I trishtë ky mëngjez i 7 nëntorit 2024! Miku ynë familjar, miku i shkrimeve, i humorit e satriës Tasim Aliaj nuk është më në jetë! Ka pushuar sot së shkruari pena e hollë fshikulluese, autori i sa e sa skicave, tregimeve humoristike, fejtoneve, komedive, romaneve të së njëjtës gjini, që përqeshnin vese e dukuri të shëmtuara, për t’i shëndoshur zhvillimet shoqërore. Mezi prisnim ta takonim në atdhe, por na gjeti më parë këtu, në SHBA, lajmi i hidhur i lamtumirës së tij.
Me artin e fjalës, me veçori e stil të spikatur, Tasimi solli në shkrime traditën e humorit popullor, i dha jetë në publikimet e shtypit të përditshëm e periodik, në revistën “Hosteni”, në buletinet e Estradës e Teatrit, ku punoi për një kohë të gjatë. Për vite me radhë skicat, skeçet, paroditë, komeditë e tij u bënë pjesë e skenave të estradave anë e kënd Shqipërisë, u mirëpritën dhe duartrokitën nga artdashësit. Dalloheshin e ndiqeshin me endje për tharmin e spikatur edhe tregimet e tij humoristike, apo romanet e së njëjtës gjini. Së fundmi i rrinin bukur penës së tij edhe vargjet e rimuara poetike me temë atdhetare e shoqërore, frymëzuar nga motive popullore, që zunë vend tek publikimet e mediave sociale.
I lindur në Kuç të Vlorës në një familje me tradita të shquara atdhetare, Tasimi përcolli guxim e vullnet të paepur, tematikë krijuese të zgjedhur e të ngjeshur plot ngjyrime nga gurra e vendlindjes. Ai afroi e ndihmoi edhe mjaft talente të gjinisë së humorit. Plot miq e shokë njohën e admiruan në bisedat e përditshme humorin e tij karakteristik të rrjedhshëm, spontan e dashamirës që nuk iu nda deri në fund të jetës.
I gjithë kontributi dhe bagazhi krijues i Tasim Aliajt do të ketë kurdoherë mirënjohje brezash dhe një vend nderi në Letërsinë Shqipe, veçanërisht në humor e satirë.
Ndajmë me familjen, të afërmit dhe miqtë e Tasimit pikëllimin për humbjen dhe u përcjellim atyre ngushëllimet tona më të përzemërta.
Do të donim në këto çaste të ndodheshim sa më pranë dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve, shoqes së tij të jetës, Myqeremes dhe dy vajzave të tyre, Besës e Donës. Por na duhet t’i ngushëllojmë e përqafojme së largu.
Lamtumirë miku dhe shkrimtari ynë i dashur Tasim Alia! Ruajmë plot kujtime të përbashkëta, por kujtimi yt më i mirë, më i vyer dhe më i pasur mbeten veprat që ke lënë, krijimtaria që të dha emër e mirënjohje! Gjithmonë respekt kujtimit tuaj!
Gjikë dhe Tatiana Kurtiqi