Nëna Time Shatri (1919-2024)
Nëna Timë tejkaloi një shekull jetë dhe, së fundi, u amshua. Ngushëllime Familjes dhe të gjithë atyre që e deshën dhe ndjejnë dhimbjen për Ate.
Qysh në vitet `60-a kisha dëgjuar për Nënën Timë të Xhafer Shatrit. Djalë i vetëm, pjesë e Lëvizje Ilegale, i burgosur politik, pastaj me strehë politike në Zvicër, ministër i Informacionit në Qeverinë e Kosovës në Egzil. Në një Intervistë, në vitet `90-a, thoshte: “Nëna Timë, tashmë, e vetmuar, po flet me pula!”
Në vitet 2000-ta e takova Nënën Timë, në një Akademi Përkujtimore, në Istog. Me gjithë barrën e viteve, Ajo ishte energjike, gojëtare e mençur, që rrezatonte pozitivitet. Kureshtar dhe respekt për jetën e saj, e vizitova disa herë. Dy herë e vizituam Nënën Timë, së bashku me drejtorin e Radio Fontanës, Zeqir Mehmetaj. Pas një bisede-dhome, Ajo na shoqëroi në kopshtin e saj, të rregulluar me shije artistike, duke na rrëfyer për begatinë e luleve dhe të drunjëve dekorativ.
Si njeri i zanatit, Moderatori i Fontanës, Zeqir Mehmetaj, bëri koxha bisedë me Nënën Timë dhe gjithçka e fiksoi në kamerën e tij të artë. Mbresat e veçanta të asaj vizite, bënë që Nëna Timë të ftohet mysafire-folëse në Radio-Fontana. Dhe, kur bëmë vizitën tjetër, Moderatori i tha: “Nëna Timë, ke shkëlqyer në Fontana, më mirë se sa Idrizi”. Ajo qeshi me modestinë proverbiale të Saj.
Herë tjetër isha për vizitë me nusen time, Hatmanen, e cila e njihte që moti, meqë ishin nga i njëjti fshat.
Në një vizitë të ngeshme, i vetëm, ke Nëna Timë, bëra një bisedë, paksa të veçantë, me rastin e 100 vjetorit të lindjes të Saj. Nuk e dinte se atë bisedë do ta bëja publike.
“Xhaferi në burg dhe nusja Emine pa burrë 10 vjet, bante hyzmet për 40 robë në shtëpinë tonë. Dhe, kush zanin nuk ia ka ndigjue. Sa e kishim merakun për Xhaferin në burg, aq ia qanim hallin nuses pa burrë në shtëpi”, – rrëfente Nëna Timë.
– A më shumë të pëlqen me jetue në Gjenevë, apo në Tomoc”, – e pyeta unë?
“- Vallahi, veç më vjen keq prej Eminës dhe malli për fëmijtë, se kurrë nuk kisha shkue në Zvicër. Kam pasë shumë fat me këtë nuse, renë, ma ka zgjatë jetën, asht fort insan”, – me thoshte, me shumë sinqeritet, e mira Nëna Timë.
Nëna Timë ndjehej krenare që ishte motra e Brahim Kabashit, një këngëtar i njohur, njeri i odave, gojëtar dhe fjalëtar i mençur. “Ka pasë shoqni me Selman Kadrinë, koxha do muhabete e derte i banin mes veti, sepse Milic Kersta ishte zullumqar i madh për shqiptarët”, – thoshte Nëna Timë. Ajo dinte më shumë për atë ngjarje, që hyri në histori, por, për arsye që mund të nënkuptohen, të fshehtën e mbante për vete.
Herën e fundit e vizitova Nënë Time, së bashku me vajzën time, Albulenën, studente, e cila u mrekullua në bisedën me Nënën Timë. “Kurrë nuk kam pa një gjyshe-plakë, kaq të mençur, të kthjelltë dhe shumë të dashur”, si Nëna Timë”, – më tha vajza. Dhe, tani që Ajo u amshua, vajza ime ndjeu dhimbjen e pengun – njëheresh.
Tashmë, nipat dhe mbesat e Nënës Timë ishin rritur dhe shkolluar bollshëm. Dhe, Gjyshja nuk fliste më me pula! Kishte shoqërimin dhe përkujdesjen e përhershme dhe të kualifikuar të nipërve dhe mbesave, edhe pse Nëna Timë asnjëherë nuk iu dorëzua pleqërisë dhe shërbimet i kishte të lehta.
Duartë e saj të arta nuk pushonin, me gjypnerë, kërrabëza thurte çorape e meste dhe u dhuronte vizitorëve të Saj.
Me sa di, Nënës Timë kurrë nuk i treguan se djali i Saj i vetëm, Xhafer Shatri, ministër, ishte shënjestruar, për ta pasur fatin e kolegut të tij, ministër Ahmet Krasniqit. Mëkati i tij ishte se guxoi ta kundërshtonte Shefin Politik të UÇK-së, i cili e urdhëroi dorëzimin LPK-së, të Redaksisë të RTV të Kosovës, e cila funksionote, transmetonte përmes Radio Televizionit të Shqipërisë. Shefi e kërcënoi, njësoj si kundërshtarët tjerë politikë, pagoi dy banditër, përmes -komandantit Xheladin Gashi (Plaku)-, 160 mijë marka. Arma u shkrep, roja u plagos, fati se Ministri nuk u ndodh në zyre. Ndërmjetësi, edhe pse vdiq pas luftës në krevatin e shtëpisë, Shefi Politik i UÇK-së, e shpërbleu me titullin më të lartë, “Hero i Kosovës”! Ndërkohë që ministri Shatri, me ekipin e tij, punonte për Kosovën, sa e tërë LPK-ja, e marrë së bashku.
Me pushtimin dhunshëm të Redaksisë të RTV të Kosovës, pranë Televizionit Shqiptar, në Tiranë, u bë zëri i përçarjes të shqiptarëve, sabotues i luftës për çlirim, hymnizues, falsifikueshëm, i SHTAB-istëve, me disa “komandantë”, rrast të kriminalizuar.
Nëna Timë, përgjatë jetës të Saj të gjatë, u përball, madje familjarisht, me pushtetin jugosllav, por qëndroi gjithnjë dinjitetshëm dhe ndershmërisht.
Lamtumirë, Nëna Timë!
I përjetshëm kujtimi për Ty!
Me dhimbje krenare – Idriz Zeqiraj