Ka filluar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës me të vetmen pikë të rendit të ditës – miratimin e amendamentit kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale. Miratimi i këtij amendamenti është i mundur vetëm me anë të dy të tretave të votave të deputetëve të Kuvendit.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh lider i PDK-së, ka thënë para Kuvendit të Kosovës se deputetët i kanë dy mundësi para vetes, të themelojnë vet këtë gjykatë apo që çështjen t’ia lënë në duar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku sipas tij, ka edhe vende që e kundërshtojnë dhe sfidojnë shtetësinë e Kosovës. Ai ka ftuar deputetët të votojnë themelimin e kësaj gjykate.
Faton Klinaku, përfaqësues i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ka bërë thirrje pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ta lirojnë oborrin e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se “nuk jemi nën masa të dhunshme dhe se protesta po bëhet me kërkesën që e ka gjithë populli, mos votimin e Gjykatës Speciale”.
Në vazhdën e qëndrimeve opozitare, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes liderit të saj, Ramush Haradinaj ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale. Haradinaj ka thënë se kjo gjykatë paraqet një monstrum ligjor i cili po i ofrohet vetëm Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar ashpër themelimin e Gjykatës Speciale. Deputeti Glauk Konjufca e ka krahasuar këtë vendim me kohën e suprimimit të autonomisë së Kosovës në epokën e ish-Jugosllavisë. Themelimi i kësaj gjykate, sipas tij, është cungim i sovranitetit të Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dhënë mbështetje themelimit të Gjykatës Speciale. Kryetari i Grupit Parlamentar të kësaj partie politike, Ismet Beqiri ka thënë se amendamenti kushtetues është në harmoni me Kushtetutën, kështu që i ka dhënë mbështetje.
Partia Demokratike e Kosovës mbështet themelimin e Gjykatës Speciale. Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se pas konsultimeve të shumta, kjo parti politike i jep mbështetje themelimit të kësaj gjykate.
Pas insistimit të opozitës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli bëri thirrje publike që asnjë forcë policore, nga njësitë speciale të mos qëndrojë brenda oborrit të Kuvendit të Kosovës.
Deputetët opozitarë i ripërsërisin kërkesën kryetarit të Kuvendit që të largohen forcat speciale nga oborri i Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se njësitë speciale janë me pajisje komplete sikurse të ishte luftë. Ai tha se këto forca nuk kanë se çfarë kërkojnë në oborrin e Kuvendit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka shprehur pakënaqësinë e tij me seancën e sotme, për shkak të pranisë së shtuar të forcave policore brenda dhe përreth ndërtesës së Kuvendit.
Ai ftoi kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli që t’i ftojë forcat policore të largohen, duke e cilësuar këtë seancë nën represionin policor.
Veseli i është kundërpërgjigjur deputetit Konjufca në lidhje me forcat policore, duke thënë se në ndërtesën e Kuvendit nuk ka forca speciale të policisë.
Komentet