Me 86 vota për dhe shtatë kundër, parlamenti i Kosovës ratifikoi të enjten marrëveshjen me Danimarkën për dhënien në shfrytëzim të 300 qelive të burgut në qytetin e Gjilanit, për të ndihmuar vendin skandinav të përballet me sistemin e tij të mbipopulluar të burgjeve.
Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli tha se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me Danimarkën dhe përfitimet e vendit nga kjo marrëveshje.
“Sipas traktatit Kosova do të vendosë në dispozicion kapacitete të përshtatshme për 300 të burgosur të Mbretërisë së Danimarkës dhe rrjedhimisht Kosova do të përfitojë në këmbim tarifë vjetore fikse për shfrytëzimin e burgut prej 15 milionë eurosh dhe 6 milionë të tjera për energji të gjelbër të cilat i kemi shumë të nevojshme”, tha zonja Rizvanolli.
Ideja për marrëveshjen ishte paraqitur në fund të vitit 2021 me të cilën parashihej që shteti danez të marr në shfrytëzim për një periudhë 10 vjeçare qendrën e paraburgimit në Gjilan, rreth 45 kilometra në lindje të Prishtinës.
Zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë kanë thënë se Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro nga Danimarka, e cila do të financojë sistemin e drejtësisë të Kosovës dhe projekte të energjisë së ripërtërishme.
Praktika të tilla janë zbatuar në vendet evropiane edhe më parë, përfshirë Norvegjinë dhe Belgjikën që kishin marrë me qira qeli burgu në Holandë.
Kritikët e marrëveshjes në Kosovë tërheqin vërejtjen se vendi ka mungesë të mundësive dhe burimeve për një marrëveshje të tillë.
Marrëveshja që ishte kundërshtuar më herët nga opozita, tashmë është mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës, gjë që mundësoi ratifikimin e saj.
Mbështetja e Partisë Demokratike në opozitë për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare pas gati një vjet bojkotimi, pasoi një takim javën e kaluar ndërmjet kryetarit të kësaj partie Memli Krasniqi dhe kryeministrit Albin Kurti, në të cilin është diskutuar edhe për zgjedhjet e reja.
Partia Demokratike e Kosovës u kërkoi gjatë javës partive politike parlamentare mbështetje për një mocion për shpërndarjen e parlamentit të Kosovës, si rrugë për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.
Derisa partia në pushtet lëvizja Vetëvendosje është shprehur e gatshme të hap diskutimet me partitë opozitare në vend për të shpallur zgjedhjet e reja parlamentare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti si rrugë për ta cuar vendin në zgjedhje të reja.
Mocioni për shpërndarjen e parlamentit mund të bëhet me nënshkrimet e 40 deputetëve, ndërsa për miratimin e tij duhen 80 vota në parlamentin 120 vendesh. Nëse deputetët merren vesh për shpërndarjen e parlamentit atëherë presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen më së largu 45 ditë pas shpalljes së tyre.
Mandati i qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025. Përgjatë tij partitë opozitare kanë kritikuar qasjen e qeverisë kundruall aleatëve të saj perëndimor gjë që çoi edhe në dështimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.