VOAL – PARIS, 31 GUSHT – Këmisha ujë nga djersët në fund të fjalimit: brenda pak minutash kryeministri francez Manuel Valls, shpesh i admiruar për pamjen e tij të bukur, është bërë idhull i internetit, shkruan voal.ch. Pas një ore fjalim në kongresin veror të La Rochelle, në lindje të Francës, një takim veçanërisht “përvëlimtar” jo vetëm politikisht, Valls është shfaqur në televizion i larë në djersë, me këmishën ujë tërësisht. Fotoja e tij ka qarkulluar rrjetet sociale me komente ironike, por në pjesën më të madhe admiruese. Valls ka mbajtur një fjalim me tone shumë të ashpra dhe të përkushtuara, duke ua kujtuar qeveritarëve detyrën ndaj emigrantëve me jetë të rrezikuara të cilët kërkojnë të zbarkojnë në Evropë dhe duke iu përgjigjur kritikave në qeveri. Sidomos i është dashur të mbrojë ministrin e tij të Ekonomisë, Emmanuel Macron, “liberalin” e shndërruar në objektiv të sulmeve nga pozita të majta në parti dhe nga Rinia Socialiste.
Në një takim të shtunën, Valls – i cili kishte shkuar të qetësonte disa protestues që fishkëllonin Macronin – pati një ballafaqim të ashpër me shokët e rinj të partisë. Një foto e tregon atë me dorën në faqen e njërit prej tyre, dikush thotë si ledhatim, të tjerë flasin për një shuplakë. ANSA
Komentet