I dërguari i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe ndërmjetës në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak u bëri thirrje të enjten Prishtinës dhe Beogradit që të lënë mënjanë mosbesimin dhe tha se për të shënuar përparim duhet “pajtim, dialogu, guxim dhe vizion”.
Zoti Lajçak i bëri komentet në Forumin e Prespës për Dialog, që po mbahet në Strugë të Maqedonisë së Veriut.
“Jemi në një fazë kur palët nuk i besojnë njëra tjetrës dhe të dy vendet na thonë: “Le ta bëjë pala tjetër atë që ju doni që të bëhet dhe ne premtojmë që më pas do ta bëjmë pjesën tonë”, tha ai.
Por, Zoti Lajçak tha se nuk funksionon kështu.
“Filozofia e BE-së është që duhet të bësh diçka në mënyrë që të marrësh diçka; hap pas hapi dhe duke ndërtuar besimin”, tha ndërmjetësi evropian.
Zoti Lajçak shtoi se “konsensusi në këtë rajon perceptohet si një fjalë e keqe, si dobësi, ndërsa tha se ekziston një zgjidhje ku përfitojnë dy palët dhe jo domosdoshmërisht dikush duhet të humbasë”.
“Më e mira që mund të ndodhë me marrëveshjet e paqes është që ato të zbatohen sa më parë, siç është rasti me Marrëveshjen e Ohrit, e cila është një marrëveshje e suksesshme dhe jo vetëm që ndaloi luftën por hapi dhe një kapitull të ri për vendin (Maqedoninë e Veriut)”, tha i dërguari evropian.
Zëvendës-Kryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi foli për nxitjen e frikës dhe shpikjen e armiqve nga politikanë të Ballkanit, një gjë që, sipas tij është treguar e suksesshme për marrjen e pushteteve dhe për mbajtjen e status quo-së pa asnjë lloj përparimi.
Ai akuzoi opozitën maqedonase që “ka menaxhuar me mjeshtri futjen e frikës tek qytetarët me pretendimin për dëmtimin apo humbjen e shtetit”, teksa theksoi se qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë humbur asgjë nga Marrëveshja e Ohrit, ajo e Prespës, apo Marrëveshja për miqësi të mirë me Bullgarinë. “Askush nuk e mohon ekzistencën e gjuhës maqedonase apo shtetin e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh ai.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se agresioni ushtarak rus në Ukrainë bëri që “të forcohet kapaciteti i BE-së për të vepruar, për t’i ruajtur vlerat themelore të tij dhe që ta forcojë rezistencën e vetë”. Në këtë kuadër, ai shpreson se Bashkimi Evropian do t’i kushtojë përparësi politikës së integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bllok.
Në Strugë kanë mbërritur presidentët e Shqipërisë dhe të Malit të Zi, Bajram Begaj dhe Jakov Milatoviç, të cilët do të flasin në një panel të premten, ndërkohë që po në një tryezë tjetër pritet të flasin edhe kryeministrat e Kosovës, Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut.
Forumi i Prespës është një aktivitet që po mbahet për tretin vit me radhë dhe ku marrin pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë të disa vendeve të Ballkanit dhe organizatave ndërkombëtare, diplomatë, analistë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile për të diskutuar mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në të, si dhe për sfidat e sigurisë, energjetikës, korrupsionit dhe çështje të tjera.
Këtë vit Forumi përkon me pesë-vjetorin e arritjes së Marrëveshjes së Prespës, që i dha fund mosmarrëveshjeve midis Greqisë dhe fqinjit më të vogël, Maqedonisë së Veriut rreth emrit të kësaj të fundit.
Në hapje të forumit, u nënshkrua një momorandum për mirëkuptim nga Nisma Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI) dhe Nisma Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI)./ZiA/VOA