VOAL

VOAL

Lamtumirë Sadije Agolli

February 27, 2019

Komentet

Kaos në Kuvend, deputetët e PD ndezin flakadanë! Berisha: Sillini hajdutët këtu!

Bardhi: E keni mbyllur Belindën në kasafortë

 

Seanca e kësaj të enjteje është shoqëruar me debate, tensione dhe kaos, pasi deputetët e Partisë Demokratike nuk kanë lejuar zhvillimin normal të punimeve. Kjo pas skandaleve të fundit të Belinda Ballukut dhe zyrtarëve të AKSHI-t.


Në një moment, deputeti i PD, Belind Këlliçi ka ndezur një flakadanë.

Ndërkohë i pranishëm Sali Berisha iu drejtua deputetëve të pranishëm në Kuvend duke i thënë “Sillni hajdutët këtu. Parlament nuk ka pa sjellë Lubinë dhe Agasin”.

Ndërsa Gazment Bardhi, iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi duke i thënë: Niko e ke mbyllur Belindën e kasafortë.

BE-ja i heq masat ndaj Kosovës, vendi pritet të përfitojë miliona euro në fillim të 2026-ës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, fotografohet përkrah presidentit të Këshillit të BE-së, Antonio Costa, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë samtitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, 17 dhjetor.

 

Radio Evropa e Lirë

Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke ia mundësuar vendit të përfitojë miliona euro ndihmë financiare qysh në fillim të vitit 2026, njoftuan zyrtarë nga të dyja palët të mërkurën vonë.

Vendimi vjen pasi u bë kalimi i pushtetit lokal në mënyrë paqësore në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi ishin pikërisht tensionet në këtë pjesë të Kosovës që shtynë bllokun të vendoste masa ndëshkuese ndaj saj verën e vitit 2023.

Ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që njoftoi e para se BE-ja vendosi t’i heqë të gjitha masat deri në fund të janarit, gjatë samitit të bllokut me vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Bruksel.

“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit”, tha Osmani të mërkurën vonë në Facebook.

Osmani, e cila e përfaqësoi Kosovën në samit, shtoi se “rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit”.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi më pas në X se BE-ja po i heq masat pasi kalimi i pushtetit lokal në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale u zhvillua në mënyrë paqësore.

“Falë kësaj, kam kënaqësinë të njoftoj se po ecim përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës”, shkroi ajo.

Ajo shtoi se blloku po planifikon 216 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën dhe se synon që t’ia ndajë asaj 205 milionë euro qysh në fillim të vitit 2026.

BE-ja veçse i kishte hequr gjysmën e masave në fillim të kësaj jave, por nuk ishte e qartë se ato do të hiqeshin plotësisht pas një muaji, pasi thuhej se vende si Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, nuk kishin vullnet për heqjen e të gjitha sanksioneve.

Zyrtarët në Kosovë kanë kërkuar me këmbëngulësi vazhdimisht nga BE-ja t’u japë fund masave ndëshkuese, të cilat i shkaktuan vendit dëme në vlera milionëshe.

Ata argumentonin se gjendja në veri ishte shtensionuar tashmë pas zvogëlimit të pranisë së Policisë në ndërtesat komunale, pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e sivjetshme dhe kalimi i pushtetit tek serbët lokalë në mënyrë paqësore.

Këto masa ndëshkuese i kishin kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht, sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP.

Sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin, me 350 milionë euro, energjinë me 114 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro, dhe kulturën me 15 milionë euro.

Prej këtyre fondeve, rreth 218 milionë euro kanë qenë për projekte në kuadër të Instrumentit para-anëtarësimit (IPA II dhe IPA III), dhe rreth 395 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës për Investime të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Protestat e opozitës – Berisha: Edi Rama i ka orët e numëruara

 Forcë në botë që ta shpëtojë nga PD dhe opozita shqiptare nuk ka

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ka deklaruar se Edi Rama i ka ‘kohërat e numëruara’ dhe se nuk ekziston asnjë forcë, brenda apo jashtë vendit, që mund ta shpëtojë atë nga përballja me opozitën shqiptare.

Në fjalën drejtuar anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Berisha e përshkroi situatën si të rrezikshme, por njëkohësisht vendimtare, duke bërë thirrje për një mobilizim të përgjithshëm qytetar dhe opozitar, për protesta të qëndrueshme dhe rezistencë në të gjitha format.

Sipas tij, me synimin e vetëm rrëzimin e regjimit dhe rikthimin e Kushtetutës, ligjit dhe të drejtës së votës së lirë për shqiptarët.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Miqtë e mi, të gjitha këto na faktojnë se në çfarë situate jemi, sa e rrezikshme është, duhet ta pranojmë, është e rrezikshme situata, por për të gjithë ata idealistë, ata guximtarë, që duan të kontribuojnë për veten, fëmijët, të ardhmen e tyre, ka vetëm një rrugë, përballja gjer në fitore me këtë kalbësirë, të aftë të kryejë çdo krim.

Të aftë të marrë çdo vendim.

Të aftë të bëjë gjithçka për të mbijetuar.

Ndaj dhe të nderuar anëtare dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar.

Në qoftë se ndonjëherë ka qenë ora e thirrjes për ne, kjo është ora e thirrjes për çdo idealist, për çdo atdhetar, për çdo shqiptar.

U tejkalua çdo lloj vije, çdo lloj standardi.

Ish-koordinatori për banda i Edi Ramës, merr peng për t’i hapur rrugën kunatit të familjes.

Nuk shkohet më tutje, do qëndrojmë tek këto.

Se ju kudo që shkoni, këta nuk bëjnë gjë tjetër veçse vjedhin pasuritë e qytetarëve.

Ndaj dhe thirrja ime është të spostohemi në një orbitë të re.

Po, kërkohet të operojmë në një orbitë të re.

Dhe kjo është orbita e përballjes me këtë regjim.

Është thirrje për çdo njërin prej nesh për guxim, për kreativitet, për të gjitha format e rezistencës dhe lëvizjes, dhe u garantoj se në mënyrën më të pashmangshme, fitorja është e PD, fitorja është e opozitës, fitorja është e shqiptarëve.

Asgjë nuk do na ndalë ne pa rikthyer Kushtetutën, ligjin, të drejtat e shqiptarëve për votën e lirë dhe ndëshkuar këtë organizatë kriminale, të papërmbajtur në vjedhjen e shqiptarëve.

Ju e morët vesh, na thoni tani këtu, prokuroria dërgon në parlament kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubisë.

Prisni. Prokuroria ka dërguar me qindra dokumente, ligji dhe vetë prokurori, ato ua adreson si kryetarit dhe çdo deputeti të parlamentit.

Edi Rama urdhëron Niko Peleshin dhe ai i ndryn në kasafortë, fillimisht i mashtron, u thotë përfaqësuesve tanë se e ka kërkuar prokurori. Sigurisht se ato janë sekret, por nuk mund të jenë kurrë për anëtarët e Këshillit të Mandateve.

Po pse janë sekret?

Se aty del Rama.

Se aty del Rama me të gjithë porositë e tij.

Se ata kaluan nga tuneli i Llogarasë, tek lotet.

Tek lotet është Rama me mesazhet.

Plus që janë filmime të tjera, fjalë të tjera.

Ju e shihni se ata janë një grup llumi, që vetëm zyrtarë nuk mund të quhen ata.

Dhe tani kërkojnë t’i fshehin.

Na thoni ju, çfarë duhet të bëjmë ne?

Si mund t’u mbahet deputetëve dokumentet, vetëm e vetëm se Edi Rama është i zhytur gjer në veshë.

Kështu që jemi pra… shikoni çfarë akti provokativ. Rrezikohet të mos na japin dokumentet.

Duan t’i mbajnë duke fshehur vjedhjet.

Duan t’i mbajnë duke fshehur krimin.

Atëherë është populli, janë qytetarët që duhet të flasin.

Ose të shtrijmë qafën, po jo kurrë nuk e bëjmë atë.

Ndaj, të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar, këto ditë që kanë mbetur, jeni të lutur, u kërkoj të angazhoheni në takime intensive me qytetarët.

Është koha e guximtarëve, mos e harroni këtë.

Dhe çdonjëri që thotë se si t’ia bëjmë se ky nuk po më vjen, i them në radhë të parë hajde ti vetë, jep shembull personal, ai që nuk vjen, lëre mënjanë, shko gjej tjetrin që vjen.

Është koha e guximtarëve.

Mos harroni se kjo qeveria nuk u reziston kurrë 3 mijë apo 5 mijë burrave dhe grave, djemve që vendosin të zënë sheshin para kryeministrit dhe të mos e lëshojnë atë gjer sa të ikë ky.

Ata që i rrëzuan, i kanë rrëzuar autokratët, por i kanë rrëzuar me protesta të qëndrueshme.

Tani, kemi bërë çdo gjë, nuk ka qenë e lehtë, ka qenë shumë e vështirë. Imagjinoni ju lobingjet e Mogherinave kundër nesh, imagjinoni ju se çfarë efekti kanë patur.

Por një mirënjohje të pakufishme ndaj partive simotra, të cilat e kuptuan se qëndrimi ndaj PD ishte i pabazuar dhe nga tetori i vitit 2024, gjer më 5 dhjetor, kanë miratuar 7 rezoluta në mbështetjen tonë.

Natyrisht janë mbështetje e fuqishme, por ato janë letër në qoftë se ne nuk ngrihemi.

Agjenda jonë duhet të jetë protestë, protestë dhe vetëm protestë.

Në të gjitha format.

Kudo. Brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Degët tona, kudo që janë, do të angazhohen në protesta të fuqishme kundër këtij regjimi, pranë organizatave ndërkombëtare.

Protesta të fuqishme kundër kleptokracisë dhe narkoshtetit shqiptar.

Edi Rama i ka kohërat e numëruara.

Forcë në botë që ta shpëtojë nga PD dhe opozita shqiptare nuk ka

Milionat e AKSHI-t/ Si ‘u eleminua’ Geron Meçe nga ortakëria me baxhanakun! Dinamika e pengmarrjes

SPAK sot deklaron se biznesmeni Gerond Meçe është marrë peng, për shkak se u fut në garë, duke prishur përllogaritjet për paracaktimin e tenderave.

Por Gerond Meçe rezulton se ishte një prestanome për llogari të Armand Frangut, baxhanakut të kryeministrit të vendit. Madje, kompanitë e hapura nga ai dhe Armand Frangu kanë lënë gjurmë të mjaftueshme se ku kanë përfunduar të paktën 53 milionë euro e mbi 800 transaksione të AKSHI-t në favor të kompanive të tyre.

Armand Frangu, baxhanaku i kryeministrit Edi Rama, sipas të dhënave të siguruara nga QKB, rezulton aksioner në 2 kompani, B360 e bashkëthemeluar me Gerond Meçe dhe SIRMA, e themeluar në vitin 2017 me ortak kompaninë SIRMA Inc, ku Armand Frangu ka në zotërim 45% të aksioneve. Të dyja këto kompani kanë si objekt shërbimet IT.

Emisioni PLUG analizoi të dhënat e këtyre kompanive dhe punonjësit e tyre, ku gjenden edhe gjurmët e para të lidhjeve të kompanive të Gerond Meçes dhe Armand Frangut, për të faktuar më pas nëse Frangu ka përfituar para publike nëpërmjet ABS.

Për këtë na vjen në ndihmë profili në LinkedIn i punonjëses Gloria Avramushi.

Gloria Avramushi ka përfunduar studimet bachelor në vitin 2017 dhe menjëherë ka filluar punë pranë kompanisë SIRMA, ku aksioner është Armand Frangu.

Në LinkedIn, zonjusha Avramushi detajon disa nga projektet që ajo ka pasur ndër vite si punonjëse, ndër të cilat:

Një projekt është ai i “Certificates of Professional Competence” nga Drejtoria e Transportit Rrugor. Sipas LinkedIn, SIRMA ka ndërtuar sistemin software për lejet e drejtimit. Ky projekt është zbatuar në periudhën shkurt 2019 – mars 2020. Nga të dhënat e mbledhura, rezulton se pikërisht kompania ABS ka fituar tenderin e zhvilluar nga AKSHI në vitin 2018: tenderi “Plotësimi i sistemeve të lejedrejtimit” me vlerë 187 milionë lekë.

“Time Attendance”, po nga AKSHI, është një tjetër projekt i zhvilluar në periudhën tetor 2018 – prill 2019.

“Document Management System (Save the Children Albania)” është një tjetër projekt i fituar në dhjetor të vitit 2017. Ky projekt për këdo nuk do të përbënte interes pasi është një marrëdhënie midis subjekteve private, por për PLUG do të ishte një tjetër lidhje mes Armand Frangut dhe Gerond Meçes.

Deri tani shihet qartë se Armand Frangu ka përfituar fonde publike përmes ish-ortakut Gerond Meçe. Kjo lidhje është faktuar edhe më parë midis kompanive ABS dhe B360, ku sipas bilanceve marrin dhe japin shërbime njëra-tjetrës që nga themelimi. Nuk dihet nëse kjo është një marrëdhënie miqsh apo komshinjsh, pasi të ekspozuar përballë konfliktit të interesit, shkresërisht rezultojnë me biznese të ndara.

Një tjetër lidhje e fortë mes bizneseve të Armand Frangut dhe Gerond Meçes është edhe vendndodhja e bizneseve. Edhe pse të ndarë në letra, bizneset që i lidhin ata mes tyre janë në të njëjtën adresë. Kompanitë e Frangut dhe Meçes, në periudha të ndryshme, kanë deklaruar të njëjtën adresë: Njësia Bashkiake nr. 2, Rruga “Papa Gjon Pali II”, Pallati 11, por në apartamente të ndara.

Më 29 prill 2015, kompania Advanced Business Solutions, e njohur shkurt si “ABS”, shtoi adresën Rruga “Papa Gjon Pali II”, Shkalla 1, Kati i 5-të, Apartamenti 13. Kjo adresë ka qenë funksionale deri më 8 qershor 2022.

Më 4 dhjetor 2012, kompania B360 vendosi adresën: Rruga “Papa Gjon Pali II”, Pallati 11/1, Apartamenti 11. Kjo adresë ka qenë përdorur deri më 27 prill 2017.

Kompania Artificial Intelligence Business Solutions, shkurt AIBS, ka pasur si adresë të themelimit rrugën “Papa Gjon Pali II”, Pallati 11/1, Hyrja 1, Apartamenti 19, në Tiranë.

Kompania SIRMA, e themeluar në vitin 2017, ka pasur si adresë fillestare Rrugën “Papa Gjon Pali II”, Pallati 11, Apartamenti 11, në Tiranë.

Sipas disa të dhënave që emisioni PLUG mundi të mblidhte në kaq pak kohë, rezulton se në vitin 2016 lidhet kontrata me objekt “Rritja e sigurisë fizike dhe digjitale në shkollat e arsimit të mesëm, ndërtimi i platformës multidimensionale të komunikimit”.

Autoriteti kontraktues: AKSHI.

Ofrues i shërbimit: bashkimi i operatorëve FIRST, ABS dhe INFOSOFT.

Vlera e kontratës: mbi 4 milionë dollarë me TVSH.

Gjatë investigimit të kësaj kontrate, PLUG konstatoi një shkelje sa skandaloze aq edhe korruptive.

Në nenin 38.2 të kontratës “Personat e autorizuar për ndjekjen e kontratës” listohen punonjësit e ngarkuar për të ndjekur ecurinë si për palën AKSHI ashtu edhe për palën ABS. Për AKSHI, e dyta në listë është shtetasja Ermonela Kajo.

PLUG investigoi më tej dhe mundi të siguronte një dokument të AKSHI-t ku zonja Ermonela Denaj (Kajo) rezulton të jetë jo specialiste, jo shefe sektori, por Drejtore e Drejtorisë së Sistemeve e-Gov.

Veç pozicionit drejtues pranë AKSHI-t, Ermonela Denaj-Kajo rezulton të jetë edhe kunata e Gerond Meçes, përfituesit më të madh të tenderave të këtij institucioni.

Nga të dhënat e siguruara në gjendjen civile rezulton se Gerond Meçe është i martuar me shtetasen Elinda Meçe (Kajo). Kjo e fundit, prej vitit 2020, mban detyrën e dekanes së Universitetit Politeknik të Tiranës. Bashkëshortja e Gerondit ka tre motra, një ndër to është dhe shtetasja, drejtoreshë në AKSHI, zonja Ermonela Denaj (Kajo).

Shihet qartë që miqësia apo komshillëku në biznes i Gerond Meçes me Armand Frangun krijon mjaft lehtësira, duke të emëruar kunatën drejtoreshë në AKSHI dhe më pas duke të dhënë miliona euro tendera, të cilat i kontrollon po kunata drejtoreshë.

Në nenin 6 të kontratës, të firmosur mes AKSHI-t dhe bashkimit të operatorëve, përcaktohen Praktikat Korruptive, Konflikti i Interesit dhe Kontrolli i Procesverbaleve. Sipas këtij neni dhe nenit 26 të Ligjit të Prokurimit Publik, do të duhej minimalisht të deklarohej konflikti i interesit midis pronarit të kompanisë ABS, Gerond Meçe, dhe Drejtoreshës Ermonela Denaj-Kajo, e cila duhet të monitoronte zbatimin e kontratës nga kunati i saj.

Nuk dihet nëse Ermonela Kajo është emëruar aty me ndikimin e Armand Frangut për të arritur aty ku thotë edhe Ahmetaj, që në institucionin e AKSHI-t për çdo tender vendos ai.

Kjo do të duhet të hetohet nga SPAK, por një gjë është e sigurt: kontratat e kompanisë ABS janë në konflikt të pastër interesi, ndërsa emisioni Plug do t’i drejtohet zyrtarisht me kërkesë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për procedurat tenderuese të kompanive ABS dhe FIRST.

Për të faktuar lidhjen mes shtetasit Gerond Meçe dhe Armand Frangu, i rikthehemi edhe njëherë projekteve të detajuara në LinkedIn të punonjëses së kompanisë SIRMA, Gloria Avramushi. Për periudhën dhjetor 2017–2019, kompania SIRMA ka zhvilluar sisteme për organizatën jofitimprurëse “Save the Children Albania”.

Shefe finance në këtë OJF është shtetasja Erka Meçe, bashkëshortja e shtetasit Elvis Meçe dhe kunatë e shtetasit Gerond Meçe.

Kjo do të ishte një rastësi e madhe, por dyshimet shtohen pasi kompania SIRMA kishte vetëm pak muaj që ishte themeluar dhe me zero eksperiencë në tregun vendas, ndërsa “Save the Children Albania” është një OJF e themeluar prej vitit 1999 dhe me një eksperiencë të gjatë.

Adresa të njëjta, bashkëpunim, i njëjti staf dhe familjarë në institucionet shtetërore që u japin tendera janë të dhëna që forcojnë dyshimet se kjo nuk është thjesht një rastësi, por i takon SPAK-ut të zbardhë këto lidhje, që vetëm nga investigimi i drejtoreshës së AKSHI-t, Ermonela Denaj-Kajo, faktohet abuzimi me tenderat e fituara nga këto kompani që në total përllogariten në 53 milionë euro.

Emisioni PLUG investigoi edhe akuzën e ish-numrit dy të qeverisë për ngritjen e një zinxhiri kompanish që synimin e vetëm kanë pasur justifikimin e shpenzimeve për milionat e marra nga AKSHI. Kompania AIBS është themeluar në shkurt të vitit 2020 me ortak të vetëm shtetasin Gerond Meçe. Sipas të dhënave të bilanceve të deklaruara në QKB, që në momentin e themelimit AIBS deklaron një xhiro prej 177 milionë lekësh dhe 171 milionë lekë fitim. Në vitin 2021 xhiroja deklarohet rreth 198 milionë lekë dhe 177 milionë lekë fitim. Në vitin 2022 xhiroja rritet në 311 milionë lekë, nga të cilat 301 milionë deklarohen fitim, dhe në vitin 2023 xhiroja është 262 milionë lekë me 185 milionë lekë fitim.

Xhiro e kompanisë AIBS

Viti | Xhiro | Fitim

2020 | 177.621.000 | 171.126.000

2021 | 197.965.000 | 177.014.000

2022 | 311.253.000 | 301.528.000

2023 | 262.722.000 | 185.468.000

Total | 949.561.000 | 835.136.000

Pra, e thënë më qartë për publikun, Gerond Meçe fiton tendera publikë në vlerën 53 milionë euro me kompaninë ABS. Më pas, rreth 10 milionë euro nga këto para ia faturon sërish vetes te kompania AIBS. Meqë kjo kompani nuk ka çfarë shpenzimesh reale të deklarojë për punimet fiktive, raporton në Tatime dhe QKB një normë fitimi prej 80 për qind, duke e bërë kompani unike në treg sa i përket fitimit të lartë.

Dyshimi që ky xhirim dhe fitim prej 10 milionë eurosh është totalisht fiktiv ngrihet edhe nga punonjësit e të dy kompanive, të cilët rezultojnë të jenë të njëjtët. Gerond Meçe është pronari dhe i punësuar si te AIBS ashtu edhe te ABS. Elinda Meçe (gruaja e pronarit) rezulton e punësuar në tre pozicione: AIBS, ABS dhe dekane universiteti. Elvis Meçe (vëllai i pronarit) është i punësuar si te AIBS ashtu edhe te ABS. E njëjta skemë punësimi është përdorur edhe për punonjësit Iva Tarelli, Aneta Deliu, Vanjela Pine, Ibrahim Smoqi, Jorgjis Sollaku, Hariet Bani dhe Miltiadh Dine.

Pra, i njëjti pronar themelon dy kompani: me njërën fiton tenderat e AKSHI-t me çmime shumë të larta dhe, për të rritur shpenzimet, themelon kompaninë e dytë me të cilën rrit shpenzimet fiktivisht me rreth 10 milionë euro. Për ta bërë sa më të besueshme skemën, regjistron 10 punonjës që në fakt punojnë te kompania kryesore që merr tenderat.

SPAK hyri në kopshtin privat të Edi Ramës, te AKSHI. Por mbetet për t’u parë nëse prokurorët do të kenë guximin t’u tregojnë shqiptarëve se kush janë përfituesit faktikë të miliona eurove nga tenderat e AKSHI-t, apo do të mbetet gjithçka te biznesmenët prestanome. E për këtë me vlerë është edhe audio-përgjimi, ku sipas atyre që e kanë dëgjuar, Gerond Meçe deklaron se çdo tender në këtë institucion paracaktohet nga Linda Rama, apo nëse do të arrijnë të garantojnë dëshmitarë si Daniel Shima për të zbardhur deri në fund aferat korruptive të kopshtit privat të Edi Ramës.

/Emisioni PLUG

Popullsia e Shqipërisë po tkurret, më 2025 ra me ritmet më të larta në rajon! Ndikimi i emigracionit dhe rënies së lindshmërisë

Popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme shumë më të larta gati dy deri tre herë më shumë se në vendet e tjera të Rajonit sipas të dhënave të azhurnuara nga Eurostat për popullsinë e vendeve kandidate.

 

Në vitin 2025 popullsia zyrtare Shqipërisë ishte 2,363,314 banorë me një tkurrje prej rreth 27,628 personash brenda një viti, ndërsa në terma relativë rënia ishte –1.2%, norma më e lartë në rajon.

Sipas të dhënave të Eurostat në tabelën e mëposhtme rënia e popullsisë së Bosnjë-Hercegovinës është –0.3%, ajo e Maqedonisë së Veriut –0.2%, e Serbisë -0.6% dhe Mali i Zi me -0.1%.

Në 4 vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor popullsia ra mesatarisht me 0.3 %, ndërsa në Shqipëri gati 4 herë më shumë, me 1.1%.

Diferenca tregon se fenomenet demografike, veçanërisht emigracioni i vazhdueshëm dhe ulja e lindshmërisë, po ndikojnë vendin tonë më shumë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor me statusin kandidat për tu anëtarësuar në BE.

Në vitet e fundit rënia e popullsisë është përshpejtuar për shkak të tkurrjes së të rinjve që po ulin me shpejtësi lindjet nga viti në vit.

Tkurrja e fortë në grup-moshën deri 30 vjeç po vjen kryesisht si pasojë e emigracionit të lartë që vazhdon të jetë ndër më të lartët në Europë. Shqiptarët, veçanërisht të rinjtë dhe profesionistët, largohen për paga më të larta, kushte më të mira pune dhe mundësi më të qëndrueshme karriere në vendet e BE-së. Kjo tendencë është rritur pas liberalizimit të tregut europian të punës dhe skemave të rekrutimit të vendeve si Gjermania, që kanë kërkesa të mëdha për fuqi punëtore.

Të dhënat e brendshme tregojnë se popullsia nga 15-29 vjeç që përfaqëson grupin e të rinj aktiv në emigrim u tkurr me 45 për qind ndërmjet 2011 dhe 2025.

Gjithashtu Shqipëria ka nivelin më të ulët të lindjeve në historinë e saj të tranzicionit me një normë fertiliteti rreth 1.2 fëmijë për grua në moshë lindje, shumë poshtë nivelit e zëvendësimit dhe nga më të ulëtat në Europë. Shumë çifte të reja shtyjnë krijimin e familjes për shkak të pasigurisë ekonomike, kostove të larta të rritjes së fëmijëve dhe emigrimit të partnerëve.

Në dekadën në vijim numri i vdekjeve pritet të jetë më i lartë se ai i lindjeve dhe do krijojë deficit natyror që vetëm do të thellohet nëse nuk merren masa frenuese./ Monitor

Adriatik Lapaj – dita e 10-të – Republika e vjedhjeve duhet shëmbur – Të shtunën masivisht në shesh në orën 12:00! Çdo ditë në shesh në orën 18:00!

Dita e dhjetë!

Adriatik Lapaj – Republika e vjedhjeve qe duhet shembur

Të shtunën masivisht në shesh në orën 12:00! Çdo ditë në shesh në orën 18:00!

Vjedhja e mineraleve të Shqipërisë – vjedhje drastike 1.6 milione ton bakër në tre vjet.

Kjo është një betejë për të shembur një sistem korruptiv.

Vendi i dytë në botë pvr sasinë e ujit, nuk kemi ujë në shtëpitë tona.

Regjimi më hajdut në botë, ai i Edi Ramës!

Kjo është një betejë për të ndërtuar një Republikë të drejtë e normale!

Hapet ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër

Radio Evropa e Lirë

Është hapur për qarkullimin e këmbësorëve ura e re mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Ura e re u përurua nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, dhe kreu i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.

Kurti tha se me hapjen e kësaj ure për këmbësorë, “rritet qarkullimi dhe të ketë sa më shumë mobilitet në Mirovicë, në këtë qytet kaq të rëndësishëm për Republikën tonë”.

Sipas Kurtit, ky ndërtim paraqet “zhvillim dhe progres.

Kurti tha se ura mbi Ibër nuk ka përkatësi etnike dhe se ajo lidh pjesën jugore dhe veriore të Mitrovicës.

“Ne jemi këtu për t’i bashkuar njerëzit, që të ketë tregti, bashkëpunim ekonomik, bashkëpunim kulturor… Kjo urë nuk është kundër askujt, kjo urë është për të gjithë. Ura është për këmbësorë, jo për automjete, por për njerëzit që lëvizin në këmbë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, hapja e kësaj ure përkon me nisjen e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit nuk arriti të sigurojë shumicën në parlament për formimin e një ekzekutivi të ri pas zgjedhjeve të rregullta që u mbajtën në shkurt.

Ndërkaq, Durmishi kujtoi se më 26 gusht ishte hapur për qarkullim një urë tjetër mbi Ibër, dedikuar për automjete.

“Sot po e shënojmë hapjen e një vepre hidraulike dhe artisitike, jo vetëm thjesht një urë për këmbësorë por një vepër arti”, tha Durmishi.

Ndërtimi i kësaj ure u bë pas një memorandumi mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.

Ndërtimi i këtyre dy urave, krahas urës kryesore mbi Ibër, u bë pavarësisht kundërshtimeve nga serbët lokalë dhe reagimeve të bashkësisë ndërkombëtare.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë vazhdimisht se ndërtimi i këtyre urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete – ka për qëllim t’i lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta.

Ekzekutivi kishte ndarë rreth 3 milionë euro për ndërtimin e tyre.

Ndërtimi i urave u kundërshtua edhe nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit, e cili ngriti dhe një peticionin kundër tyre, që mori mbi 3.500 nënshkrime.

Bashkimi Evropian ka thënë më herët se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë “ka rëndësi praktike dhe politike”, dhe se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira.

“Është e domosdoshme që këto projekte të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale”, ka thënë BE-ja më herët për Radion Evropa e Lirë.

Urat e reja janë ndërtuar pranë urës kryesore mbi Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kjo urë është e njohur për përplasjet etnike pas luftës dhe për këtë arsye është nën mbikëqyrjen e forcave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ura kryesore është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj për komunikacion në korrik të vitit të kaluar, gjë që pati shkaktuar tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar që ura të hapej për qarkullim në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

Ishte paraparë revitalizimi i urës dhe largimi i të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.

Në vitin 2016 u arrit marrëveshje për një plan të ri zbatimi, për të tejkaluar mosmarrëveshjet rreth interpretimeve të marrëveshjeve të mëparshme. Sipas këtij plani, ura duhej të hapej për komunikacion në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizim përfunduan në qershor të vitit 2018, ndërsa ura – në të cilën janë investuar 1.5 milionë euro – nuk është hapur kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë.

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut! Shehaj thërret protestë të premten, në orën që Kuvendi shqyrton imunitetin e zv/kryeministres

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në protestë të premten, në orën 10:30, përballë Kuvendit të Shqipërisë, në momentin kur mblidhet Këshilli i Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Me një video reagim në rrjetet sociale, Shehaj fton të gjithë qytetarët të marrin pjesë në protestë.

Whatsapp Image 2025 12 17 At 17.45.57

“Protesta! Protesta! Protesta! Në çdo postim marr me qindra komente ku me thoni: “Duhet të organizojmë protesta”.

Të premten në orën 10:30, mblidhet Këshilli i mandateve, do vendosin të shpëtojnë Belinda Ballukun. Aty do të organizojmë protestën dhe do të kërkojmë që të dorëzojnë Belinda Ballukun. Belinda Balluku duhet të arrestohet ashtu siç kërkon SPAK-u dhe siç ka vendosur Gjykata. Mjaft e mbrojtët!”

 

Ju presim të gjithëve! Të premten në 10:30, përballë Kuvendit të Shqipërisë. Ne do të jemi aty. Apo jo? Dorëzoni Belindën!” – deklaron Agron Shehaj. bw

Kosova nënshkruan ujdi për blerjen e sistemeve të artilerisë HUMVEE Hawkeye nga prodhuesi amerikan

Sistemi i artilerisë së lëvizshme, HUMVEE Hawkeye 105mm, gjatë një ushtrimi.

 

Radio Evropa e Lirë

Kosova ka nënshkruar marrëveshje me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake, AM General, për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme, HUMVEE Hawkeye 105mm, njoftoi të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Në një shkrim në Facebook, Maqedonci theksoi se “me këtë blerje, ushtria jonë po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta”.

Ai e vlerësoi marrëveshjen si hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe për ndërtimin e një ushtrie moderne, të aftë, të gatshme dhe ndërvepruese me aleatët strategjikë të vendit.

Prodhuesi amerikan tha në një njoftim në uebsajtin e vet se Kosova pritet t’i pranojë sistemet e para brenda dy vjetëve të ardhshme.

Përveç sistemeve së artilerisë lëvizëse HUMAVEE Hawkeye, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të pajiset gjithashtu me ambulanca, kamionë komandimi dhe kontrolli, si dhe kamionë të tjerë mbështetës, të cilët mundësojnë funksionimin e një baterie të plotë artilerie dhe vendosjen e kapaciteteve të qitjes indirekte, sipas kontratës trivjeçare.

“Jemi krenarë të njoftojmë shitjen e suksesshme të HUMVEE Hawkeye Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, një dëshmi e përkushtimit tonë për të ofruar zgjidhje të avancuara për nevojat moderne ushtarake”, tha John Chadbourne, zëvendëspresident ekzekutiv për Zhvillim Biznesi në AM General.

HUMVEE Hawkeye është i pajisur me teknologjinë Soft Recoil, e cila mundëson integrimin e një topi 105 mm mbi platformën e fortë dhe të dëshmuar në fushëbetejë HUMVEE. Kjo lejon vendosjen, qitjen dhe zhvendosjen e sistemit në më pak se 90 sekonda, duke rritur mbijetesën ndaj zjarrit kundërbaterik krahasuar me sistemet e tërhequra tradicionale.

Vitet e fundit Kosova e ka përshpejtuar armatosjen, duke blerë armë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara edhe nga Turqia, përfshirë raketa dhe dronë.

Kjo nuk është hera e parë që ajo nënshkruan kontratë me AM General, pasi më 2018, në Kosovë mbërritën 51 automjete ushtarake amerikane, të tipit Humvee.

Kosova është në proces të shndërrimit të FSK-së në ushtri. Përpjekja nisi më 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi shndërrimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila ngul këmbë që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile

Kosova po ashtu synon që së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë të bëjnë blerje të përbashkëta të armëve amerikane.

Viteve të fundit, Qeveria ka rritur buxhetin për sektorin e mbrojtjes dhe këtë vit buxheti për këtë sektor është 207.8 milionë euro.

UGSHPD: “RETORIZËM POLITIK-RAMA MASHTRON VETEN DHE BE-Në (27 Maj, 2024 – SPAK është ilaçi i hidhur që o e pi, o vdes…)

Korrupsioni renditet në krye të fjalëve më të përdorshme çdo vit për shqiptarët. Ndërsa Retorizmi Politik i Ramës është po ai mjet që nga viti në vit po tregon dëgjuesve shqiptarë dhe ndërkombëtarë se fjalët e tij të “përzgjedhura” nuk kanë mundur të dalin nga kreu sepse përmbajtja e tyre jo vetëm që ngre korrupsionin si fjalë, por atij i ka dhënë përmbajtjen numerike dhe kuptimin në shifrën 83.

83 kartonë (deputetë), në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të mjaftueshme që Shqipëria të humbasë pluralizmin dhe demokracinë.

Pra 83 kartonë aq sa i duhen për t’i mbushur mendjen vetes dhe të tjerëve, ky vullnet ka dalë nga zgjedhjet e 11 Majit, 2025.

Në qoftë se duam të kuptojmë pasojat e sotme se kryeministri Rama gjatë tre mandateve ka shpenzuar gjithshka për të shkatërruar e shuar zërin e opozitës dhe për të zëvendësuar konceptin e  korrupsionit me mirëqeverisje dhe pushtet personal të pakufishëm, këtë ne na e tregon Retorizmi Politik i tij. Ai shpreh sot thellësisht thelbin e përmbajtjes së vërtetë të elitës së rilindësve socialistë që përpara se të jenë një parti politike (PS) dalin nga gara me votën e zgjedhësve për të qeverisur vendin, ata janë shndërruar në një organizatë përfituese e mirëstrukturuar që përmes parave të shtetit, taksave dhe përdorimit të çdo burimi të pasurive kombëtare (natyrore, demografike, kulturore dhe të traditës).

Por nuk do të duhej më shumë se sa ballafaqimi sot me atë të vetëm 20 muajve më parë, më 27 Maj, 2024. Retorizmi i Ramës.

Ajo që i ka humbur shqiptarëve nga fushëpamja janë zgjedhjet e 11 Majit. Janë rezultati i saj ku dështimi spektakolar i farsës zgjedhore dhe ndotja e votës së lirë të diasporës në rastin më të parë sollën pikërisht një kulm që korrupsioni i kthyer në sistem do të mund të kriminalizojë shoqërinë, në qoftë se nuk ndalet.

Vetëm sikur të krahasoni retorizmin e Ramës se me mirëqeverisje, me sundim të ligjit dhe me masat antikorrupsionin se Partia Socialiste ka përpara dhe “e vetme” sfidën  e BE-së 2030 duke plotësuar të gjitha detyrimet që burojnë prej saj, kjo REZOLUTË tregoi se kurrë nuk veproi.

Sa qendron ky retorizëm sot në realitetin shqiptar kur motivimi dhe shprehja e harruar e kryeministrit ka nevojë të dalë në sipërfaqe:- “SPAK është ilaçi i hidhur që o e pi, o vdes dhe që kush e pi një herë po njëherë jo, jo që nuk ka shans të vetëpastrohet dhe të vazhdojë para, por vetëm zgjat agoninë e vetë dhe tretet siç po treteni ju te rrugica e shpresës”.*

A e mban mend se çfarë ka thënë Zoti Rama?

Me fjalët e tija ai si “reformator i vetëm” i duhet t’i mbushë mendjen të vetëve ta marRin kurën.

Në retorikën e  përpunuar mediatike sidomos (pra jo në retorizmin e Ramës), korrupsioni është barazuar dhe krahasuar për dëmet dhe rrezikshmërinë në institucione, politikë, shoqëri si një kancer. Një sëmundje që duhet kapur në kohë. Nuk shërohet një korrupsion kancerogjen tashmë me presion ndaj drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese. Emergjenca për ta luftuar korrupsionin si kancerin nuk mund të presë as edhe 22 Janarin, pa iu nënshtruar kurës.  Është e rëndësishme të ndalemi dhe të ndajmë një të vërtetë të madhe se çfarë përmbajnë  pikat 5 dhe 6 të Rezolutës nga Kuvendi i mëparshëm.  

Në një shënim të tij UGSHPD me titull: “Rezoluta antikorrupsion, realiteti i votimit në bllok si e vërteta e frikës prej drejtësisë”, vlerësoi se me 76 vota pro, 0 abstenime (kur janë 61 të pranishëm që nuk kanë votuar) dhe 2 kundër, ky qëndrim jo pluralist i vazhdueshëm i jetës parlamentare duhet të jetë  një kambanë e fortë alarmi për popullsinë shqiptare, diasporën shqiptare dhe BE-në se në çfarë rruge po rrëshqet vendi.*

Pra ja arritëm kësaj dite falë Retorizmit, Arrogancës dhe Pasurimit të një elite në kurriz të shqiptarëve, që tundin datat e dhe pasaportat e BE-së, pa respektuar ato çfarë kanë shkruar e aprovuar.

Ndokush që ka nevojë për t’i freskuar pikat 5 dhe 6 të asaj rezolute le t’i lexojë:

5. Të konsiderojë domosdoshmëri jetike për të ardhmen e vendit thellimin e luftës ndaj korrupsionit e fenomenit të pandëshkueshmërisë në mënyrë kapilare në të gjitha nivelet, duke e vendosur në fokus të shoqërisë shqiptare dhe të të gjitha institucioneve të shtetit, përmes një përpjekje të bashkërenduar nga Kuvendi, zbatimit të objektivave të Strategjisë kombëtare antikorrupsion dhe të shoqëruar me rekomandime masash konkrete ligjore, institucionale dhe administrative veçanërisht për sektorët më vulnerabël ndaj korrupsionit (kadastra dhe të drejtat pronësore, taksat, doganat, arsimi, shëndetësia, përdorimi i fondeve publike, prokurimet publike, infrastruktura publike, etj.), në të gjithë territorin e vendit;

6. Të thellojë më tej përpjekjet për forcimin e zbatimit të ligjit duke mundësuar një proces analitik vlerësimi dhe rekomandimesh me masa konkrete ligjore dhe institucionale që synojnë ndër të tjera edhe reformimin, me të njëjtën ambicie dhe thellësi siç vepruam me reformën në drejtësi edhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit që kanë në përgjegjësi luftën ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administrimin e pasurisë publike, krimin ekonomik, parandalimin e pastrimit të parave, deklarimin dhe kontrollin e pasurive të zyrtarëve dhe konfliktit të interesit, auditimin dhe inspektimin financiar, kontrollin e brendshëm, informalitetin apo të mbikqyrjes së tregut, të rregjistrimit e administrimit të pronës etj. duke synuar motivimin, integritetin, përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe efikasitetin më të mirë të këtyre strukturave në respektim dhe zbatim të ligjit në të gjitha nivelet e qeverisjes;

Dhe që t’i respektosh të gjitha këto, pa retorikë, more edhe pa opozitë fare po të duash, qoftë edhe vetëm me inteligjencën artificiale dhe me ndihmën e BE-ë do të duhej të paktën që çdo pushtetar, ministër apo zyrtar, punonjës i institucioneve shtetërore që të qëndronte qoftë edhe njëherë të vetme me integritet dhe profesionalizëm, me ndërgjegje dhe qytetari për t’u dorëhequr dhe për ta lënë drejtësinë në rrugën e saj. Ka ardhur koha që këtë rezolutë sidomos duhet ta lexojnë, ndjejnë dhe zbatojnë 83 përfaqësuesit e mazhorancës socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, drejt të cilëve peshorja e ligjshmërisë do të tregojë shumë.
____________
ATSH 27 Maj, 2024 –  “Pr/rezoluta antikorrupsion, Rama: Thellim i luftës për t’iu përgjigjur sfidës së integrimit në BE.
UGSHPD- 28 Maj, 2024 link      https://www.voal.ch/ugshpd-rezoluta-antikorrupsion-realiteti-i-votimit-ne-bllok-si-e-verteta-e-frikes-prej-drejtesise/aktuale/fokus/

16 Dhjetor, 2025

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Shifrat: 44% e shqiptarëve duan të emigrojnë në vitin 2025, niveli më i lartë në rajon

Më 2025 Shqipëria paraqitet si vendi me nivelin më të lartë të dëshirës për emigrim në Rajon, sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit.

 

Plot 44% e të anketuarve deklaruan se do të donin të shkonin të jetonin ose të punonin jashtë vendit, një përqindje që e vendos vendin tonë mbi mesataren rajonale dhe mbi të gjitha ekonomitë e tjera të përfshira në sondazh dhe në nivel të njëjtë me Maqedoninë e Veriut.

Kosova dhe Bosnja në anën tjetër kanë nivele disi më të ulëta të dëshirës për emigrim me 35 dhe 34 për qind secila, por sërish në nivele të larta në krahasim me shtetet e tjera të Europës.

Shqipëria dallon nga Rajoni, jo vetëm për intensitetin e prirjes drejt emigrimit, por edhe për natyrën e thellë dhe afatgjatë të fenomenit.

Situata është edhe më shqetësuese pasi Shqipëria bashkë me Serbinë paraqiten me përqindje të larta të popullatës që do të ikë nga vendi përgjithmonë pa plane kthimi pas. Në Shqipëri, kjo përqindje është ndër më të lartat në Rajon me 18 %, çka tregon se për shumë qytetarë emigrimi vlerësohet si zgjidhje përfundimtare për jetën.

Arsyet pse Shqipëria kryeson rajonin lidhen ngushtë me faktorë ekonomikë dhe socialë. Diferencat e mëdha në paga dhe standard jetese me vendet e Bashkimit Europian mbeten një shtysë e fortë, veçanërisht për të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar. Këto diferenca kombinohen me mundësitë e kufizuara brenda vendit për punë të mira dhe zhvillim profesional, duke krijuar bindjen se zhvillimi personal dhe ekonomik është më i arritshëm jashtë vendit.

Emigrimi i fortë në të shkuarën po bëhet një bazë e fortë për rritjen e largimeve në të ardhmen. Rrjetet e konsoliduara të emigracionit shqiptar, të ndërtuara ndër vite po luajnë një rol të fortë dhe po e bëjnë më të lehtë tërheqjen e familjarëve.

Për shkak të emigracionit të lartë popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme shumë më të larta gati dy deri tre herë më shumë se në vendet e tjera të Rajonit sipas të dhënave të azhurnuara nga Eurostat për popullsinë e vendeve kandidate.

Në vitin 2025 popullsia zyrtare Shqipërisë ishte 2,363,314 banorë me një tkurrje prej rreth 27,628 personash brenda një viti, ndërsa në terma relativë rënia ishte –1.2%, norma më e lartë në rajon.

Tkurrja e fortë në grup-moshën deri 30 vjeç po vjen kryesisht si pasojë e emigracionit të lartë që vazhdon të jetë ndër më të lartët në Europë.

Të dhënat e brendshme tregojnë se popullsia nga 15-29 vjeç që përfaqëson grupin e të rinj aktiv në emigrim u tkurr me 45 për qind ndërmjet 2011 dhe 2025.

Gjithashtu Shqipëria ka nivelin më të ulët të lindjeve në historinë e saj të tranzicionit me një normë fertiliteti rreth 1.2 fëmijë për grua në moshë lindje, shumë poshtë nivelit e zëvendësimit dhe nga më të ulëtat në Europë. /Monitor

SPAK kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut, Alizoti: Nuk ka më alibi! Edi Rama, jepni dorëheqjen!

 

Deputeti demokrat Tomor Alizoti ka reaguar lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit ndaj Belinda Ballukut.

 

Alizoti  shprehet ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se është i zhytur në korrupsion dhe krim dhe se nuk qeveris më, por fshihet nga drejtësia. Sipas Alizotit, kërcënimet ndaj drejtësisë me shumicën parlamentare janë shenjë paniku.

Në reagimin e tij, ai i bën thirrje Ramës të japë dorëheqjen e menjëhershme, për të shmangur, sipas tij, turpin historik të arrestimit të një kryeministri në detyrë.

Postimi i Tomor Alizoti:

Edi Rama, sot nuk ka më asnjë. Asnjë alibi. Nuk ka njeri, as në zyrën tënde, as në oborrin e partisë, as në rrethin tënd familjar e politik – që të mos e dijë: je i zhytur deri në palcë në llumin më të errët të korrupsionit dhe krimit. Çdo gjë që të rrethon mban erën e kalbëzimit të pushtetit të vjedhur.

Oborri i servilëve – një zinxhir i vetëm interesash të pista, i lidhur fort rreth emrit tënd. Ti nuk qeveris më. Ti fshihesh. Nuk udhëheq më. Ti mbrohesh.

Kërcënimi që i bën drejtësisë me 83 mandate deputetësh nuk është forcë. Është panik. Është britma e një njeriu të rrethuar, që tund numra sepse i ka mbaruar e vërteta. Sot nuk frikëson askënd. Sot je i zhveshur. I ekspozuar. I kapur në kurthin e llumit që e gatove vetë me duart e tua.

Fjalët nuk të shpëtojnë më. As propaganda. As pikturat. As shfaqjet. Maskat ranë dhe pushteti yt tani duket siç është: një strehë për frikën tënde personale.

Ke vetëm një zgjedhje të fundit përpara historisë: të shpëtosh Shqipërinë nga poshtërimi.

Mos e ngarkoni këtë vend me turpin e pashlyeshëm të arrestimit të një kryeministri në detyrë. Nëse në fund të kësaj rruge të errët të ka mbetur qoftë edhe një fijë dinjiteti njerëzor, edhe pse është luks t’ia kërkosh një njeriu të tillë – jep dorëheqjen.

Sot. Pa teatër. Pa vonesa.

Mos prit fundin e “nënës” së “djellës”, të izoluar pa pranga, si simbol i një sistemi që po shtrëngon lakun. Ajo i shpëtoi burgut si grua. Ti, bëhu burrë dhe përballu.

Shqipëria nuk ta ka borxh këtë turp. Historia nuk i fal hajdutët në detyrë. Panorama


Send this to a friend