Ish-stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”, sot i njohur sj “Air Albania”, ka bërë sërish jehonë të keqe në mediat e vendeve të huaja që luajnë aty.
Lee Dixon i ITV në Angli, si edhe The Guardian, kanë kritikuar fushën e stadiumit pas ndeshjes së djeshme Shqipëri Angli 0-2.
Në komentet e tyre theksohet se dallohet qartë se qarkullimi i topit dhe pasimet e shpejta ngadalësohen për shkak të terrenit të rënduar.
Ata theksojnë se stafi i kombëtares angleze i ka kërkuar madje Federatës Shqiptare të Futbollit para ndeshjes që të merren masa, por kërkesa e tyre ka rënë në vesh të shurdhër.
Sipas prestigjozes “Times”, impianti 22.500 vendësh i kryeqytetit shqiptar ka probleme me fushën dhe me hijen që krijohet nga kulla që okupon një prej këndeve të stadiumit.
“Stadiumi Air Albania me 22.500 vende në Tiranë u hap vetëm një vit më parë, por ka patur probleme që në ndeshjen e parë me Francën.
Në vitin 2015, megjithë kundërshtimet për të mos ndërhyrë në arkitekturën e qendrës së Tiranës, qeveria vendosi që Stadiumi Kombëtar Qemal Stafa të prishej.
Bashkë me stadiumin u zhduk dhe emri i Qemal Stafës, emër të cilin kryeministri dhe zyrtarët nuk e përmendnin më gjatë njoftimeve të bujshme të herëpashershme mbi punimet.
Fituese e koncesionit u shpall kompania “Albstar” dhe punimet për ndërtimin nisën menjëherë në qershor të vitit 2016 me shembjen e stadiumit “Qemal Stafa”.
I projektuar nga grupi italian Serenissima Costruzioni, stadiumi i ri që u pagëzua fillimisht nga Kryeministri si “Arena Kombëtare” parashikohej se do të kushtonte 50 milionë euro. Por ky ishte vlerësimi fillestar, ndërsa kostoja faktike e veprës do të rezultonte 50 për qind më e lartë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Federata Shqiptare e Futbollit, stadiumi i ri ka kushtuar plot 75 milionë euro. Kompania private ka përfituar 20 mijë metra katrorë mjedise tregtare në trupin e stadiumit dhe një kullë 24 katëshe, ndërsa Federata mori 4 mijë metra katrorë zyra.
Stadiumi i ri nuk ka pistë olimpike dhe megjithëse i inaguruar me pompozitet, ai shfaqi probleme që në ndeshjen e parë me kampionët e botës, Francën.
Projekti i stadiumit të ri mori kritika sidomos për mungesën e pistës olimpike dhe për kullën. Por projekti u mbrojt me forcë nga kryeministri Rama:
“Shakaxhinjtë e përparimit nuk lexojnë, nuk studiojnë, nuk dinë, nuk kuptojnë dhe nisen vetëm nga paragjykime apo gjykime parafabrikate për të sulmuar çdo gjë të re që bëhet këtu. Po nuk ka pikë rëndësie kjo, ne do të vazhdojmë punën siç kemi vazhduar nuk do të shohim dhe nuk do të dëgjojmë as majtas as djathtas, do të ecim drejtë dhe do ta ndërtojmë stadiumin me krenarinë e madhe”, tha Rama asokohe dhe shtoi se “kjo është e vetmja rrugë për të ripërtërirë infrastrukturën e futbollit me stadiume bashkëkohore”.
“Stadiumet nuk janë objekte që menaxhohen kollaj. Vetëm mirëmbajtja kërkon 150 milionë lekë në vit të vjetra. Por këtu do të kemi një stadium jo vetëm të ndërtuar, por edhe të menaxhuar”, u shpreh Rama./dita
Komentet