NGA AT GJERGJ FISHTA O.F.M.
“IN HOC SIGNO VINCES.”
(ME KET SHENJ KE ME FITUE)
Në fillim të shek. XV Turqit sulmojnë Evropen dhe shkretnojnë fise e mbretni. Fatosi i Krujës përballë rrezikut, qi i kercnohej Shqypnisë, i drejtohet Hyjit edhe e lutë qi mos të premtonte, qi Shqypnija të bije ndër kthetra të Turqve. Lutja e tij prekë të Amshuemin, i cilli i dergon së nalti Flamurin Kuq e Zi, emblemë bashkimi e vetsundimi. Me atë flamur në dorë, Skanderbegu, i mberthyem në armë, qet kushtrimin. Shqyptarët rrâjnë (nisen) menjiherë, kështu nisë lufta e tmershme dhe Turqvet u thehet sulmi. Në dorëshkrim, qi ban Poeti, e ka datën 20/11/1919.
At Viktor Volaj OFM. 1941.
Tue zbardhun mosha dhetepesët e jona
Atje prej shtojesh s’ Anadollit t’ plleshem
Hanza pergjakshem nisë mbi Europë t’ kukzohet.
Ishte zot-madhi i Turqvet, qi në krye
5. Të ma s’ rrebtes ushtri së jetës s’ atëhershme
Ujnat e njelmta dilte t’ Helespontit,
Edhe betohej n’ mni të vet mizore,
Se shpirti trupit s’ do t’i dahej para
Se hanzen t’ ngrifte mbi Sh’ Sofi t’ Bizantit
10. E n’ Sh’Pjeter t’ Romës tagji t’i vête kalit.
E pse ai burrë dokrrash e pallavrash s’ ishte,
Perpara tij ran frone e ran therore;
U rroposen mbretni e u shkimen fise,
E as bar ma s’ bijti andej ka ’i shkeli kamba.
15. Greku, Bullgari humben, humbi Serbi,
– Humbi, po, Serbi, madhështija e t’ cillit,
Qatje te e vona boten mbarë në zi
Do t’a pshtiellte. – T’ felgruemun drojet, shuejten
Zanin mbretent e Europës. Zâmaret eshten,
20. Eshti edhe kanga e nji mjeri e shemtueme,
I ra mbarë dheut.
Kur, qé, mbi kep të Kruejës
Titanike po del nji hije burri,
Vetllat ngerthye, si dy hulli rrufeje,
Me do sy zjarmi e ‘i mjekerr t’ thijtë, e cilla
⦁ Shllungë gjatë nofllash i derdhej, si ajo njegulla
Rreth njaj curri s’ thepisun. M’ krye trishtueshem
Flakë i shkelqan tarogza brynatake,
Qi, tmershem ka ‘i vezllon nen rreze t’ diellit,
Kometë zharitse dan nder sy t’ anmikut.
⦁ Ai asht fatosi i ndiemun Gjergj Kastrjota,
I Madhi Gjergj Kastrjota Skanderbegu,
Qi, pre’ atij kepi, si nji shqype mali
Kundron kah forca e barbaris lindore
Shkon tue rrëmbye mbretni e fise e popuj,
35. E gjithshka t’ mbarë perftue kisht’ mendja e nierit;
Si rribë Verit, qi rêt i fshin prej qiellit
E e lên token me u tha. Edhe tue pamun
Se anmiku i rrebtë i gjytetnis njerzore
Po nisë per s’ afermi Shqypnis t’ kercnohej
40. E se prej nierit s’ kisht’ pse ndimë me pritun,
Çon syt kah qiella, e zemra gjak tu’ i shkue,
“O Zot! – gerthet, – O Zot i Madhi i Ushtrivet!
E po a njimend se ma s’ do t’ ket Shqypnija
Nji vend ku me t’ u lutë?… E se grat t’ona
45. Djepat n’ Azi mbas sodit do t’ perkundin?…
E se Shqyptari tokën do t’ punojë
Veç per me kndêllun n’ mish gocat qerkeze,
Qi nji Tirani t’ i sherbejn ma kandshem?
Oh! Pse ia mbrrim ksajë dite, e s’ ka shperthye
50. Toka q’ me kohë, me na perpi per s’ gjalli!
Ti, o Zot i Madh i Ushtrivet, Ti prej qiellet
Zemer e forcë m’ dergo, qi ktij Tartari
Barbar un t’ ia diftoj, se Shqyptarija
S’ merret pa gjak, e se per Fé e Atdhé
55. Din t’ desë Shqyptari”. Permbi flatra
Të bardha t’ Fés kjo lutë u çue kah qiella
E i shkoi n’ vesh Perendis’ e e preku n’ zemer.
I Amshuemi, atëhera, prej visarit t’ qiellvet
Xjerrë nji pelhurë të njyme “kuq e zi”,
60. Qi Engjuit vetë n’ Parriz endun e kishin:
E mbasi e puthë i Lumi e ven në ball,
Nji Kerubini t’ lehtë i urdhnon tu’ thanun,
“Na, e ketë Flamur Skanderbegut çoja
Atje poshtë n’ Krue, e thuej prej ane s’eme,
65. Se dersa t’ rrije tok fisi i Shqyptarit
Nen hije t’ ktij emblemi t’em t’ bekuem,
Zot m’ vedi e i lirë gjithmonë ai ka me kenun”.
Kshtu tha i Amshuemi; e ai Kerubini i qiellvet
Palosun m’ parsme Flamrin e Shqypnis,
70. Hapë flatrat e prarueme, e poshtë Empirit
Zhgjetë nper nji rreze drite dirgjet n’ Krue.
Ku Skanderbegut n’ dorë dhantin e Zotit –
Flamurin e Shqypnis – ia nep e kshillin
E t’ Lumit ia difton: Se si Shqyptari
75. Zot m’ vedi e i lirë gjithmonë do t’ mund qindroje.
Si ai nieri, qi trishtue njaj andrre s’ keqe,
Kur gjumi i del, me vedi xen e gzohet,
Se n’ hije e jo njimendtë iu tfaq rreziku:
Kshtu Skanderbegu nisë me u gzue me vedi,
80. Si Lajmi i qiellvet n’ dorë ia dha Flamurin
E i tha se per nën hije t’ tij Shqypnija
E lirë e zojë m’ vetvedi p’rherë do t’ jitte.
Edhe armatiset Burri i dheut krejt m’ hekur,
Njeshë pallen n’ ijet – pallen t’ rrebtë mizore,
85. E m’ patershanë, me pafta arenzit t’ mathne,
Njet Flamurin kuq e zi, qi vetë i Amshuemi
E kishte puthë, edhe mbi shpinë të kalit,
Qi, fry turijt, njuhatte erë të gjakut,
Hidhet porsi duhi e rrebtë. Prej millit
90. E xjerrë pallen mizore, e drejtë kah qiella
Heshten e ngrehë. Nji fllad i lehtë, i ambel –
Flladi i Dashtnis – po e zhdrivillon Flamurin.
– Flamurin e Atdheut t’ em – qi tue gufue
Mallnueshem nepër ajr të lirë t’ Shqypnis,
⦁ Nisë me u valvitë si fleta e Kerubinit,
Si njai skundilli i petkut t’ Perendis,
Qi, mirë qendisë me hana, hyj e diella,
Prej krahvet t’ amëshuem e t’ gjithpushtetshëm
I mvaret poshtë neper hapsi t’ Empirit,
100. Kah, pshtetë m’ stuhi e m’ flatra t’ rribës s’ murranit
Sheston boshtin e moknes s’ rrokullis.
E ashtu n’ atë dukë të rrebtë e t’ perfrigueshme
Me ‘i za, si tue ulrue, prej kepit t’ Kruejës
Po u thrret Shqyptarvet t’ vet e u thotë: “Ktu burra!
105. Ktu eni, o bijt e Malevet! Shqypnija
Gjindet n’ rrezik!” N’ atë bulurimë ushtuene
Malet e fushat e Shqypnis kreshnike,
Edhe nji çetë e vogel homeridash,
– Burrash si motit veç qi bate nana –
⦁ Per rreth tij mblidhen, e nen hije t’ Flamurit
Nji bé të madhe bajn e lidhin besen,
Se i pllâmë toket t’ Atdheut s’ ia lshojn Tartarit,
Po s’ e lán’ para me gjak t’ tij t’ perdhosun.
T’ forcuem me atë bé, t’ forcuem me shejtni tagresh
115. E shpresë m’ Zotin tue mbajtë e m’ krah të vetin,
Me Flamur kuq e zi zhdredhun perpara,
Poshtë errmorevet t’ malevet t’ thepisuna
Si rreshme boret prej ndo ‘i kulmi t’ rryeshem,
Rrâjn fulikare permbi rradhë t’ Turqvet,
120. Të cillt, prej s’ largut tue ua pamun hovin,
Thonë se kulshedra me dragoj po u turret.
Edhe mnershem nisë lufta titanike.
Kah t’ idhta shpata, kah gjakbâset heshta
Çeken nder shkndija me vringllimë t’ trishtueshme,
⦁ E bumbullojn henike edhe gopedra,
E vrrasin keqas të varruemt per dhé.
Kaq nji zhurmë, nji rropame e ‘i vigmë e kobshme
Çohet per ajr të terratuemun pluhnit,
Qi rreth e rrotull t’ tanë dridhet Balkani.
130. Shkon gjaku rrkajë. T’ tanë fusha e gjanë e Dibrës
Me kurma t’ zeshkët barbarësh asht mblue. Hidhet,
Hingllon, trumhaset kali i Skanderbegut,
Kah thundra e mbathne kthellë i humbë në dhé
Të rijtun m’ gjak t’ barbarit. M’ dhambë brén buzen,
136. Atëherë zot-madhi i Turqvet pendohet
Qi i ra kurr n’ mend t’ mësyjë Shqypnin mizore.
E sheh, po, vetë gjakbâsi, se rob s’ bahet
Ai dhé, ku Flamri kuq e zi valvitet.
20 Nandor 1919. At Gjergj Fishta.
………………………………………..
Foto në Muzeun e Vienës
Shenim F.Radovani:
Botohet në diten që asht le Heroi Kombtar Gjergj Kastrioti –
Skenderbeu, me 6 Maji 1405.
Melbourne, Maji 2023.