Në Shqipëri parlamenti mblidhet sot në një seancë të veçantë për të votuar anëtarët e Komisionit të posaçëm i cili do të duhet të bëjë përzgjedhjen e anëtarëve të strukturave për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në seancë pritet të miratohen vetëm emrat e anëtarëve të shumicës, dy nga Partia socialiste dhe një nga Lëvizja socialiste për Integrim. Tre anëtarët e tjerë i përkasin opozitës, e cila prej disa javësh ka bojkotur parlamentin, paralelisht me protestën për të kërkuar një qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme më 18 qershor.
Për pasojë, funksionimi i Komisionit të posaçëm bëhet i pamundur, dhe i gjithë procesi i rivlerësimit mbetet i bllokuar. Pa ecur më tej me këtë fazë, edhe zbatimi i mëtejshëm i Reformës në Drejtësi kalon në ngërç, pasi nuk mund të ngrihen as institucionet e reja të parashikuara prej saj. Ligji për rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve ka qenë ndër më të debatuarit.
Ai u kundërshtua me forcë nga opozita e cila bëri ankimim edhe në Gjykatën kushtetuese. Çështja shkoi në Komisionin e Venecias, i cili solli një vlerësim pozitiv, e më pas dhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi pretendimet e opozitës.
Komentet