Etja për pushtet e opozitës PAN-iste, rrast të zhytur në krime e hajni, ka errësuar mendjen edhe ashtu të çoroditur të tyre. Kanë livadhisur për dy dekada radhazi, duke e zhvatur Kosovën, të ndihmuar, reciprokisht, me makro-kontrabandën edhe nga radoiçiqët, me “Listën Serbe” të tyre, përtej lumit Ibër.
Tashmë, shpërfaqen, hapur e vrazhdë, qëllimet errëtake të tyre, duke proklamuar tri kushtëzimet domëthënëse:
1) Nuk votojmë asnjë ligj, qoftë të brendshëm apo ndërkombëtar, pa caktuar datën e zgjedhjeve;
2) Pa e zgjidhur çështjen e pagesës të veteranëve, qofshin ata edhe 40.000 syrësh “veteranë” të rrejshëm;
3) Nuk votojmë asgjë të pozitës, deri sa Kosova është nën sanksione ndërkombëtare!
Me qëllimin final, – dështimin e dhunshëm të qeverisë aktuale të Vetëvendosjes -, ligjet e nxjerra nga qeveria, i ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese, me bindjen se – fitojnë betejën -, ngaqë aty i kanë “çinovnikët”, (nëpunësit), e Hashimit dhe të Ramushit, ashtu siç kanë vepruar me “Zajednicën”; 24 hektarët tokë të falura Manastirit të Deçanit dhe pisllëqe të tjera serike.
Së fundi, kërkojnë debat për disa palo “Rezoluta”, siç është pagesa shtesë të Policisë, përkatësisht, kuota për rrezikshmëri; për aferën e stisur dhe të shpifur të rezervave të shtetit, edhe pse drejtësia nuk gjeti shkelje penalizuese. Pra, duan -llafe parlamentare-, për ta shtuar klientelën e tyre partiake, siç vepruan me “veteranët!”
Rrugaçëri neveritëse dhe unike e opozitës PAN, kur kushtëzojnë votimin e ligjeve dhe marrëveshjeve, me heqjen e sanksioneve të vëna nga ndërkombëtarët Kosovës, kinse këto i solli pozita e sotme?! Ndërkohë që e gjithë bota e dinë se asnjë faj nuk ka pasur Kosova dhe qeveria e saj. Paradoksalisht, në vend të persekutorës Serbi, dënuan viktimën Kosovë!
Është trinomi Vuçiq-Rama-Opozita e Kosovës, që kontribuan, koordinueshëm e suksesshëm, në vënien e sanksioneve Kosovës. Në të gjitha prononcimet e këtij trinomi armiqësor ndaj pozitës, rrjedhimisht, edhe Kosovës, janë ata që realizuan vënien e sanksioneve. Dhe, kjo u bë hapur e zhurmshëm, në paraqitjet “live”, jo vetëm të trinomit të përmendur, por edhe në konspiracion, të eksponentëve në shërbim të trinomit, duke i bërë thirrje Amerikës dhe BE-së, ta ndëshkojnë Albin Kurtin dhe partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje. Sepse pozita lakuriqësoi tradhtinë e madhe të Hashim Thaçit, i cili në koordinim me Vuçiqin, Ramën, Grenellin, konspiruan dhe punuan shumë për ndarjen e Kosovës.
E gjitha bota demokratike i denoncoi ndërmjetësuesit e BE-së, tandemin Borrell e Lajçak dhe të tjerë anësorë, për njëanshmërinë e turpshme, në favorizimin e Serbisë, në raport me Kosovës. Dhe, opozita bastarde ende “i bie teneqes së shpuar”, duke u vënë në shërbim të drejtëpërdrejtë të Serbisë agresore. “O tempora, o mores”, (0 kohë, o zakone), do të thërriste latini i lashtë!
Çfarëdo nismash që ndërmerrë Qeveria e Vetëvendosjes, e akuzojnë se e bënë për interesa elektorale! Por, në fakt, është opozita ajo që vuan nga kjo frikë, e provuar në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Pas disa luhatjeve, hiç fisnike, LDK-ja u shkëputë nga koordinimi i opozitë-bërjes me PAN-in kriminal, duke u deklaruar hapur se “ne aprovojmë të gjitha ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, sepse ato i tejkalojnë interesat partiake, janë në interes të popullit!”
Realisht, LDK-ja, pas rugoviane, kapitulloi nën presionin e agjentëve të SHIK-ut kriminal, brenda LDK-së dhe shërbeu si patericë e PAN-it, për ta mbajtur dhunshëm në pushtet, për disa mandate radhazi ate. Edhe pse e vonuar, këndellja është e shëndetshme për një parti.
Pazari i votave anekënd Kosovës degradoi Parlamentin
Praktika e mungesës së kuorumit parlamentar, në seanca apo komisionet e tij, është degradim i Kuvendit. Ligjet për ta parandaluar këtë, nuk mungojnë. Por, konformizmi i turpshëm brenda strukturës, ka anashkaluar zbatimin e ligjshmërisë. Si masë e parë është -ndalesa e pagës, për çdo mungesë ditore të paarsyetuar-.
Degradimi i Parlamentit të Kosovës ka nismuar me kontrabandimin e disa “komandantëve” kapadai e fodullë në parlament. Dhe, shumëzimi i deputetëve kriminelë e rrugaçë ka ndodhur me ndryshimin e ligjit – Kosova me një zonë zgjedhore -! Ky ligj e shkarkon nga çfarëdo obligimi të drejtëpërdrejtë deputetin, sepse ai është deputet i të gjithëve, respektivisht, deputet i askujt. Pra, nuk ka asnjë përgjegjësi direkte ndaj askujt! Mendimi se ai i përgjigjet popullit, është një broçkullë, një gënjeshtër.
Rrjedhimisht, është i domosdoshëm kthimi tek zgjedhja klasike e deputetëve, përkatësisht, në zonat komunale, ku vlerësimi, gjithësesi, është më objektiv.
Kundërpërgjigja e kryeministrit Albin Kurtit, për akuzën që ia faturon opozita, për refuzimin për t`u përgjigjur pyetjeve të deputetëve në seancën parlamentare, si dhe bojkotin e deputetëve të mazhorancës, në debatin për ndoca rezoluta, është, tërësisht, i përligjur dhe saktësisht vendim i drejtë i Vetëvendosjes. PAN-i, i cili e ka përgjakur dhe zhvatur Kosovën, nuk meriton asnjë vëmendje pozitive, për bojkotin e poshtër dhe kriminal, që vazhdon të bëjë në dëm të Kosovës dhe popullit të saj.
Për partitë-banda të PAN-it, po sjell një shprehje adekuate, të përdorur, së fundi, nga gazetari, diplomati, studjuesi e atdhetari nga Shqipëria-Nënë, Shaban Murati: “Lehësit e së keqës”. Me slloganin “shpif, shpif, se diçka mbetet”, tellallët e PAN-it, janë mërdhezur në sulmet dështake, me qëllimin e vetëm, për ta marrë pushtetin e humbur meritueshëm, nga refuzimi, pothuajse, plebishitar i popullit, në zgjedhjet e fundme parlamrntare më 14 shkurt 2021.
Ndërkohë, janë shtuar zërat për shpalljen e paligjshme të këtyre partive-banda të PAN-it, me ngjashmëri tipike me -Listën Serbe-, fundërisht, të inkriminuara, lehësit e saj, paradoksalisht, kërkojnë sërishmi pushtetin!?! Populli thotë: “Marrja s`ka mbytë askënd!”