Të nderuar miq, shokë, kolegë, të afërm dhe familjarë të Vangjelit tonë të dritërueshëm! I veçanti shoku im i vjetër, Alket, nip i Vangjelit zemërbardhë! Të dashur Flori, Arjola e Kalika!
Patëm shpresë, se do ta fitonte këtë betejë të befasishme Vangjeli juaj dhe yni, se Xheka i ka fituar të gjitha betejat në jetë, të parashikuarat dhe të paparashikuarat, por 28 shkurti 2023 u tregua i pamëshirshëm me Uratën e Perëndisë dhe na e rrëmbeu nga duart, sepse si duket i duhej yjeve lart në qiell të ndriçonin më bukur, më fisnikërisht.
Qysh dje herët, ende pa aguar, më besoni se kam qenë me ju, me shpresën se Xheka do ta fitonte luftën, sepse ai nuk e ka njohur kurrë humbjen.
Por, lajmi tronditës deri në pabesueshmëri, fatkeqësisht është i vërtetë. I dritëroftë kujtimi mikut tim të rrallë! Flori e Arjola, kurajë! Në krahë të mamasë suaj të shtrenjtë, të urtës hyjnore Kalika, bëhuni më të fortë, se Xheka u la me ballin lartë e dinjitet. Vangjel Sako është me ne, se la gjurmë e shkroi emër! Juve u iku i dashuri i zemrës suaj, drita e syve, shtylla e shtëpisë, mua më ka ikur një shok që s’e gjej më, se s’më vjen më, i veçanti deri në shkëlqim të ngrohtë në të gjitha virtytet njerëzore. Gazetarisë shqiptare i iku gazetari profesionist dhe i guximshëm, i vërtetë dhe i ditur, miku i dashur deri në paharrim, Vangjel Sako.
Me Arjolën dhe Florin nuk janë vetëm prindërit e tyre krenarë, por edhe Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ku ata u shkolluan si studentë shembullorë me rezultate të shkëlqyera.
Familja e rrënjës së Vangjel Sakos përbëhej nga 2 prindërit, 3 djem dhe 1 vajzë. Sot rron motra Marilda dhe qan si qyqe dhe shqiponjë prindërit dhe vëllezërit. Vangjeli ka lindur në Çiflik të Kuçovës, Berat, më 6 gusht 1959 nga prindërit e mrekullueshëm Lefterì dhe Llambi Sako. Ai ishte vëllai i vogël i Apostolit dhe Agimit, të cilët prehen në dritë të kujtimit të familjarëve të tyre, përkatësisht Agimi para 3 vjetësh dhe Apostoli para një viti, që të tre larguar nga jeta gjatë muajtit shkurt, për t’u shndërruar Trinì e Shkurtit.
Vangjel Sako kreu Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, Tiranë gjatë viteve 1974-1978, ku fitoi aftësi teorike dhe praktike për kuadër ushtarak.
Gjatë viteve 1979-1982 kreu Akademinë Ushtarake, Tiranë (ish-shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve “E. Hoxha”, Tiranë, ku, duke fituar aftësi teorike, praktike dhe kërkimore në fushën ushtarake, në degën Artileri Kundër Ajrore (AKA), u titullua oficer.
Në vitet 1982-1094 punoi oficer në detyra të ndryshme në Divizionin e Kukësit, ndërsa në vitet 1994-1996 punoi oficer me detyra të ndryshme në Divizionin e Fierit. Fillim viti 1996 qe i egër për armatën e ushtarakëve, por Vangjeli nuk ra, diti të ecte, të orientohej, të riformatohej. Mori rrugët e kurbetit për në Belgjikë familjarisht. Por, edhe pse nisi ta ndërtonte mirë jetën në mërgim, atë e digjte malli për Atdheun, sepse kishte dhe ndjente çdo çast një dashuri të vërtetë për vendlindjen. Shpesh më thoshte: “Kurbeti të bën me para për të jetuar normalisht, por s’ka si vendlindja, s’ka si Çifliku, si Vlora, si Fieri, si Tirana, si Shqipëria”. Kujtojmë që qysh nga vitet 1979-2023 ka kryer trajnime të ndryshme edhe në fushën ushtarake, edhe në atë të gazetarisë, brenda dhe jashtë vendit.
Vangjeli ishte njeri korrekt dhe i përgjegjshëm, i aftë të përshtatej dhe të bashkëpunonte në mënyrë të shkëlqyer në grup. Kishte aftësi të mira organizative, dinte të menaxhonte burimet njerëzore dhe materiale në mënyra efikase dhe eficente. Kishte aftësi studiuese, komunikuese dhe marrëdhënie të shkëlqyera sociale dhe profesionale, që dinte t’i krijonte aq bukur me njerëzit. Njihte karakteret e njerëzve dhe futej në botën e tyre, njihte psikologjinë e tyre dhe futej në lëkurën e tyre. ai ishte bamirës dhe ka ndihmuar shumë njerëz në nevojë apo u ka zgjidhur probleme të ndryshme që u dilnin në jetë, në punë, me pushtetin, me politikën etj., sepse ishte trim i fjalës së drejtë. Ai fliste aq me dashuri me një tropojan, me një kuksian, me një skraparlli, me një fierak, me një dibran, me një himariot, me një lab, me një myzeqar, me një shkodran, me një gjirokastrit, me një delvinjot, me një korçar, me një lushnjar, me një kavajas, me një elbasanlli, sikur ta kishte nga Kuçova e tij, nga Çifliku, me zemër të hapur, si vëlla, sikur të hidhte “sirën” me mirësinë e tij humane…
Vangjel Sako i dha fytyrë të re dhe qytetare gazetarisë në Vlorë, Fier e Tiranë.
Ai ka qenë gazetar/ opinionist në gazetën qendrore “Sot”, Tiranë nga viti 2003-2023; po ashtu, në këtë periudhë kohore ka punuar si gazetar/ opinionist në radio “Val’ e Kaltër”, Vlorë; ndërsa në vitet 2005-2018 gazetar, korrespondent i TV Apollon Fier për Vlorën.
Vangjeli qe gazetar i terrenit dhe njeri i ideve vizionare, publicist e polemist i drejtë, korrekt dhe serioz, ndërkohë që humori i tij me spec ishte, sa thumbues aq shërues.
Një ndihmesë të shquar Vangjel Sako ka dhënë si drejtor në Gazeta “Albania Times”, nga dita e themelimit të saj në qytetin bregdetar deri sa gazeta u mbyll dhe fatkeqësisht, sot në Vlorë s’ka asnjë gazetë të botuar, edhe pse kujtojmë që Vlora e viteve 1912-1920 kishte dy gazeta me peshë kombëtare.
Në këtë fjalëlamtumire, nëse më lejoni, dëshiroj të rrëfej diçka tjetër jashtë rutinës së përmotshme, që ka të bëjë me botën e pasur të Vangjelit, që është shumë thelbësore për formimin e tij kulturor, estetik dhe artistik. Vangjel Sako ishte një shkrimtar kërkues, shumë i rreptë ndaj vetes, që ndjente neveri ndaj mburrjeve tullumbaceske. Ai qysh nga vitet 2015 kishte përgatitur një libër me prozë letrare, të cilën ma dorëzoi mua me besim për redaktim dhe libri ishte gati për botim në vitin 2017, por ai nuk e botoi sa qe gjallë, sepse kishte merak, si do të pritej nga lexuesi. “Dua ose të dal, ose mos të dal fare” – mundohej të më bindte, kur këmbëngulja ta botonte librin sepse i përmbushte kriteret e duhura letrare. Libri titullohet “Jeta në pjatancë”, është një vëllim me 20 tregime, të cilit unë i bëra parathënien, ku, ndër të tjera i shkruaj: “Tregimet e Vangjel Sakos vijnë bukur, se janë të vërteta, mbushur me musht nga jeta e gjallë… Proza e shkurtër e autorit Vangjel Sako është një gotëz me ujë të pastër letrar, që freskon Detin e Letrave Shqipe. Nuk kemi të bëjmë me një prurje të vonuar letrare, por me një kujdestar të vëmendshëm të penës, që ka respekt për të bekuarën fjalë. Shkrimtari ka një përvojë shkrimore të pasur, mbi 45 vjeçare. Ka qenë vjeshta e parë e vitit 1975, kur jam njohur me poezitë e fillimit dhe humorin thumbues e shërues të skënderbegasit të lastartë nga Çifliku i Kuçovës, 16 vjeçarit Vangjel Llambi Sako, gati një moshë me mua… Qe këndi letrar “Pushka dhe Pena” i letrarëve të rinj të Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, Tiranë që na njohu dhe miqësia e penës midis nesh ruhet e çiltër, e ndërsjelltë, dashamirëse, frymëzuese, edhe sot. Patjetër dhe në vijim. Ishte janari i vitit 2015 kur Sako më sjell te Biblioteka e Universitetit ku punoj, pesë tregime të printuara. “Do të jap material sot. Shikoji një çikë! – më tha – Vlejnë, s’vlejnë. Aman, mos u nxito! Zëre, se nuk më njeh mua. More vesh? Nuk më njeh mua fare! Pastaj do flasim”. – qeshi bukur dhe iku qetë. I lexova me dëshirë dhe me kushtin që më vuri Xhekja: Do të njihja tregimet. Autorin s’ e njihja … Materiali që më dha plotësonte parametrat e tregimit, si vepër e vogël letrare. E njoha dorën e tij, por më të pjekur letrarisht, tashmë me filozofinë e jetës për të dhënë esencën e saj. Kaloja në mend shkrimet e tij të hershme. Më kujtoheshin e dhe poezitë e tij të lirshme e me pathos, sidomos ato satiriket, që shigjetë godisnin veset e kohës, të cilat i botonte me pseudonimet VLLASAK dhe PIPIRICKA. Gjatë dy vjetëve e më shumë kemi biseduar, jemi këshilluar për disa krasitje publicistike, të cilat, natyrshëm një dorë tjetër mund e duhet t’i bënte. Erdhi çasti dhe libri u plotësua për botim me 20 tregime të situra (rrallë kalojnë 4-5 faqe të printuara A4). Me këtë rast, edhe pse lexuesi vlonjat, fierak, beratas, kukësian apo mbarë shqiptar e ka njohur Sakon nëpërmjet gazetarisë së thukët apo shkrimeve të spikatura publicistike, po u kujtoj miqve të letrave që ai nuk është një penë e re në letërsi, por ka goxha përvojë letrare, me botimet në shtypin e kohës, qendror e lokal. Nuk e quajmë të nevojshme të paraqesim kronograma (detaje kronologjike) të shkrimtarisë së autorit. Ndërkohë, ai ka shumë pretendime ndaj vetes, i druhet penës. E quan hirësi penën. Prandaj leximi përgjatë prozës së tij rrjedh këndshëm, sepse ai tematikën e merr nga realiteti që përjeton vetë dhe di ç’ përzgjedh e si e trajton lëndën. Vangjel Sako e pasqyron realitetin drejtëpërdrejtë, siç e ndjen pa menduar se po bën letërsi. Figuracioni, që i zbukuron lëndën, buis spontanisht nga pena e tij, pa sforco. Sako nuk ka synim të zbukurojë realitetin, nga që nuk do ai t’i bëjë tualet asaj letërsise që prodhon, e do pa buzëkuq atë, të natyrshme, se është më e hijshme. Ai pasqyron letrarisht, nuk gënjen, fshikullon pa mëshirë veset që mbartin njerëzit me pushtet apo të vegjël në plotësim qytetar, jep mesazhe përmirësimi. Mund të vihet re që në tregimet e tij ka edhe përdorim fjalësh të rëndomta a vulgare, por ai nuk i mbyll dot veshët e sytë ndaj përditshmërisë së jetuar dhe “parolaçet” i vë në gojën e personazheve, për t’i përdorur në konteks, për ta përmirësuar shoqërinë qytetarisht. Ai nuk bën letërsi “inkubatori”. Ato që i rrok syri e veshi, po qe se i rezistojnë laboratorit të tij krijues, Sako i hedh në letër pa droje. S’i ka qejf akuariumet, kur ka detin pranë. Dhe ta sjell “Jetën në pjatancë”…
Libri ende nuk është futur në proces botimi, edhe pse kanë kaluar mbi 7 vjet, por mendoj që Arjola e Flori do ta plotësojnë amanetin e babait të tyre, sepse pasionin për letërsinë Vangjeli ia la vajzës. Ishte maturante, kur Arjola na dhuroi një libër simpatik me ese – rrëfime me titullin “Para pasqyrës së dëshirave” dhe kujtoj që i botova një shkrim në një gazetë qendrore në Tiranë me titullin “Një pulëbardhë Vlore mbi detin e estetikës”.
Vlen të përmendim se autorit V. Sako përvoja gazetareske i vjen në ndihmë për krijimin letrar, pa ngatërruar formacionin shkrimor të secilës gjini, sepse, vërtet kanë afri letërsia me gazetarinë, por, tjetër zhanër është proza letrare dhe tjetër publicistika me nëndarjet e saj si publistikë filozofike, sociale apo letrare etj. V. Sako ka kulturë komunikimi, brum letrar dhe realizon vëzhgim deri në detaj për të disaquajturat imtësira të padukshme, të parëndësishme, por autorit i vlejnë për tipizime profilesh të personazheve që prodhon. Në fakt, personazhet e tij, në të shumtën e tregimeve, janë persona realë të letrarizuar, që i përkasin jo më botës së vogël të një reparti ushtarak në Veri apo në Jug, të një shoqërie, vëllazërie, profesioni, lagjeje, ndërmarrjeje, sporti, porti, a një qyteti, por futen natyrshëm në botën e madhe të artit, të letrave.
Profilin profesional, letrar, kulturor e njerëzor të autorit të vlonjatizuar nga Kuçova Vangjel Sako do ta paraqesim me një shprehje të tij: “Duke jetuar pranë detit jam bërë si ai”…
Familja e mrekullueshme e gazetarit, shkrimtarit, ish-majorit dhe shahistit Vangjel Sako ishte dhe është model për shoqërinë tonë; miqësia jonë me të – krenari për ne.
Të nderuar pjesëmarrës! Por nuk e mbajtëm dot Xheken tonë të dashur, na iku si një ëndërr e bukur me ideale të larta.
Vlora humbi gazetarin e TV Apollonit, prandaj unë erdha me bashkëpunëtorin e tij më të afërt në këtë televizion, operatorin e përkushtuar Isuf Lutaj.
O Xheka ynë, vëlla shpirti dhe ideali Vangjel Sako! Fluturofsh në krahët e bardhë të Kujtesës sonë! Qofsh i dritës! Në nderim të kujtimit të tij, ju lutem të mbajmë 1 minutë heshtje! I paharruar!
Fjalëlamtumira në përcjelljen e gazetarit Vangjel Ll. SAKO
Tiranë, Varrezat e Sharrës, Tiranë, 1 Mars 2023, ora 11:00