Kritikën e poezisë e bën vetëm poeti.
Lasgush Poradeci.
1.
Kur jam njohur me jetëshkrimin dhe krijimtarinë letrare të juristit Hasan Muzli Selimi kam ndjerë kënaqësi. Kësaj ndjenje frymore po i shtoj detyrimisht rrëfimin tim, për të plotësuar keqardhjen e pasqyrimeve të gjinisë letrare historike dhe mungesës së vështrimeve kritike ndaj gjithë veprës poetike në bashkohësi.
Sinqerisht, u përballa me dypjesën e personalitetit krijues: nga qenia me ligjin – si një udhërrëfyes i arsyes profesionale, tek qenia me ligjësitë e shpirtit human, të cilat e krijojnë kulturën, vetëdijen dhe vetqenien me ngjarje, histori dhe përvoja jetësore, edhe nëpërmjet ligjërimeve me përjetime, mendime, emocione…për mite, lirizëm, dramë, tragjizëm dhe epos kreshnik. Tek shkrimtari, artisti, poeti, ato e zvendësojnë, harrojnë, transformojnë dhe skalisin njera – tjetrën, për t’u kujtuar brezave një sfond të pashmangshëm të fjalës dhe shkrimit.
Gjithmonë, e kam menduar të pranishme nevojën e lidhjes së ekzistencës njerëzore me mitê, legjenda, përralla humaniste, për t’i dhënë njerëzimit reflektime të një kohe të kapërcyer dhe të endur midis vuajtjes dhe lumturisë. Jo vetëm tek përmbledhja poetike “Psherëtimë ëndrrash” – autori ka botuar esè dhe përsiatje filozofike, monografi për diplomacinë, analiza dhe portrete, tregime, studime ballkanike, me dhjetra punime dhe vështrime publicistike, romane, veprimtari kulturore, shkencore e fetare – përballesh me një identitet të plotësuar, mbi rrjedha lirizmi të kulturës letrare së shkruar, ndjenja patriotizmi, veprimtari të paqes dhe progresit, duke i prezantuar funksionet epigonike të natyrës dhe qenies njerëzore në rrafshe historike, filozofike, mistike dhe psikosociale.
Jemi përballë një humanizmi poetik, që i përjashton, i kundështon dhe pranon premtimet keqkuptuese për lindjen, jetën, fatin, vdekjen dhe zbulimin çudibërës të mosqenies midis sistemeve historikë, strukturave mentale, kombinimeve civilizuese dhe formave të shtjelluara të jetës njerëzore. Mbi epistemologji me dije, teologji dhe shkencë, të një paralelizmi klasik të hyjnores me spiritualitetin e qenies, ndesh psikologjinë dhe moralin e nënshtruar, të dëmshëm, të mbrapshtë të një shoqërie ku nuk takon “njerëz”, por djajë, kulçedra, dragoj, ndjellakeqas të jetës, dhunues të shpirtit, mëkatarë…nga ku mirëqenia dhe lumturia e njerëzve mbetet një parrullë për ç’mistifikim dhe në vlerë absolute. Të krijohet postulati, se kundër dëshirës dhe vullnetit të autorit, të gjitha shërbimet e këqija, të ndodhura deri më sot, janë bindje blasfemuese e vetë njeriut.
Në funksion të shtjellimit të kritikës, po e mbyll rrëfimin tim me trishtimin shpirtëror të transformimit të qenies – njeri dhe çdo forme humanizmi në iluzore, absurde, jo etike …deri në lajthitje dhe marrëzi. E kam reduktuar dozën e respektit ndaj qenies, jo për arësye gjuhësore, as për një karakter provokues me lexuesin, por për nevojën e domosdoshme të një formule të re racionaliteti, pragmatizmi dhe ekspertize me arsye dhe logjikë.
2.
Poezia si gjini letrare është e lashtë. Dikur çdo shprehje ishte poezi. Nga “Poetika” e Aristotelit e deri më sot, në ndërthurje stilistike – në rimë, metaforë, hiperbolë, krahasime – arti i fjalës dhe shkrimit i ka rrëmbyer gjuhës cilësitë e saja estetike, për të shprehur përmbajtjen dhe kuptimin e tyre. Në çdo strofë dhe varg, poetët kanë derdhur ndjenjat, përjetimet, emocionet, muzat dhe mbresat e tyre.
Për çdo krijues është e pamundur të mos dergjet në tempullin historik të epopesë, epizmit dhe tragjikomedisë njerëzore. Nga ky rend metrik nuk përbën përjashtim as autori Hasan M. Selimi. Ai endet i trazuar nga lashtësia e Homerit, Hesiodit, Petrarkës, Virgjilit, Aligerit, Shekspirit; gjurmon poetët arabë dhe persianë me Hafizin, Rumin, Sadiun, Kajamin, për të ardhur tek të mëdhenjtë e letërsisë moderne me Bukovskin, Bajronin, Kiplingun, Nerudën, Eseninin, Pushkinin, Gëten…
Si ngjizje e të bukurës dhe të famshmes poetike me Naimin, Asdrenin, Migjenin, Mjedën, Nolin, Çajupin, Kutelin, Poradecin… u jep frymë Fishtës, Camaj, at Vinkos; për t’u dhënë trupëzime Kadaresë, Agollit, Arapit, Podrimjes, Asllanit, Spahiut, Londo…
Realisht, ndryshe nga filozofët, poeti Hasan M. Selimi ka prezantuar metodologji në të kundërt. Në gjithë poetikën shumëplanëshe, ai ka nderur paqësisht dhe i përkorë teatrin mitik, mistik, lirik, epik dhe transhendental të qenies njerëzore me vetveten, duke i shpalosur në fund frymëzimet hyjnore, brengat, mendimet krijuese me energji për jetën.
Kohë më parë, me autorin, në përzgjedhjen poetike “Psherëtimë endrrash” me tetë botimet “Hije dheu” në 2015-të, “Shpirtit i betohem”, “Mitê deri përtej”, “Unë dhe Fjala”, “Hereoglife në muzg”, “Ditën n’Diell e Hanë”, “Endërr e fjetur”, “Kurorë n’qiell” në 2022, kishim rënë dakort për një antologji poetike. Bashkë me parathënien e cilësuar të z. Anton Nik Berisha, kjo qasje analizë e motivon kritikën dhe përbën një shtysë më shumë për vështrime dhe ekspertizë më të detajuar dhe të plotë.
3.
Arsyeja – përse ekziston ligësia, e keqja dhe marrëzia në botë – është edhe pamundësia apo pafuqia e njerëzve për të treguar dhe rrëfyer historitë, bindjet dhe përvojat e tyre. Në këtë aspekt, poeti është sfidues. Edhe në këtë rast, vlerësimi dhe analiza e veprës letrare është një funksion ndërmjetësues midis veprës dhe lexuesit. Në aspekte studimore dhe mbi parime të pranuara të letërsisë dhe artit, qasjet kritike të përzgjedhjes poetike “Psherëtimë endrrash” e plotësojnë përmasën e hulumtimit dhe kërkimit shkencor për vlerat, idetë, mesazhet, qëllimet.
Në kuptimin filozofik është mendja, që “manipulohet” nga historia, përvoja, besimi individual, mjedisi… dhe shpirti i çliruar nga korniza e një bote të brendshme, që për dikë tjetër – botues, redaktor, lexues, kritik – perceptohet në konsiderime dhe cilësime shumëllojëshe. Të shkruash për njerëzit dhe njerëzisht – e bën veprën e selektuar unike, organike, cilësore dhe frymëzuese. Arti i të shprehuarit të gjykimeve – në çdo fund poezie nga poeti – jep ndikim në krijimin e opinioneve për identitetin e gjinisë letrare dhe të vetë autorit.
Real dhe i besueshëm, autori Hasan M. Selimi mbart në thelbin e tij artin e kuptimit të qenies njerëzore dhe krijimtarisë. Me përvoja personale, ai është endur gjatë në një qark hermeneutikë, ku e kuptuara – lexuesi, i jepen njohuri dhe dije të mjaftueshme mbi gjënë për t’u kuptuar – krijimtaria. Mbi koncepte nominaliste, frymore dhe jo frymore të natyrës dhe ekzistencës së qenies, ai ka derdhur dhe formëzuar me përkushtim lëndën themelore të subjektit metafizik. Me vullnet dhe tendencë ka përshkruar me mjeshtëri kategoritë bazë të marrëdhënjeve qenie – ekzistencë, duke krijuar katalogun e gungave jetësore të vetvetes me arketipe, simbole dhe koncepte të ngjashëm, në kuptim dhe përballje me të tjerët. Ai bën pjesë tek qeniet etike, të cilat nuk e kanë të nevojshëm demonstrimin e vetvetes mbi ligje dhe përgjegjësi. Mbi hulli të matura religjioze dhe në nivel të lartë të intelektit polemizues; njohës, hulumtues dhe sqimatar, ai e kërkon me ngulm prezantimin e vetëdijes së identitetit, të shpirtit individual dhe kolektiv.
4.
Mendja dhe shpirti i poetit nuk janë oazè të mbyllura, por zjarre që ndezin dhe mbajnë gjallë trupshpirtin dhe frymën njerëzore. Asgjë nuk mund të krahasohet me ngjyrën e kuqe të Onufrit të madh. Një mjeshtër i portretit dhe i zanafillës së pikturës realiste të peisazhit. Ende edhe sot, mbas katër shekujve, teknikat e përzjerjes së bojrave kanë mbetur mister për piktorët dhe studiuesit e ikonografisë. Kjo analogji i shkon për shtat përzgjedhjes poetike “Psherëtimë ëndrrash”. Ka ndodhur saktësisht pasqyra e esencave të shpirtit. Ngri fjalët, jo zërin. Eshtë shiu që ujit (rrit) lulet, jo bubullima – Rumi.
Mbi një përmbajtje me idê dhe koncepte, autori është i prezantuar në simbolin e dashurisë, gjarpërit dhe endrrës. Mbi njëmijë vargje, në njëqind e shtatëdhjetë e dy poezi, të ndara në shtatë kolona poetike – Frymëmarrje në shtjellë, Përpëlitje të lodhura, Psherëtima endrrash, Mos u ndal në terrin tënd, Fjalës sime pikon heshtja, Zjarri i rrënjëve, Me ty e shuaj edhe diellin – autori ka ndërtuar antologjinë e poezisë me spikatje interesante. Eshtë e dukshme qasja e tij për dashurinë, i ka kënduar shtatë herë – fjala dashuri përmendet vetëm pesëdhjetë herë, ndaj gjarpërit – tri herë dhe endrrës tetë herë – e përsëritur tridhjetë herë. Poezia më e shkurtër me katër vargje është “Kur do të jetë dita e dashurisë” dhe më e gjata me pesëdhjetë e dy vargje “Mallkoj zanën”.
Dashuria është e portretizuar si një gjurmë morale e qenies me pasion, për atë që vjen “papritur” si një energji kinetizmi përfshirës, përtej racionales. Vargjet: Loti ujvarë qerpikëve, puthjen kujtonim me ndrojtje, loti rrëmbyeshëm faqen ia ngriu, janë çaste të shpalosjes së shpirtit lirik. Në gjendje panpsikizmi dhe doza faji, turpi, frike, ai buçet: Lereni të rrjedh në mendjen tuaj, të lulëzojë gazi, hareja/ të derdhen burimet e panjohura e të ndrydhura…
Nga Homeri, Hesiodi, Shekspiri, mbi pikturat e Ticianit, Manfredit, Karavaxhios, Gerardit…është Erosi, që e sjell dashurinë mitike, si një epigoni të jetës së shtrirë në shekuj dhe mijëvjeçarë. I ngjashëm dhe i fshehur, poeti Selimi transmeton me pathos se “pa dashuri nuk ka ekzistencë”. Në gëzim, hidhërim, trishtim, mall dhe pikëllim ai i trupëzon ndjenjat nga natyra tek qenia humane, e largon mërzinë, e çliron fantazinë dhe imagjinatën tek daravitjet e mendimit në modele transhendentale, mentale dhe metafizike.
Eshtë meritë e autorit shtjellimi i figurës mitologjike – zanës. Tek ajo, ai e kërkon zërin magjik të natyrës, të kësaj gjallese çudibërëse, të perceptuar edhe të rrezikshme. Poeti e shpirtëzon dhe trupëzon me shtojzavallet, sirenat, muzat…ndryshe nga qasjet epike – mitike të lashtësisë, përtyp tjetërsimet si shpend, kafshë, gur, pemë – dhe të dëshiruar si fill-fundin e këngës në trojet e tij – e paraqet si flamur. Ai mërmërit: përse oj zanë më bane të mallkoj? Të djegtë rrufeja, qofsh e zezë, u bëfsh qyqe (jo vashë), drita t’u bëftë terr…
E veçantë është vendosja në përzgjedhjen poetike figura e gjarpërit, kjo kafshë mitologjike e ilirëve. I ngjashëm me kultin dionisiak niçean, poeti ruan raportin ontologjik dhe figurativ të legjendave me pasojat shkatërruese dhe nihiliste të frikës nga njeriu; një kozmogoni dhe eskatologji për mbinjeriun, ringjalljen, vullnetin për fuqi, përjetësinë. Jo vetëm si një perceptim në strukturën religjioze, por edhe si totem, kryetar i fisit, simbol i mençurisë, i të keqes, pjellorisë… poeti e percepton edhe si shpirtin e të ikurve, mbrojtës i vatrës së shtëpisë. Ai kërkon të struket tek kërpudha, lulja, bretkosa, rosa e liqenit, në krahun e dallandyshes…të fshihet në mëshirën e një nate të vetme.
Tek endrra, autori shfaqet qysh në fillim lutës: mos ma vrisni endrrën! Duket sikur ka një marrëdhenje intime, personale, ndjesore dhe trishtuese. Ato i “pikojnë si strehët e shtëpisë, ai kërkon ta pi dhe ta zhvesh si të dashurën, për atë endrrat janë hapgjata…” Brenda saj janë ngjeshur dhe tretur mitè, balada, epopè, përralla pafund. Tek endrra autori merr përsipër barrën e provës së identitetit poetik. Ai e shoqëron endrrën me interpretime ndjesore “me mitin, në frè të kalit të bardhë, kam kalue male me vetëtima”; në narracion etik – antropomorfik i jep ngjizje fiziologjike dhe anatomike gjakut, nderit, madhështisë së trojeve të lashta historike “je brinja ime e shtatë, veshka, mushkria ime”. Si një udhëtar në kohë krijon një botë magjike të metamorfozave brenda endrrës rrenacake.
Lodrimi me endrrën është një qasje epistemike me intelekt të lartë, një tendencë për ta rizbuluar identitetin e vlerave letrare me një grup të detajuar dhe preferencial të cilësive më të përmbushura të qenies humane. Jemi në shtratin e një prirjeje epikuriane të kënaqësisë “në pak minuta” me tendencë eudiamonike platoniane përgjatë gjithë jetës. Me vetëdije dhe siguri, autori tenton të reflektojë nga vetja tek lexuesi të pranishmen dhe të besueshmen. Mbi morfema të trazuara në dy dialekte dhe fonema ndjellëse, i ngjishet gjuhës për të ndërtuar hierarkinë e personazheve, karaktereve dhe dëshmon vlefshmërinë e tyr “u plak edhe kjo ditë përvëluar nga kujtimet”. Në ekzistencë të pandashme me kohën, ndjen të njejtin ritëm me reminishenca dhe retrospektiva jetësore.
5.
Thelbi i kritikës është të dish të lexosh dhe t’i bësh të tjerët të lexojnë dhe kuptojnë. Autori të imponon vlerësimin e krijimtarisë letrare dhe poetike, ai sjell modele të reja frymëzimi dhe e provokon sistemin letrar, duke i dhënë veprës përzgjedhje dhe pjesmarrje aktive lexuesit. I prirur ndaj fjalës dhe shkrimit përmbajtësor, brenda rregullave, kufizave, parimeve semantike dhe semiotike, drejt një sinteze pragmatiste, ai i “thyen” me mjeshtëri artistike, stilistikore dhe metrike raportet sasi – cilësi për t’i dhënë veprës vlerën e tezës, kërkimit të gjinisë – si një proces selektimi, në antitezë me llojshmërinë strukturaliste të leksikut, morfemave të gjuhës dhe dukjeve estetike.
Rigoroz në përshkrimin e personazheve mitologjikë, të tematikave plotë larmi, mbi skrupuj social dhe etik, i jep mendimit vlerë të dyfishtë për veten dhe seicilit prej tyre. Autori nuk i ka përjashtuar reflektimet “ndryshe”. Në pjesë të pëlqyeshme – dashuria, endrra, fjala, hëna – demostron me kurajo një lloj glorifikimi. “Si dragua mbi rërë, në litarin tokë – qiell, prushin nxjerrë nga xhepi…” dhe krijon tendencën për vlerësime dhe qëndrime racionale me balanca midis mallit, dëshpërimit, shpresës entuziaste, mohim-pohimit të erosit, unit, egoizmit…”ngritëm pritë në malet e kanunit”.
Në libër janë të renditura modeli i krijimit të vlerave, procesi i formim-edukimit, i ndërvarësive profesionale me eksperiencat përfituese përgjatë jetës. E perceptuar edhe si vlerë e qenies kulturore, ato performojnë identitetin individual dhe përcaktojnë konceptet bazike të individit me shoqërinë. “Numëroj frymëmarrjet/ dridhem/eci në gjurmët e shpirtit/me cilën fjalë ta zvendësojë dashurinë…”.
Holistik dhe entropik, autori kupton përmasën linare, binare dhe korpuskulare të jetës, pranon kategoritë e pjesa – e tëra, mundësia – realiteti, shkak – pajosa dhe i rendit vlerat njerëzore: përulësia – si motivim për të tjerët, përgjegjësia – si marrje përsipër të pasojave të veprimeve, ndershmëria – si nxitje për bashkëpunim, respekti – si liri, barazi dhe klimë komunikimi, mirënjohja – si empati, filantropi, altruizëm, maturia, ndjeshmëria – si vetkontroll dhe mospasje të frikës. Shprehjet “të bëhem dru e t’i shoh se si shpirti do ta perceptojë formën e mosqenies/blegëron bardhoka delè/ thellësia djeg/ kallem(digjem) në dashninë e zemrës/ bora e fundvjeshtës lulet ja ruan pranverës/ është gati njësoj si me vdekë, si me u ba i vdekur…” të krijojnë imagjinatë dhe shtrirje në kohëhapsirën.
Në filozofinë e moralit marrin vlerë mënyra e të menduarit, bota e ideve dhe e vizionit të qëllimeve jetësore; mënyra e jetesës dhe ndikimi tek progresi social i të tjerëve. Ontologjik i materies organike, poeti Hasan M. Selimi ndjen pulsin zemërak të tokës, detit, oqeanit, planetit; ai pranon një botë iluzore dhe absurde në mjedise sureale; “meteorët kryqëzohen si shpatat në betejat e lashta/ delfini dashnor prè e kurtheve të peshkaqenit pa shpirt, zi korb/dashurohu me qenien e padukshme/gdhenda pak në gjethen e lules së vyshkur…”.
6.
Në libër, kemi një “largim” të vetëdijshëm nga tradita letrare. Vargjet poetike, në strofa, rimë dhe figura letrare janë tërësisht një parashtrim disiplinor semantik, semiotik, me kuptim për fjalë, gjëra, sende, fenomene, figura, shenja, duke e dëshmuar të pasuruar leksikun, veçmas dhe në totalitetin gjuhësorë. Si enë komunikuese të shpirtit, ato kanë krijuar universin me arkitekturë të nderur paqësisht, konfliktual, mistik dhe nxitës.
Autori ka zgjedhur strofën me katër vargje (Kur të jetë dita e dashurisë) dhe pesëdhjetë e dy vargje me tetë strofa (Mallkoj zanën). Midis tyre enden një larmi modeli dhe forme. Kundër rregullit të rimës ABAB, ABBA apo AAAB e përsëritur në dy apo më shumë strofa, nuk ka treguar aspak kujdes dhe vëmendje, duke sjellë trajta të reja të harmonisë fonetike dhe vokale. Mjaft elementë të etimologjisë – të shprehura në dy, pesë apo tetë vargje – dhe të pragmatikës, me përdorimin e apostrofit tek nyja shquese e emrit apo mbiemrit, si “t’marrë, n’ta, n’da, ç’ka“, ja rrisin vlerat estetike poezisë. “Qielli im këtu n’da në dy/ I fola endrrës, qiellit, kullës/zemrën çpuem prej grepit (bishtit) të vetullës/tek varret dëgjova zërin e të vdekurve/dritaren e qiellit e shikoja me kanata hapur/ uroj mos t’i dalë ndonjë i vdekur para/me të dekunin s’ke ç’ka flet/ka ecë kali me not në gjak, në këngën (shtrati) time fjeta një natë…”.
Kuptimet semantike të vlerës së vargjeve – si ide, informacion, perceptim – kanë ruajtur kritere të qarta (jo të pastra) me konceptet apo imazhin abstrakt për cilësitë e fjalës, si tek gjarpëri, dragoi, kulçedra. Ai ka synuar të reflektojë paraprakisht mbi kontekstet e drejtpërdrejta e të nënkuptuara – mitet, historia, trojet, legjendat – me kulturën, doket, zakonet, ritet, duke krijuar etnografi dhe etnokulturë përfshirëse – si Homeri, Muji, Feniksi, Rozafa, Gjergj Kastrioti, Bjeshkët e Nëmuna, Gjakova, Kumanova, atdheu, nëna, babai, ylberi… etj.
Spiritual, nominalist dhe me dëshirë për të thënë sa më shumë, autori ndërton me fjalët pika takimi reale dhe virtuale. Dy dialektorë në stil dhe gjuhë, ai i përdor me kujdes krahasimet, sinonimet, metaforat, antonimet deri në hiperbolë. Në homonime me kuptim të ndryshëm e të kundërt, pohues dhe mohues, i zgjedh fjalët plotësuese dhe ruan ritmin e përmbajtjes. “Pas shkëmbit si keci i egër/ i gjallë, i vdekur/i numëroj valëzimet para e pas kthimit/ në hapsirën kozmike, si luftëtarë emër ndryshuar/trup këputur e cunguar, me zemër të përvëluar, krejt të djegur, atje i dogjëm legjendat”.
Përzgjedhja petike “Psherëtimë endrrash” – së bashku me krijimtarinë e plotë të autorit, kujtoj librin me tregime “Tokës i mungon një adresë” v.2022 – demostron aftësi intuitive, mprehtësi interpretuese dhe ndjeshmëri të lartë. Në një unitet stigmatizues të semantikës me sintaksën, me ndërthurjet stilistike dhe narrative, i ka “rrëmbyer” gjuhës shqipe cilësi të shumta estetike, për ta lehtësuar analizën e fjalëve me frymëzim hyjnor, muzë, energji dhe përjetime emocionale mbresëlënëse.
Njera pas tjetrës, poezitë e grupuara në shtatë kapituj, ruajnë ritmin, dinamizmin dhe kuriozitetin e laboratorit të shprehjeve, fjalëve dhe ngjarjeve; ato e përfshijnë tërësinë semiotike të tekstit, në funksion të realizimit të misionit të të shprehurit – me ndjenjë dhe kuptim – të përmbajtjes dhe qëllimit të fjalëve, duke e mbajtur deri në fund në ankth dhe këshëri “të pritshmen” e lexuesit. “Sa i dhashë dorën shpirtit/mirupafshim, shpejtë kthehem/ me krahë e me këmbë drejt detit/veçohem në harresën e motit të djegun (të shkuar)/ të bëhem mal, tokës t’i bëj hije/të kem një gur të qëlloj çdo yll në qiellin tim, / zemra me flakë (në vend të qiriut) ndriçoi mbarë gjithësinë…”.
Në konsideratë të lartë, larg dhe afër identitetit poetik të autorit Hasan M. Selimi, ruaj të drejtën shtjelluese dhe polemizuese të këtij prezantimi analizë dhe kritikë, duke ofruar me vullnet rrugëtime të tjera krijuese, drejt Tempullit të artit, kulturës, letërsisë dhe poezisë shqiptare.
Bashkim Abazi
Studiues, kritik. Tiranë, më 22 Tetor 2023