“Unë si Steve Jobs, do të jetë një rikthim i madh”, ky është titulli i “La Gazzetta del Mezzogiorno” e cila i kushton një hapësirë të konsiderueshme zgjedhjeve në Shqipëri dhe rikthimit të Sali Berishës. Në një artikull të gjatë, prestigjozja italiane analizon situatën e vështirë ku është zhytur vendi, ndërsa e cilëson rikthimin e Berishës si një revolucion për vendin si ai i Steve Jobs në botën e teknologjisë
SYRI TV
Mediat italiane i kanë kushtuar hapësirë zgjedhjeve në Shqipëri, ku vëmendja është përqendruar tek opozita dhe rikthimi në fushatë elektorale i liderit historik të së djathtës, Sali Berishës.
“La Gazzetta del Mezzorgiorno” e tillon kryeartikullin e saj “Unë si Steve Jobs, do të jetë një rikthim i madh”, duke analizuar rikthimin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike dhe të së djathtës, duke e krahasuar me revolucionin e Steve Jobs në botën e teknologjisë.
“Një histori e madhe suksesi që kam ndërmend ta përsëris, edhe unë do të kem një rikthim të madh”, premton Sali Berisha, i lindur në vitin 1944, kardiolog, ish-president i Republikës së Shqipërisë nga viti 1992 deri në 1997 dhe më pas kryeministër nga viti 2005 deri në 2013.
Sfida e radhës ka një datë të rrethuar me të kuqe në kalendar: zgjedhjet vendore të së dielës ku ndër të tjera do të vendoset fati i Tiranës dhe i Durrësit, i dy bashkive kryesore shqiptare. Kryeministri aktual, socialisti Edi Rama, është i favorizuar në këto zgjedhje për shkak të përçarjeve opozitare, të Partisë Demokratike, lideri historik i së cilës është Berisha. Përçarjet janë deri në atë pikë sa ish-presidenti do të kandidojë me logon “Bashkë fitojmë”.
Përtej frymës elektorale, klima është shumë e ndryshme nga e jona, sidomos nga akuzat mes palëve. Por në Shqipëri mes akuzave të ndërsjella për korrupsion dhe mbështetjes për trafik droge, çdo deklaratë është një top i hedhur në kampin kundërshtar.
Në pikëpamjet e Berishës dhe të elektoratit gri, kryeministri Rama cilësohet vazhdimisht si “kukulla” e George Soros.
Më tej artikulli vijon me citimin e deklaratave të kryedemokratit Berisha për një nisje nga e para, referuar këtu rikthimit të liderit historik të së djathtës.
“Shqipëria është një monokraci. Kreu i ekzekutivit Edi Rama nuk respekton asnjë rregull dhe sfidon Kodin Zgjedhor. Flitet për kanabisin shumë më tepër se për çdo bimë tjetër në planet. Kjo është e vërteta”.
Më tej, “La Gazzerta del Mezzogiorno” vijon citimin e liderit historik të Partisë Demokratike Sali Berisha, për situatën ku ndodhet sot vendi përsa i përket krimit, varfërisë dhe eksodit masiv.
“Numrat flasin. Rama i varfëroi shqiptarët në tetë vjet, nga viti 2014 në 2022. Më shumë se një milion qytetarë janë larguar nga vendi, shumica dërrmuese synojnë Bashkimin Evropian. 8% janë nën moshën tridhjetë vjeç. Një humbje e madhe, shenjë e një vendi të shkatërruar. Dhe a e dini se çfarë ka në mendje kryeministri? Zëvendësimin e shqiptarëve me indianë, të cilët megjithatë e përdorin Shqipërinë vetëm si platformë për të hyrë në Bashkimin Evropian”.
Kjo është arsyeja pse vendosët të riktheheni në fushëbetejë?! – është pyetja e gazetarëve italianë
“Për këtë, por edhe për një arsye tjetër. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 19 maj 2021, më shpalli “person non grata” në Shtetet e Bashkuara”.