Politikani dhe eksperti i çështjeve të inteligjencës në SHBA, Everett Stern ka bërë me dije se do të publikojë fakte të tjera të rënda kundër Charles McGonigal, agjentit të diskredituar të FBI-së.
Stern, që ka themeluar agjencinë private të inteligjencës ‘Tactical Rabbit’, thotë se është kontraktuar për të hetuar bankën e madhe HSBC, e cila dyshohet se thyente sanksionet dhe bënte pastrim parash.
Pika e tij e kontaktit në FBI për këtë hetim ishte vetë Charles McGonigal, që sipas aktpadisë, tani rezulton se ka punuar për rusët. Stern dyshon se informacionet e tij të inteligjencës kanë përfunduar në duart e rusëve për shkak të McGonigal.
Ai shprehet se afera është shumë e rëndë dhe nis që në vitin 2015, kur në fakt ai ishte kontraktuar si agjenci inteligjence për të hetuar vjedhjen e një diamanti nga oligarku rus Oleg Deripaska.
Stern thotë se diamanti ishte vjedhur nga një koleg i ngushtë i McGonigal dhe ish-agjent i FBI-së, i cili gjithashtu është arrestuar dhe akuzohet për komplot dhe akuza të tjera.
Madje Stern ka publikuar edhe foton e diamantit online.
“Kjo është një foto e diamantit të Oleg Deripaskës. Foto aktuale. Kjo ka të bëjë me rastin e shefit të arrestuar të kundërzbulimit, Charles McGonigal. njerëzit që janë në thellësinë e historisë e dinë se për çfarë po flas,” shkruan ai.
Ndërkohë gazetari Klodian Tomorri shkruan se ka dyshime se agjenti që vodhi diamantin të jetë Mark Rossini, njeriu që po ashtu foli kundër opozitës shqiptare dhe kreut të saj, Sali Berisha.
“Këta paskan vjedhur edhe Deripaskën. Ky ka mundësi të ketë qenë Rossini. Ore kontrolloni njëherë mirë kryeministrinë mos kanë vjedhur ndonjë gjë aty,” shkruan ai. syri.net