Patriarku i lirikës shqiptare Lasgush Poradeci, ka atributin e plotfuqishmërisë, duke bërë inkandeshente kujtesat tona intime. Mendoj se, Dashuria është një Kushtetutë për engjëjt që synojnë të shndërrohen në njerëz. Këtë liriku i përjetshëm e dinte shkëlqyeshëm, por dhe naivisht dhe i paepur kishte zbuluar mistikën e artë, për të shpirtëzuar fjalët, për të gjalluar brigjet, liqenin, shekujt. Si në një xhamllëk gotik ai futi universet e tij rebelë, imazhet delikate dhe diellpërhapëse, këngëzimet e ujrave lëvizëse.
Ç’enigmë e pabesueshme! Absolutisht e pashpjegueshme nga gjenetistët që klasifikojnë gjithçka nga AND-ja, ishte lindja e këtij djali, që jo rastësisht e pagëzuan me emrin Llazar. Paràbola ungjillore e Krishtit që ngjalli Llazarin e vdekur, duhet përkthyer në paràbolën shqiptare se, Llazari i vdekur ringjall tërë ungjijtë e poezisë shqipe pambarimisht. Këtë bën në gjithë kohësinë e pamatshme Lasgush Poradeci.
Janë shkruar libra dhe shkrime hulumtuesish për të, nuk i kanë kursyer apologjitë. Çuditërisht këto kanë bërë lëmime të sipërfaqeve, por thelbin, atë që Kanti e quante “sendet në vetvete”, pak vetë e kanë arritur. Dalim kështu tek ideja e çuditshme e pamjeve së brendshme. Kam lexuar dikur një studim për imazhet që burojnë nga fjalët ë Biblës së Shenjtë: “mijëra piktorë kanë ilustruar Biblën e Shenjtë”. Gravuruat dhe pikturat me ngjyra, tërë ikonografia e krishtere e përbotëshme marrin shkas nga fjalët. Si ka mundësi, që fjalët të burojnë kaq shumë botra figurative? E njëjta çështje mund të trajtohet për krijimtarinë lasgushiane. Të tëra poezitë e tij kanë fjalë të pavdekshme që ftillëzojnë imazhe të pabesueshme. Një poet është vetvetiu edhe piktor, edhe nëse nuk bën kurrë pikturë.
Pikturat e brendshme tek Lasgushi na shpalosin mrekullitë fabuleske të liqenit, lëvizjen në shtrëngatë, urinë botiçeliane të të dashuruarve, sakrificat biblike të pelikanëve, që Lasgushi i mbiquan Nositë. Kjo ekspozitë figurative e pashpallur do të mbetet përgjithmonë tek fjala.
Por ju lutem, Lasgushi ishte dhe piktor. Ai nisi të vizatojë në fëmijëri. Në vizatimet e para janë: një vetportret i tij i bërë në moshën 16-vjeçare në Pogradec, një portret i vëllajt të tij Pandel Gusho dhe motrës së tij Aspasia. Në një letër që i shkruan vëllajt të tij në Bukuresht në vitin 1963, Vangjel Gushos, ai i thotë: “Dhimitraqi (Dhimitër Pasko) nuk m’i solli dot atëherë (pikturat). Dërgo-m’i medoemos, dua të çmallem tashi me to, të çmallem edhe më shumë me autoportretin që bëra në Poradec më 1916 dhe me portretin e Pacies (Aspasia Gusho, e motra) kur ishte çupë e pamartuar”. Pra e nisi pikturën si autodidakt.
Në vitin 1916 niset në Greqi për të përfunduar Liceun (Lycée Léonin, Saint- Denis, par les Fréres Maristes). Befas u sëmur dhe u shtrua në Sanatoriumin “Sotiria”, në një pyll me boriga dy orë larg Athinës. E çuditshme, por gruaja e arkeologut të famshëm Schliemann, zbuluesit të Trojës bisedoi me Lasgushin dhe ajo e shtroi pa shpenzime në Sanatrorium. Lasgushi e përjetoi botën spitalore jo me ankth si Franc Kafka. Ai kishte shpresë. Nga ky syth kohor kemi vizatime të Lasgushit për pacientët, infermieret etj. Një lloj ditari. Më vonë jo rastësisht, Lasgushi do të regjistrohej në Akademinë e Arteve të Bukura në Rumani. Ne konkursin e provës, vizatoi skulpturën e perëndeshës Afërdita. Kur u dhanë rezultatet, Lasgushi doli i pari, kurse një vajzë rumune shumë e bukur, e quajtur Miçka nuk e fitoi konkursin. Ajo iu lut djaloshit shqiptar t’i mësonte sektretet e pikturës. Ajo erdhi në dhomën e tij dhe ky delikat i madh i tha: xhvishu! Por nuk e ngau me dorë. E vizatoi nudo. Mbas një viti ajo e fitoi konkursin. Ishin vitet 1922-1923.
Në 1 Tetor 1922 Lasgushi është anëtar i Shoqërisë së Studentëve të Shkollës së Artetve të Bukura të Bukureshtit. Kryetar: J. Condoiu. Pikturat me ngjyra vaji Lasgushi i ka bërë në këtë etapë. Por në 1924, Lasgushi niset në Berlin sepse emërohet student bursist nga qeveria e Nolit për të studiuar albanologji. Por katedra e albanologjisë në Berlin ishte e mbyllur dhe ai shkon në Graz, për tu diplomuar për filologji romano-gjermanike. Koleksionin e pikturave nuk e merr me vete, por ja le vëllait të tij Vangjelit në Campulung (Rumani). Shumë herë i kërkoi. Më kot. Ai nuk ia ktheu kurrë. Në letrën që i shkruan Mitrush Kutelit më 21 dhjetor 1931 nga Grazi ai i thotë: “Te Vangjeli, të lutem të marrish këto gjëra: 1) Një tabllua e madhe me titull “Magdalena në shpellën e shentë”, 2) Një tabllua e madhe me titull “Sgjimi i dashurisë”, 3) Një tabllua më të vogël me titull “Miq të mirë”, 4) Një baulle me libra, 5) Një baulle tjetër me libra. Në një letër tjetër të dërguar po Mitrush Kutelit tregon që përmasat e tabllove qenë 2m x 2 ½ dhe 1m x 1 ½ .
Në 9 maj 1931 skulptori Odhise Pakali i dërgon letër poetit për të marrë pjesë me krijimet e tij në një Ekspozitë Kombëtare. Në zarfin e kësaj letre Lasgushi ka shkruar se: “për fat të keq, Mitrushi nuk i mori dot pikturat atëherë” dhe se: “Zemrën e kam të plasur për këtë humbje të jetës s’ime të parë”.
Në 1 dhjetor 1934, Lasgushi emërohet Profesor i Vizatimit dhe Bukurshkrimit në Liceun Shtetëror të Tiranës. Më 2 dhjetor 1935 me dekret të Mbretit Zog I, emërohet profesor i Gjuhës Shqipe në këtë Lice.
Në nëndor 1937, me rastin e kremtimeve të 25-vjetorit të pavarësisë, ishte bërë (në shkollën e vizatimit) ekspozita e skulpturës dhe e dokumentave të Rilindjes. Komisioni përgatitës i kremtimeve (në të cilin bënte pjesë edhe Lasgushi) kishte ftuar edhe albanologun e famshëm Norbert Jokl. Lasgushi ishte zgjedhur anëtar i komisionit për vlerësimin e skulpturës më të mirë të heroi tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për të cilën ishte shpallur një konkurs ndërkombëtar.
Këto rrjeshta janë një pengu im i njohjes së hershme me Lasgush Poradecin, me gruan e tij Nafijen dhe me vajzat e tij Kostandina e Maria. Lasgushi më bënte përshtypje si poet, por rrallë here më ka tronditur në jetë një grua kaq inteligjente dhe e engjëlltë si Nafija. E bukur, e mirë, vetë poete, me titullin “Mësuese e Merituar”, mikpritëse e madhe, sakrifikuese si askush. I jam mirënjohës vajzave Kostandina e Maria, por në mënyrë të veçantë Marias, që m’i kanë hapur të tëra të fshehtat e arkivit të famshëm lasgushian. Tharmi i këtyre enigmave janë pikturat dhe vizatimet e poetit. Vendosëm ta bëjmë publike për herë të parë këtë trashëgimi që i kalon kufijtë e kuriozitetit.
Maria i nxori nga arkat telajot në formë ruli, tufën me letra dhe vizatime, njësoj sikur po bënte një kërkim arkeologjik. Mua më dukej sikur po nxirrja nga llampa e Aladinit, disa përralla të moçme, por që nuk mund të quheshin kurrsesi fantazira, të sajuara apo të stisura. Të fundmet piktura Maria m’i tregoi atëherë kur unë gati e kisha humbur shpresën. Qenë dy portrete me ngjyra, një portret i Krishtit, me kurorë me gjemba në kokë, dhe një portret tjetër akoma më i çuditshëm, gati surrealist, që kishte në pjesën e sipërme, një profil burri me mustaqe të ngritura përpjetë, kurse poshtë tij, fytyrën e lënë përgjysëm të Krishtit. U trondita. Portreti i burrit, me stilin e tij të mustaqeve, ngjante çuditërisht me piktorin skandaloz dhe të hatashëm, spanjollin Salvator Dali. A është vërtet portreti i Salvador Dalisë? Ngjashmëria është hutuese, ngacmuese. Pse vallë Lasgushi ka nisur Krishtin dhe në pozicion të kundërt vendos këtë portret enigmatik, që ka për të na shqetësuar përherë? Kjo gjë nuk do të kuptohet asnjëherë shterueshëm.
Dua të jap disa mendime për artin pikturik të Lasgushit. Vite më parë kam shkruar një artikull për gravurat bardhë e zi që kanë ilustruar dy librat “Vallja e Yjve” dhe “Ylli i Zemrës”. Janë të dorës së poetit. Kam ribotuar edhe një herë portret me penë të Asdrenit bërë po nga Lasgushi. Por tani koleksioni ma mpreh gjykimin dhe më shton guximin. Krijimtaria pikturike e Lasgushit ndahet në dy rrafshe: në pikturat me ngjyra vaji, që janë kryesisht portrete femrash, një ngjizje erotike e poezive të tija të përvëluara. Një femër nudo e Lasgushit është emërtuar me shaka nga ne si “Dy cicat që tronditën botën”. Megjithatë duhet kuptuar sharmi i shakasë.
Në asnjë vend Lasgushi nuk është as frojdian, as njeri i skajimeve të bujëshme. Përkundrazi delikatesa e tij është apolloniate. Ai ka kult simetrinë, ndonëse në disa poezi është dionisian. Një portret me ngjyra i Bethovenit flet për një perëndi të muzikës. Lasgushi e ka njohur edhe Vagnerin, edhe Moxartin. Ai e di që harmonia e muzikës është dioskure me atë të poezisë. Por femrat e pikturuara prej tij të kujtojnë artin rilindas italian, një lloj ëmbëlsie të shkollës veneciane të pikturës. Rrafshi i dytë lidhet me vizatimet e tij që janë kryesisht portrete në miniaturë.
Kuptimplotë janë vizatimet për Mitrush Kutelin dhe sidomos për Eqrem Çabejn. Ky portret i fundit është realizuar në një nga fletët e pasaportës së Çabejt. Kjo pasaportë e albanalogut më të madh të gjithë kohërave, është një relike e dyfishtë historike, është edhe e Çabejt edhe e Lasgushit. Me një pasaportë të vetme ata mund të kapërcejnë të gjithë kufijtë. Vizatimet e tjera përveç portreteve të njerëzve që i ka njohur intimisht lidhen me peisazhe, kryesisht qytetesh, të manastireve të qëmotëshme, të xhamive shqiptare, etj. Ky mjedis është gjithashtu një tipologji shpirtërore.
Më poshtë po rradhisim listën e plotë të koleksionit të pikturave të Lasgush Poradecit:
- “Dy cicat që tronditën botën”, telajo, përmasa 70x50cm, nënshkruar. Llazar Gusho.
- “Portret femre, dy vargje rumanisht”, telajo, përmasa 54x35cm, nënshkruar Llazar Gusho.
- “Vajza me sytë me gjak”, telajo, përmasa 54x35cm.
- “Portret i Stanisllavës” me mbishkrimin “Stanisllava kur e putha në llërë”, Tiranë maj 1937, me laps, përmasa 54x46cm, nënshkruar Lasgush P.
- “Portret i Bethovenit”, telajo, përmasa 52x46cm, nënshkruar Llazar Gusho.
- “Portret vajze me flokë të mbledhur”, telajo, përmasa 64x48cm.
- “Dielli mbi liqen”, telajo, përmasa 20x16cm.
- “Pylli”, telajo, përmasa 23x17cm.
- “Portret i Aleks Çaçit”, me penë, përmasa 22,5×17,5cm, nënshkruar Lasgush.
- “Portret i Pandelit, i vëllaj”, me laps, përmasa 40x27cm, nënshkruar Llazar Gusho.
- “Portret i Sotir Niçës, i kunati”, me laps, përmasa 17x10cm, nënshkruar Llazar Gusho.
- “Mitrush Kuteli, ulur mbi arkë”, me laps, përmasa 38x14cm.
- “Portret burri, profil”, me laps, përmasa 42,5x30cm, nënshkruar Llazar Gusho.
- “Portret burri profil”, me laps, përmasa 40x30cm, nënshkruar Llazar Gusho.
- “Eqrem Çabej duke pirë cigare”, Graz 1927, pasaportë datë 12.7.1925 në emër të shtetit shqiptar, me laps, përmasa 14,5x10cm, nënshkruar Lasgush.
- “Portret vjershëtori Zef Skiroi”, me laps, përmasa 17,5×12, nënshkruar Lasgush P.
- “Autoportret”, me laps, përmasa 18×12, nënshkruar Lasgush.
- “Taqo Progri”, me laps, përmasa 17x12cm, nënshkruar me shumë dashuri vëllazërore Lasgush P.
- “Student Gjergj Ashta”, laps, përmasa 18x12cm, nëshkruar Lasgush 1931.
- “Ing Gjergj Tashko”, me laps, përmasa 18×12, nënshkruar Lasgush 1931
- “Neki Shgaba”, me laps, përmasa 18×12 , nënshkruar Lasgush.
- “Dr Loni Naçi”, me laps, përmasa 17,5×12, nënshkruar Lasgush.
- “Anton Kamsi, student në filozofi”, me laps, përmasa 20×12, nënshkruar “Një nga studentët idealistë të Grazit” Lasgush P. 1926.
- “Arkimandriti Visarion Xhuvani”, me laps, përmasa 13x9cm, ka këtë shënim nga Xhuvani “Portreti më shëmbëllen fort” Lasgush 1921.
- “Ç. K. Spiri”, me laps, përmasa 26,5×18,5, ka këtë shënim “paraushtark, elev (nxënës) në shkollën tregëtare të Selanikut. Poradec 1930”.
- “Portret i pambaruar i Maries”, me laps, përmasa 18x12cm, viti 1982.
- “Naim Frashëri”, me laps, përmasa 7,7x7cm, nënshkruar Lasgush 1924.
- “Prof Martiniak”, me laps, përmasa 10×5,5cm nënshkruar Lasgush Graz.
- “Prof. Dr Radakoviç udhëheqës i lëndës së filozofisë”, me laps, përmasa 14x9cm, Graz 1925.
- “Femër infermiere në Greqi”, me laps, përmasa 14×8,5cm, nënshkruar Llazar Gusho 1920.
- “Portret femre në Greqi (Kaliopica)”, me laps, përmasa 10,5x17cm, nënshkruar Llazar Gusho.
- “Portret femre në Greqi (Vasiliqia)”, me laps, përmasa 16x10cm, nënshkruar Llazar Gusho, Athinë.
- “Portret pacienti me mjekër”, me laps, përmasa 12×17,5cm, Llazar Gusho.Athinë.
- “Portret burri me kapele, korieri i sanatoriumit”, me laps ngjyrë kafe, viti 1920 përmasa 11,5×7,5cm.
- “Porteret femre në Greqi”, me laps, përmasa 10,5x17cm.
- “Portret i Taqi Mihos” 1923 Bukuresht, me laps, përmasa 13,5x10cm, nënshkruar Lasgush.
- “Portret i Asdrenit”, me laps, viti 1923, përmasa 10×7,5cm, nënshkruar Lasgush P.
- “Portreti i Zefira Megas (Lula)”, me laps, përmasa 20x30cm, nënshkruar Bukuresht, “Lula-s, pas nature, me dorën time Str Vespasian, nr 22 Llazar Gusho”.
- “Vjersha të vjetra prej Lasgush Poradecit”, kapak libri, Poradec, Manastir, Athinë 1914-17 përmasa 13x22cm.
- “Këmbanorja e Shën Mërisë Voskopojë”, datë 12.8.30, me laps, përmasa 11×15,5cm, nënshkruar Lasgush Poradeci.
- “Manastiri i Shën Vlashit, korrik 1940, me laps me ngjyra, përmasa 17x12cm.
- “Peisazh me shtëpi”, me laps të kuq, përmasa 9x16cm.
- “Këmbanorja e kishës Shëndëlli Voskopojë, datë 12.8.1930”, me laps, përmasa 21×15,5cm, nënshkruar Lasgush P.
- “Strada turkë din Manastir 16.7.1915”, me laps, përmasa 26x18cm, nënshkruar Llazar Gusho.
- “Peisazh me xhami”, me laps, përmasa 25,5x18cm.
- “Peisazh qyteti”, me laps, përmasa 25,5×18,5cm.
- “Portret burri në sfumaturë gjysëm i shtrirë”, me laps, përmasa 12x17cm.
- “Portret plaku skicë” me penë, përmasa 12x9cm.
- “Portret burri në sfumaturë”, me laps, përmasa 16x11cm.
- “Portret femre me duar të kryqëzuara në sfumaturë” me laps, përmasa 16x11cm.
- “Portret doktor Sp Çipi në sfumaturë”, me laps, përmasa 20x15cm, nënshkruar Lasgush Tiranë.
- “Dipllomë e Androniqi Zengos 26 korrik 1935”, me bojë të zezë, përmasa 62x43cm, kopjuar dhe përkthyer nga greqishtja prej Lasgush Poradecit.
- “Portret i Krishtit”, telajo me ngjyra 72x56cm, i pambaruar.
- “Portret burri”, telajo me ngjyra 64x50cm, duket edhe një pjesë e kurorës së Krishtit.
Post scriptum.
Për ta bërë të plotë imazhin tonë për Lasgushin piktor, duhet t’i drejtohemi edhe ideve të tij të shkruara për pikturën. Në vitin 1937 Lasgushi shkruan: “Art domethënë e vërtetë artistike, dhe e vërtetë artistike domethënë simplicitet. Nga vijat e shumta, plot lëvizje dhe ngatërrim përbrënda tyre, shpirti artistik relevon vetëm karakteristikat zotëronjëse, vetëm pamjen qëndrore, për të ngjizur me anën e tyre dhe përmjet etikës së vetëvetes veprën artistike të vërtetë…Futja e intuicionit artistik të lirë brënda kllapës së akademismit, klasicismit, ekspresionismit, dhe shumë ismave të tjera që s’thonë gjë, sepse nuk mund të interpretojnë asgjë nga e vërteta e madhe: arti s’njeh kondita, shkollat kondiciononjëse vdesin vetvetiu”.
Për Lasgushin ky koncepsion, “nuk është pjellë transcedentale, por transpozimi së vërtetës artistike në simplicitetin e saj”. Për Lasgushin, “subjektet e qeta, të pashkëputura nga realiteti shpirtëror i jetës, kompozicioni i drejt-për-drejtshëm vijash të mëdha, efektet e iluminuara prej heshtjes, përputhen harmonikërisht, organikërisht. Kështu arrihet në lidhjen intime të rrobes artistike me idenë artistike që e mbështjell si një dritë përshkonjëse tejpërtej. Këtu, në këtë mënyrë këthjelltësije të ekzekutimit, hyjnë njëra pas tjetrës të gjithë elementet e tjera të artit piktural, atmosfera e ngrohtë, diafane, e njëjtëshme që rrethon sendet, drita e qëndruar në gjithë nuancat e saj, atitudat dhe gjestet plot masë të tablove, mimika e disciplinuar e portreteve, aspekti i përmbajtur në vetëvete i pamjeve, të mara sicila nga një botë që i përshtatet, dyke e plotësuar dhe pasuruar më mirë gjëndjen shpirtërore”. Për Lasgushin, “notat e ngjyrave krijojnë një koncert të shumëanshëm dhe harmonik ku hijedrita humbet thuajse pa u shquar në prodhimin e tonalitetit zotëronjës të ngjyrës lokale, pa aksidente ashpëronjëse të vlerës së përgjithëshme të veprës. Drita dhe hija dhe vlera e veçantë e secilës ngjyrë në vetvete, bashkohen për të dhënë jo iluzionin e sintetzës, por vetë sintezën e përshtypjes, një përshtypje lëndshpirtërore, e konceptuar dhe e ekzekutuar thjeshtësisht, e cila është arsyeja primordiale e qënjes së artit”.
Lasgushi beson tek shija e përjetëshme e artit, “sa kohë që arti ka qënë dhe do të jetë ndjenjë estetike e brendëshme, e çfaqur në formën fisnikërore të thjeshtësisë dhe të masës”.
Idetë e mësipërme janë një traktat estetik lasgushian. Këto ide spjegojnë dhe saktësojnë pikturat e tij. Lasgushi është bir i harmonisë dhe mjeshtër i madh. Engjëjt e pikturës janë vërtitur përherë mbi kokën e Lasgushit për t’i vënë atij më shpesh kurorën me gjemba të gjakosur të Krishtit të lirikës. Këto engjëj nuk mund të zhduken asnjëherë. Amen!
Komentet