Fotoja jonë e 27 dhjetorit 2022: Hamiti, Skënderi, Elida, Beskida
Një lajm tejet tronditës këtë paradite të 7 marsit 2023. Poeti i madh Hamit Aliaj, ndahet nga jeta duke lënë në pikëllim familjen e tij, miqtë, të afërmit, duke lënë në pikëllim poezinë shqipe, duke lënë në pikëllim mbarë botën shqiptare, që, prej sot nuk e ka më praninë fizike të bardit të madh e të pavdekshëm të modernitetit shqiptar, që u bë zë i saj me poezitë e tij të metaforave brilante, me tekset e tij poetike që u kënduan e do të këndohen brez pas brezi.
Një ndër poetët më të dashur të shqiptarëve, Hamit Aliaj la pas vetes një vepër brilante, nga më brilantet e letërsisë shqipe, një vepër që e bën të pavdekshëm autorin e saj. Ai la pas vetes një familje të mrekullueshme: Djalin e tij Drenisin, vajzat e tij Rugovën dhe Beskidën, nipin Troy, dhëndrrin Besmir, shoqen e tij të jetës Hyqmeten, zonjën fisnike që, për katër dekada, i dha dashuri, përkushtim dhe respekt të pafund Hamitit, që u kujdes për Hamitin deri në çastin e fundit të jetës së tij. Ne marrim pjesën në dhimbjen e pikëllimin e madh për këtë humbje tejet tronditëse.
Hamit Aliaj e filloi veprimtarinë e tij krijuese qëkur ishte nxënës në fshatin e lindjes dhe e vazhdoi deri më 2 shkurt 2023, kur e publikoi poezinë e tij të fundit “Shenjti i Hirit”.
Në pranverën e vitit 1973 fitoi çmimin e parë për cikël poetik, në konkursin e shpallur nga gazeta “Zëri i Rinisë” për nxënësit e shkollave të mesme të Republikës. Me atë rast, “Zëri i Rinisë” ia botoi poezitë “Dada Shotë” dhe “Poezi për veteranin”. Në verën e atij viti fitoi çminin e tretë në Konkursin Kombëtar të Ushtrisë me vëllimin poetik “Rruga e zogjve”. Më 1974 vjen para lexuesve shqiptarë me librin e parë poetik “Bjeshkët janë mbiemri im”, duke hyrë kështu njëherë e përgjithmonë në elitën e letërsisë shqipe. Me krijimtarinë e tij poetike të botuar dendur në “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Nëntori” dhe me librat e tij poetikë, Hamit Aliaj është ndër poetët që ia kanë dhënë tonin poezisë shqipe në vitet 1970-1980. Është gjithnjë në qendër të interesit të lexuesit dhe të kritikës letrare dhe tejet i vlerësuar.
Edhe pas viteve 1990. Hamit Aliaj është gjithnjë i pranishëm me një krijimtari tejet cilësore. Hamit Aliaj është fitues i shumë çmimeve letrare dhe pjesëmarrës në shumë antologji të poezisë shqipe. Është nderuar me tituj e dekorata. Më 2014 mori “Mjeshtër i Madh”, titulli më i lartë për një krijues.
Me Hamitin u takuam më 27 dhjetor 2022, pas gati 27 vitesh. Natyrisht, komunikimin me Hamitin nuk e kemi ndërprerë asnjëherë. Na priti që tek treni dhe pastaj na shoqëroi gjithë kohën.
U takuam në Luksemburg dhe e lamë që të takohemi në Zvicër sa më shpejt. Mbeti një premtim i pambajtur, sepse Hamiti mori rrugën për tek Zoti. Mesazhi i fundit i Hamitit, pak ditë para se të shtrohej në spital, ishte: “Ju përqafoj! Kalofshi bukur!”
Do ta lumturojë Qiellin.
Merri edhe lotër tanë, atje, i shtrenjti Hamit!
****
Poeti Hamit Aliaj ka lindur në Kasaj të Tropojës, më 4 gusht 1954. Fëmininë e kaloi në vendlindjen e tij, në një vend ku bashkëjetonin doke dhe zakone të shumëllojta, ku letërsia gojore dhe tregimi i legjendave të moçme akoma ishte riti i mbrëmjeve të gjata. Ditëve ai rriste shtatin në kodrat dhe livadhet e fshatit, trupin e kridhte në liqenet alpine dhe mrekullohej nga tingujt e fyejve te barinjëve që çdo verë ja mësynin bjeshkëve të Shkelzenit, ndërsa tufat e deleve, formonin në imagjinatën e tij poema pafund me vargje të bardha, ku natyra dhe njeriu jetonin duke marrë dhe dhënë, përditë nga njeri tjetri.Ky ishte sfondi, ku poeti së pari nisi të shquhet për fjalët e rralla, por të bukura që shqiptonte ndrojtshëm në odat e burrave, në takimet shkollore dhe më vonë në fletoret e thjeshta, që i fshihte diku nga shikimet e të tjerëve…Nëna e tij do të ishte mbështetësja dhe frymëzuesja më e madhe, një grua e fortë, e cila shpesh dinte të ishte edhe burrë, kur e jipte fjalën dhe i qëndronte asaj deri në fund. Ajo i dha jo vetëm dashuri prej nëne Hamit Alisë, por i mëkoi edhe shpirtin artistik, i hapi horizontin dhe i lejoi hapësirën e duhur shpirtërore të birit. Duke kuptuar se ai nuk ishte krejt i njejtë me fëmijët e tjerë, diçka më e rrallë po piqej në gjoksin e djaloshit të ri, që shpesh shihej i menduar, duke soditur larg yjet dhe hënën alpine, tek perëndonte në majat e Bjeshkëve të Nëmuna. Në sytë e tij të shkruar, vazhdimisht dukej se digjej një zjarr i brëndshëm…Vendosja e fshatit të lindjes përballë Kosovës, e cila ishte disa minuta afër, por mijra vjet larg, kur shikoje gardhin e klonit përshkuar nga korenti vdekjeprurës, për çdonjërin që do të mund të tentonte ta kalonte, ka qënë një dhëmbje e gjatë, një dilemë e madhe, por edhe një burim frymëzimi për shumë poezi të poetit, që natyrisht e vuante si çdo malësor paradoksin historik të ndarjes përgjysmë të trupit të atdheut.
Arsimi
1982-1995: mësues në Gjimnazin e Bajram Currit
1995-2001: drejtor i QKF, Bajram Curr
2001-2003: këshilltar i Jashtëm në Ministrinë e Kulturës, Tiranë
2003-2005: Drejtor i Agjensisë Qëndrore të Librit, Tiranë
2011- 2014: specialist në Komitetin Shtetëror për Kultet, Tiranë
Puna kërkimore, letraro-artistike e shkencore
Libra me poezi:
1974: Bjeshkët janë mbiemri im, Tiranë
1979: Epike ( me bashkëautor), Prishtinë
1986: E ruaj një fjalë për ty, Tiranë
1990: Lotin nuk ta fal, Tiranë
1997: Mungon viti Një, Tiranë
2006: Njëqind vjet e Martë, Tiranë
2012: Ali Iber Nezaj (monografi), Tiranë
2017: E hëna e përtej botës
2021: N’Dardani bjen nje tupan
Studime shkencore-letrare
1979: Epika legjendare shqiptare ( Arkivi i Fakultetit të Filologjise)
2009: Tri shenjtëri të mëdha ( në hyrje të librit “Dervish Luzha nje yll drite” )
Shenim: Redaktor i mbi 30 librave artistik e studimor për kulturen e historinë. Titujt e këtyre librave janë të regjistruar në sistemin kompjuterik të Bibliotekes Kombëtare, Tiranë
Skenare filmash dokumentare :
1981: Ylbere mbi Alpe
Moj sharki e lehtë si era ( kushtuar Dervish Shaqes)
1997: Zambakët e munguar ( kushtuar shkrimtarit Sulejman Krasniqi në 60-vjetorin e lindjes )
2000: Ylberi i Lirise ( kushtuar çlirimit të Kosovës )
2000: Nga lufterat vijmë… ( realizuar në Kosove për RTSH )
2002: Pranverat që ndalen rrugës
2008: Agu i Lirise ( realizuar në Kosovë me 17 shkurt 2008 diten e shpalljes së Pavarësisë)
Janë nga i njejti autor edhe shumë dokumentare të tjerë, të cilët gjenden në Arkivin e TVSH-së.
Publicistike: Autor i mbi 200 shkrimeve kryesisht në zhanrin e esesë, portretit letrar dhe reportazheve. Keto shkrime janë te botuara në periodikun e kohës.
Kenge:
Autor i mbi 200 këngëve:
Autor i të gjitha këngëve të Ansamblit Dardania në Festivalin e Gjirokastres 1988 dhe në atë të Beratit 1995.
Çmime në konkurset kombëtare e ndërkombëtare :
1973: Çmimin e parë për poezi në konkursin e letrareve të shkollave të mesme të Republikës 1973: Çmimi i tretë për liber poetik në konkursin e 30- vjetorit të Ushtrisë
1974: Çmim për liber poetik në konkursin e 40- vjetorit të Çlirimit
1977: Çmimi i parë në publicistikë në konkursin vjetor të gazetes ” Drita ”
1977: Çmimi i parë për dokumentarin e 20- vjetorit të Universitetit të Tiranës
1981: Çmimi i parë për dokumentarin ” Ylbere mbi Alpe ” ( me bashkëautor S.Bucpapaj )
1982: Çmim i dytë në Konkursin Kombetar të 70- vjetorit të Pavarësisë, për librin poetik ” E ruaj një fjalë për ty”
1999: Çmim i parë në Festivalin e Gjirokastrës për tekstin e këngës ” Ani Rushe Rexha…”
2000: Çmim i parë në Festivalin e Këngës Qytetare Tiranë, për të njejtin tekst 17 dhjetor
2006: Çmim i parë i shoqeruar me ” Gold Coup ” ( Kupa e Artë ), për cikel me poezi në revisten ” Fatjon Art”, Detroid, SH.B.A
2017 : Libri “ E hëna e përtejbotës” shpallet libri më i mirë poetik i vitit nga Klubi letrar “ Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë
Mirenjohje e tituj:
1983: dekoruar me medaljen ” Naim Frashëri” nga Kuvendi Popullor
1988: ” Urdhëri i punës i klasit të 3-të” nga Kuvendi Popullor
2002: titulli ” Krenaria e Qytetit”, B.Curr
2008: titulli ” Nder i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar”
2012: titulli “Mirënjohje” nga Komuna Margegaj, Tropojë
2014: titulli ”Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë
2019: titulli “ Qytetar Nderi” nga Bashkia Tropojë