Më 27 dhjetor 1899, familjes së Sotir Gushos në Pogradec, u lindi djalë. Atë ditë feste e pagëzuan me emrin Llazar, por nga viti 1933, me botimin e librit “Vallja e yjeve“ do të njihej ne botën letrare vetëm me emrin Lasgush Poradeci.
Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Shkollën e mesme e nisi në Manastir. Ishte kohë me tronditje të brendëshme, me rebelimin e vitit 1914 kundër Qeverisë së Vlorës dhe me zjarrin e Luftës së parë Botërore, kur pavarësia humbi paqen e qetësinë. Shkollat u mbyllën dhe Llazar Gusho u kthye në Pogradec. Pas mbarimit të luftës, i ati e nisi për në Athinë të mësonte në Liceun Francez arumun. Mësimet i mbaroi në vitin 1921 në Silistra, aso kohe qytet bregdetar i Rumanisë e sot i Bullgarisë. Po atë vit vajti në Bukuresht për të ndjekur studimet e larta në Akademinë e arteve dhe të letërsisë. Gjatë asaj kohe iu desh të punonte dhe njëherazi të studionte. Në ato vite mori pjesë në lëvizjen atdhetare të Kolonisë Shqiptare, krahas me Asdrenin dhe atdhetarët e tjerë dhe u zgjodh sekretar i përgjithshëm i saj.
Në vitin 1924, me bursën e Qeverisë së Nolit, kreu studimet në Grac-Austri në Fakultetin e Filologjisë Romano – Gjermane. Në mbarim, mbrojti temën: “Eminesku dhe poezia popullore rumune.” Me ndihmën bujare të Kutelit dhe bashkatdhetarëve në Rumani, u botuan në Bukuresht dy vëllime me poezi të Lasgushit “Vallja e yjeve” më 1933, dhe “Ylli i zemrës” më 1937. Atëherë Lasgushi shkruan edhe një histori për lëvizjen kombëtare të shqiptarëve të Rumanisë dhe jetëshkrimin e veteranit të kësaj lëvizjeje, Nikolla Naço. Me këto vepra ai u bë i njohur në Shqipëri e jashtë saj. I kthyer në atdhe më 1934 dha mësim në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës.
Lasgush Poradeci jetoi në kohën e luftrave e kryengritjeve të mëdha për liri, ndaj në krijimtarinë e tij ndihet shqetësimi për kombin, sipas ideve të Rilindjes kombëtare, dhe ëndrrave për përparimin demokratik. Ai ishte dhe mbeti një nga lirikët tanë më të mëdhej, i shquar për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë e vargjeve si rrallëkush. Në vitet e para të jetës krijuese ai u këndoi luftëtarëve të lirisë e të pavarësisë, bukurive të vendlindjes me vargje plot tinguj, rima e ritme me ngjyrime nga më të larmishmet.
Ja si shprehet Lasgushi për lëvrimin e poezisë: “Pse shkruaj, pse parapëlqej të shkruaj vargje dhe jo prozë? Kur them vargje, kuptoj që duhet të jenë të përsosur nga arti. Vetëm vargjet e përsosur rrojnë (dhe mezi edhe këta)”. Më tej ai shkruan: “Nuk ka poezi të madhe ose të vogël, të mirë ose të keqe, por vetëm që i përshtatet plotësisht potencialit jetësor dhe poezi që s’i përshtatet. Ajo që i përshtatet, është POEZIA…”
Jemi në mbarim të vitit 2023 dhe vargjet e përsosur të Lasgushit rrojnë të freskët, me një gjuhë të kulluar shqipe, me ritme e rima të përpikta, me simbole të kuptueshme. Janë poezi për të gjitha moshat, që i “përshtaten plotësisht potencialit jetësor”.
Ja, tek na vijnë ndër mend vargje prej poezisë “Poradeci”:
“Në katund troket një portë,
në liqen hesht një lopatë,
një shqiponjë e arratisur
fluturon në Mal të Thatë…
Tërë fisi, tërë jeta,
ra…u dergj …e zuri gjumi…”.
Në ato poezi dëgjojmë fërfërimën e flatrave të shqiponjës në kërkim të burimeve në Shën Naum, mbrëmjen e qetësinë e natës, shushurimën e valëve, që shtrohen buzë liqenit.
Gjatë viteve ’30 – ‘40, poezitë e tij u botuan në librat shkollore, në gazeta e revistat letrare. Pas mbarimit të luftës, Lasgush Poradeci nuk iu nënshtrua kërkesave të letërsisë soc.realiste dhe pothuaj e theu penën. Arti i vargjeve të veta dhe mendimet e tij filozofike binin ndesh me ideologjinë e mohimit të vlerave demokratike, ndaj i mbyllur në vetmi, në gjendje të vështirë ekonomike, jetoi me punën e lodhshme të përkthimeve.
Gjuha e bukur popullore e përdorur me mjeshtëri nga Lasgushi në poezi, u hijeshua me ngjyrime plot art. Me vargjet e krijuar ai e pasuroi gjuhën shqipe dhe letërsinë me fjalë e frazeologji të reja. Duke trajtuar çështjen e gjuhës shqipe, ai shkruan: “Përsa i përket toskërishtes, kjo siç duket, njëherë mund të mënjanohet prej gjuhës “së mesme”, që s’është veçse një gegërishte e zbutur, nga influencimi armonioz i toskërishtes. Gegërishtja ka energji fizike, toskërishtja ëmbëlsi shpirtërore. Dyke bashkuar gegërishten me toskërishten, gegërishtja gjith dyke mos humbur forcën, energjinë, fiton dhe harmoni, e ëmbëlsi, si gjuhë e “mesme” me karakter geg. Lufton, pra, forca fizike me harmoninë shpirtërore, trupi me shpirtin. Sa më e fortë, më e fuqishme, më e shumanëshme të jetë toskërishtja në harmoninë e saj, aq më shumë do të ndjehet fryma mirëbërëse që ajo ka në gegërishten e “mesme.” Me këtë bindje ai mori pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit – 1972. Në çastet fatale të vendimit, ai u largua nga mbledhja pa u ndjerë e pa e nënshkruar dokumentin e standardit të shqipes të diktuar nga lart.
***
Lasgushi jetoi i shqetesuar si gjithë intelektualët e përndjekur, shihej tek ecte gjatë trotuarit në sheshin “Skënderbej” dhe hipte me vështirësi në autobusin e Kombinatit, mbushur plot me punëtorë e nëpunës, që ndalonte edhe pranë Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Poeti i zbardhur dhe i dobësuar mezi mbahej më këmbë. Në disa raste ndonjë student i afrohej dhe e mbronte nga turma, që shtyhej para e prapa.
Në vetminë e studios së varfër, Lasgushi krijoi edhe poemat “Eskursioni teologjik i Sokratit”,”Mbi ta”, “Kamadeva”, si dhe baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Të gjitha u botuan në vitin 1989, kur poeti ishte larguar nga jeta (u nda nga jeta më 12 nëntor 1987) dhe gjemia e zyrtarëve të lartë pa kulturë, po fuste ujë e pak nga pak po fundosej. Do të vinte një ditë dhe kumti i poetit në vargje do të jetonte: “Kur të mos jem në jetë vetë, do të jetë zemra ime”.
Vlerësimi i veprës së tij
Lasgush Poradeci la një krijimtari nga më të këndëshmet të poezisë shqiptare. Poezia e tij lexohet me ëndje brenda e jashtë Shqipërisë. Veprat e tij u vlerësuan nga dijetarët e shquar të kulturës, si Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Sabri Hamiti, Rexhep Ismajli, ndërsa Mitrush Kuteli në letrat nga Bukureshti i shkruante me adhurim për poezitë e përkryera, ndër to Durim: “Ta këndova me gëzim vjershën Durim. Më pëlqen alternanca e tetë dhe e pesë rrokjeve. Kjo i jep intesitet dhembjeve të brendëshme. Prej shumë kohësh në arrati të vjetra e të reja, nuk pata dëgjuar të folur shqip”.
Me përkthimin e krijimeve të Lasgushit në anglisht nga Robert Elsi, bota u njoh me krijimet e një poeti shqiptar, të panjohur më parë. Meqë Lasgush Poradeci renditej krahas Fishtës, Mjedës e Prennushit, Nolit e Konicës, Kutelit e Koliqit, ai u la në harresë nga shtypi i mefshtë i kohës së mbrapshtë.
Në librin Historia e Letërsisë Shqiptare – 1983, krijuesi i poezive mahnitëse “Poradeci”, “Dremit Liqeni”, “Zemra e Liqenit” “Mbarim Vjeshte” e të tjera si këto, trajtohet si poet i mbyllur në vetvete, herë popullor e herë kontradiktor, i ndikuar nga poezia dekadente… E kush se! Përkthyesi mjeshtër i Gëtes e Hajnes, Lenaut e Brehtit, Hygoit e Mysesë, Bajronit e Shellit, Pushkinit, Lermontovit e Bërnsit!
Lasgush Poradeci deri në fund të jetës, sado në moshë të thyer, si një poet i zgjuar nga ëndrrat e rinisë, kthehej i përmalluar në Pogradec, te liqeni i tij, pranë lundrave, zambakëve e krojeve.
Pas vitit 1991, shkollat, rrugët në disa qytete, mbajnë emrin e tij. Librat me krijimet poetike botohen e ribotohen me ngjyra nga më të larmishmet. Edhe ata që nuk e lanë të qetë dikur, tani vrapojnë e shkruajnë ndryshe.
Kujtimet na kthejnë mbrapsht në kohë, kur diktatura ende nuk kishte hyrë aq thellë në mjediset e kulturës. Në një rreth letrarësh të rinj në sallën e Bibliotekës së Vjetër Kombëtare, një poet me njohuri të cekta, teksa trajtonte poezinë shqipe, krahasoi disa poezi të paraluftës, epikën e Fishtës me lirikën e Lasgushit. Me ato njohuri sigurisht ai s’mund të arrinte në përfundime të sakta, se këta poetë te medhenj në kohën e tyre i shërbenin një qëllimi, njëri këndonte për lirinë, tjetri me ëmbëlsinë e vargjeve u këndonte bukurive të atdheut. Fishta e Lasgushi shpesh shkëmbenin letra, duke çmuar krijimet e gjuhën e njeri – tjetrit. Një foto e asaj kohe dëshmon për këtë të vërtetë. Aty duken qartë Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Gjergj Fishta dhe Asdreni.
Shumë vetëve, teksa zbresin nga Qaf-Thana në Pogradec, sodisin mirazhin e poetit të dashurisë dhe të magjisë së yjeve, duke ecur i menduar, në kërkim të kohëve të rinisë, kur në çaste frymëzimi krijonte vargjet-peizazhe plot harmoni për muzgun e heshjen në liqen e në qytet, për fluturimin e shtërgut, për krojet, lundrat e zambakët mbi ujë, për shqiponjën, Malin e Thatë, ShënNaumin e Drinin e kaltërt. Emri Lasgush na sjell ndër mend hiret e lirikut romantik e simbolist, ndërsa mbiemri Poradeci ka thyer një emërvend të huaj për qytetin e tij të bukur. Aso kohe i njohur si poet romantik kudo, edhe për thjeshtësinë e dashurinë ndaj njeriut, miqve e krijuesve të tjerë, të moshuar apo të rinj si Fishta, Mjedja, Asdreni, Noli, Kuteli, Buharaja, etj.
Në shënimet e veta Aleks Buda, kujton kohën e bukur të studimeve, takimet e këndëshme me Lasgushin në rrethe miqsh në Vienë, Tiranë e Pogradec, recitimet e poezive romantike dhe bisedat për letërsinë artin e muzikën klasike gjermane.
***
Disa nga botuesit e veprave të Lasgush Poradecit
Për çudi mbi mbulesën e librave me poezi, vendosin fotot e poetit të moshuar e të ngrysur, kurse shtatorja pranë liqenit në Pogradec, nuk tregon aspak poetin e hijshëm djaloshar, por një plak të trishhtuar.
Lasgush Poradeci si të gjithë poetët romantikë iku nga jeta para kohe pa dhënë tërë thesarin poetik që kishte në shprt e në mendje sepse ai nuk mund të merrej me lavde kushtuar regjimit poltik të dhunshëm, por la veprarat e ndritura e kohëve të rinisë dhe kumtin: “Po të mos jem në jetë do të jetë zemra ime”.
Disa nga poezitë e magjishme të rinisë
Se dashuronte dashuria
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng´ e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
Më pe më shpirt të llaftaruar.
Q´ahere silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë…
Dh´i shtinja sytë gjith përdhe —
Gjithë përdhe m´i shtinje sytë…
Po me t´u ndarë vet e vet,
Më s´kishim turp që s´kishte fjalë…
Na rritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë:
E prapë silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.
Q´ahere qamë plot me mall
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng´ e pakuptuar.
Se kish kuptim, që s´kish kuptim,
Kuptim´ i fellë-i mallit t´onë;
Se malli jon´ ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;
Se s´dashuronja-as un´ as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri — një fshehtësi
M´e fshehur sesa fshehtësija.
Zog i qiejve
Këng’ e lasht’ e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak…
Do t’ja marr që sot e tutje si bilbili parëverak.
Që nga fund’ i vetëvetes do këndoj një mall të ri:
Brenda tufës së junapit që mbleroj me kaq stoli;
Kur po shoh ndaj ryn bilbili e sakaq ze qan nër fletë,
Këng’ e ti më ngjan kulluar posi këng’ e Zotit-Vetë.
E prandaj, dyke filluar, ay Lart i shpíje kryet
Dh’i ngreh sipër-e-më-sipër gjer sa qafa ment i thyet.
Asohere-e ndjej si dridhet me një zë pa shëmbëllim
Asohere-e ndjej si foli: Të jam falë, – o Zoti im!
E pastaj i ulet gusha më-përposh-e-më-përposh,
I venitet me-nga-dale syri-i-qarë-e bukurosh.
Ay sheh që nëpër fletë me vështrimin e çuditur
Ndaj çkëlqen nër mijë gjyra Vënd’i ti ku pati sbritur.
E pra ja q’i mbylli sytë, e që gojëzën e hapi:
Tungjatjeta! Tungjatjeta! Vënd o vënd ku çel junapi!
Haj! Bilbil, se Vëndi jonë ka liqere-e anë detesh,
Nëpër bimëzat e tyre po vërej si qan e tretesh;
Po dëgjoj prej largësire, si nër male.e si nër fusha,
Si nër kopshte jargavanësh dhemshurisht të fryhet gusha;
E çdo lis të gjelbër, e çdo pemë-e çdo rakitê,
E çdo bar i lulëzuar ças-për-ças t’i ndjen çuditë…
Ti këndon, o zog i pastër, ti këndon, këndon përherë,
Pa pushim të del nga zemra vaj’ e tingëllit të mjerë;
Ti vajton me zë të fshehur, se një zjarr kupton në gji:
Dheut! Ah dheut të përtëritur sot i falesh përsëri!
E si rron në gji të dherit dit-për-ditë-e nat-për-natë,
Gjir i dherit ku rreh jeta të fal brengë e përgjëratë:
Se prej mallit që të thyen permes pamjeve të tija,
Mun në fund të zembërës s’ate ritet fshehur dashurija.
E si ritet prej së fellash, më një ças fillon të nisë
Kënga jote-e papandehur q’është fjal’e dashurisë.
Ajo ngrihet…ngrihet…ngrihet…dhemshurisht e dyke qarë,
Pastaj sbret e parpalitet si një fluturëz e vrarë.
E kështu ti qan pareshtur bukuritë-e dashuritë,
Prej qepallës së përlotur të pikon një pik’e ngritë.
Asohere kënga jote shuhet dyke psherëtitur;
Ti fillon ta rrahish mendjen, e buçet me shpirt të mitur:
Se ç’gëzim përjetësije! E se ç’mall! E ç’dëshirime
Të pat falur dashurija në të qarët e një grime!
Prej dëshirës së zhuritur q’i dhe këngëvet, o zog,
Rrodhi vesa mëngjezore përmi lule borsilog…
Përmi lule ku rreh djelli ndrin me zjarr si pikë loti,
Zjarri fërfëllon e ngrihet me vetijen më-përpjetë-e-më-përpjetë,
Si mendim me hov të letë valon qiejve ti vetë:
Ha! Ç’të zotëroi Drita! Ç’të përshkoj një Gas i ri!
Seç të ndjell një Frymë-e largë tej nëpër paanësi!…
Nër paanësi të ndrijnë yjt’ e ndezur larg-e-më-larg…
……………………………………………………………………………… …
Që nga bota njerëzore, ku këndoj me shpirtin plot,
Prit-e, prit! Se po t’afrohet Zog’i Qíejvet, o Zot!
Fal-i Këngëtar-finoshit Gas të Thjeshtë mun në gji:
Posi lot në reze djelli ndrit-e në Përjetësi!
______________
Viti 1921
Poradeci
Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…
E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.
Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anë errësira…
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…
Dremit liqeri
Mi zall të pyllit vjeshtarak
Dremit liqeri pa kufi,
Aty nga fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.
Posi me flakë u ndez e kroj,
E vetëtit plot magji,
E yll’ i ditës perëndoj
Në qetësi dhe dashuri.
Tashi po shuhet nënë mal,
Qytet’ i ngrysur në të zi.
Pa ndizen yjtë dal-nga-dal
Plot bukuri! Plot fshehtësi!
Në këtë ças perëndimor,
Ndaj po më dehen sytë e mi,
Kuptoj si shpirtin vjershëror
M’a frymëzon një mall i ri.
Vallja e yjeve
Yjtë e ndezur si fingjill,
Që vërtiten palë – palë,
Prej mosgjëje zunë fill
Plot me mall të valë
Zunë fill me dashuri
Që kur bota zu të ngjizet,
Pa sikush për shok të ti
Përvëlohet edhe ndizet.
Ndizet ças edhe për ças
E si kurrë s’ka të shuar,
Pa pushim i vete pas
Me një sulm të llaftaruar.
E si kurrë nuku mund
Ylli yllin që t’a kapë,
Rrotull qiejve pa fund
Venë e vinë e venë prapë.
Mbarim vjeshte
Fluturoj dhe shtërg i fundit,
madhështor, me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që me-natë
sipër malesh me dëborë…
Iku rëndë e i përmallshëm,
dhe me sqep të ti të fortë
Zotëriut q’i la folezën i trokiti
mun në portë…
Pra, më s’duket shpes’ i fatit
prapa bujqish edhe plorësh,
Prapa brazdës së rëxuar
hap-me-hap prej qe malorësh;
Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë
miu i hirtë,
Vdiq nëpërka pikëlore
ndaj blatish’ e shkretëtirë.
Dheri i mardhur prej thëllimi
dirgjet heshtur nënë brymë
Fryn veriu në pyll të thatë
me zembrim e me fërtymë
E si shtohet cingërima…
ja! se ku dinak dh’i voçër
Nëpër gardhe- e nëpër ferra
dërdëllet gazmor një çoçërr.
O! sa hir që kishte shtërgu,
aq fisnik me shtat të gjorë.
Kur bariste dal-nga-dale-
posi dhëndër me kurorë.!…
E kur pranë vinte krilla,
që shëndrij në kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur –
posi vashë e nusëruar!…
Kroi i fshatit tonë
Kroi i fshatit tone, ujë i kulluar,
ç’na buron nga mali, duke mërmëruar
Venë e mbushin ujë vashat anembanë
cipëzën me hoja lidhur mënjanë;
Cipëzën e bardhë, cipëzën e kuqe,
gushën si zëmbaku, buzët si burbuqe.
E si mbushin ujë, bubu ç’m’u ka hije,
ndaj kthehen prap me hap nusërije
ndezur yll i ballit si yll shenjtërie.
II
Kroi i fshatit tonë, ngjyr’ ergjënd i lyer
që nga rrëz’ e malit ç’na buron rrëmbyer.
Venë e pinë ujë trimat anembanë
takijen me lule, përmbi sy mënjanë.
Takijen e dlirë, takijen e nxirrë
Buzën në të qeshur… më të psherëtirë…
Mbrëmave kur uji mërmëron nga-dalë,
vjen t’i thotë trimi vashës nj’a dy fjalë:
Vashëzën bujare që po vin në krua
Siç’e përshëndeta, siç’m’u turpërua
Papu ula kryet e shikova si grua
III
Kroi i fìshatit t’onë, tetë sylynjarë
nër tetë krahina qënke kroj i parë
qënke një në botë, s’paskërke të dytë
ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë.
Kroi i fshatit tonë, n’atë mal me fletë,
derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë
posi malli i zemrës mu në gji të shkretë
Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë,
posi malli i vashës, që djeg në të fshehtë,
posi malli i trimit, që buçet përjetë,
obobo, si malli, që nuk vdes përjetë.
Lundra dhe flamuri
Që larg po vi…,që larg.
Më turren valët varg-e-varg,
Un’ik dh’hepohem mund si harg…
E sipër tyre shkas,
Valoj me sulmë-e gas,
I le tallazet pàs:
…Kur val’e egër ze më tund,
E s’mund të mpruhem asgjekund
Prej gjeratoreve pa fund,-
Dënimi im s’më tremb aspak!
Dënimi im nis e m’i lak
Fringjitë-e shpirtit varfanjak:
E si më mbyt i tmerrshmi det.
Pushon ah!Zemra që buçet,
Mbaron ah!Zjarri që më tret.
E s’duket gjë kur humb,
Veç plùhurës si shkrumb
Lart mi katárt si thumb:
Flamur’ i pastër qe m’u nxi
Në sulm te lumtur për liri,
Qëndron gazmor në lartësi!…
Tashi katarti-u çduk në det
Tashi flamuri-u ngrit përpjet,
Valon lirisht si shpirt i let.
Dy poezi nga autori i shkrimit kushtuar Lasgush Poradecit
Përskuqen retë
mbi Qaf-Thanë.
Qiell e ujë ndaluan pranë,
brigjet humbën e mbrëmja vjen.
Kotet në lundër peshkatari,
harroi koran, rrjetë e lopatë,
rreth zambakësh nosit pendë ari,
shqiponjë e arratisur në Mal të Thatë.
Sodit vagëllim
yjet e ndritur numëron,
mbi valë në efirin pa mbarim.
malli djeg e shpirtin zgjon.
Në Shën Naum burimet gjen,
lanë sytë e ballin e menduar,
me ujët e Drinit të bekuar
dhe pyet yjet, për ç’ka po vjen.
pa shuan etjen ndër sylynjarë
me luleshtrydhe, thellë në pyll,
fton zanën me sytë e shkruar pranë,
t’i rrëfejë, për liqer e yll.
________________________
Pogradec, 1989
Liqeni
Sa më pëlqen të eci qetë
në ajër të pastër kur zhduken retë
kur edhe nuk ka mërguar gushti.
Të eci bregut me ngadalë
atje, ku psherëtijnë valët
nën shelgje, në çastet kur shtërgu
përgatitet për udhën e largët.
Atje, ku zambaku
i bardhë mblidhet,
pushon, dremit mbi fletë
dhe rrënjë e jetës shtillet,
e dridhet lehtë e lehtë
në ujin blu me arratisje
për te rrjedhë e Drinit,
maleve, këputur në zemër
nga vargonj kufiri.
Me pamje Shën Naumi,
në mjegull Mal i Thatë,
ky dëshmitar i shenjtë,
përflakje dritash nëpër natë.
Mbi shkëmb me myshk e gurë
ku llokoçitej uji nën drurë
e sillej qark ndër shtylla.
si në ëndërr sytë mbylla
Pranë kallamishtesh,
ku varka tundet e hesht lopata,
ndër pasqyrime, ku bredh
poeti yll mengjesi iken nata
Përgjoj çuçurimë gushkuqësh
mbi degëz, fshehur nën fletë,
sodis ngjalat, tek lëvrijnë
zbrapsjen vetëtimë,
hedhjen vërtik të rrjetës
mbi koranët e fjetur.
U iki hijeve të ftohta,
te rrezet e ngrohta
dhimbje e lashtë qetohet
e kthehet kënaqësi e plotë.
Shtillen ngjyrat valë mbi valë
ndërrohen nga gri në allë .
tek më fton liqeni i dlirë
zhytem në blu e kaltërsirë