Çfarë shkruante në veprën e tij voluminoze “Historia e Italisë” gazetari i famshëm italian në kapitullin mbi pushtimin fashist të Shqipërisë. A e ndjenë dhe sa e ndjenë shqiptarët largimin e Zogut? Si u përgatit ndërhyrja dhe a do të mund t’i pritej rruga pushtimit nëse shqiptarët do të kishin rezituar të organizuar?-Si reagoi Duçja ndaj vonesës së Gjeneral Guxonit për të shtyrë me 6 orë pushtimin?
Në vijim të kapitullit rezervuar marrëdhënieve mes Italisë e Shqipërisë në vitet ’30 (shih: “Storia d’Italia”, Kapitulli XII, fq. 204- 215, Indro Montanelli & Mario Cervi, Volumi i 8, 1982) ku padyshim se vendin kryesor do ta zinte pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste, ish-gazetari, publicisti e historiani i famshëm italian, Indro Montanelli, sjell konkluzionet, dëshmitë historike, interpretimet personale dhe perceprimet kolektive të kohës, që lidhen me ditët e fundit të ish-Mbretërisë Shqiptare, atmosferën në të dyja kampet dhe detaje e vlerësime që në ndonjë aspekt, për shumë të tjerë, edhe mund të ishin të debatueshme nga ana interpretative. Por sidoqoftë, në këtë pjesë të dytë (dhe të fundit) që ne kemi përzgjedhur për botim, ai shfaq arsyet e hezitimit të Duçes për fushatën në Shqipëri, hezitimin e Zogut për të firmosur ultimatumin fashist, për të cilin thotë se në një moment ai u tregua i gatshëm të pranonte (si të keqen më të vogël) një vasalitet skllavërues ndaj Italisë, por që siç dëshmon apo interpreton Montanelli, në vetvete ky ishte vetëm një veprim taktik nga ana e ish-monarkut shqiptar, për të fituar kohën që i nevojitej për t’u larguar nga vendi. Motorin e iniciativës pushtuese, Kontin Ciano e cilëson si delfin të Duçes, naiv e amatoresk në veprimet e tij, ndërsa vetë planin e pushtimit si të përpiluar me gabime, të nxituar, e që nëse do të haste ndonjë rezistencë të organizuar nga ushtria shqiptare, mund edhe të kishte dështuar. Ajo që ka ndoshta më shumë rëndësi për ne si shqiptarë, është fakti se Montanelli e vlerëson si një shëtitje inkursionin ushtarak italian mbi Shqipëri, çka përkon plotësisht ose thuajse plotësisht mne realitetin, por pohon se më parë ishte folur për rezistencë të 45 mijë burrave të armatosur, çka rezultoi në fakt një bllof i turpshëm. Montanelli na rrëfen se rëndësia e ngjarjes, ishte minore në kuadër ndërkombëtar, pavarësisht faktit se dhurimi i kurorës së Skënderbeut për Viktor Emanulein III në Romë, shkaktoi jehonë mediatike. Ai konstaton se vëmendja ndërkombëtare e kohës qëndronte tjetërkund, dhe kësisoj kjo i erdhi më së miri në ndihmë Italisë që të mos haste në rezistencë ndërkombëtare. Në tekst përmenden gjithashtu edhe vlerësimet për ish-kryeminsitrin e parë kolaboracionist, Shefqet Vërlaci, për të cilin perceptimi publik dhe ai i Montanelit, përputhen, kur thotë se atij i vlonte në shpirt urrejtja personale për Zogun, si pasojë e një historie me sfond familjar (të ditur tashmë) dhe tashmë kishte gjetur pikërisht rastin për të shfryrë inatin e tij, porse gjatë dhurimityët kurorës qoftë Perandori Italian, qoftë dhruesi shqiptar përshkruhen si të vrenjtur në fytyrë e aspak entuziastë.
* *
Ai, i cili e kishte mbështetur më shumë, ministri i Shtetit Koçi, kërkonte hakmarrje. Ai kishte luajtur një rol vendimtar në dasmën e Zogut me Geraldinën dhe u shpërblye mjaft mirë, ose kështu thuhej të paktën. Por Mbreti dyshues, u mbrojt mjaft mirë. Ushqimi i tij, i gatuar gjithnjë nga motrat, provohej edhe nga një qen, para se t’i shërbehej. Por edhe një herë, Duçja kishte preferuar t’i zvarriste gjërat, ndoshta jo plotësisht i bindur nga përshkrimet e çuditshme mbi pasuritë e shqiptarëve. Më 16 mars të vitit 1939, ministri i Punëve të Jashtme kishte përgatitur një mesazh për t’u nënshkruar nga Duçe, i cili do të dërgohej pas zbarkimeve të misioneve në Azi, të Hitlerit. U deklarua se: “Kryetari i fisit, i ashtuquajturi Mbreti i Shqiptarëve, tani është një i huaj në një vend ku Italia ushqen bujarisht dhe një nga popullatat që nuk mund të funksionojë e vetme, për të hequr qafe kështu zgjedhën e një të padobishmi dhe të një ekonomie primitive. Kështu që, qeveria fashiste do veprojë në mënyrë paqësore për të stabilizuar një vend ku gjuha dhe qytetërimi i Romës janë vetëm gjurmët e progresit për të”.
2
Gjuha e përdorur nuk kishte – me siguri – prejardhje musoliniane. Megjithatë, mesazhi nuk arriti kurrë në destinacionin e caktuar dhe Jakomoni ishte urdhëruar të “ndalojë çdo veprim”. Musolini i shpjegoi Cianos, se zbarkimi në Shqipëri do të lëkundte shtetin jugosllav dhe do të favorizonte “pavarësisë kroate nën patronazhin gjerman, e cila do të nënkuptonte prusianët në Sushak”. “Nuk ia vlen – shtoi Duçe – të rrezikojmë për të marrë Shqipërinë; ne mund t’a kemi atë kur të duam”. Në vend të pushtimit ushtarak, Musolini kishte menduar një pakt të llojit anglo-egjiptian apo anglo-iraken, që ia nënshtronte Shqipërinë Italisë, por normalisht, duke ruajtur fasadat, por gjithashtu edhe duke mos lënë asnjë dyshim në lidhje me thelbin e ngjarjes, ia propozoi atë Zogut. Sipas traktatit, trupave italiane do t’i lejohej zbarkimi në vend, si aleatë dhe jo si pushtues, duke u përballur me çdo vështirësi së bashku me trupat shqiptare.
Në një shënim personal të Duçes drejtuar Zogut, ai fliste për “forcimin e aleancës së përbashkët, për të arritur deri në fatin e njëjtë të të dy vendeve dhe të dy popujve”. Zogu do të mbajë fronin, duke pranuar, përndryshe se “pasojat do të ndikonin mbi të dhe mbi popullin shqiptar. “Nuk ishte ajo që Ciano kërkonte. Protektorati nuk ishte i mjaftueshëm, ai kishte intriguar për të pushtuar. Por ishte ajo që dëshironte Viktor Emanueli III, i bindur se ajo ishte e vlefshme për të drejtuar një aventurë të madhe për katër “gurë”. Në këtë pikë, Zogu kryen një gabim fatal në gjykim ose prezumim. I stërvitur ndër vite për të manovruar në situata të vështira, dhe i dalë i padëmtuar në sajë të marifeteve levantine, besonte se ai do të ishte në gjendje të ngurronte pas propozimit të paktit që ishte një diktat italian, më i butë se sa ai gjerman, por jo i negociueshëm. Ne nuk e dimë se në çfarë mase janë të vërteta fjalët e Jakomonit për përpjekjet e Mbretit për të organizuar një rezistencë ushtarake nga Tirana apo vendlindja e tij, në Mat. Është e sigurtë se Zogu ka pasur takime me ministrin (ambasadorin) anglez dhe grek në Shqipëri. Ditët kalonin në një pritje dhe Roma ishte gjithnjë e më e padurueshme. Musolini po ndryshonte, përkundrazi duke u afeksionuar kah ideja e një intervenimi ushtarak. Ai donte Shqipërinë, me ose pa Zogun.
më 31 mars 1939, u zhvillua në Palazzo “Chigi”, plani i pushtimit, i përgatitur shumë vonë, dhe me mjete që do të ishin të papërshtatshme në qoftë se shqiptarët do të kishin rezistuar. Ishin të pranishëm në takim; Ciano, Gjeneral Guxoni, i cili ishte emëruar pikërisht atë ditë! – për të komanduar trupat italiane – dhe Jakomoni. Papërgatitja italiane shfaqej në mënyrë dramatike: “Dukej se ne nuk mund të gjenim në Ushtri – shkruan Ciano- një batalion motoçiklistësh të trajnuar, i cili duhej të mbërrinte në Tiranë në befasi”. I shkatërruar nga një zotërim, i cili pretendonte patronazhin, Ciano studionte çdo detaj, në mënyrën e tij amatore dhe qesharake. Mundësia e një dorëzimi të Zogut ishte hedhur poshtë me anë të tekstit të mesazhit, me të cilin Mbreti i Shqipërisë do të duhej ta falënderonte atë. Mutti kish qenë përgjegjës për organizimin, “me një ekip njerëzish të ngjashëm me të”, ndërsa incidentet do i jepnin ndërhyrjes pamjen e justifikueshme për operim të menjëhershëm.
5
Më 4 prill, presioni italian mbi Zogun u bë ultimativ. Ai duhej të përgjigjej brenda 24 orëve. Pastaj atij më vonë iu dha kohë, por për një ditë të vetme. Një telegram i nënshkruar nga Musolini në mbrëmjen e 5 prillit, kërkoi një përgjigje nga Zogu, “pozitive apo negative qoftë” për ditën e nesërme, e enjte, jo më vonë se në mesditë. I zënë ngushtë, Zogu konspektoi ca riformulime, të paktën për të zbutur klauzolat e caktuara, të cilat e shenjtëronin rolin e tij si një vasal. Pra, iu dha lëmoshë edhe për gjashtë orë të tjera reflektimi. Në agimin e 5 prillit, Zogu u bë me një djalë, i cili nuk do ta njihte kurrë Shqipërinë. Më 6 prill, në orën katër pasdite, anijet italiane lundruan për në Durrës, ku trupat filluan të marrin tokën para se të lindte dielli i datës 7. Por mesnatën e mëparshme, Libohova, Ministri i Jashtëm shqiptar, kishte vizituar selinë e legatës italiane dhe kishte komunikuar me Jakomonin, të cilin e njoftonte se Zogu ishte i gatshëm për të negociuar.
Jakomoni informoi Ministrinë e Jashtme dhe mori një telegram me përgjigje, e cila e kishte përjashtuar nga çdo bisedë e mëtejshme. Nëse Zogu donte të bënte bisedime, t’i bënte me Guxonin. Gjenerali, i informuar nga ana e tij, vendosi të pezullojë avancimin për gjashtë orë, duke pritur udhëzime. Mbreti Zog ishte i gatshëm të pranonte praninë e një divizioni në vend, por ai këmbënguli në disa rregullime të Traktatit. Ai ishte vetëm duke fituar kohë, në të vërtetë po bëhej gati për të ikur, me të gjithë familjen në Greqi. Kriminelë të liruar nga burgjet e zakonshme, ndoshta me urdhër të Mbretit, ndoshta për shkak të të tjerëve, silleshin rrugëve, duke bërë terror. Kur Musolini mësoi se Guxoni kishte ndalur, u tërbua fare dhe e urdhëroi atë që të riniste marshimin. Nga ky stopim, Guxoni nuk kishte asnjë faj. Në mbrëmje vonë të 6 Prillit, Ciano e kishte urdhëruar që t’i shkruante vetëm atij, nëse Zogu do të kishte dhënë dorëheqjen. Por pastaj, në mëngjes herët, ai hipi në një avion me qëllimin e zbritjes në Tiranë, triumfalisht, gjë e cila dukej e pamundur.
Gjatë ikjes së pamenduar të ministrit të Jashtëm, as Guxoni e as Jakomoni, nuk e dinin se kujt t’i drejtoheshin. As Guxoni dhe as Jakomoni nuk e dinin se ku të drejtoheshin. Konfuzioni iu atribuua nga disa, siç vuri në dukje ambasadori Mario Lociolli, një sabotazhi apo tradhtie. Kishte qenë vetëm mendjelehtësi nga ana e Çianos, që për tërë natën midis 7 dhe 8 u bombardua nga telefonata të Duçes “shumë nervoz” dhe të Jakomonit, i cili tregoi se turma plaçkiti pallatet mbretërore dhe po kërcënonte legatën. Së fundi, në mëngjesin e 8 prillit, Galeazzo Çiano u ul Tiranë. Shqipëria ishte bërë, si malinje, Dukati i Madh i Toskanës. Jakomoni i përgatiti gjërat më së miri, që nga momenti i parë. “Mbetëm rreth një orë në fushë – shkroi ai – duke pritur për atë që do të formohej në rrjedhën e rreth dy kilometrave që na ndanin nga sheshi Skënderbej, një formacion nderi i përbërë nga një anë nga fshatarë shqiptarë me kostumet e tyre piktoreske dhe pjesërisht nga motoçiklistët, çiklistët dhe nga tanket e vogla të divizionit ‘Centaur’, nën komandën e gjeneralit Messe”. Më pas, pati fjalime, dolli, demonstrime të turmës që përshëndesnin Cianon që u shfaq në ballkonin e Pallatit të Skënderbeut. Operacioni ushtarak ishte një shëtitje dhe një paradë. Të 45 mijë burrat e armatosur, të cilët flitej se ishin të vendosur për të bërë betejë, nuk u bënë të gjallë. Vetëm në Durrës u numëruan disa të vdekur në mesin e trupave italiane – tetë marinarë dhe tre qitës – nga zjarri i hapur nga një bandë e parregullt, edhe ata të liruar nga burgu si plaçkitësit e Tiranës. Mbreti Zog nuk la shumë keqardhje edhe në qoftë se prania e Geraldinës me djalin e saj të porsalindur në karvanin e refugjatëve i dha tregimit një karakter dramatik e romantik të shkrirë në një, dhe zgjedhja e Pashkëve për të kryer sulmin, u shfaq mjaft e urryer.
Detyra e krijimit të qeverisë së re “të mbrojtur”, iu besua Shefqet Vërlacit, një nga shumë fisnikët të cilët shpejtuan të bashkëpunonin me Jakomonin dhe Guxonin. Vërlaci kishte arsye personale për pakënaqësi ndaj Zogut që ishte fejuar me vajzën e tij, para se të ulej në fron, por e kishte thyer një herë angazhimin, pasi u proklamua Mbret.
Çianos nuk i pëlqente Verlaci. “Është një i zemëruar që do të na hapë disa probleme”, tha ai, por në përgjithësi çdo gjë shkonte vaj. Një masë e Asamblesë Kushtetuese miratoi me votë unanime Bashkimin Personal midis dy vendeve. Shqiptarët do të kishin preferuar që kurora e Shqipërisë t’i ofrohej një princi prej Shtëpisë së Savojës. Marrëdhënia e vasalitetit midis Italisë dhe shtetit aneks, në thelb do të kishte qenë më pak e dukshme. U preferua që kurora e re t’i kalonte një tjetër Mbreti, atij të Italisë dhe Perandorit të Etiopisë, që do të rrethonte kokën e Viktor Emanuelit III. Pas kësaj, jeta shqiptare ishte modeluar në stilin italian, me një parti fashiste dhe një administratë që merrte urdhra nga Roma. Ministri Jakomoni, u bë luogotenent (mëkëmbës), ndërsa në Ministrinë e Jashtme, Zenone Benini, një nga klani i Çianëve, u emërua Nënsekretar për Punët e Brendshme të shqiptarëve. Organizimi i “delfinit” për të siguruar ndërhyrje totale në “Dukatin e Madh”, u kompletua nga Piero Pariani, një hierark i dorës së parë, i dërguar në Tiranë si “asistent” i Sekretarit të Partisë Fashiste Shqiptare. Më 16 prill, një delegacion shqiptar, solemnisht ia ofroi kurorën Viktor Emanuelit III.
Vërlaci, shkruan Ciano, deklaroi me një lodhje të theksuar “me një zë jo të sigurt dhe pa bindje” në Kuirinale fjalën e rastit. Mbreti dhe Perandori u përgjigjën me “një zë të pasigurt dhe të drithëruar” nën shikimin e një gjiganti prej bronzi, Musolinit”. Akti shkaktoi jehonë të fortë ndërkombëtare, por shumë modeste, jo të krahasueshme, megjithatë, ndaj alarmit të shkaktuar nga aneksimet gjermane. “Në fund të fundit, Italia, duke marrë Shqipërinë, kishte kryer një gjest të krahasueshëm me atë të atyre që rrëmbejnë gruan e vet”, tha dikush. Aspekti thjesht propagandistik i aneksimit, karakteri i tij i zemëruar ndaj një Gjermanie shumë ambicioze, nuk i shpëtonte kancelarive. Pati shenja nervozizmi në shumicën e shteteve të Ballkanit. Në fakt, vetëm vendosja në Shqipëri lejoi që një vit e gjysmë më vonë, Musolini të ndërmerrte fushatën fatkeqe në Greqi. Fuqitë e Mëdha, morën sigurimet e nevojshme, nuk u rrotulluan shumë rreth fatit të një shteti të vogël për të cilin Italia kishte shpenzuar dhe do të vazhdonte të shpenzonte mjaft të holla. Tjetërkund qëndronin preokupimet; Marshimi i papërkulshëm gjerman dhe zgjidhja përfundimtare e çështjes spanjolle.
Komentet