Pse ike kështu? Më le pa fjalë! Tani të gjithë po ndiejmë peshën e ikjes tënde. Sado që nuk mund ta besojmë, dhe duam që të të kthejmë sërish pranë nesh, e kemi të pamundur. Ti u nise në rrugën e pakthim. Pse kështu? Ndoshta ti kishe të drejtë ta bëje një hap të tillë. Jeta u tregua tinëzare, e egër dhe e pamëshirshme me ty. Ne u treguam të pafuqishëm, të të mbanim pranë, të të ofronim më shumë, që ti të shprehje gjithçka, të bukurën dhe revoltën, trishtimin dhe dashurinë, për vete dhe për jetën që e doje shumë, ironinë e vazhdueshme që kishe për vdekjen.
Unë ndihem fajtor përpara teje. Ty dhe shpirtin tënd e vramë ne, kjo shoqëri ku endemi duke luftuar edhe me shpirt nëpër dhëmb që gjërat të ndërtohen dhe të shkojnë më mirë. Sot, mjaft prej atyre që pshehrëtijnë dhimbje për ty, nuk të besuan, të lanë pa punë, u përpoqën të të poshtëronin, ndoshta edhe duke harruar se jeta e njeriut është më e shtrenjtë se çdo gjë. Ne qëlluam të ishim pjesëtarë të kësaj kohe pa kohë, e cila arrin deri aty sa politikat asociale të shtyjnë këdo në palumturi, në braktisje, depresion apo vetvrasje, ku vlerat, profesionalizmi, virtyti dhe privatësia shkelen dhe nëpërkëmben, ku të paaftët, të pabesët dhe injorantët duan të pushtojnë gjithçka, pavarësisht se brenda tyre ata janë hiçmosgjë. Megjithatë, mendoj se kjo nuk ishte një arsye që ti të ikje tani, të ikje kështu.
Të kujtohet kur ishim në Radio Tirana? Ne ishim një grup plot ambicie. Qe fat që punam me Agim Pipën dhe Arjana Qatipin, Fatmir Dizdarin, Sokol Bllacën, Evën, Valbonën, Redonën, Albën, Aldon, Bonën e vogël dhe të gjitha tekniket e telentuara dhe kolegët tek të cilët ti gëzoje respekt. Sapo kishte nisur era e ndryshimeve dhe ne kishim shumë ëndërra. Dhe ëndrrat u kthyen në qëllime dhe nisën të ecnin bukur. Por, ne nuk e dinim që koha do të na vinte mes sprovave të egra. Gjithësesi, ne mundëm, pavarësisht se përpiqeshin vazhdimisht të na pengonin.
Për ty gjithçka ishte sfidë. Edhe kur shkove jashtë për të jetuar. Edhe kur u ktheve. Dhe u ktheve bukur. Nise të shkruaje dhe të botoje. Në orët e para të ikjes tënde, dikush më përmendi një pasazh nga romani yt i parë. Nuk dija se si ta falenderoja. Ti dije të ishe e dashur, të komunikoje, të prekje zemrat. Letërsia ishte dashuria dhe sfida jote, ndërsa ti sfidantja që e dashuroje dhe i shkruaje bukur asaj. Do më mungojnë fjalët e tua të shkruara, projektet që kishe, veprat që nuk do botohen kurrë. Të gjitha këto, i more me vete, tashmë, duke na lënë fare pak nga ajo që krijove dhe deshe të lije për këtë shoqëri, që ende nuk po di të ndërtojë dhe të respketojë njeriun, vetveten.
Të kujtohet kur takoheshim kohëve të fundit? Më duket sikur ishte dje. Pavarësisht vështirësive që të dhuronte jeta, përplasjet e dyerve të fatit, hipokrizinë dhe dashakeqësinë e të tjerëve, ti sërish përpiqeshe të mbeteshe vetvetja, e dinjitetshme, profesioniste deri në fund. Ndodhte që edhe përplaseshim në bisedat tona, por sërish mbeteshim miq të mirë dhe ndaheshim duke buzëqeshur për tu takuar sërish.
Në një prej blloqeve të mia, mes shume shënimeve dhe autografeve, kam edhe një shënim të shkurtër nga ty. Ta kujtova para disa kohësh, kur u takuam. Dhe ti më pyete: E paske ruajtur? Dhe unë të thashë: “Natyrisht!” Unë do ti ruaj gjithnjë, ato fjalë të sinqerta, ashtu siç ishte edhe jeta jote. Do të ruaj bisedat dhe kujtimet tona, jo thjesht për nostalgji, por sepse dashuria mes miqve nuk vdes asnjëherë. Dua të flas e të shkruaj shumë për ty, por kam frikë se sot, nga dhimbja shumë gjëra do i lë pa thënë. Një herë tjetër do të them më shumë. Sot mund të them vetëm kaq:
Ti ishe mirësia deri në fisnikëri, ti ishe sfida karshi sfidave!
Lamtumirë Arli!
Miku yt,
Kliti
Tiranë, 25 gusht 2017
Komentet