ka shumë e shumë vjet që ia ka dërguar Thomua i xhaxhait (Thomo Gusho) nga Amerika. Aty, në atë bohçe, Lasgushi mban edhe këmishën e ndërresat, me një fjalë çdo gjë që i duhet njeriut për të shkuar në botën tjetër. I blemë një çarçaf, i vumë dantellë, i blemë copë kambriku për këllëf jastëku dhe ia qepëm, blemë edhe një kuvertë të bardhë të mëndafshtë.
Nga ana tjetër, Tomi Mato, inspektor i kulturës në rreth, si zyrtar, bisedonte me Aleks Budën, me Ministrinë e Arsimit e të Kulturës, me Lidhjen e Shkrimtarëve. Ata porositën kurorat me lule dhe u caktuan njerëzit (personat) që do të vinin nga Tirana për në varrim.
Pasdite vonë, kur i vajta Lasgushit, iu afrova te koka dhe e pyeta se cila isha unë, ai hapi pak sytë dhe me zë të mekur m’u përgjigj: “Meri… e dashur!”
Filluan ditët e përmirësimit të Lasgushit. Ndërkohë vazhdonte mjekimin me barna në doza më të pakta. Nina ia llogariste dozën dhe mund të them se vepronte si një mjek shumë i kujdesshëm, sepse e njeh shumë mirë organizmin e tij. Gjithashtu për Lasgushin kujdeseshin Maria dhe Nafija, sidomos Maria, që i plotësonte çdo tekë duke e përkëdhelur sikur të ishte fëmijë. Kështu në ditët kur Lasgushi ishte shumë i sëmurë, Cucin e mbanin të lidhur poshtë në bodrum, që të mos i dëgjoheshin të lehurat. Kur u përmirësua paksa Lasgushi, Maria e pyeti:
– Babi, a do të ta sjell pak Cucin këtu lart?
– Mirë! – tha Lasgushi.
Maria zbriti në bodrum dhe e lëshoi Cucin. Qeni i sapozgjidhur i ngjiti shkallët me vrap, hyri në dhomë me vërtik porsi shigjetë dhe u hodh me vrull përmbi shtrat, u shtri i tëri mbi jastëk duke vendosur kokën e vet ngjitur pranë kokës së të zotit. Nuk lehte, vetëm hungërinte me gëzim e trishtim bashkë e sytë e bukur iu njomën nga lotët.
Kur po përmirësohej Lasgushi e ne filluam sërish të bënim shaka, unë i shkrova dy rreshta në një copë letër dhe e ngula te gozhdët e dritares pranë shtratit ku rrinte ai i shtrirë:
Lasgushi, mbret i poezisë,
Lasgushi sfidonjës i mjekësisë.
Po, ndërsa i vajta një pasdite dhe ndenja fare pak me të, sepse duhej të shkoja te kampet e pushimit për të përgatitur një emision për radion, kur po e puthja për t’i thënë “Mirupafshim!”, ai me egoizëm e me zë të lartë në mënyrë që ta dëgjonin edhe e tjerë njerëzit e tjerë, të cilët ndodheshin aty: “Hajde, hajde, Stambolli digjet e zonja krihet!”
Një ditë me vapë të tmerrshme mbërrita në Tiranë. U ndodha në Lidhjen e Shkrimtarëve në kohën kur sapo dolën nga një mbledhje të gjithë: Ismaili, Llazar Siliqi, Dhimitër Xhuvani e të tjerë. Më pyetën për Lasgushin dhe u habitën shumë se si mundi ai që ta mposhtte vdekjen. Unë u thashë se Lasgushi nuk donte të vdiste, prandaj nuk vdiq (më pati thënë dikur Lasgushi se njeriu vdes vetëm atëherë kur do vetë që të vdesë).
Kulmi ishte me Llazar Siliqin. Ai më hoqi mënjanë të tjerëve dhe më tregoi hollësisht se e kishin caktuar për të mbajtur fjalën e lamtumirës për në ceremoninë e varrimit të Lasgushit. Mirëpo Llazar Siliqi duhej që të shkonte në mbledhjen e partisë dhe kishte lënë porosi që ta lajmëronin menjëherë, po t’i ndodhte gjë Lasgushit. Pas mesnate Llazar Siliqi ishte ulur për të shkruar fjalimin që do të mbahej në varrimin e Llazar Gushos. Po si mund të shkruash fjalë lamtumire për një njeri i cili është ende gjallë? Megjithatë ai e shkroi dhe fjalimi i mbeti në xhep, sepse Lasgushi luajti kukafshehtas me vdekjen dhe i iku asaj për duarsh. Ndërsa isha në Tiranë, bisedova në telefon edhe me Dhimitër Pilikën, duke i treguar hollësi për gjendjen shëndetësore të Lasgushit. Unë nuk e njoh këtë njeri, por Lasgushi më ka treguar se ai ka zbuluar vulën origjinale të Skënderbeut në Çeki.
Në ditët kur Lasgushi ishte shumë keq, Nuçi Tira më mori mënjanë dhe më pyeti se në çfarë vendi i mban Lasgushi dorëshkrimet, sepse, sapo të vdesë Lasgushi, do të lajmërohet Dega e Punëve të Brendshme, që t’ia bllokojnë arkivin. O Zot që je lart në qiell, a e shikon se çfarë bëhet këtu poshtë në tokë?!
Por Lasgushi kishte edhe një arsye më shumë për të mos vdekur. Duhej të vdiste Enver Hoxha para tij.
22.8.1982
Në kohën e drekës tek unë erdhi Lasgushi. Më pati mbetur merak se ai kishte ardhur atë ditë që u helmova, por nuk më gjeti, se unë isha në urgjencë për të bërë serumet. E putha dhe më puthi. “Ke një dhomë të rregulluar me shumë shije”, – më tha. I thashë se është mbret i estetikës. Sytë përsëri i xixëllonin, i vetëtinin, i shkreptinin.
23.8.1982
Më thirri Nina me ngut në kohën e drekës, se Lasgushi po dilte nga shtëpia nëpër vapë dhe kjo gjë ishte e rrezikshme për shëndetin e tij. Dolëm të dy. E shoqërova deri tek Turizmi i Vjetër, vendi i tij më i dashur, ku çlodhet. U ulëm të bisedonim dhe më tha se Pogradeci është një ndër qytetet më të bukur në botë. “Unë kam parë Zvicrën, Austrinë, Gjermaninë, por asnjë qytet i këtyre vendeve nuk mund të krahasohet me Poradecin tonë të shtrenjtë.” Është i zbehtë dhe lodhet shpejt.
1.9.1982
Lasgushin e takova rrugës, ndërsa po vesonte shi, dhe e pyeta pse kishte dalë, se mund të lagej. Pastaj, meqë nuk kishte çadër, i thashë:
– A ta heq xhaketën time të të mbuloj ty?
– Kjo do të ishte lavdi për mua! – më tha.
“O Zot, cili burrë mbi faqe të dheut mund të thotë një gjë kaq të bukur!.”
Më vonë, pasdite, ndërsa po shtypja në makinë poemën “Kamadeva”, se më kërkoi nja dy kopje një shoku im, erdhi Lasgushi, Nina dhe Cuci, që ishte përlyer tërë baltë. Ndenjën njëfarë kohe, por nuk bëmë ndonjë bisedë kushedi se çfarë. Nina më tha me zë të ulët (që të mos na dëgjonte ai) se Lasgushi kishte shenja skleroze dhe se pas sëmundjes i kishte shtuar edhe më shumë huqet. I gostita me komposto molle, Lasgushi i dha një copë Cucit duke më thënë mua:
– Shiko, këtë komposton që ti e ke bërë për princa, po ta shijon Cuci.
Ndoshta ka të drejtë Nina, kur thotë se Lasgushi ka çaste të humbjes së kujtesës. Ndërsa mua më duket se ai kurrë nuk harron që të ironizojë njerëzit, të tallet me ata që hiqen ashtu siç nuk janë. Dhe gjatë kësaj kohe asnjëherë nuk e ka përmendur e kujtuar Niqkën (të duket sikur e ka gëlltitur emrin, kujtimin e saj.)
27.9.1982
Dje Lasgushi ishte shumë i mërzitur dhe po grindej me Nafijen. Tek ata vajti për vizitë Qani Çollaku dhe i platiti të dy. Sot që në mëngjes po bëheshin gati për të ikur në Tiranë me ambulancë. Nafijen mezi e zbritëm nga shkallët e shtëpisë, mezi e hipëm në ambulancë. Unë e mora Cucin në duar dhe e futa të parin në makinë. Lasgushi rrinte drejt në kolltukun e makinës dhe krekosej.
7.10.1982
Në darkë tek unë erdhi Todi Mato dhe më tha se Lasgushi do të vijë nesër në Pogradec. Kjo është më e pabesueshmja gjë. Po çfarë mund të presësh tjetër nga një Lasgush! Ai ka vetëm dhjetë ditë që ka ikur nga Pogradeci, pastaj ka qenë dhe i sëmurë. E si mund të udhëtojë kaq shpesh?!
8.10.1982
Në orën gjashtë e gjysmë në mëngjes tek unë erdhi Nina. Ajo ishte ngritur që në orën katër të mëngjesit dhe i kishte bërë një telegram urgjent Lasgushit: “Babi, mos u nis. Po vij”. Bashkë me Ninën vajtëm dhe morëm në telefon Kol Popën. Pyetëm për Lasgushin, por nuk dinin gjë. Telefonuam edhe tek Aleks Buda, u përgjigj gruaja e tij, na tha se Lasgushi mbrëmë kishte qenë i sëmurë dhe sot ka mundësi që të shtrohet në spital. Domethënë se nuk është nisur me makinë për këtu. Lajmin se do të vinte Lasgushi këtu e solli Llazar Siliqi, i cili po kalonte nëpër Pogradec, duke udhëtuar për në Korçë, dhe ai kishte qenë parmbrëmë te Lasgushi së bashku me Ismail Kadarenë. Pasi u nis Nina për në Tiranë, më doli në telefon Maria dhe më sqaroi se Lasgushit i ishte ngritur mendja keq për të ardhur në Pogradec dhe kishte thënë: “Dua të shkoj të puth dheun e Poradecit, të vdes atje pranë varrit të nënës e të babait.”
12.10.1982
Nina ende nuk po kthehet e unë nuk kam asnjë lajm për shëndetin e Lasgushit.
VITI 1983
8.6.1983
Me Lasgushin ishim për vizitë tek Todi Mato, sepsc i ka ardhur i ati nga Amerika. E ka lënë Todin foshnjë tre muaj e gjysmë dhe vjen tani dhe e gjen burrë të moshuar. Lasgushi tha: “0 Todi i dashur, të urojmë nga fundi më i thellë i zemrës sonë për ardhjen e babait tënd!”. Pastaj iu drejtua atij, të ardhurit nga Amerika: “Mirë se na erdhe në Shqipërinë tonë të bukur, të dashur, të dhembshur, në vendin më të bukur të botës!”
31.7.1983
Pasdite vonë, në rrugë takova Elenën dhe Ismail Kadarenë. Ata kanë ardhur këtu për pushime dhe kanë zënë vend te Hotel Turizmi. Elena kishte veshur një fustan të hollë veror dhe në këmbë kishte mbathur një palë sandale vetëm me rripa që i rrotulloheshin deri te nyja e këmbës, si modelet e lashtësisë. Ata të dy donin të shkonin për t’i bërë vizitë Lasgushit. E lamë që të takoheshim pak më vonë, pasi të mbaroja unë një punë. Me ne erdhi edhe Myzejen Shapllo dhe të katër u vërtitëm uëpër dyqane për të gjetur ndonjë shishe verë për Lasgushin, por, meqenëse vera ishte e keqe, e cilësisë së tretë, nuk i blemë asgjë. Unë vetëm sa i shpura deri te shtëpia e Lasgushit Elenën me Ismailin, dhe ika. Ata ishin kënaqur shumë me bisedën. Ishte ditë e diel.
1.8.1983
Pasdite, te Lasgushi kishin qenë Frida me Rinush Idrizin (që kanë ardhur edhe ata me pushime). Ata ishin kënaqur së toku me muhabet, sidomos i kishte shkrirë gazit Nafija, me humorin e saj. Para disa ditësh, ndërsa hisedonim të dyja me Nafijen, ajo më tha se nuk do ta linte më Ninën që të punonte këtu dhe ta kalonte dimrin e vetme, por do ta merrte me çdo kusht në Tiranë. Në orën nëntë e gjysmë të darkës te shtëpia e tyre vajta unë me Manjolën për të takuar Marien, se i mbaroi leja e zakonshme dhe do të ikte të nesërmen me trenin e parë. Unë dhe Manjola hymë brenda në shtëpi, por aty ishte vetëm Nafija duke ngrënë darkë. Sapo kishin ikur Frida me Rinushin, kurse Maria kishte dalë për të shëtitur me Lasgushin. Unë duhej t’i jepja Maries orën me zile të kurdisur më tre e tridhjetë minuta. Nafija na u lut të prisnim pak, por ne ikëm, se ishte vonë. Sapo dolëm te rruga, takuam vajzat. U puthëm me Marien e i uruam rrugë të mbarë.
VDEKJA E NAFIJE8
Duke u gdhirë e martë, më doli gjumi në orën tre e njëzet minuta dhe mendova se pas dyzet minutash nisej treni i Maries për në Tiranë. Në orën pesë e njëzet e pesë minuta të mëngjesit, trokitën në derën e banesës sime. E hapa. Ishte doktor Mistoja dhe më tha: “Mos u tremb, por shko te vajzat c Lasgushit, se Nafija ka pësuar hemorragji të plotë cerebrale”. Pas pesë a gjashtë minutash u ndodha në shtëpinë e tyre.
Si kishte ndodhur?
Pas mesnate, aty nga ora dy, Lasgushi trokiti në odiçkë ku flinin të dyja vajzat, dhe u tha: “Hajdeni, se Nafija ka rënë dhe unë nuk e ngre dot!”
Kur zbritën vajzat poshtë, e gjetën Nafijen rënë përmbys përmbi qilim dhe rrobën e natës që kishte veshur, e kishte të shqyer, sepse Lasgushi ishte munduar ta ngrinte vetë e ta vinte në shtrat. Kujtuan se mos i kishte rënë të fikët, thirrën mjekun e rojës, i cili i bëri një qetësues. Pastaj erdhën doktor Mistoja dhe doktor Llazi Binishi. Menjëherë i filluan mjekimet e para: glukozë, vitaminë K dhe C, papaverinë, lasiks. Nafija merrte frymë me vështirësi shumë të madhe, vetëm dyzet frymëmarrje në minutë. Rrahjet e zemrës i kishte aq të forta, saqë i ndiheshin që sipër jorganit. Pulsi i shpejtë: njëqind e pesëdhjetë në minutë. I vunë termometrin: 39.5 gradë, kurse tensioni arterial, 25 me 11. Më vonë i zbriti pak maksimalja, por minimalja nuk i lëvizi fare. Lasgushin mezi mundën që ta qetësonin vajzat me amital. Nafijes i injektuan edhe një analginë për t’i ulur temperaturën, por ajo mbeti në atë gjendje. Vajzat filluan të qanin dhe të bënin përgatitjet e duhura për një njeri që po vdes: kuvertë, çarçaf, fustan, triko, këpucë e të tjera.
Në datën dy gusht, kur Nafija u godit nga hemorragjia cerebrale, Lasgushi, pasi kishte mbetur pa gjumë, u zgjua vonë, në orën njëmbëdhjetë të ditës, dhe ashtu egoist, nervoz, bërtiste: “Nafija nuk ka gjë, bëjini një kafe Nafijes. Nafija po fle, më shikoni mua, se unë jam i sëmurë!”. Ndërsa vajzat vazhdonin të qanin duke u vërtitur nëpër shtëpi dhe duke pritur me ankth që t’ia behte vdekja, Lasgushi, si i marrosur, doli pesë herë rrugëve bashkë me Cucin duke bredhur kot më kot. Ndoshta kjo ishte e vetmja mënyrë për të shfryrë tërbimin tok me inatin që po i ziente përbrenda për fatkeqësinë që duhej të përballonte. Herën e fundit (që ishte nëpër rrugë), e takuan Ismaili dhe Elena (të cilët po vinin tek unë). Lasgushi u kishte bërë muhabet dhe u kishte thënë për qenin: “Unë, mor Zot, emrin e kam të keq, “qen”, por punën e kam të mirë, se jam besnik”, – dhe nuk u kishte thënë asnjë fjalë për Nafijen, që ishte shumë e sëmurë në shtrat të vdekjes. Elena dhe Ismaili u çuditën shumë, kur u tregova për gjendjen e saj. (Po Lasgushi çfarë donte të thoshte me atë fjalën “besnik”, mos po akuzonte Nafijen që po e linte vetëm në këtë jetë?)
Ismailit i dhashë për të lexuar fletoren me “Lirika” që kam kopjuar prej fletores së Lasgushit, si edhe fletoren (e sajuar) me shënimet e Lasgushit: “Vizitat e zonjushës Ana në kullën time”.
Ndërkohë vazhdoja ecejaket nga shtëpia ime tek e aëmura. Gjendja e saj vazhdonte të keqësohej. Ndenja atje deri gati në mesnatë. Të mërkurën në mëngjes, Nafija u gdhi me temperaturë 42 gradë. Doktor Mistoja dhe doktor Llazi Binishi erdhën tek unë, që të bisedonin me mua për t’ua mbushur mendjen vajzave që varrimi të mos bëhej në Tiranë (e shkreta Nafije, as që mund ta merrte me mend se mund të vdiste dhe të varrosej në Pogradec). Në të vërtetë është shumë e mundimshme për ta transportuar të vdekur në Tiranë, por, nga ana tjetër, është edhe halli i Lasgushit, sepse mund të pësojë edhe ai ndonjë gjë në këtë pisk vape.
Paradite Lasgushi rrinte i shtrirë në shtratin e tij dhe nga tronditja i filluan rrahje të shpeshta të zemrës. Kurse në shtratin tjetër Nafija luftonte me vdekjen, Lasgushi qante duke e ndier aq afër tmerrin e saj. Sado i përgatitur të jesh për vdekjen, ajo është tmerrësisht e ankthshme, e rëndë, e papërballueshme, mendoj se të moshuarit e ndiejnë më tepër, më fort, më pranë vetes së tyre, pavarësisht se mundohen që të përmbahen.
Unë ndenja pranë së sëmurës deri në orën tre e pesë minuta të pasdites dhe ika në shtëpinë time të çlodhesha pak, duke menduar se ajo e mjera do ta shtynte gjer ndaj të ngrysur. Por më thirrën pak minuta pas orës katër, Vajzat, veshur me të zeza. Nafijen e kishin veshur dhe shtrirë në shtrat, të cilin e kishin vendosur në mes të dhomës, mbi një kuvertë të bardhë. E putha në ballin e ftohtë.
Dolëm të dy me Todi Maton dhe blemë kafe, raki, cigare. Njoftuam edhe për formalitetet e duhura. Rinushi me Fridën dhe vajzat erdhën tek unë, pastaj vajtëm tek e vdekura… Vinin plot njerëz për ngushëllim Nga ora tetë e gjysmë e darkës u ngjita lart në odiçkën e Lasgushit, aty ishte edhe Rinushi. Cuci rrinte shumë urtë, shembullor, me kokën varur mënjanë. Lasgushi kishte shkruar në kapakun e pasmë të një reviste “Nëntori”: “E mërkurë, 3 gusht 1983, ora 3.55 e pasdites u nda prej nesh e dashura Nafije” Në çastin kur kishte dhënë shpirt Nafija, ai i kishte thënë Konstandinës: “Nina, shëno datën, orën, minutën, sekondën kur vdiq Nafija!”
Pasi e veshën Nafijen e vdekur, Lasgushi i kishte hapur gjoksin dhe e kishte mbuluar me të puthura. I puthte ballin, faqet, duart. Natën aty rreth orës dhjetë e tridhjetë, me të vdekurën, që e kishin mbuluar me një çarçaf të bardhë, po qëndroja vetëm unë me të dy të bijat e tij. Zbriti Lasgushi që lart nga kulla dhe hyri aty brenda.
– Nuk paska ndonjë plakë? – pyeti. (Ai e di fare mirë se të vdekurin zakonisht natën e ruajnë plakat.)
Pastaj u tha atyre djemve që po rrinin në çardakun e ngushtë:
– Mbylle derën! (Që të mbyllnin nga jashtë derën e dhomës ku po rrinim ne.)
Zbuloi kufomën, bëri tri herë kryq, e puthi tri herë në ballë, përsëri bëri tri herë kryq dhe e mbuloi. (Ngjasonte tamam si Leon Tolstoj.)
U ul në karrige afër meje dhe më tha:
– Po ti, Meri Lalaj, ku ke qenë sot tërë ditën?
– Këtu kam qenë – iu përgjigja e druajtur dhe sytë m’u mbushën me lot. Pak më vonë aty erdhën disa plaka të mëhallës.
Ndenja deri në orën një pas mesnate aty në korridorin e vockël e të ngushtë, duke biseduar me Qani Çollakun. Ishte hera e parë që ai hapte gojën dhe më rrëfente disa kujtime të tijat nga burgu komunist.
4.8.1983
Që në orën tetë të mëngjesit vajta për kurorat me lule. Pakëz më vonë tek unë erdhi Rinushi dhe të dy përgatitëm fjalën e varrimit, të cilën unë e shtypa në makinën e shkrimit.
Tek Lasgushi erdhën për ngushëllim autoritetet letrare: Aleks Buda, Dhimitër S. Shuteriqi, Dhimitër Xhuvani, Ismail Kadare, Dalan Shapllo, Dilaver Dilaveri e të tjerë. Ismaili, Dh. Shuteriqi, Dalani e ndonjë tjetër i kishin edhe bashkëshortet me vete e, ndërsa ishin duke ardhur te Lasgushi për kryeshëndoshë, po bisedonin rreth moshës së Lasgushit, për diferencën në moshë midis tij dhe Nafijes dhe sa e bukur ka qenë Nafija dikur. Ndërkaq Mynever Shuteriqi tregoi se kur kishin qenë bashkë me Nafijen në Institutin Femnor Nana Mbretneshë”, Nafija nëntëmbëdhjetëvjeçare, që sapo pati njohur Lasgushin, kishte shkruar një poezi për Nënën Mbretëreshë.
Kur u futën në shtëpinë e Lasgushit, përfaqësuesit e lartë të letrave e të kulturës shqiptare zunë vend në çardakun e ngushtë dhe Lasgushi iu drejtua atyre:
– O shokë, ju falem nderit që keni ardhur këtu në Poradec me pushime dhe po më ngushëlloni në këtë pikëllimin tim të madh…
Aleks Buda midis të tjerash tha:
– Jemi hiç dhe gjithçka.
Lasgushi: – Që jemi hiç dihet, por atë gjithçka mos e thuaj.
Dhe, për t’i mbajtur ngushëlluesit me bisedë, ashtu siç ia donte puna si zot shtëpie, Lasgushi vijoi të tregonte për të dënuarin që po e shpien ta varin në litar dhe ai bën humor me xhelatin e vet.
O Perëndi, po ku e gjen tërë atë forcë, gjithë atë mençuri!
Pasi u larguan “bota letrare”, Kadriu, kushëriri i Nafijes, e pyeti Lasgushin:
– Llazar, cilët ishin këta?
Dhe Lasgushi u përgjigj:
– Po ku i njoh unë i gjori se sa njerëz vijnë këtu për të më ngushëlluar!…
Tërë kohës, Lasgushi, bënte ç’bënte dhe ashtu me lot në sy hynte në dhomë, përkulej dhe e puthte të vdekurën. I puthte me dhembje të madhe fytyrën, duart, këmbët. Nafijen e vendosën në arkivol të rrethuar me lule. Pak para orës dymbëdhjetë në mesditë erdhi makina e varrimit. Lasgushi u fut prapë në dhomë dhe përsëri e puthi Nafijen në ballë, në faqe, në duar, te këmbët. Mbyllën arkëmortin dhe e ngritën. Erdhën në varrim edhe nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit si edhe Dalan Shapllo, Dhimitër Xhuvani, Rinushi me Fridën, doktor Mistoja me Astritën e shumë të tjerë. Kur arritëm para varrit të hapur, Lasgushi u ul mbi dy pllaka çimentoje, që lëkundeshin sa andej këndej. Fjalën e mbajti Gjergji Gusho, drejtor i Kabinetit Pedagogjik të Rrethit, sepse Nafija ka qenë Mësuese e Merituar. Para se varrmihësit të ngrinin arkëmortin për ta kallur brenda në varr, Lasgushi, duke qarë porsi fëmijë i vogël që pa bërë asnjë faj e kanë ndëshkuar rëndë, ngriti gishtin tregues të shtrembëruar nga pleqëria dhe u lut me përgjërim:
– Lëreni edhe gjysmë minute!
U ngrit me mundim duke u lëkundur, i kalamendur përmbi ato dy rrasat e betonta. Iu afrua arkivolit dhe bëri kryq mbi të. (Mua më zu tmerri, se, të bësh kryq fshehurazi është e ndaluar e jo më pastaj të bësh kryq në publik në sy të të gjithëve.) E mbuluam arkivolin, hodhëm nga një grusht dhe e u vendosën kurorat.
U kthyem nga varrezat për të ngrënë drekë në restorant. Unë dhe Frida, ndërsa ishim duke hyrë te dera e sallës së ngrënies, i lëshuam rrugën Aleks Budës, por ai me përkulje dhe me mirësjellje na u lut të hynim para tij, madje na tregoi edhe diçka shumë gazmore lidhur me politesën e burrave ndaj femrave. Ndodheshim të ulur për të ngrënë drekën e përmortshme, në krye të tryezave rrinte Lasgushi dhe dukej aq i mirë, flokëbardhë, me sy të shndritshëm, veshur me kostum të zi, këmishë të bardhë e kravatë të zezë. E në kohën që po ngjëronim drekën, mua më silleshin në mendje fjalët e Lasgushit: “E varrosim tjetrin dhe ulemi për të ngrënë!”
Në mbrëmje vajta përsëri andej.
5.8.1983
Që në mëngjes vajta nga Lasgushi. Ai flinte. Pasdite erdhën për të ngushëlluar: Sali Shijaku, Muharrem Turkeshi e të tjerë. Unë prisja Myzejen Shapllon dhe vajtëm të dyja te Lasgushi. Pastaj aty erdhën Elena me Ismailin.
Lasgushi gjatë gjithë kohës i drejtohej Elenës:
– Moj zonjushë, ajo madama në Austri, që ishte kështu si ti… me zërin kaq të ëmbël e melodioz… – e vijonte me plot komplimente të tjera.
6.8.1983
Te Lasgushi ishte Foto Stamo e të tjerë. Kur Lasgushi tha se Atdheun e bëjnë poetët, Foto Stamo i ndërhyri duke thënë se Atdheun e bën populli.
E Lasgushi iu kthye flakë për flakë:
– A, ç’më çan kokën!
Në një nga ditët kur Lasgushit vazhdonin që t’i vinin plot njerëz për ngushëllim, ndërsa po rrinim një pasdite bashkë me vajzat, erdhi Ismail Kadareja me Vladimir Meçen (i cili është nënkryetar i Degës së Punëve të Brendshme këtu në Pogradec). Biseduam për shumë gjëra, midis të tjerash Ismaili i tha Lasgushit: -Zoti Llazar!- (Ismaili gjithmonë kështu i drejtohet Lasgushit; megjithëse te ne kjo fjalë nuk përdoret, është e ndaluar, duhet përdorur “shoku”, Ismaili e ngriti zërin ndërsa tha ato fjalët “Zoti Llazar”, por Lasgushi dëgjon për bukuri. Pra, pasi Ismaili e lëshoi atë eksklamacionin: “Zoti Llazar!” – vijoi:
– Çfarëdolloj problemi që mund të keni, t’i drejtoheni këtij shokut këtu, se do t’ju ndihmojë, do t’ju zgjidhë çdo lloj pune që mund të keni. – Dhe ia shpjegoi pak a shumë në mënyrë të përgjithshme se me çfarë pune merrej Vladimir Meçe.
Lasgushi rrinte i ulur në cep të shtratit të vet me sytë përdhe dhe të dukej sikur nuk dëgjonte asgjë nga ato fjalë, që po i sugjeronte Ismaili. Lasgushi po mendohej e po mendohej me vështrimin ngulur përtokë. Asnjeri nuk fliste. Unë pandeha se ai do të kërkonte transferim në Tiranë për Ninën ose ndonjë veturë policie për të lehtësuar mundimin e ikjes së tij Pogradec-Tiranë dhe anasjelltas. Dhe befas ai foli me zërin më të qetë, më të shtruar, më dinjitoz e më ironik se kurrë:
-Ju falemnderit shumë! Siç e dini edhe ju, o miqtë e mi të dashur, unë kam vetëm një hall të madh dhe dua të bëj vetëm një kërkesë (ne po dëgjonim shumë të përqendruar, me vëmendje e kureshtje), i lutem shumë këtij shokut që, po të ketë mundësi, të më shpëtojë qenin tim, Cucin e dashur, se nuk ma lë rehat policia! – E, me t’i shqiptuar këto fjalë, heshti krenar e serioz si përherë.
Ne qeshëm aq shumë, sa u hodhëm përpjetë nga karriget ku ishim ulur.
Më kujtohet se, pasi isha kthyer njëherë nga Tirana, Lasgushi më pyeti:
– Ç’bëhej ku bëhej në Tiranë?
-Asgjë. – i thashë. – Vetëm kam dëgjuar një thashetheme sikur Ismail Kadareja po kthehej në shtëpi
dhe ishte duke ecur anës e anës rrugës ku po ndërtohet hoteli i madh, mirëpo në atë çast punëtorët ishin duke çmontuar skelat e ndërtimit dhe njëra prej tyre ra e desh e zuri përfund Ismailin.
E Lasgushi më tha:
– Doemos, Ismaili nuk e ka mendjen, sepse ka Kinën brenda në kokë. (Në atë kohë Ismaili po përpiqej që të botonte librin e tij “Koncert në fund të dimrit”.)
Lidhur me parullën tonë socialiste “Kush punon, ha”, Lasgushi arsyetonte dhe ma ka shpjeguar kështu: “Punon babai dhe merr leka sa për të blerë bukë e domate, mirëpo babai ka në kurriz edhe fëmijët, sepse babai paguhet sa për veften e tij, prandaj babai që i do dhe i dhimbsen fëmija, heq nga goja kafshoren për t’i ushqyer fëmijët, që të mos i vdesin për bukë. Ja, ky është socializmi. A e kuptove? Të dhjefsha socializmin!”
Lasgushi nuk e kuptoi dhe nuk mund ta besonte se në ato vite ne na ushqenin me tallon dhe me racion, gjithçka e racionuar: buka, gjalpi, mishi, djathi etj.
Sikur t’i thoshe Lasgushit se nuk ka mish në pazar, ai do të thoshte: “Kujt i thua ti se nuk ka mish! Shqipëria është vend malor, pra vend blegtoral, dhe më shumë se çdo gjë tjetër ne kemi mish”.
5.9.1983
Lasgushi ka qenë nervoz dhe i shqetësuar gjatë gjithë kohës. Nuk i duron dot njerëzit. Dje u sëmur me diarre, sepse hëngri pilaf me pulë. Sot vajtëm tek ai me doktor Miston, që e vizitoi dhe i dha disa barna. Shqetësime nervore.
18.9.1983
Lasgushi vazhdon të jetë i acaruar, nuk duron dot njeri, nuk lexon, nuk shkruan, s’ka fuqi as për të dalë shëtitje. Zgjohet nga gjumi si i llahtarisur dhe thërret me zë të lartë: “Nafije!… Nafije!… Nafije!…” Ndodhet në gjendje depresive, hera-herës e zë barku dhe ka pagjumësi.
13.12.1983
Po interesohem për vajtjen e Lasgushit në Tiranë. Më së fundi u nis të mërkurën në mëngjes, në orën gjashtë pa njëzet minuta me një kamion që transportonte mollë.
VITI 1984
Në muajin prill u mbajt Kongresi i Tretë i Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Lasgushi ishte i ftuar, por ai nuk begenisi të merrte pjesë.
17.6.1984
Lasgushi mbërriti këtu në Pogradec të enjten, më 14 qershor, e solli Maria me taksi. Lasgushi, kur del, vesh në trup përmbi fanellën e leshit një jelek me rripa të hekurt të veshura me lëkurë, këtë jelek ai e mban nga shkaku i spondelioartrozës. Dhe ja çfarë më tregoi Maria: Kur u nis për të ardhur nga Tirana me taksi për në Pogradec, Lasgushi e kishte veshur jelekun e hekurt përmbi këmishë dhe pastaj kishte veshur xhaketën; mirëpo, kur kishin arritur majë Kërrabës, kishin ndaluar, sepse aty kishte ndodhur një aksident automobilistik. Në atë vend kishin qëndruar edhe shumë makina në të dy krahët e rrugës. Ishte shumë vapë. Dielli përvëlonte. Kështu, Lasgushi doli nga taksia bashkë me Cucin, kishte hequr xhaketën dhe ishte me parzmoren e hekurt përmbi këmishë; njerëzit e shumtë që ndodheshin aty e shikonin me sy të shqyer nga habia.
Maria i lutej të atit:
– Babi, vish xhaketën! – Ndërsa ai i hakërrohej:
– Lena mo rehat, për kokën tënde!
Kur i vajta për ta takuar që t’i uroja mirëseardhjen, i bleva një shishe vermut, por, meqenëse ai ishte duke fjetur, ia lashë te komodina dhe i shkrova një pusullë duke ia lënë pranë shishes: “Nosit i dashur, mirë se na erdhe. Të putha kur ishe duke fjetur. Meri Lalaj.” (Nuk e putha, por ia shkrova këto fjalë, që t’ia bëja qejfin.)
Dje, kur i vajta për vizitë në kohën e drekës, aty ishte edhe profesori im Kozma Basho. Unë kisha veshur fustanin me vija të kuqe e të bardha, Lasgushi më pa dhe thirri gjithë entuziazëm:
– Oj, oj, oj, na ardhi një si meshollë e belkëputur! Po sa e dashur që është, sa e mirë! Gjithnjë si dymbëdhjetë vjeçe dukesh! (Doemos për atë unë dukem si dymbëdhjetëvjeçare, sepse më ndan prej tij gjysmë shekulli moshë.)
Por, ndërsa ai më lajkatonte me fjalë, mua më erdhi shumë turp, se ato fjalë po i dëgjonte edhe profesori im Kozma Basho dhe nuk dija se si të përgjigjesha. Së fundi kuturisa e i thashë:
– O, të lutem, Lasgush, unë kam pësuar neurozë, se më duket sikur po më zë pleqëria. Ç’më thua kështu?
Biseduam për gazetën “Djalëria”, të cilën e botonte në Vjenë doktor Jani Basho, xhaxhai i Kozma Bashos, si edhe për takimet e doktor Jovan Bashos me të famshmin Aleksandër Moisiu.
Pasdite dolëm të dy nga shtëpia e Lasgushit dhe kishim ndaluar nja dhjetë metra larg derës ku ndodhet tuneli (strehimi) për t’u mbrojtur nga bombardimet ajrore të imagjinuara që mund t’i ndodhin Shqipërisë. I recitova vargjet e Koçi Petritit për Isa Boletinin botuar te revista “Nëntori”:
Fush Kosoua desh një mal
Me Korabin tok të rrinin
Dhe mbi djep të saj u ndal,
Rriti Isë Boletinin.
Dhe kur nxin e bubullin
Mbi Danub e mbi Ballkan,
Ball’ i burrit Boletin
Brof e bubullimat mban.
Lasgushi më dëgjoi me shumë vëmendje dhe pastaj i ra tokës tri herë me bastun dhe tha tri herë: “Bukur, bukur, shumë bukur!”
Korrik 1984
Lasgushi zihet me gurë me kurbetrit, sepse ata i hyjnë në bahçe, hipin në manin e madh, ia hanë manat dhe ia thyejnë degët e xhamat. Kështu Lasgushi mbledh gurë që përjashta dhe i vë radhë-radhë nëpër shkallë dhe nëpër penxherka, që t’i ketë gati për sulmet e reja që do të ndërmarrë…
Gjatë gjithë verës isha shumë e sëmurë, Lasgushi vinte e më vizitonte.
VITI 1985
(Kur vdiq Enveri)
Lajmin se vdiq Enveri, në Pogradec na e solli helikopteri. (Në çdo qytet të Shqipërisë fluturuan helikopterët, këta lajmëtarë të Komitetit Qendror të Partisë. Kudo nëpër rrethet e vendit u mblodhën në salla të caktuara komunistët, që ta kthenin dhembjen në forcë.) Unë e mora vesh lajmin aty rreth orës dhjetë të paradites së datës njëmbëdhjetë, ma tha një grua komuniste me lot në sy (në orën dymbëdhjetë, në emisionin e lajmeve në radio, u dha komunikata e plotë për këtë ngjarje). Sapo e mora vesh lajmin, erdha me nxitim në shtëpi dhe u putha me time bijë, që ishte e sëmurë me rubeolë, duke i thënë: “Shpirt i mamit, të më rrosh ti, se Enveri na e mori të keqen!” Vajza ime ka të atin në burg, se ia ka futur Enveri, gjyshin ia ka varur në litar Enveri, stërgjyshin ia ka pushkatuar Enveri.
Mendimi i parë që më erdhi në kokë në ato çaste, ishin fjalët e Mirit, kushëririt tim shkodran: “Tan Shkodra e ka rujt rakinë me e pi ditën kur të vdesë Enveri!” Dhe, o Zot, çfarë mrekullie që vdiq para Lasgushit! Dihej nga të gjithë se do ta zëvendësonte Ramiz Alia, dhe unë solla në mendje një ndodhi që më pati treguar Lasgushi, kur ishte profesor dhe jepte mësim në gjimnazin e Tiranës. Në një orë mësimi, vizatim më duket, Lasgushi u dha nxënësve një detyrë dhe u ul në katedër për të lexuar a shkruar. Befas dikush theu qetësinë e klasës. Lasgushi u ngrit i inatosur dhe i bërtiti një nxënësi që ishte më i vogli nga të gjithë: “Pusho, mos bëj zhurmë!” ( a diçka të tillë) Më vonë, kur u ngrit përsëri për t’i hedhur një sy klasës, nxënësi i vogël që e shau Lasgushi, ishte duke qarë; atëherë Lasgushi nxori nga xhepi i sipërm i xhaketës së tij shaminë e bardhë të mëndafshtë të hekurosur dhe ia fshiu lotët. Ky nxënës ishte Ramiz Alia. Gjatë viteve të pushtetit popullor, ndërsa Ramiz Alia punonte në Komitetin Qendror dhe drejtonte kulturën e artin shqiptar, Lasgushit i qëllonte hera-herës që të shkonte tek ai. Dhe ai (Ramizi) natyrisht që e priste, por Lasgushi kurrë nuk pati privilegje nga pushteti në fuqi. Kështu Lasgushi (siç e kam shkruar gjithnjë) torturohej për të gjetur një makinë për të ardhur në Pogradec ose për t’u kthyer në Tiranë, në kohën që komunistët u binin kontinenteve kryq e tërthor me supersonikë për të mbrojtur të pastër marksizëm-leninizmin kudo në botë. Lasgushi kurrë nuk shkroi një varg për Enverin a për Partinë, sepse ai nuk ishte dhe nuk donte të ishte sahanlëpirës (një fjalë që e përdorte aq shpesh për ata që e shisnin veten dhe talentin e tyre.) Vetëm një herë më ka thënë, dhe mua më përvëloi shpirtin me këto fjalë: “Më duket sikur tani ata (të diktaturës) po më besojnë se unë nuk po influencoj më te rinia”.
Lasgushi ishte i vetëdijshëm se në çdo çast e përndiqnin, por nuk e përfilli kurrë përndjekjen. Enver Hoxhën ai e shante vetëm kaq: “Mut i mutit!”
Shtatë ditë e shtatë net vazhdoi zia kombëtare për vdekjen e Enverit, lumenj lotësh e të tjera e të tjera. Ditën kur po e varrosnin, në shtëpinë e Lasgushit në Tiranë, kishin ardhur fqinjët për të ndjekur transmetimin televiziv të varrimit. Lasgushi hyn e del në dhomën ku janë fqinjët, pyet se kush ka vdekur, i japin përgjigje, përsëri hyn e del, pyet përsëri, i japin përgjigje dhe ai disi i çuditur thotë:
– A, a, nuk e ditkërkam! – Përsëri hyn e del dhe, meqenëse ceremonia e përmortshme zgjat shumë, ai pyet i habitur: “Po tani çfarë po i lëvdojnë akoma ?”
Pas vdekjes së Lasgushit se nga doli një fletë ditari e shkruar (gjoja) nga E. Hoxha në gusht 1981, na mblodhën dhe na e lexuan në Degën e Lidhjes së Shkrimtarëve të rrethit në Pogradec, u botua në gazetën “Driloni” ditën e enjte, më 22 dhjetor 1988. Dhe ja teksti i plotë:
Nga kujtimet e shokut Enver Hoxha për Lasgush Poradecin
Pogradec, e premte 28 gusht 1981
Dita e fundit e pushimeue verore në qytetin e këndshëm buzë liqenit të bukur, siç e përshkruan këtë poeti Lasgush Poradeci. U interesova për Lasgushin pranë shokëve të Partisë dhe më thanë se është mirë me shëndet. Jam interesuar për të, rron në një shtëpi komode të tij tok me çupën. Shokët më thanë se kanë dëgjuar që ka bërë një vjershë për Kosovën. U gëzova. Lasgushin e kam njohur që para lufte, kur isha profesor në gjimnazin e Tiranës. Më kish ftuar dy herë në dhomën e tij të thjeshtë e pa zjarr dhe me një velenxë në krahë më kish lexuar disa nga vjershat e tij të bukura të asaj kohe. Më kujtohet se krijimet e tij i përpunonte në mënyrë metikuloze. Ishte ca pesimist në jetë, por jo në vjershat e tij. Ai ishte i dëshpëruar nga regjimi i Zogut, prandaj preferonte të rronte i vetmuar. Dikur dilte dhe hashkohej me ne. Mbante një borsalinë të vjetër dhe një pardesy të palosur. Ishte edhe shëndetlig, poeti ynë i mirënjohur. Këto kujtime të mia ua tregova edhe shokëve drejtues të Pogradecit, duke iu lutur atyre që të mos e zvogëlojnë interesimin për të, për shkrimtarët dhe për poetët e rinj të rrethit, t’i japin të falat e mia Lasgushit dhe t’i thonë që unë ruaj kujtimet më të mira për të.
Tefta Tashkoja më pati thënë se kishte respekt për Lasgushin, dhe ajo ka kënduar me atë zë të mrekullueshëm këngë të harmonizuara me vjershat e tij.
Duke biseduar me shokët e Pogradecit, u rekomandova, siç e kam bërë këtë edhe më shokë të rretheve të tjerë, që të përkrahin pa ngurrim zhvillimin e arteve të bukura, të përkrahin talentet, t’u nxitin fantazinë në realitetin e bukur të atdheut tonë, të krijojnë pa i komanduar dhe pa ua kufizuar në korniza stereotipe frymëzimet e tyre. Të bëjnë një politikë të tillë që të materializojnë në vepra shpirtin dhe ndjenjat e tyre në rrugën e Partisë, por jo siç kërkon ndonjë nëpunës i Ministrisë së Arsimit e të Kulturës pa asnjë shije artistike. Ne duhet të bëjmë që të afirmohen me frymëzim jo të komanduar, duke filluar që nga punimet e artizanatit dhe deri te parqet e lulet.”
I miri Lasgush, i dashur e zemërgjerë me të gjithë! Dyzetë vjet me radhë erdhi me pushime Enveri dhe kurrë nuk pycti për Lasgushin, kurse pas vdekjes po, kërkon Nexhmija që t’i lidhë me një fije diktatorin me poetin, sepse dihet fare mirë që “Lavdia e Lasgushit nuk ka për asgjë nevojë, paska nevojë lavdia e Enverit për të!”
Rastësisht, ndërsa isha duke lexuar te revista “Klan” pjesë nga një libër me kujtime për Ramiz Alinë, aty shkruhej pikërisht kështu për Lasgushin: “Personalisht atë e ka njohur edhe Enveri, kur ndodheshin si kolegë për pak kohë në gjimnazin e Tiranës. Enveri thoshte se ai ishte ca pesimist për jetën…”
Sipas këtyre fjalëve të Ramiz Alisë del fare qartë se ajo fleta e ditarit e vitit 1988, që u shfaq në kohën pasi kishin vdekur edhe poeti, edhe diktatori, nuk qenka shkruar as prej Enverit, as prej Nexhmijes, por bash prej dorës së Ramizit.
LASGUSHI DHE ANASTAS KONSTANDINI (TASO)
Lasgushi e ka pasur mik Gjergjin e Stefës (babanë e Tasos). Njëherë, kur Tasoja ishte i vogël, në rrugicën e tyre po kalonte Lasgushi me Gjorgjin e Madh, ishte ndaj të ngrysur dhe Tasoja me kalamajtë e tjerë të mëhallës e përshëndetën njëzëri:
– Mirëmëngjes, zoti Llazar!
Lasgushi iu vërsul Tasos dhe e goditi me bastun në kurriz, pastaj, kur e mori vesh edhe i ati, i dha edhe ky një dru të mirë, një dru për t’u mbajtur mend gjithë jetën, për vetë faktin se ishte sjellë si rrugaç me Lasgushin.
Shkuan vite. Tasoja u rrit dhe u bë piktor i zoti. Ai ilustron poezitë e Lasgushit, vizaton shtëpinë e tij, mjediset e brendshme dhe të jashtme.
Në verën e vitit 1982, kur Lasgushi pësoi iskiemi cerebrale, Tasoja donte të hapte një ekspozitë personale edhe me shumë punime që kishin lidhje me Lasgushin. Mirëpo, meqenëse Lasgushi ishte shumë i sëmurë, nuk e lejuan, sepse salla në të cilën do të vendosej ekspozita (në Shtëpinë e Kulturës) mendohej që të përdorej për t’u vendosur trupi pa jetë i Lasgushit (në rast se ai vdiste dhe në rast se udhëzimi e miratimi nga lart do të ishte i tillë!)
Pasi u përmirësua Lasgushi, Tasoja e çeli ekspozitën dhe vetë Lasgushi vajti për ta parë, madje Tasoja i dhuroi Lasgushit grafikën “Gjeniu i anijes”. Disa ditë para dasmës së Tasos, ndërsa Lasgushi vazhdonte ende të qëndronte i shtrirë, Tasoja vetë erdhi tek unë dhe m’u lut që të bisedoja me Lasgushin për t’i bërë atij një portret. Kështu ia filloi punës dhe e mbaroi portretin duke biseduar me Lasgushin për artin grek dhe Mikelanxhelon. Portreti është i punuar me bojëra e ngjason me një njeri të rëndomtë, jo me një poet… Tasoja më ka thënë se provonte shumë emocione të ndodhej vetëm ballë për ballë me Lasgushin e, nga ana tjetër, kishte frikë se ndoshta portreti mbetej i papërfunduar, se kushedi çfarë mund t’i ndodhte Lasgushit.
Portretin më të mirë për Lasgushin e ka bërë Gentian Zeka.
20.7.1985
Pasdite vajta te Lasgushi. Ai ka vetëm tri ditë që ka ardhur këtu në Pogradec, është vera e parë që ai vjen kaq vonë, në korrik (jo më parë). Dhe kjo është vera e fundit që ai vjen në Pogradec. Më tha: “Unë rri shtrirë, kështu shkruaj, shtrirë, sepse kështu më vijnë më mirë mendimet” (më tha se edhe Rimski-Korsakovi ashtu kompozonte, shtrirë.) Ndërsa fliste, qëndronte i shtrirë. Unë e kam të qartë se ai ndihet i këputur dhe pa fuqi, përndryshe do t’i merrte shkallët me vrap. Sytë i ka shumë të bukur, si përherë. Shtjelloi mendimin e vet se është shumë e vështirë, tmerrësisht e vështirë, të shkruash poezi, sepse nga gjuha banale, vulgare, e përditshme duhet të zgjedhësh fjalët me shumë kujdes, me shumë mundim dhe me maturi e t’i renditësh varg pranë njëra-tjetrës, që të krijohet poezi e mrekullueshme, melodioze.
22.7.1985
Gjoli buçet i shkumëzuar. Fryn veri. Vajta në studion e Tasos. Në një fletë të madhe kartoni të bardhë të ngulur në mur ishte skicuar një vizatim: Lasgushi më këmbë, i shqetësuar, me sytë që i nxjerrin xixa, kapelën në kokë, i mbështjellë me shallin rrotull qafës. Kindat e palltos së madhe të zezë ia merr era. Era e shtyn poetin, por edhe ai të duket paksa sikur e shtyn erën si ndonjë zgalem vigan. Më vonë kjo doli një tablo shumë e bukur.
23.7.1985
E patëm bërë me fjalë me Anastas Konstandinin (Tason) që në orën gjashtë pasdite të shkonim te Lasgushi për t’i bërë një portret. Ai pozoi për dyzet minuta dhe Tasoja skicoi me laps një portret shumë të mirë.
Në fillim Lasgushi po rrinte i ulur në karrige si i stepur me sytë të ftohtë, të largët, të pakomunikueshëm. Mua nuk më pëlqeu dhe u mundova që ta ndryshoja:
– O Lasgush, si ishin ato vargjet e aries së Maskanjit: “O Lola, e bukur me bluzë të bardhë…”, si vazhdojnë më tej se nuk më kujtohen?…
Ai u mendua një hop dhe nuk i recitoi ato, por vargje të tjera në italisht, në dialekt, pastaj i përktheu: “Nëse ty nuk do të të gjej në parajsë, as mua nuk më duhet parajsa…” E, pasi i shqiptoi këto fjalë, sytë iu përlotën nga emocioni dhe përballë meje ai u shndërrua në poet. Dhe unë këtë doja. Ndërkohë na bërtiste mua edhe Ninës: “Lëreni artistin të punojë, se nuk bën dokushdo portret. Portreti është i vështirë, shumë i vështirë: çdo njeri një botë më vete. E merrni me mend apo jo?!”
Tasoja vizatonte si i ndërkryer, i përqendruar i tëri, picërronte sytë, rrudhte ballin mundimshëm dhe me shpejtësi të rrufeshme hidhte vijat në letër, fshinte me dorë me ca lëvizje kaq energjike, kaq të shkathëta e të sigurta, saqë të detyronte ta ndiqje në punën që kryente, dhe të emociononte me të vërtetë.
Tasoja vazhdonte vizatimin për portretin, Lasgushi rrinte drejt në karrige, tani ai po i punonte duart me damarët e fryrë e gishtërinjtë e trashë e të përkulur. Ndërkaq unë e pyeta Lasgushin:
– Cili është poeti më i madh në botë?
– Unë jam, – tha.
– Po kush vjen pas teje?
– Asnjë tjetër, vetëm unë.
Ne qeshëm me të madhe.
Pasi Tasoja e mbaroi portretin me figurën e tij ulur në karrige, Lasgushi u shtri. Unë ia mora nga dosja Tasos fletën e vizatuar dhe ia tregova Lasgushit duke e pyetur:
– Cili është ky?
– Unë jam.
– Puthe pak!
Ai e puthi letrën e vizatuar dhe buza e maja e hundës iu nxinë nga karboni. Unë ia fshiva me gishtërinj. Tasoja vizatoi edhe një portret tjetër të Lasgushit me kokën mbi jastëk. Ky i duhet sepse do të bëjë një kompozim me mjedis lasgushian.
Në mes të gushtit, Lasgushi iku në Tiranë, pra kësaj vere ai ndenji fare pak në Pogradec, vetëm një muaj. Gjatë dimrit, kur shkoja në Tiranë, e takoja. Lasgushi kurrë më nuk do ta shohë Pogradecin e tij të shtrenjtë.
TË TJERËT PËR LASGUSHIN
Përveç personave që kam përmendur, miq ose njerëz që e donin Lasgushin, kanë qenë: Shefkiu i Vërdovës (unë nuk e kam njohur këtë njeri), por më ka treguar Medin Çollaku se ka qenë hoxhë i ditur, zotëronte shumë gjuhë të huaja, me sa duket edhe persishten. Lasgushi e shoqëronte Shefkiun deri në Vërdovë duke biseduar kokë më kokë. Shefkiun e shihnin me sy të keq (ka qenë në burg) dhe ai ishte shumë i mbyllur; sigurisht që ata të dy diskutonin për filozofitë e ndryshme, por unë nuk e kam ditur miqësinë e tyre.
Më kanë treguar se dikur-dikur, shumë vite më parë, kur Lasgushi u kthye prej studimeve, solli me vete një leshverdhë gjermane, kjo mund të jetë holandezja që përmend Ismail Kadareja, por unë kurrë nuk e kam pyetur Lasgushin për këtë femër a për këtë dashuri.
Lasgushi i donte shumë Qani Çollakun dhe Tasi Nikollën, por të dy vdiqën shumë të rinj. Një nga miqtë e afërt të Lasgushit ka qenë Kozma Basho, me të cilin ka pasur letërkëmbim. Pasi unë e shkrova këtë libër, profesor Kozma Basho ishte njeriu i parë që e lexoi, dhe më përgëzoi duke më thënë: “Moj vajzë, po më nxit edhe mua që të shkruaj për Lasgushin.” Me sa di unë, ai ka shkruar disa fletore me kujtime dhe qëllimi i tij ishte të pasqyronte mendimin politik të Lasgushit. Përsëri vdekja e zezë e bëri punën e vet, por le të shpresojmë se këtë punë-detyrë qytetarie fisnike do ta kryejë i biri, Jovan Basho.
Edhe Qani Çollaku pati filluar të hidhte shënime për një libër titulluar: “Poeti në shtëpi”
Një ditë prej ditësh (nuk e mbaj mend vitin), Lasgushit i bëri vizitë ministrja e Arsimit dhe e Kulturës Tefta Cami. Lidhur me këtë vizitë dërguan te Lasgushi nipin e motrës së tij, Petro Priftin, profesorin e matematikës. Në kohën kur e lajmëruan, Lasgushi ishte shtruar në tryezë për të ngrënë gurnecka (cironka, peshq shumë të vegjël). Dhe, kur Petro Prifti e pyet Lasgushin se ku do të ulej ministresha, ai shtroi një copë gazetë përmbi atë karrigen me një këmbë të lidhur me një copë tel, dhe tha: “Ja, këtu!”
Ministresha e Arsim-kulturës Tefta Cami e përqafoi Lasgushin dhe i recitoi disa vargje nga poezia e tij; sekretarit të parë të partisë, Lasgushi i dha dorën, kurse sekretarit të dytë i zgjati vetëm gishtin… e vogël të dorës (të djathtë apo të majtë?).
Aty rreth viteve tetëdhjetë, Niqka i dërgoi Lasgushit një fotografi të sajën të viteve të rinisë dhe në pjesën e pasme të fotografisë kishte mbetur silhueta e një karafili të kuq të tharë (siç më tregoi Thomaqi). Me të marrë këtë sinjal, Lasgushi lidhi bukur një kopje dorëshkrim të daktilografuar të poemës “Kamadeva”, në kapak ishte vizatuar një zemër e shpuar me shigjetë dhe në faqen e parë ishte fotografia e Niqkës me fustan balloje taftaje (të cilin ia kishte blerë Lasgushi), kështu më tha Lasgushi, “ia zgjodha dhe ia bleva unë, sepse femrës i duhen gjithnjë fustane të reja.”
Njëherë, ndërsa isha në Tiranë, vajta te Lasgushi. Sapo ishte errur. Ata të dy, Lasgushi dhe Nafija, ndodheshin në oborr para shtëpisë duke bërë ecejake, por jo të dy në të njëjtin drejtim. Nafija mbështetur mbi shkop, veshur me një fund të gjatë, ecte anash shtëpisë, kurse Lasgushi, në drejtim të rrugës. Asnjëherë më parë nuk më ishin dukur aq të plakur, aq të rrënuar e të rrëgjuar, tamam si personazhe të Çehovit. Mbaj mend se i kam shkruar në një letër Elena Kadaresë për sa pashë, se ç’ndjenjë ndrydhëse provova, njësoj sikur të isha plakur unë vetë..
Gjithnjë nervozohem kur e shoh emrin Lasgush të shkruar me “z” – “Lazgush”. Më duhet të shpjegoj se ai e sajoi emrin nga: Llazar Sotir Gusho. Duke marrë dy shkronjat e para të emrit të vet: Llazar (por sipas latinishtes vetëm -La-), i shtoi S-në e emrit të babait të vet -Sotir- dhe -Gush- nga mbiemri i vet Gusho. Kështu La + S + Gush=Lasgush dhe për mbiemër mori qytetin e vet Pogradecin, por duke e hequr -g-në, e cila tingëllon tepër sllave, unë do të thosha tepër gërryese, gërvishtëse, gërnjare, si te fjala “grua”.
Njëherë në bisedë e sipër Lasgushi më pati thënë: “Elena Kadare është madhështore, por ti, Meri Lalaj,je e madhërishme!”
VITI 1986
17.1.1986
Sot pasdite, në orën katër e gjysmë trokitën në derën time. E hapa e përgjumur. Ishte postieri, Skënderi. Më zgjati një letër. Po e merrja e shkujdesur duke kujtuar se ishte diçka për mua, por postieri më pyeti për adresën e Lasgushit në Tiranë, se ajo që kishte prurë, ishte një kartolinë për Lasgushin. Nxora një zarf, e futa kartolinën brenda dhe shkrova adresën. Pastaj u kujtova: pse të mos e dija se kush e dërgonte? Ajo ishte një kartolinë me pamje qytetesh: Gilan, Prishtinë, Mitrovicë e në të shkruhej: “Përshëndetje nga Kosova”. Kurse prapa kartolinës ishin shkruar këto fjalë:
“Xhaxhi Lasgush, ende jam i vogël, 11-muajsh, por, meqë mbaj emrin tënd, të uroj jetë të gjatë e shëndet dhe gëzuar Vitin e Ri 1986!
Lasgush Kyçyku-Ferizaj”
Kur e lexoi Lasgushi në Tiranë, u mallëngjye shumë. Në mars 1986 erdhi një kartolinë tjetër. Në të shkruhej:
“I dashuri Lasgush, zog i qiejve. Po të përshëndes nga zemra duke të dëshiruar jetë të gjatë sa malet tona. Unë jam një kosovar që kam trashëguar emrin tënd për së gjalli duke e pagëzuar djalin tim Lasgush. Besoj se do ta mbajë me respekt këtë emër të ndritshëm të kombit tonë.
Me nderime nga Polonia. Ragip Kyçyku
Të përshëndes ty dhe tërë Shqipërinë”.
16.3.1986
Sot i dërgova një letër Lasgushit, ku i shkrova: “I dashur Lasgush, gëzuar pranuerën! Isha në Kabash dhe mblodha poleska për ty.
Të puth, Meri”
(Brenda në letër i futa një tufë me lulepoleska të verdha, që i mblodha kur isha në piknik me nxënësit.)
Një ditë fillim shtatori 1986, vajta në pritje te kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, shoku Belul Lufo. Dhe, në vend që të kërkoja të më transferonte nga ajo shkollë ku jap mësim dhe e kam shumë të vështirë, të më jepej mundësi për një shkollë tjetër, bisedova me të për punën e shtëpisë që ka këtu në Pogradec Lasgushi, nëse mund ta blejë shteti, në mund të shpallet muze a në mund të shitet privatisht, sepse në gjendjen në të cilën ndodhet, do të rrënohet dhe do të shembet. (Aq më shumë se tani nuk banon askush në të, edhe Nina ka vajtur në Tiranë me punë.) Shoku Belul Lufo thirri në praninë time shefin e seksionit të arsimit e të kulturës të rrethit, Gjergji Bice, duke i dhënë disa porosi të përgjithshme. Unë madje u thashë këtyre dy zyrtarëve edhe nja dy fjalë
gjoja të mençura, si për shembull: “Do të jemi përgjegjës përpara historisë për atë që po bëjmë sot për Lasgushin”, – e të tjera. Shoku Belul Lufo urdhëroi shokun Gjergji që të nesërmen në orën njëmbëdhjetë paradite të shkonte dhe të shihte me sytë e tij gjendjen e shtëpisë në vend. Unë prita të nesërmen pikërisht në orën njëmbëdhjetë te shtëpia, por ai nuk denjoi që të vinte, nuk erdhi. Askush tjetër në rrugë zyrtare nuk u interesua seriozisht për shtëpinë e Lasgushit. Pak kohë më vonë, shtëpia u sbit privatisht.
VITI 1987
6.1.1987
Jam në Tiranë. Pasdite vajta te Lasgushi, ishte i shtrirë në minderin e kuzhinës. Duart akull të ftohta i kishte vendosur përmbi bark. Ia putha faqet e parruara. Sytë i ndritnin. E pyeta:
– Si shkon poezia?
Dhe ai m’u përgjigj:
– Poezia është e pavdekshme. – Mendoj se libri i fundit që nuk e lëshonte Lasgushi nga dora, ishte “Poezi japoneze” në italisht.
Kur u ngrita për të ikur, ai doli e më përcolli deri te dera e jashtme e shtëpisë (ashtu siç e ka zakon gjithmonë) duke më thënë: “Nuk e quaj se më erdhe, ndenje kaq pak!” – dhe sytë iu përlotën.
Unë ia putha sytë dhe duart. Ika.
Ndodhesha në Lidhjen e Shkrimtarëve. Natasha Lako më tha se po përgatitej “Antologjia e letërsisë shqipe” dhe se do të zgjidheshin edhe poezi prej Lasgushit. Unë i sugjerova: “Testamenti poetik”, “Vdekja e Nositit”, “Ku shtrohet vala”, “E mora shoqezën përkrah”, “Poradeci”, “Marshi i djalërisë”, “Vallja e yjve”, “Gjuha e zjarrtë”, “Naim Frashërit”, “Ç’u mbush mali”.
17.7.1987
Ndodhem në Tiranë. Vapë e tmerrshme. Në orën nëntë pa një çerek të mbrëmjes vajta te Lasgushi. Ishte i shtrirë në shtratin e vet në kuzhinë. E putha në faqe. Ishte i heshtur, i dobësuar. Për të mos e shqetësuar, ne të dyja me Marien vajtëm në dhomën e pritjes, që të bisedonim lirshëm. Pas pak aty erdhi edhe Lasgushi, i cili pyeti:
– Cila është kjo zonjushë? (Sikur nuk më njihte!)
Maria i tha:
– Po Meri, o babi, nga Poradeci.
– A, a, domethënë poradecarkë! – bëri ai si i habitur.
– Poradecarkë dhe gushollarkë! – i thashë unë.
– Ç’thua moj, nuk je goricarkë?
Ne me Marien qeshëm. Pakëz më vonë, duke i parë sandalet e mia pa taka, model fëmije, me dy rripa e dy tokëza të vogla, Lasgushi më tha:
– Po sa të bukura i paskërke këto këpucë!
Unë qesha se i kisha mbathur prej vapës jo për bukuri. Iu përgjigja:
– Jo, Lasgush, nuk janë të bukura. Janë vetëm të lehta dhe të rehatshme për të ecur nëpër vapë.
Ndërsa ai vazhdoi me këmbëngulje:
– Unë jam poet dhe e di mirë se çfarë është e bukur!
Pasi heshti disa çaste, më tha:
– Po paskërka Poradeci femra elegante kështu si ty!
Dhe unë, duke qeshur e mikluar, iu përgjigja:
– E po ç’t’i bësh, Lasgush, ja që del një femër e tillë në njëqind vjet.
O Zot, as që më shkonte në mendje dhe as që e dija se kjo do të ishte biseda ime e fundit me Lasgushin. Kurrë më nuk do të flisnim me njëri-tjetrin as për bukurinë, as për poezinë, as për dashurinë. Kurrë më nuk do t’ia dëgjoja zërin.
Dikur Lasgushi donte të dinte mendimin tim se si tingëllonte më bukur te poezia “Korbi” e Edgar Allan Poe “Never more!” apo “Kurrë më!” sipas shqipërimit të Fan Nolit, dhe unë iu përgjigja: “Kurrë më!” tingëllon më bukur, sepse të duket si krakaritje korbi kobndjellëse.
10.10.1987
Isha në Tiranë dhe bashkë me Manjolën vajtëm te Lasgushi. Ai ishte i shtrirë te minderi i vet në kuzhinë dhe po flinte. Kaluam nga dhoma tjetër, që të bisedonim dhe të mos e zgjonim. Unë hapa çantën dhe u kujtova në çast se i pata harruar në çantën tjetër biskotat që kisha blerë për Cucin. Ndërkaq Maria më tha:
– Cuci na ka vdekur, ka tri javë. Mos ia kujto babit, se fillon e qan…
Maria më tregoi se i kishte bërë banjë Cucit dhe e kishte nxjerrë në verandë, që të thahej e ta kontrollonte për pleshta. Të nesërmen Cuci filloi të kollitej. Disa ditë i kishin bërë mjekime, por pa dobi. Natën e fundit, para se të vdiste, kishte zbritur nga shtrati ku flinte zakonisht te këmbët e Lasgushit, dhe ishte shtrirë poshtë shtratit në dysheme. Aty e kishin gjetur vajzat në mëngjes të ngrirë me këmbët e bashkuara dy e nga dy, besnik deri në fund ndaj të zotit. Dhe vdiq para tij. Siç më tregoi Natasha Lako dhe të bijat e Lasgushit, më datën 19 tetor 1987, paradite, te porta e shtëpisë së Lasgushit kishin trokitur Natasha Lako dhe Rudolf Marku. Lasgushi ishte përgjigjur nga brenda shtëpisë: “Nuk e hap dot derën, se nuk e kam kyçin… më ka mbyllur gruaja brenda… dhe ajo ka ikur në punë…”
Më së fundi Lidhja e Shkrimtarëve trokiste te Lasgushi për ta ftuar në ditën e poezisë që do të organizohcj të nesërmen. Dhe po atë ditë, më nëntëmbëdhjetë tetor, Lasgushi u rrëzua dhe theu këllkun.
7.11.1987
Sot më takoi djali i Petro Priftit, që studion mjekësi, dhe më tha se Lasgushi ka gati tri javë që ka thyer këmbën (pjesën e sipërme, këllkun) dhe se po i hapen plagë nga të ndenjurit shtrirë në të njëjtin pozicion. I shkrova një letër Manjolës dhe e porosita që të shkonte e ta shihte Lasgushin sa më parë që të ishte e mundur. Unë do të shkoja të martën tjetër, më 18 nëntor, kur të merrja rrogën dhe po të më jepte leje drejtori.
VDEKJA E LASGUSHIT
13.11.1987
Kisha gjashtë orë me radhë mësim. Kur dola nga shkolla në orën një e gjysmë, takova një kushërirën time, e cila më tha pa të keq: “E more vesh? Lasgushi ka vdekur dje”.
U trondita shumë. Nuk dija ku të shkoja, treni për në Tiranë ishte nisur. Pyeta dhe më thanë se do ta sjellin nesër këtu për ta varrosur.
Pasi pësoi frakturën, Lasgushi e kuptoi se nuk do të ngrihej dot më dhe e vetmja porosi e tij ishte: “Më shpini e më varrosni në Poradec pranë nënës e babait”.
Manjola e kishte parë një ditë para se të vdiste. Po këtë ditë kishin qenë te Lasgushi, por nuk e kishin takuar (se ai ishte në gjendje shumë të rëndë), Ismaili dhe Nasi Lera, sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ndërsa po ktheheshin nga kjo vizitë me makinë, Ismail Kadareja i tha Nasi Lerës se, porsa të ndodhte vdekja e Lasgushit, duhej të njoftohej urgjent Komiteti Qendror dhe të jepej njoftim në shtyp e në radio e të mos ndodhte si me rastin e Abdurrahim Buzës, që e dha kronikën në fillim Radio-Prishtina me një program të veçantë mbi një orë. (Po të dëgjonte Lasgushi këtë bisedë, do të thoshte buzagaz: “Ismaili mua më do!”)
Lasgushi vdiq më dymbëdhjetë nëntor. Në datën trembëdhjetë në orën dymbëdhjetë shkuan dhe e morën në shtëpi nga Lidhja e Shkrimtarëve, sepse duhej ta vendosnin atje në sallë, ku iu bënë homazhe nga personalitetet e larta politike: Foto Çami, Manush Myftiu, Skënder Gjinushi e të tjerë.
14.11.1987
Duke shkuar në mëngjes për në shkollë, lexova te shtylla lajmërimin e vdekjes së Lasgushit (përsëri ia kishin shkruar emrin gabim: “Lazgush”). Orët e mësimit për të gjitha shkollat e qytetit u bënë të shkurtuara. Ndërsa isha duke mbaruar orën e fundit të mësimit në ujë klasë të tetë e po u thosha nxënësve se do të shkojmë të varrosim poetin e qytetit dhe të kombit tonë, Lasgush l’oradecin, njëri prej nxënësve tha: “Atë plakun me qen”. Mua më hipën xhindet keqas dhe u thashë nxënësve se, kur të kalojnë dyqind ose treqind vjet, kur ne të gjithë do të kemi vdekur, do të jemi kalbur nën dhe e do të jemi harruar, emri i tij do të lartësohet e do të lartësohet dhe bota do ta njohë Pogradecin vetëm e vetëm se këtu lindi e jetoi ky poet.
Unë dola para Shtëpisë së Kulturës dhe pak pas orës njëmbëdhjetë takova Ninën, Marien e plot të ardhur nga Tirana. Vajzat e Lasgushit më dhanë gazetën “Zëri i popullit” ku ishte botuar nekrologjia e tij.
Sheshi i mbushur plot me njerëz. Makina e zezë e të vdekurve është ndalur në bulevard, aty ndanë anësores së rrugës e Lasgushi rri vetëm, i shtrirë në arkivol atje brenda. Moti është i shkëlqyer, me diell të ndritur, jo si mes nëntori, por si pranverë. Makina e zezë mortore, e ndalur vetëm pak metra larg liqenit kaltërosh, i cili sot duket më i kaltër se kurrë. Dhe përmbi liqen nuk fluturojnë as nositë, as zgalemë, kushedi se ku do to të jenë fshehur duke qarë me dhembje, të vetmuar, për humbjen e poetit të tyre të dashur. Ndërsa Mali i Thatë ka rënë përmbys përmbi liqen, duke përplasur pëllëmbët me ankth e dëshpërim: “Si është e mundur kjo gjëmë! Poetët duhet të jetojnë përjetësisht porsi unë!”
E kudo rreth e rrotull është një bukuri që të pikon në shpirt. Makina e zezë dhe prapa saj një mështeknë trupbardhë, e cila tërë pikëllim rrëzon gjethet e saj të zverdhura përmbi supet e njerëzve.
E turma e njerëzve shtohet e shtohet. Lajmi kalon gojë më gojë: “Mblidhuni, se do të përcjellim poetin!”. Është hera e fundit që ai qëndron në rrugë midis njerëzve e jo më me bastun në dorë e kapelë në kokë, por i shtrirë në arkivolin e kuq, e për disa çaste e mbajnë mbi supe disa djem të rinj. Kanë dalë për ta përcjellë poetin në banesën e fundit nxënësit e shkollave, që i mësojnë përmendsh poezitë e tij nga librat. Kanë dalë mësues e shkollarë, gra të thjeshta me lule ndër duar, siç është zakoni pogradecar, burra pleq që e kanë parë poetin dhe kanë këmbyer dy fjalë me të qysh kur kanë filluar t’i njohin njerëzit. Të gjitha rrugët e qytetit janë plot me njerëz. Kanë ardhur nga Tirana: Aleks Buda, Alfred Uçi, Nasi Lera, Andrea Varfi, Fatos Arapi, Gaqo Bushaka, Iskra Thoma, Rozeta Uçi, Natasha Lako, Rinushi dhe Frida, Koçi Petriti, Ramazan Hysa, Petraq Kolevica, Ana Luka, Kopi Kyçyku, Niko Nikolla, Llazar Siliqi, doktoresha Afërdita Gusho dhe vëllai i saj doktor Kostaq Gusho, si edhe plot e plot shokë e shoqe e miq të vajzave. Kanë mbetur pa ardhur edhe shumë të tjerë për mungesë automjeti.
Në orën dymbëdhjetë u nisëm në drejtim të varrezave. Përpara ecte vargu i gjatë me kurora lulesh, që i mbanin vajza të bukura gjimnaziste me flokët të thurur gërsheta e të veshura me përparëse të zeza e jaka të bardha. Në anët e trotuareve kalimtarë që qëndrojnë të heshtur e kokulur, sa të kalojë kortezhi i përmortshëm. Fëmijët shikojnë të habitur, në sytë e tyre ka një vështrim pyetës.
Varri i hapur te porta e varrezave të qytetit. Në krye të varrit një shelg lotues që i ka përkulur degët e brishta deri te dheu i hedhur mënjanë nga gropa e hapur. Aty kishin vendosur një qendër zëri me mikrofonë e altoparlantë dhe fjalët e përshëndetjes-lamtumirë për poetin dëgjoheshin deri në qytet.
Në fillim foli Llazar Siliqi, fjalim me partishmëri shumë të lartë, gati-gati e cilësoi Lasgushin komunist, e, ndërsa ai fliste, unë i mbaja sytë tek arkivoli dhe prisja nga çasti në çast që Lasgushi të ngrinte kapakun e të bërtiste ashtu siç e kishte zakon: “Nuk dua hipokrizira unë!”; pastaj foli Skënder Lako, kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të rrethit, pas tij doktor Mistoja dhe më pas Aleks Buda, që recitoi “Këngë pleqërishte”. Anash varreve pionierë që bëjnë rojë nderi. Në turmë ka njerëz të thjeshtë, fëmijë të moshatarëve të Lasgushit, pleq e plaka. Një plak bëri gati pëllëmbët për të duartrokitur ndërsa mbahej një fjalim.
Pasi kishim ngrënë drekën e përmortshme të Lasgushit (tek ish- mitropolia e qytetit e kthyer në zyra të lagjes, që gjoja zgjidhnin hallet e popullit), aty Kozma Basho takoi doktor Miston me Fatos Arapin dhe Agim Gjakovën (këta dy të fundit Kozma Basho nuk i njihte). Fatosi tha: “Tani, po të ngjallet Jezu Krishti, edhe Lasgushi ngrihet menjëherë nga varri…”
Kozma Basho iu kthye: “Është e vërtetë se Lasgushi ishte deist, por mbi të gjitha ai ishte shqiptar, sepse askush si ai nuk ka shkruar më bukur për Shqipërinë; edhe tjetra: ai u martua me një grua myslimane në kohën kur ishin të rrallë burrat që e bënin një gjë të tillë”.
15.11.1987
E diel. Sapo u zgjova në mëngjes, pa pirë as kafen, u nisa për te varri i Lasgushit. Është zakon në Pogradec që t’i shkosh të vdekurit ditën e nesërme të varrimit, si për ta pyetur në i ka rënduar balta shumë. Përmbi varr, një mal me kurora lulesh. Varri i tij ndodhet aty te parcela e veçantë.
12.5.1988
Sot mbushen gjashtë muaj nga dita kur Lasgushi mbylli sytë. Vajta në varreza vetëm. Bari rreth e përqark varrit ishte mbushur plot me luleshqerra. Te koka e varrit kishin vendosur pllakën me mbishkrimin:
“LASGUSH PORADECI 1899-1987”
Përmbi varr bënte hije një pishë e madhe e gjelbër, anash zgjaste krahët një shelg lotues me gjethe të reja që sapo kishin mugulluar. Mbi pllakën e varrit kishte lule të thara, unë vendosa dy degëza me jargavanë. Isha e veshur shumë bukur dhe me varëse në qafë, ashtu siç i pëlqente Lasgushit.
14.11.1988
U mbush viti nga dita kur është varrosur Lasgushi. Gazetën “Drita” e lexova sot dhe, kur arrita në faqen e mesit, më hipi inati, sepse ishin botuar fragmente nga poema “Kamadeva”, duke i copëtuar si vjersha më vete me nga një titull në krye, me gabime të tmerrshme shtypi, si për shembull: “fërkonte një fërkim” në vend të “fërmonte një fërmim”, ose “vëgonte një vegim” në vend të “vëngonte një vëngim” dhe shumë të tjera. Në krye të faqes së gazetës ndodhej edhe një portret i Lasgushit që dukej tamam si karikaturë e llahtarisur vizatuar nga Dhimitër S. Shuteriqi më 24.8.1980 dhe ja se si duket Lasgushi në të: kapelja e shtypur, sytë si të shpuar, qafa e trashë, buzët si prej lepurushi, hunda për tmerr.
Gjatë gjithë verës u diskutua se si do të organizohet ceremonia për t’i vënë emrin “Lasgush Poradeci”. Shtëpisë së Kulturës të qytetit tonë. U shty e u shty, siç shtyhet zakonisht çdo gjë që ka të bëjë me Lasgushin. U vendos për në nëntor, u shty për në dhjetor dhe më së fundi u caktua 17 dhjetori, e shtunë, që ishte një ditë me dëborë e stuhi, por përsëri e ndryshuan për të hënën më 19 dhjetor. Nina dhe Maria erdhën të hënën paradite tek unë, moti ishte dëborë e diell dhe qiell i kaltër. Vajtëm te varri i Lasgushit dhe i Nafijes. Shkelnim mbi dëborën e bardhë, të ndritur, të pashkelur.
Pasdite u mblodhëm në sheshin përpara Shtëpisë së Kulturës. Ishte shumë ftohtë, dëbora kishte ngrirë kallkan. Nga altoparlanti dëgjohej muzikë me tekste të Lasgushit, këndonte Tefta Tashko. Kujtova kur më ka treguar Lasgushi për Teftën, për letërkëmbimin e tyre; Lasgushi i dërgonte poezitë dhe, kur me to krijoheshin këngë, ajo i këndonte me zërin e saj të jashtëzakonshëm dhe e mrekulluar ulej e i shkruante Lasgushit për sukseset e këngëve të saj.
Kishin ardhur Ismaili me Elenën, Çapajev Gjokutaj, Nasi Lera, Natasha Lako me Mevlan Shanajn, Niko Nikolla si edhe shumë të tjerë. Autoritetet lokale: sekretari i parë i partisë Belul Lufo, kryetari i komitetit ekzekutiv Vasil Prifti. Shefi i seksionit të arsimit Istref Haxhillari mbajti një fjalë të përgatitur shumë mirë. Ismail Kadareja zbuloi pllakën, e cila ishte e shkruar thjesht dhe bukur, me shkronja bojë floriri. U futëm brenda në Shtëpinë e Kulturës të sapopagëzuar. Në katin e parë, disa stenda me fotografi nga jeta e Lasgushit. Filloi mbasditja tematike. Folën Ismail Kadareja e të tjerë. Salla ishte mbushur plot e përplot me njerëz, shumë rrinin më këmbë, midis tyre Silku, nipi i Lasgushit me kapelë në dorë e me qëndrim shumë serioz e dinjitoz, pikërisht sikur po dëgjonte meshën në kishë.
Para se të hynim në Hotel Turizmi për të ngrënë darkë, Ismaili më thirri mënjanë:
– Meri, kam diçka për të të thënë!
– Urdhëro! – i thashë.
– Ku është fletorja e Lasgushit… ajo e ditarit që e kam lexuar dikur? – më pyeti.
– Nuk e kam unë, – iu përgjigja. Dhe e ndjeva se këto katër rrokje i formova me shumë vështirësi e mundim.
Ishte një natë e bardhë, jashtëzakonisht e bardhë, sepse toka e mbuluar me akull rrezëllinte nën dritën e hënës. Qielli ishte i bardhë, i ngrirë prej të ftohtit, kurse ajri kërciste sikur po përplaste pëllëmbët për t’i ngrohur, e drita e hënës dridhej teksa ndriçonte tokën. Por nuk ishte as ditë, as natë, diçka e ndërmjetme, megjithëse kishte katër orë që kishte rënë muzgu e ishte errur. Vetëm dritat e verdheme të Mapos përballë nesh sikur e nxinin paksa këtë natë të tejdukshme.
Ismaili ngulmoi e më pyeti përsëri:
– Po ku e ke fletoren?
E unë gënjeva:
– Ua kam dhënë vajzave të Lasgushit. – E në atë çast i gjithë trupi më fërgëlloi nga drithmat e avujve të ftohtë, nga ajo që po thosha.
– Po ato do ta kenë zhdukur fletoren, – vijoi Ismaili – ato do ta kenë djegur…
Vendosa ta shihja Ismailin drejt në sy, gjoja sikur po i thosha të vërtetën, por nuk ia pashë dot sytë, pashë vetëm syzet e tij. Edhe ai po më vështronte me vëmendje; unë ndodhesha kundruall dritës së hënës, por nuk e besoj se m’i pa sytë. Edhe ai pa vetëm qelqet e syzeve të mia. E qelqet e syzeve tona u reflektuan te njëri-tjetri, gati u përplasën e kërkëllitën. Vetëm qelqet…
MBYLLJE
Lasgushi çmonte çdo djalë ose vajzë që përpiqej të shkruante vargje, që i hynte rrugës së mundimshme të poezisë dhe artit në tërësi. Ai vetë ua ka lexuar e u ka dhënë këshilla dhjetëra e dhjetëra të rinjve. Lasgushi thoshte: “Në pyllin e bukur, të madh e të pafund ka shumë zogj dhe secili këndon me zërin e vet, kështu rabeckat bëjnë ci-ci-ciu, qyqja ku-ku-ku, bufi si buf që është, bën vetëm bu-bu-bu, por më bukur nga të gjithë këndon bilbili. ..bilbil finoshi! Ama çdo zog këndon me zërin e tij, jo me zërin e tjetrit dhe kjo është më kryesorja!.. ”
Siç më ka treguar Lasgushi, kur ata ishin. të rinj, jetonin shumë më mirë se ne; kështu, kur ishin studentë, Lasgushi dhe Eqerem Çabej kishin aq para, sa të merrnin vaporin ‘angazhe’ nga Italia në Shqipëri ose t’i blinin dhurata të çmuara së dashurës së zemrës. Kurse të rinjtë shqiptarë të viteve të pushtetit popullor mund t’i blinin njëri-tjetrit vetëm një libër a një biletë kinemaje, e këta të rinj ishin të detyruar të visheshin njësoj, të hanin njësoj, të kishin të njëjtat mendime e shije.
Më 10 janar 1991 në Pogradec u organizua mitingu i parë për liri e demokraci dhe aty jehoi i fuqishëm “Marshi i djalërisë” i Lasgushit:
Urdhëroj i Madhi Zot:
Zu ndrin yll’ i Shqipërisë,
Ndrin e më s’përmbahet dot,
Se që sot e jetë-plot
Po rreh zemr’e Djalërisë.
Djalën, lart për liri!
Lart për Zonjën Shqipëtare!
Yll në ballë e zjarr në gji,
Zjarr në gji për Shqipëri,
Digju! Zemra djaloshare!
Mendoj se kurdoherë për Lasgushin nuk duhet folur në kohën e shkuar, por në të tashmen. Kur e do një njeri, e dallon atë mes turmës, ia ndien zërin, e kupton në është i gëzuar apo i shqetësuar. Një njeri i dashur për ty lëshon rreze të përshkënditura e ti i kap ato rreze, sepse janë dritë për ty. Kështu më ndodhte edhe mua me Lasgushin: kur dilja në rrugë, e ndieja se do ta takoja, sepse edhe ajri, pluhuri i rrugës, retë në qiell ishin ndryshe kur shëtiste ai, gjithçka tjetërsohej e ai ashtu i veshur me kostum të zi e bastun në dorë lëshonte një dritë të argjendtë e vendi rreth e rrotull shndrinte e shkëlqente. Por edhe tani, kur shikoj Kalanë e qytetit, liqenin e bukur e të dashur, pyllin e gështenjave, rrugët, ndiej mall për Lasgushin e më duket sikur tok me mua ecën edhe ai, ndalemi, grindemi për diçka të keqe të shkruar në gazetë, e pastaj si “anëtarë të poezisë” vijojmë e flasim për “pavdekësitë e artit”, për bukurinë e jetës, për bukurinë e vdekjes… Lasgushi flet e hesht. E do të flasë ngaherë kur duhet folur, e do të heshtë ngaherë kur duhet heshtur…
Më kujtohet një ditë e zakonshme, teksa ishim duke shëtitur të dy me Lasgushin nëpër rrugët e Pogradecit: ai papritmas u ndal, përplasi fort bastunin përtokë dhe pa pasur asnjë lloj lidhjeje me bisedën që ishim duke bërë, më drejtoi gishtin urdhërues e më tha: – Ama, ti do të vesh në Kosovë!
Unë e vështrova e habitur. Kurse ai përsëriti me ngulm:
-Ti do të vesh në Kosovë!
– Do të vete, – iu përgjigja e alarmuar duke vërtitur rrufeshëm në mendje se ai ndoshta nuk do të jetonte derisa të vinte ajo ditë. -Do të shkojmë të dy në Kosovë! -I thashë. Ai nuk më ktheu përgjigje dhe kurrë më nuk e zuri në gojë.
Diku Lasgushi ka shkruar: “Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën… Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën”
Kjo kohë erdhi.
Lasgush, unë po nisem për në Kosovë!…
Përmbajtja
Parathënie
Lasgushi në Poradec
Lasgushi në shënimet e mia
Viti 1981
Kosova dhe Lasgushi
Viti 1982
Zënka e Lasgushit me Gjorgjin e Madh
Miq të tjerë të Lasgushit
Lasgushi shumë i sëmurë
Viti 1983
Vdekja e Nafijes
Viti 1984
Viti 1985
Lasgushi dhe Anasatas Konstandini (Taso)
Të tjerët për Lasgushin
Viti 1986
Viti 1987
Vdekja e Lasgushit
Mbyllje
Komentet