Ylli i Shoqatës Kombëtare të Basketbollit Kobe Bryant njoftoi kohët e fundit se ky do të jetë sezoni i tij i fundit me Los Anxheles Lakers, një ekip ku ai ka qenë lojtari kryesor në pesë kampionate. Kobe Bryant është duke i dhënë fansave në kampionat një mundësi për t’i thënë lamtumirë kur ai dhe Lakers të shkojnë në qytetin e tyre. Fituesi i dy medaljeve të arta olimpike dhe 17 herë i grupit All-Star NBA bëri paraqitjen e tij të fundit këtu në Uashington këtë muaj, ku ishte edhe korrespondenti i Zërit të Amerikës Parke Brewer.
Duke luajtur në kryeqytetin e vendit atë natë, në sezonin e tij të 20 dhe të fundit në NBA, 37-vjeçari Kobe Bryant tregoi shumë nga aftësitë që e kanë bëtë një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave në NBA.
Në qytetin e tij apo jashtë, ai ka turma pasuesish. Dhe këtu në Uashington nuk ishte ndryshe.
“Kam qënë tifoz me Lakers qysh në fillim. Qysh në kampionatin e parë. Jam tifoz i Kobit për gjithë jetën.”
Joshua Bailey thotë se ishte dhurata më e bukur kur e dashura e tij Adrienne Goode bleu bileta për këtë ndeshje.
“Ky është një fund i madh i një karriere të madhe dhe mendoj se ka ardhur koha që t’i jap fund. Por nuk mund të thuash mjaft rreth trashëgimisë së tij dhe atë që dha ai për Lakes dhe për tifozët.”
“Nuk mund të presësh që ai të vazhdojë të luaj pa fund. Prandaj është nder ta shohim të luajë këtu për herë të fundit dhe është një eksperiencë e bukur. Por më vjen mirë që po largohet. Të gjithëve u vjen koha.”
Shumë pak yje të sporteve profesionale qëndrojnë me një ekip gjatë gjithë karrierës së tyre, veçanërisht kur të tjerë u ofrojnë më shumë para.
“Besnikëria është një virtyt që nuk e sheh tek lojtarët. Nuk e sheh në futboll apo basketboll. Nuk e sheh në asnjë nga këto sporte. Por ka qënë fat që kishim Kobin me ekipin Lakers për 20 vjet.”
Ai bën kosha aq të bukur në distanca të largët dhe këtë bëri edhe në ndeshjen kundër Uashingtonit. Ai tha pas ndeshjes se ndihej në formë të shkëlqyer fizike.
“Kur i ndjej këmbët mirë, e marr shenjën dhe ndjehem shumë rehat në gjuajtjen që bëj, ndalesën dhe kërcimin. Pra kur i kam këmbët mirë ndjehem mirë dhe gjuaj mirë.”
Kobe Bryant pritet të luajë para turmave si kjo ndërsa bën ndalesa në rrugën e fundit të turneut të ligës.
Pas ndeshjes ai tha se ishte çuditur sa mirë kishte luajtur duke i dhënë ekipit Lakers 31 pikë – dyfishi i mesatares së tij gjatë sezonit – dhe duke shënuar atë që do të ishte gjuajtja e fitores ndaj Uashingtonit me rezultatin 108-104.
“Po mendoja për këtë në dhomën e veshjes. Cfarë bëra ndryshe? A ishte diçka ndryshe? Ende nuk e di.”
Trajneri i tij Byron Scott ishte gjithashtu i kënaqur dhe i befasuar.
“Nuk e di sa paraqitje të tilla të shkëlqyera do të ketë por pres që ai të luajë me atë lloj pasioni çdo natë dhe të jap gjithçka që mundet.”
Dhe tifozët nuk mund të kërkojnë më shumë nga Kobe Bryant ndërsa ai na thotë lamtumirë në këtë sezon të tij të fundit.
Komentet