Kuvendi i Kosovës është duke e mbajtur një seancë solemne më 12 qershor për nder të 25-vjetorit të Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.
Seanca nisi me këndimin e himnit kombëtar shqiptar dhe himnit shtetëror të Kosovës, si dhe me një minutë heshtje për të gjithë të rënët në luftën e viteve 1998-’99.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur në seancën solemne, tha se hyrja e NATO-s në Kosovë ishte “triumf i të mirës ndaj të keqes dhe triumf i drejtësisë mbi shtypjen”.
Osmani në fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se NATO solli mesazhin se nuk e kishte harruar Kosovën.
“Ata nuk ishin vetëm ushtarë, ata ishin shpëtimtarë, ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk kishe harruar për popullin e Kosovës, dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë”, tha ajo.
Osmani po ashtu tha se sot Kosova e meriton të jetë pjesë e aleancës së NATO-s.
I pranishëm në seancë është edhe shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker.
Walker luajti rol kyç në dokumentimin e masakrës në Reçak të Shtimes, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë më 15 janar të vitit 1999. Walker e cilësoi ngjarjen si krim kundër njerëzimit.
Të pranishëm janë gjithashtu edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, si dhe ish-president i Kroacisë, Stipe Mesiq.
Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.
Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.
Ndërhyrja ushtarake e NATO-a ndodhi pas gati një dekade përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për t’i ndalur luftërat në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, asaj i parapriu Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit, ku Serbia refuzoi kompromisin që të ndalte dhunën e forcave të saj në Kosovë.
Në luftën e viteve 1998-’99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.
Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.
Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur.
Njëzetepesë vjet pas hyrjes në Kosovë, numri i trupave të KFOR-it është zvogëluar dhe aktualisht në vend janë mbi 4 mijë trupa nga 28 shtete të botës.