Me 80 vota për dhe 11 kundër Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Marrëveshja u votua nga partitë në pushtet dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë ndërsa kundër saj votuan Grupi i Pavarur i Deputetëve, grup ky i dalë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ratifikimi i marrëveshjes pasoi ndërprerjen e seancës për katër herë me radhë pasi deputetët e lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës për të penguar ratifikimin e saj.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se tashmë ka ndaluar pesë deputetë të lëvizjes Vetëvendosje të dyshuar për hedhjen e gazit lotsjellës.
Seanca për votimin e marrëveshjes pasoi debatin prej rreth nëntë orësh të një dite më parë, në përpjekje për t’i dhënë fund një periudhe më shumë se dy vjeçare të përplasjeve e mospajtimeve të thella ndërmjet subjekteve politike të ndara rreth rrjedhojave të kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, kishte ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në rrjetin social Facebook tha se parlamenti i dha fund paqartësisë së panevojshme politike rreth vijës kufitare me Malin e Zi.
“Ratifikimi i sotëm i marrëveshjes ndërshtetërore, që mbajti peng përplot tre vjet liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, ishte veprim i drejtë i shumicës parlamentare. Ishte një veprim që garanton dhe forcon të ardhmen euroatlantike, duke i hapur rrugë shumë proceseve të rëndësishme për shtetin tone”, thuhet në reagimin e presidentit Thaçi.
Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie përshëndeti ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
“Ky është lajm me të vërtetë i mrekullueshëm, parlamenti i Kosovës bëri gjënë e duhur dhe në emër të vendit tim dua të falenderoj të gjithë ata deputetë që në mënyrë demokratike kanë votuar për marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi”, tha ai.
E nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015, marrëveshja tashmë është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje pritet t’i hapërrugën liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës ndërsa ishte edhe një nga kushtet që Kosova duhet të përmbushte drejt rrugës së saj drejt integrimeve evropiane. za
Komentet